KAPICA, KAPUÇI, QELESHJA, TAKIJA E DERI TE PLISI, NJË KAPELE ME SHUMË EMRA , POR ME NJË IDENTITET ILIRO-SHQIPTAR

0
614

Nga Ndue Bacaj

Ne malësorët që kemi një moshë e cila na ka mundësuar të jetojmë (sado pak) në fëmijëri apo adolishencë, me pleq që ende ruanin e mbanin veshur me “fanatizëm” veshjet kombëtare, e kemi të “freskët”, se një ndër paimet “simbol” të kësaj veshje (përveç xhamadanit e çakçirëve…) ka qënë (dhe është) Kapica, Kapuçi, e deri me emrin më të “rrallë” Qeleshja e bardhë etj. Pleqët na thonin se kapica e bardhë është një “veshje” kombëtare shqiptare qindra e mijëravjeçare, e trashiguar brez pas brezi, duke e ruajtur të pastër e të bardhë, (në formë e përmbajtje) si bora e maleve të Malësisë Madhe e më gjërë, ku sipas tyre ishte ruajtur e trashiguar ma mirë  se në çdo cep të trojeve Iliro-Shqiptare. Në Malësina, kapica apo kapuçi si trashigimi, perveçse si “paim” i veshjes kombëtare , ai ka “sherbyer” edhe si “mjet” bazë në një ndër lojrave më popullore për shumë mote e shekuj të kaluar, lojë kjo  e njohur në histori me emrin “Loja e Kapuçave”. Këtë lojë popullore kemi arritur ta perjetojmë edhe ne që kemi një fare moshe, (siç e thash më sipër). Këtë lojë popullore e pershkruan edhe At Kolë Berishaj, një ndër misionarët e njohur e vlersuar të dijes dhe shkencës etnografike, nga  cili ndër të tjera citoj: “Nata dimërore e pafund derdh kohën pa e kursyer. E koha mbytet duke luajtur kapica (apo kapuça)… Pasi ndahen në dy grupe fillon loja duke fshehur njëri grup një kokërr ndër disa kapuça. Grupi tjetër bënë pleqëri se ku mund të gjindet. Pyesin njëri tjetrin se ku ia merr mendja të jetë. E çojnë atë kapuç (kapicë) në të cilen kanë më shumë dyshim, e nëse i bien në testë, duke e zbuluar me të parën herë, gërthitet (bërtitet): Test! Kështu fitojnë 10 pikë dhe të drejten për të fshehur kokrrën. Kush t’i bëjë i pari 101 pikë fiton lojen…1.  Gjithashtu  kur trajton  të veshmet e shqiptarit ose të malësorit, rënditë edhe Qeleshen (kapicën e  plisit)…2.  I shkrova këto për të vertetuar se në trojet tona etnike në Malësi të Madhe e më gjërë kapica apo kapuçi, e rrallë qeleshja nuk është njohur e perdorur me emër  tjetër asnjëherë deri sot… Ata që merren me punimin e kapicëve apo qelesheve quhen qeleshepunues. Si proces, punim  nuk është aspak i lehtë. Ai nis nga shprishja e leshit, pastrimi (larja) me sapunë, rrahja e gjatë me ujë e deri te formësimi final. Është një punë që kërkon edhe forcë fizike por edhe përkushim deri në detaje.

NËPËR “CURRICULUMIN”  E KAPICËS, KAPUÇIT APO QELESHES… Sipas dokumenteve, arkivave që edhe sot ruhen në muze të ndryshme të botës, thuhet se kapica, kapuçi apo qeleshja është një trashigimi 4-5 mijë vjeçare, që nga Pellazgët, Ilirët, Arbërit e deri sot te Shqiptarët. Edhe Zeusi që ishte zot i Olimpit, na paraqitet në  skulptura e tjera me kapicë  në kokë, gjithashtu edhe Akili edhe Hektori  edhe Odiseu e deri te Afërdita na paraqiten me kapicë apo kapuç në kokë,3,  pavarësisht ndryshimeve të “vogla” që vihen re… Është me vlera të thuhet se kapica, kapuçi apo qeleshja është trashiguar me breza të tërë, duke i ruajtur në përgjithësi formen, përmbajtjen, vlerën dhe rëndësinë… Ne që e kemi përjetua sado pak kohen e perdorimit të  kapicës, kapuçit apo qeleshes e kujtojmë se si mbahej me kujdes mbi kokë, e  pastër dhe e bardhë si bora e maleve. Me kapicen, kapuçin apo qeleshen e bardhë mbi krye shqiptarët janë dalluar nga të tjerët. Përdorimi i tij ka qenë i domosdoshme për të gjithë meshkujt. Kapica, kapuçi, qeleshja, takija (te muzeqarët) apo “plisi” i kosovarit kishte jo vetëm rëndësi trashigimie, por edhe karakteri e identiteti kombëtar, madje edhe brenda kombëtares kishte edhe trashigimi e rëndësi “lokale-krahinore”.  Për shembull ; në  Shqipërinë veriore (duke përfshirë edhe Malësinë e Madhe) janë përdorur kapica, kapuça apo qeleshe të rrumbullakët. Nga Dibra dhe Tirana e më lartë kanë qënë të rrafshuar. Ndërsa në Shqipërinë e jugut kanë qenë të rrumbullakta, por pak më të zgjatura, madje  edhe me një maje (si pip)… Këto forma dallohen edhe sot… Ndër mote e shekuj sipas krahinave (e dialekteve…), Ajo quhej: kapicë, kapuç, kësulë, qeleshe, qylah, qylaf, takije te muzeqarët e deri plis te kosovarët (që po perdoret shumë kohët e fundit te tifozët kuq e zi të futbollit të kombëtares shqiptare)… (Për hirë të vertetës duhet thënë se  edhe  historia e autoktonisë të kapicës apo kapuçit  kundërshtohet duke e bërë shumë më të “re”, madje edhe me prejardhje jo iliro-shqiptare, por pa asnjë argument historik të besueshëm).

DY FJALË PËR EMERTIMIN PLIS ..!

Fjala ‘Plis’ rrjedh nga gjuha e vjetër greke “pilos”, që do të thotë kapelë e zbrazët apo boshe… Ndërsa në Fjalorin e sotëm të gjuhes shqipe shpjegohet se  fjala plis ka kuptimin e një cope jo të endur, por që bëhet me lesh të shkelur (ngjeshur) mirë dhe të larë disa herë me sapun. (Në gjuhen popullore me fjalën plis kuptojmë edhe një  copë dheu, që ngre plugu kur çan tokën; copë e tillë dheu me bar, e prerë me bel a me ndonjë mjet tjetër…). Kuptimi i fjalës plis shkon edhe për një cohë me lesh delesh të shkelur disa herë, cohë e tillë që përdoret si shtroje… Në këtë kontekst ne malësorër për një njeri që kishte pasur një vdekje natyrale në shtepinë e tij e kishte vdekur në shtrat i thonim se ka vdekur në plis…Gjithsesi shqiptarët, si ata të veriut dhe të jugut kanë mbajtur gjithmonë kapica, kapuça, qeleshe, takija apo plisa. ku në bazë të shumë materialeve të lexuara e të studiuara, mendohet se bardhësia e plisit mbi lartësinë e trupit, pra në kokë, përkon me racën dhe identitetin Iliro-Shqiptar.4. Si përfundim kapica, kapuçi, qeleshja, takija e deri te plisi është e një kapele me shumë emra, por me një identitet Iliro-Shqiptar… 

REFERENCAT:

1.https://sq.wikipedia.org/wiki/Qelesheja,

2.At Kolë Berishaj; Përreth sofrave-vepra-1, fq.71, Misioni Françeskan Tuz. Enti Botues “Gjergj Fishta”, Tuz, Malësia e Madhe, Podgoricë 2013).

3.At Kolë Berisha, Po aty, fq.147-148.

4.https://rrenjettona.al/wp-content/uploads/2019/01/Plisi-etnokulture.pdf.

5.Për këtë histori të vogël të një prej “simboleve” të veshjes kombëtare jam bazuar perveç referencave të shënuara, edhe në eksperiencen time të fituar ndërkohë  nga pleqët e shtëpisë, fisit, katundin e më gjërë…