Loja e kapuçave në Triesh si trashëgimi e traditës

0
560

Gjekë Gjonaj – Ulqin

Brezi im  në Triesh mban mend disa lojëra  popullore  të cilat janë marrë në mënyrë origjinale nga ata që shumë vite më përpara  i kanë luajtur  në dasma, gëzime familjare, ndeja pas darke,   netëve të dimrit,  në orët e vona të natës, kur mblidheshin  tek shtëpia e ndonjërit për qejf  dhe aktivitete të tjera në vendlindjen time. 

Njëra ndër lojërat e shumta popullore në historikun e malit të Trieshit,   ka qenë  loja e kapicave ( kapuçave) . Kjo lojë plot krijimtari ,  humor e satirë,  si trashëgimi e traditës , ka qenë mjaft popullore, interesante dhe tërheqëse. Nëpërmes  kësaj lojë të bukur e shlodhëse  trieshjanët qysh në kohëra e vjetra  kanë plotësuar dëshirën e tyre argëtuese  sidomos gjatë netëve të  gjata të dimrit.  Unë disa herë kam qenë dëshmitar i organizimeve mjeshtërore të kësaj lojë  e cila  sjell kënaqësi jo vetëm për ata që   e luajnë, por edhe për ata që e shohin.

Rregullat e lojës

I zoti i shtëpisë fillimisht përgatit vendin se ku do të luhet loja. Ai  aty shtron një  post, qilim apo një shtresë tjetër të përshtatshme për këtë  lloj  ” betejë”  burrash , ku rreshtohen  kapuçat dhe ulen në gjunjë lojtarët.  Vendi   më i përshtatshëm gjithmonë  ka qenë  pranë vatrës së zjarrit, përballë oxhakut, që lojtarët të mos kenë të ftohtë. Pastaj  caktohen dy vetë  për të  zgjedhur  (ndarë) lojtarët. Zgjedhja e lojtarëve fillon me shprehjet:

  • U’ dua filanin, thotë i pari.
  • U ‘ dua filanin, thotë i dyti.

Dhe kështu  vijohet derisa secili të zgjedhë aq lojtarë sa  janë marrë vesh   njëri me tjetrin.  Pasi  ndahen   në dy grupe burrash    secili lojtar shkon në  krahun  e tij, vihen  përballë njëri-tjetrit të ulur në gjunjë. Një grup burrash në një anë, një grup në anën tjetër.  Në lojë   përdoren së paku 12  çorape leshi që simbolizojnë kapuçat ( të cilat  mbahen enkas vetëm për lojë) , gjashtë  nga njëra e gjashtë nga ana tjetra përballë, mundësisht të ishin të gjithë të bardhë dhe të njëjtë. Në mungesë të çorapeve të  leshta lejohej zëvendësimi  i tyre me ruba e shalle derisa të plotësohej numri i duhur. Për zhvillimin e lojës duhej një sferë plumbi  të gjyleve të topit me diametër rreth 1 cm. që quhet “kokrra e kapuçave”, e cila  është prej plumbit të gjyleve të topit. Në kohën time  për këtë lojë kemi përdorur unazën, në vend të plumbit.  Grupet paraprakisht  merren vesh  se a do t’ia këndojnë   këngët tallëse ekipit humbës , të cilat shoqëroheshin edhe me valle të lidhur krah për krah, duke ju ofruar majat e këmbëve deri të hunda humbësve, të cilët rrinin të ulur dhe me shpresë që t’u marrin hakun në lojën tjetër. Loja ishte shumë  më interesante  dhe më emocionuese kur palët dakordoheshin  të këndojnë këngë të kapuçave, që kanë qenë të shumëllojshme,  nga më shpotitëse dhe me pak banalitet brenda. Madje në disa raste ato ishin edhe mjaft ofenduese. I gjithë qëllimi i kësaj loje është të gjesh ku e ka futur kundërshtari kokrrën. Hidhej shorti se cila palë do ta  fshehë kokrrën e  para. Kokrrën e fshehte ai që kishte më tepër mjeshtëri. Lojtari  në dorën e djathtë mbante  kokrrën. Me dorën e majtë kapte çorapin, ndërsa dorën e djathtë  e fuste me radhë  me shpejtësi  në të gjitha kapuçat  dhe në njërën prej tyre, e fshehte  kokrrën ( plumbin-unazën)  sa  mundej pa e kuptuar  kundërshtari.  Shpejtësia e kalimit të dorës nëpër çorape ishte e jashtëzakonshme për të mos u dalluar momenti kur e lëshon kokrrën nën çorapë. Kundërshtarët e  përcillnin me vëmendje të madhe  atë që e fshehte kokrrën dhe ndiqnin çdo lëvizje të tij. Kundërshtari rrinte i përqendruar te sytë dhe te dora e atij që fshihte kokrrën, ndërsa mbështetësit e tij, shkëmbenin lojëra e batuta fjalësh për të hutuar ndjekësit e fshehësit në mënyrë që  të mos e kuptonin se në cilin çorap fshihej kokrra. Kishte nga ata lojtarë të zot, që e sugjestiononin kundërshtarin dhe ja merrnin në sy, se ku e ka fshehur kokrrën, por kishte edhe nga ata fshehës të stërvitur, që gjate gjithë kohës që kalonin dorën nga njëri çorap te tjetri e shikonin kundërshtarin në sy “pa i ra syri qerpik”.

Lojtari që fsheh kokrrën  mbasi mbaron të  gjitha  kapuçat   ka të  drejtë ose të rrijë në vend, ose  të kthehet mbrapa derisa të zbulohet kokrra , nëse kishte  frikë se mund ta diktojnë në sy, ku e ka fshehur kokrrën.   Kur  lojtari mbaron  së fshehuri kokrrën, lojtarët kundërshtarë  japin mendime  se ku mund ta ketë lëshuar kokrrën.

Fjalët therëse  në fund të lojës

Kur mbaron loja,  lojtarët e palëps fituese, ngrihet në këmbë e të kapur krah  më krah  nisin vallen  duke hedhur një nga një  hap përpara e   nga një mbrapa. Ata këndonin me zë të lartë  këngë  tallëse. Këngët e kapuçave, kane qenë të shumëllojshme nga me shpotitëset dhe me pak banalitet brenda. Kishte raste qe ishin shumë ofenduese,  por jo me karakter keqdashës . Po ju sjellim  disa vargje nga një këngë kapuçash:

Ç’pejt kjeka çue shpija jonë,

Kjoftë e barllë, ka pa zakon.

More djel, more jaramaza,

Qe kjo a loja me unaza.

Lua unaza gisht ën gisht

Sa t’zez kjeki lypki,

Kush va llasht-o ata ju,

Rritju leshi deri n’g-ju!

Kur ja nisme pramë lojsë,

Mirë kem dit se do t’u ktojmë .

Kaçimak  bylmye me voj,

Mirë u qyet ën karaboj!

Qigji i keq i gjolave,

O, mixori i morrave!

Jaj filan fisteku çoban llësh

Vet vikat vet leh si qen.

Pramë i qit e sonte i qit,

A ini dreqën a ini gjit?

Edhe sonte kjoshi falë,

Nesër prama marrshi malë!

Marrshi malë , o brisë përpjetë,

E filan fisteku – o daltë  e u bleltë!

Abl’ e butë – 0 ni ortytë

Filan fisteku – o marrtu grykë!

 

Këto fjalë thumbuese nuk u binin  aspak mirë palës humbëse, por lojtarët  nuk kishin  çfarë të bënin   përveçse të durojnë me shpresë se në lojën tjetër do t’ua kthejnë  “ huanë”.  Në këtë rast nuk pranohej hatërmbetja, pasi lojtarët i pranojnë shakatë, ose nuk futen në lojë. Ndërsa sot ta marrim ndërmend , çka do të ndodhte nëse do të shaheshin burrat në atë mënyrë! Sa kush do të hidhërohej, e sa kush do rrihej…