Loja politike me hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit

0
146
Nga Blerina Gjoka
 Amendimi i ligjit të dosjeve i hap rrugë rivlerësimit të certifikatës së pastërtisë së Ilir Metës, por nuk i bën të hapura dhe të aksesuesshme lehtë dosjet e Sigurimit dhe as nuk krijon mekanizëm lustracioni.

Kuvendi miratoi me 20 tetor disa ndryshime në ligjin “Për të Drejtën e Informimit për dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit” pas një bashkimi votash mes mazhorancës socialiste dhe një pjese të opozitës, ndryshime që u fokusuan tek togfjalëshi “hapja e dosjeve”.

Iniciativa për ndryshimin e ligjit erdhi nga mazhoranca pasi Autoriteti për Dosjet (AIDSSH) njoftoi Kuvendin se në një email anonim kishte hedhur dyshime se një politikan i lartë me inicialet I.M kishte qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit famëkeq të shtetit.

Autoriteti kërkoi të drejtën për të riverifikuar figurat e zyrtarëve të lartë që kishin marrë “çertifikatë pastërtie” nga dy komisione të ngritura në vitet pas rënies së komunizmit.

I dyshuari kryesor i gjëegjëzës, ish-presidenti Ilir Meta, i hodhi poshtë akuzat dhe e cilësoi inciativën një sulm politik.

Neni që ndalonte autoritetin për verifikimin e Metës u rrëzua, por gjatë diskutimeve në Kuvend debati politik e anashkaloi këtë çështje duke u fokusuar tek një nen i ri që parashikon aksesin në dosjet e ish-sigurimit për çdo qytetar.

Amendamenti i propozuar nga Enkelejd Alibeaj u negociua në minutën e fundit në seancë plenare dhe u miratua me 94 vota të mazhorancës dhe disa deputetëve të PD-së që njihen si grupi i Alibeajt.

Grupi tjetër në PD, mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, nuk morën pjesë në votim duke e konsideruar nismën “anti-Meta”.

Alibeaj e cilësoi këtë nen si nisjen e një procesi purifikimi të shoqërisë dhe kurajo për të kuptuar se ”kush nuk ka skelete në dollap”.

Vetë përmbajtja e nenit të miratuar krijon shumë paqartësi nëse aksesi i çdo qytetari do të jetë i mundur në praktikë.

Neni ka këtë përmbajtje: “Çdo person gëzon të drejtën  të njihet me dokumentet e ish sigurimit të shtetit dhe të kërkoj  një kopje të tyre, në përputhje me ligjin  për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi  të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i  nevojshëm për gjejtjen dhe vënien në dispozicion të informacionit  është në përpjestim të drejtë me interesin  e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni. Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë”.

Një zyrtar i Autoritetit të Dosjeve i tha BIRN-it në kushtet e anonimatit se lejimi për të riverifikuar zyrtarët që ishin mbrojtur nga komisionet Mezini e Bezhani është me rëndësi, ndërsa neni i “hapjes së dosjeve” nuk ndryshon praktikën e mëparshme në këtë drejtim.

“Me ligjin që ishte në fuqi kishin të drejtë të kërkonin dosje ish-të përndjekurit ose familjarët e tyre, ish-bashkëpunëtorët e sigurimit dhe palët e treta ku përfshiheshin studiuesit dhe gazetarët,” shpjegoi zyrtari.

“Me këtë nen i është dhënë e drejta dhe çdo qytetari, por duke i vendosur klauzola për arsyet e kërkesës dhe përdorimit të informacionit,” shtoi i njejti burim.

Zyrtari sqaroi se çdo dosje do të kalojë të njëjtat procedura administrative si më parë dhe se në çdo rast nuk mund t’i jepet një dosje palëve të treta pa pëlqimin e personit ndaj të cilit është hapur kjo dosje.

“Në praktikën tonë të punës nuk ndryshon asgjë,” theksoi ai. “I vetmi lehtësim në praktikën e autoritetit është deklasifikimi i dokumenteve pasi heq burokracitë e deklasifikimit,” përfundoi zyrtari i Autoritetit, duke iu referuar një tjetër amendamenti në ligjin “Për informacionin e klasifikuar”.

 *  *  *

INFORMACIONI I KLASIFIKUAR

(Komisioni për Çështjet Ligjore miratoi të premten projektligjin “Për informacionin e klasifikuar”,  ku u përfshi me konsensus edhe amendamenti për deklasifikimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit nga viti 1944 deri në vitin 1991.

“Nga zbatimi i kësaj dispozite, përjashtohen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare,” thuhet në amendamentin e përfshirë në projektligj me propozim të kreut të grupit të PD, Enkelejd Alibeaj.

Deputetët socialistë votuan pro përfshirjes së këtij propozimi, por refuzuan të fusin një tjetër amendament sqarues mbi të, sipas të cilit, çdo institucion i Administratës Publike ka detyrimin të publikojë bibliografinë e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe çdo person gëzon të drejtën të njihet dhe të kërkojë një kopje të tyre.

“Kjo pikë do të bënte që ato të jenë të deklasifikuara totalisht,” argumentoi Alibeaj.

Ky propozim u kundërshtua nga relatorja socialiste, Ermonela Felaj, pasi sipas saj, nuk ka nevojë për specifika të tilla në këtë ligj,  pasi është ligji për Autoritetin e Dosjeve që parashikon mënyrat e njohjes me dokumentet e ish-Sigurimit.

Debati politik për këtë çështje vijoi gjatë diskutimit të projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Nisma ligjore propozon shfuqizimin e një pike të ligjit që ndalonte AIDSSH-në që të verifikonte zyrtarë publikë që kishin kaluar një verifikim të figurës nga dy komisione të ngritura në vitet e para pas rënies së regjimit komunist, të njohur si komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”.

Por një propozim i ri i Autoritetit që t’u jepej e drejta familjarëve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit që të njiheshin me dosjet e prindërve, në rastet kur ata nuk ishin gjallë, riktheu debatin për hapjen e dosjeve.

Propozimi, sipas deputetit Gazmend Bardhi, binte në kundërshtim me amendamentin e sapomiratuar  në ligjin për  “Për informacionin e klasifikuar”.  Sipas tij, kjo ishte një tentativë e mazhorancës për të vijuar praktikën e mbajtjes sekret të këtyre dosjeve.

“Ne sapo miratuam një deklasifikim të dokumenteve dhe kjo presupozon që të drejtën për t’u njohur me dokumentet e Sigurimit do ta ketë çdo person në përputhje me të drejtën e informimit,” tha ai, duke kërkuar që kjo të shkruhet në ligjin e Autoritetit të Dosjeve.

Sipas Bardhit, duhet bërë  hapje e të gjitha dosjeve për çdo person që ka interes për t’u njohur me këto dokumente dhe jo vetëm për personat e prekur apo familjarët e tyre. Ai kërkoi që të hiqen kriteret dhe subjektet e posaçme që kanë të drejtën për të kërkuar informacionin.

Por sipas Felajt, sugjerimi i Bardhit “rrëzon ligjin, rrëzon dhe autoritetin” dhe “mund të fuste njerëzit në konflikt social”.  “Nuk është ky interesi ynë, po të garantojmë të gjithë ata që kanë të drejtë të informohen,” shtoi ajo duke këmbëngulur në ruajtjen e procedurës së deklasifikimit siç është në ligjin për Autoritetin.

Deputetët nuk i votuan ndryshimet në dispozitat e këtij ligji, pasi komisioni vendosi të shtynte diskutimin për mbledhjen e radhës.

Nisma për riverifikim të “çertifikatës së pastërtisë” së komisioneve të mëparshme u nxit nga debati i muajit gusht për pastërtinë e figurës së ish-presidentit Ilir Meta.

Një shkresë e Autoritetit të Dosjeve drejtuar Kuvendit fliste për indicje që mund të implikonin Metën si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit. Vetë Meta i hodhi poshtë akuzat dhe bëri padi penale për falsifikim dokumentash për anëtarët e bordit drejtues të AIDSSH-së.

Debati për të shkuarën në këtë sesion parlamentar do të vijojë me një tjetër nismë ligjore për të sanksionuar në Kodin Zgjedhor verifikimin e lidhjeve me ish-Sigurimin për çdo kandidat për deputet dhe kryebashkiak.)

*   *   *

Edhe për Simon Mirakaj, që shërbeu pesë vite si anëtar bordi i këtij institucioni, neni në fjalë nuk ndryshon asgjë në praktikë, përveçse po shërben për konsum politik të ditës.

“Çdo person që ka dashur të informohet nëse ka qenë bashkëpunëtor i ish-sigurimit, ka plotësuar formularin e ka marrë përgjigjen,” tha Mirakaj.

“Kush ka aplikuar a ka qenë i survejuar apo a ka pasur ndaj tij dosje të krijuar nga ish-sigurimi e ka marrë dosjen sipas ligjit,” shtoi ai.

Sipas tij i vetmi ndryshim i vërtetë i ligjit është ai për rrëzimin e komisioneve Mezini e Bezhani.

Mirakaj, jeta e të cilit u shënjua si ‘armik i popullit’ dhe kaloi në internim 44 vjet, thotë se edhe këtë herë politika dështoi që të dënonte krimet e komunizmit dhe se ligji që miratuan në Kuvend nuk i prek autorët e vërtetë të terrorrit që përdori diktatura e Enver Hoxhës.

“Përpara se të mbërrihej të ligji i dosjeve duhej të dënohen krimet e komunizmit me ligj, të dënohej ai sistem,” tha Mirakaj, ndërsa shtoi se “shqetësues është fakti që ky ligj deri tani nuk prek dhunuesit, si oficerët e ish-sigurimit, hetuesit, prokurorët, gjykatësit.”

Nisma e dekumunistizimit në funksion të politikës së ditës

Ekspertët e politikës dhe historisë janë të ndarë në qëndrimet për nismat e fundit për dekomunistizimin dhe hapjen e dosjeve.

Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Politike, i tha BIRN se këto nisma janë akte dukshëm në funksion të politikës së ditës.

“Ato as nuk hapin dosjet dhe as bëjnë dekomunistizimin, sepse nuk sigurojnë mekanizma transparente, të besueshme dhe as vetting e lustracion të figurave drejtuese të Sigurimit dhe regjimit komunist,” tha ai.

Sipas Krasniqit thelbi i problemit është se Shqipëria ka dështuar në ndarjen me të kaluarën dhe reflektimin mbi bazën e ligjit, moralit dhe integritetit.

“Një interes i ngushtë elektoral arrin të keqpërdor parlamentin për ta legjitimuar, siç ndodhi me ndryshimet kushtetuese paraelektorale më 2020 dhe me akte të tjera të njëjta me impakt vetëm elektoral,” theksoi ai.

Angazhimi i Partisë Socialiste në këtë proces, sipas Krasniqit, është i nxitur nga interesi politik dhe nuk ka lidhje me programin politik.

“(PS) ka elementë të shumtë të nostalgjisë dhe amnistisë së krimeve të regjimit të kaluar, ndaj të cilave ajo nuk është distancuar pasi mbetet një parti me elementë të nostalgjisë dhe amnistisë së krimeve të regjimit,” theksoi Krasniqi.

Ndryshe mendon pedagogja e historisë, Enriketa Papa, anëtare bordi e Institutit për Studimet e Komunizmit. Ajo beson se nismat nuk janë për konsumin politik të ditës, por shton se ato kanë vetëm karakter informues dhe jo penalizues për krimet e kryera gjatë komunizmit.

“Me ndryshimet në ligjin e aprovuar që në 2015-ën u hoqën kufizimet ligjore për t’u informuar qytetarët shqiptarë mbi dokumentat e ish-Sigurimit te Shtetit”- tha ajo për BIRN, duke iu referuar deklasifikimit të plotë të dosjeve.

“Nisma do të duhet të shoqërohet me akte të tjera ligjore, si lustrimi, apo ndryshime të tjera, qofte dhe në Kodin Penal, për të mundësuar penalizime në ushtrimin e detyrës në ofiqet e larta publike,” shtoi ajo.

Krasniqi mendon se nismat e lustracionit do të kishin kuptim nëse do të ishin gjithpërfshirëse dhe jo të targetojnë vetëm një individ.

“Nëse nisma do të kishte p.sh, ndalimin në poste politike të çdo individi pjesë e Sigurimit të shtetit, regjimit policor, udhëheqjes lokale e qendrore të PPSH, atëherë do të kishte sens, por nisma ligjore vetëm për kryetarin e partisë, nuk ka as sens, nuk sjell ndryshim dhe lidhet me luftën politike ndaj një individi,” tha ai.

Sipas Krasniqit synimi kryesor i PS është parandalimi i bashkimit të opozitës, e cila, sipas tij gjithaashtu ka dështuar të ketë qasje të besueshme dhe shteruese lidhur me dosjet dhe dekomunistizimin dhe ngjason me PS-në aktuale në përpjekjet periodike për ta përdorur këtë kauzë në funksion të fushatave elektorale, siç ka bërë më 1996, 2009, etj..

Instrumentalizimin e kauzës për arsye politike e thekson dhe Papa, e cila shton se nismat japin një mundësi për të zbardhur të kaluarën.

“Ky ndryshim mendon se duhet konceptuar ne kuader te politikes se kujteses dhe ushtrimit madje te mekanizmave te drejtesise tranzitore,” përfundoi ajo.