Lisi i moçëm në hyrje të Trieshit me histori interesante i njohur si “Qarri i Fratit”, po zhduket përgjithmonë

0
314

Moskujdesi ndaj monumenteve  natyrore

 

 

Lisi i moçëm në hyrje të Trieshit me histori interesante i njohur   si “Qarri i Fratit”,  po zhduket përgjithmonë

 

Gjekë Gjonaj

 

Të gjitha monumentet  ekzistuese të trashëgimisë sonë kulturore dhe historike  me vlera kombëtare në malin e Trieshit, sikurse edhe në pjesët e tjera të zonave ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi janë lënë në mëshirën e fatit.  Pra, ky është fati i shqiptarëve në këtë shtet, që ato të mira të veta që i kanë  të mos kenë mundësi as t’i mbrojnë. Arsyeja është e thjeshtë.   Nuk ka interesim të institucioneve përkatëse vendore e  shtetërore për  ruajtjen e dhe mbrojtjen e  këtyre vlerave të trashëgimisë sonë, madje as evidentimin  e tyre në listën e monumenteve të mbrojtura.

Për të dokumentuar  këtë fakt të hidhur , i cili  do të  duhej të  shqetësojë shqiptarët që jetojnë në këtë shtet,  veçmas përfaqësuesit tanë politikë, që i kemi me numër të madh, po   veçoj ( trajtoj)  lisin para se të dilet në Qafë të Rozdecit, në hyrje të Trieshit,  i cili nga moskujdesja jonë dhe mosmbrojtja   institucionale ndër vite  ka përjetuar deformime, dëmtime, e shkatërrime  të tilla të cilat çojnë në  zhdukjen e tij të plotë.

 

Trieshjanët  besojnë se ky lis  është i shenjt   dhe sjell fat

 

Sa herë që kaloja në  këmbë, veturë apo me autobus  pranë  këtij qarri mahnitesha  me madhështinë, hijeshinë ( bukurinë) dhe  me freskinë  e tij. Nga kallëzimet gojore të trieshjanëve  kam dëgjuar se  ky lis është i shenjt, se ai sjell fat dhe se askush  prej njerëzve nuk merr guximin që ta presë  madje as një degë të tij sepse, bazuar në traditën gojore  të trashëguar në Triesh, pranë këtij lisi u rrëzua një frat nga kali , i cili i lënduar rëndë u kap për atë qarr dhe ai ia shpëtoi jetën. Pasi frati u shërua, siç pohojnë trieshjanët e moçëm, e bekoi qarrin dhe prej atëherë  besohet  të jetë i shenjtë.

Legjenda e  këtij qarri  sipas shënimeve të  Patër Mirash Marinaj

Famullitari i Famullisë së Trieshit Patër Mirash Marinaj  në  kumtesën e tij e me titull “ Famullia e Trieshit, botuar në  librin” 250-vjetori i Famullisë së Treishit,  në gusht 2017, me rastin e Simpoziumit Shkencor, kushtuar  këtij jubileu  shkruan: “ Asht historia e fratit të njoftun, P.  Gabriele Braccigliano, që në shkrimet e tij mbi Kojën (  krahinë e njohur e Malësisë së Madhe – shënimi im)  tregon  se çka i ndodhi rrugës për në  Triesh. Në muajin mars të vjetit 1856, tue u kthye prej Kojet, në nji vend i dalin nji tubë ujqish dhe e mësyjnë  për me e shqye. Për fat të mirë, ata u gjinden nji grup landësh   ku me të shpejtë ngjitet në njarin prej tyre. I rrethuem  pre  ujqish të untë, dhe pa ndihmë njerëzore sepse ishte larg nga Trieshi e Kojas, nxjerr kryqin prej gjoksit dhe i kushtohet Zojës së Bekueme. Mbas pak kohësh ujqit tue lëshue nji ulurimë  të madhe ikin dhe ai me të shpejtë niset dhe hasë në çobanat   e Trieshit. Këtë çka i ndodhi atij, ai e mbajti për nji mrekulli të Zojës që ia shpëtojë jetën  prej ujqve të untë. Mund të supozojmë se ai qarr që sot njihet si “ Qarri i Fratit” , e ka burimin pikërisht në histori. Kjo ishte jeta e vështirë e misionarve, që vinin prej së largu dhe jetën e tyne ia kushtuan popullit tonë”.

Lënia në harresë e këtij  monumenti natyror dhe vlerave tjera të trashëgimisë sonë kulturore dhe historike  është krim ndaj identitetit tonë

 

Kur ndodhemi para këtij lisi  të moçëm , pyetja e parë që duhet t’i bëjmë vetes të gjithë ne është: Sa kemi bërë që ky qarr i shenjt të mbrohet? Përgjigjja do ishte: Aspak!

Gjendja e këtij lisi që është një nga drurët më të vjetër të kësaj zonë malore , i cili  dhjetëra vite  më parë  është  dalluar si për nga  fortësia, ashtu edhe  me historinë më interesante  nga të gjithë  drunjtë  të tjerë qindravjeçar  që i kanë mbijetuar stuhive të kohës, është sa e mjerueshme, po aq edhe e dhimbshme. Trungu dhe degët e tij janë tharë. Ai qëndron i braktisur  pranë një kthese të  rrugës   së asfaltuar  e cila të shpie në Triesh . E ndërsa trungu dhe degët e këtij monumenti natyror me histori interesante  po   zhduken  përgjithmonë , ne vetëm e sodisim atë . Dikush me dhimbje, dikush me nostalgji, dikush me mall, por ka edhe të tillë që nuk u bënë përshtypje fare. Nuk do të  kalojë shumë kohë dhe një ditë  do të kërkojmë nëpër literaturat e kohës të gjejmë qoftë edhe një degë apo copëz të trungut, të cilat do të jenë aty në pritje që dikush t’i kthejë sytë nga ai, i cili  sikur na porosit   të mbajmë mend se  do të jetë atje sa kohë ta mbajmë në kujtesë. Por, sa vlen kjo për këtë qarr në rrënjët e të cilit flenë  gjurmë të hershme të historisë?!