Kujdes me fjalën, o njeri!

0
328

Nga Marash GILAJ
Fjala e ëmbël thërret miq,
ajo zbut e pajton armiq.
Një fjalë mjafton,
për të mërzitur një njeri,
për ta qetësuar,
janë pak një mijë.

Ai që ka dëshirë të shfrenuar,
për të folur e treguar,
mendon se di mjaft,
e s’ka asgjë për të mësuar.

Fjala që del nga zëmra,
në zemër arrin.
Ka fjalë që shkaktojnë plagë,
që rrallë gjejnë shërim.

Fjala e pamenduar,
zemrën ta thyen,
humorin ta prish
të lëndon e të fyen.

Ka ca fjalë të ëmbla si mjalta,
siç ka edhe fjalë të mprehta si shpata.
Disa fjalë kanë ngrohtësinë e dashurisë,
ngjajnë me përkëdhelinë e nënës
që i falë fëmijës.

Fjala mund të ketë shpirtin e katilit,
ftohtësinë e përbuzjes,
ndaj, mos e lejo gjuhën,
të dalë para mendimit.

Askush nuk e do premtimin
që është gënjeshtër,
as fjalën,
që nuk bëhet vepër.

Fjala ka peshë
e duhet peshuar,
llogarit mirë kohën,
fjalët lypsen numëruar.

Fjalët më të vështira,
thuhen në heshtje,
mos e fsheh mendimin ,
siç e mbulon trupin me veshje.

Dikush hesht duke folur,
tjetri flet duke heshtur,
fjalamani të mërzit,
por të vërtetën s’e ka gjetur.

Komunikimi është nevoja e parë,
teprinë e fjalëve askush nuk ta falë.
Shpesh flasin sytë më shumë se çdo gojë,
i dituri nuk pohon asgjë,
që s’mund ta provojë.

Arroganti nervozohet,
tund grushtin e kapelen,
e shqyen fjalën,
si ujku delen.

I thashë një ditë njërit,
shto peshën e fjalëve ,
jo të zërit.

Sa të jetojë e derisa të vdesë,
llafazani flet vetë,
s’ka nevojë askush ta pyesë.

Nëse thua atë që dëshiron,
dëgjoje edhe atë që të hidhëron.

Bëhu i zgjuar, jepi rëndësi kohës,
shikoje tjetrin në sy,
se vetëm ata flasin,
në të gjitha gjuhët e botës.

Kush flet shumë,
rrallë thotë të vërtetën,
ai vetëm kënaqet
duke dëgjuar vetveten.

Fjala e ëmbël
shërben si terapi,
ka vlerë të madhe,
sidomos, në mjekësi.

5 Korrik 2021