Kur e mban vulën si humorist, nuk e gëzon dot as si biznesmen

0
215

Nga Andi Bejtja – Sot u vërtetua ajo që dihet: kur je pakicë, ta mbash vulën e shumicës padrejtësisht, teorikisht mund të jetë qejf, por praktikisht është hall.

I ashtuquajturi proces i regjistrimit të pakicës me atributin e shumicës në KQZ, ishte më shumë se estradë.

Një ish-kryetar partie i dorëhequr, që edhe vetë pakica e shikon më shumë si turist, futet përkohësisht si gur pa forme në fushën e bilardos, godet gurin e zi, që guri i zi të godasë një gur tjetër, që ky të arrijë të futet në gropën e KQZ.

Aq qesharake ishte, saqë dhe ai që çoi letrat zyrtarisht, e kishte të vështirë të thoshte publikisht se në emër të kujt kishte ardhur.

Dhe prit, ky është vetëm fillimi! Po kur të vijë procesi i zgjedhjes së kandidatëve? E sigurt që edhe kandidatët duhet të kenë po këtë nivel estrade që të pranojnë të kandidojnë.

Po kur të vijë momenti i caktimit të komisionerëve? Të vetmit seriozë që do mund të pranojnë, nuk ka asnjë shans veçse të jenë rilindas. Estrada nuk do të përfundojë kurrë, dhe është e qartë që ky grusht politikanesh kanë vetëm një të ardhme, të kthehen në një grusht humoristësh.

E kur e mban vulën si humorist, vështirë e ke ta gëzosh atë dhe si biznesmen.

Mund të kishte vetëm një shans për ta gëzuar vulën si biznesmen: nëse shumica nuk do të merrte pjesë në zgjedhje. Tani e çdo minutë që kalon, pakica që zvogëlohet nuk është veçse një estradë që po shkon me shpejtësi drejt asgjësë.