Jepi Berishës atë që i takon Berishës!

0
2702

Nga Bledar H. Prifti **

Sali Berisha është figura më e spikatur e tranzicionit post-komunist dhe politikani i cili ka influencuar më shumë nga gjithë të tjerët zhvillimet social-politike në Shqipëri në tre dekadat e fundit. Ai është një figurë e mbushur plot me dështime e suksese dhe plot me mëkate e mirësi. Duam apo nuk duam ne, Berisha do të ketë vendin e tij në historinë e Shqipërisë dhe në memorjen tonë kombëtare.

Ai është produkti më i spikatur i kësaj gjenerate dhe madje ndër më të spikaturit në historinë e kombit. Ajo që e bënë të veçantë figurën e Berishës është aftësia për të gjeneruar dashuri dhe urrejtje në të njejtën kohë. Por të qenit një figurë polarizuese mund t’i dedikohet më së shumti polarizimit të shoqërisë shqiptare sesa vet Doktorit, siç preferojnë t’a quajë shumëkush.

Në një shoqëri si e jona, e polarizuar dhe e ndarë në bazë jo thjesht ideologjie por edhe krahine dhe feje, një figurë transformative si ajo e Berishës doemos do të ishte polarizuese. Nëse ai do të kishte qënë, le të themi, nga Vlora, Gjirokastra, ose Korça, Berisha do të ishte parë shumë më ndryshe nga të gjithë ne, dhe mbase nga një këndvështrim shumë herë më pozitiv.

Por ky është Berisha, këta jemi ne, dhe ky është realiteti ynë.

Pavarësisht disa faktorëve jo favorizues, në jetën e tij politike, Berisha ka qënë shpesh i përkëdhelur nga fati, edhe kur u vu në krye të Partisë Demokratike (PD), edhe gjatë rrëmujave të viteve 1997-98, edhe kur u rikthye në pushtet në 2005-ën. Por mbi të gjitha, Berishës i buzëqeshi fati atëherë kur kërkush nuk e priste: në një kohë kur ai po dergjej politikisht dhe krrusej fizikisht.

Në një kohë kur pritej që Sali Berisha të përfshihej në debate parlamentare mondane me Erjon Braçen dhe Taulant Ballën si një deputet në prag pensioni, fati i dha atij mundësinë e artë për qenë sërish në krye të një kauze politike e cila ka potencialin për të filluar një epokë të re në politikën shqiptare.

Po, Sali Berisha është një politikan dhe udhëheqës epokal. Tre dekada më parë, ai ishte protagonisti kryesor i çeljes së epokës së tranzicionit kurse tani ai është protagonisti kryesor për të mbyllur atë epokë dhe për të filluar një epokë të re pjesë e të cilës ai nuk mund të jetë dot. Beteja politike që po bën Berisha sot nuk është betejë kundër Lulzim Bashës, Edi Ramës, apo edhe ambasadores amerikane.

Kjo është lufta e Berishës kundër Berishës. Kjo është beteja e tij e fundit, dhe mbase beteja e vetme e tij nga e cila përfiton më shumë Shqipëria sesa Berisha. Ata që përpiqen t’a portretizojne çështjen berisha si cështje amerikane ose nuk e kanë haberin nga politika e jashtme dhe e brendshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) ose kërkojnë të përdorin Amerikën si instrument për të arritur qëllimet e tyre në Shqipëri.

Në variantin më të keq të mundshëm, qarqe politike shqiptare mund të kenë lobuar Departamentin e Shtetit përmes grupeve te interesit në ShBA për të sulmuar Berishën duke e shpallur atë non grata. Kjo është një praktikë e njohur në ShBA, në çdo departament apo agjenci të qeverisë federale.

Por çështja nëse Sali Berisha duhet të jetë apo jo antar i grupit parlamentar apo kryetar i PD-së është totalisht një çeshtje shqiptare, e cila i takon kësaj partie.

Cilido diplomat, i cili apo e cila ndërhyn për të vendosur nëse Berisha duhet të jetë ose jo anëtar i grupit parlamentar demokrat, nuk përfaqëson ShBA-të por preferencat e tij, apo saj personale. Ka pasur raste në historinë e ShBA-ve kur është ndërhyrë në aferat e një shteti të huaj në nivelin operacional për arsye gjeostrategjike, por kjo gjë nuk është bërë kurrë nga ambasadorët, por nga shërbimet e inteligjencës, dhe kjo gjë kurrë nuk është bërë kundër një personi të vetëm, aq më pak kundër një personi në pension politik.

Ambasadorët amerikanë janë përfaqësues të Presidentit amerikan dhe si të tillë ata duhet të ruajnë, mbi të gjitha, prestigjin e zyrës së Presidentit të ShBA-ve. Dhe kjo gjë nuk bëhet duke u zhgrryer në llumin e politikës shqiptare, pasi politikanët shqiptarë të tërheqin në nivelin e tyre dhe të mundin me eksperiencën e tyre.

Përveç portretizimit të cështjes berisha si një cështje amerikane, kundërshtarët e Berishës gjithashtu propagandojnë se qëllimi i “Foltores” së Berishës është të kthejë këtë të fundit në krye te PD-së. Berisha i ka mundësitë për ta marrë PD-në, por ai e di shumë mirë se qëndrimi i tij në krye të PD-së do e ndante ose shkatërronte partinë.

Ndonëse ai adhurohet nga një pjesë e mirë e partisë, ai përsëri shihet si e shkuara e lavdishme, por kurrsesi si e ardhmja premtuese e saj. Dergjia politike e Berishës në tetë vitet e fundit, gabimet trashanike të Lulzim Bashës të aprovuara në heshtje ose të mos denoncuara në publik nga Berisha, dhe mosha e thyer e këtij të fundit e bëjnë të pamundur një të ardhme berishiane në PD.

Por edhe qëndrimi i Bashës në krye të PD-së do e ndante ose shkatërronte këtë të fundit në një mënyrë krejtësisht të pariparueshme. Fakti që Basha nuk pati guximin dhe fuqinë të vriste politikisht babanë e tij politik për tetë vite rresht, por papritur e bëri këtë gjë me ndihmën e qarqeve jashtë PD-së e bënë Bashën të shihet si një “dorac” (jo vrasës) dhe dordolec i instaluar në krye të partisë.

Si i tillë, ai jo vetëm nuk është parë por as nuk ka për tu parë ndonjëherë nga demokratët si “babai” i partisë. Si rrjedhojë, adhuruesit e Berishës, por jo vetëm, më së shumti në bazë, por edhe në qendër, me shumë gjasa do e braktisin PD-në. Në sytë e tyre, si Basha dhe Rama do të shiheshin si dy anë të së njëjtës medalje me të cilët ata nuk i lidh asnjë vlerë apo interes politik.

Me pakë fjalë, i vetmi qëllim që i ka ngelur tani Berishës është largimi me nder nga politika si luftëtar dhe si kryetar i partisë që ai bashkë-krijoi dhe i vetëm drejtoi për afro tre dekada. Dhe këtu fati i buzëqeshi përsëri. Figurina politike që ai vuri ne krye të PD-së tetë vjet më parë u kthye befas në shpëtimtarin e tij të madh, me shumë gjasa në mënyrë të pavetëdijshme.

Lulzim Basha, përmes vendimit të tij, e shpëtoi Berishën nga një fund i turpshëm, të cilin vetë Berisha e vendosi në mënyrë të pavetëdijshme dhe egoiste vite më parë. Nëse Basha nuk do kishte marrë vendimin për të përjashtuar Berishën, me shumë gjasa që ky i fundit do të kishte një fund politik të turpshëm nën “kthetrat” e Erion Braçes dhe Taulant Ballës.

Thjesht imagjinoni Berishën e mpakur politikisht dhe plakur fizikisht duke u endur në parlamentin shqiptar, duke iu marrë goja dhe dridhur dora në përpjekje për të mbrojtur veten nga të tallurat e deputetëve te tjerë. Do të ishte një skenë vërtet për të ardhur keq.

Parë nga ky këndvështrim, armiku i vetëm i Berishës është vetja e tij, dhe tani është koha që ai të shpëtojë veten nga Berisha. Basha nuk arriti ta vriste dot “babain” e tij politik për tetë vjet rresht, dhe babait tani nuk i ka ngelur rrugë tjetër veçse të vrasë veten për të evituar një fund politik të turpshëm, si i paraardhësve të tij politik. Fati ia dha këtë mundësi për të fundit herë, jo vetëm për vete por edhe për shqiptarët.

Në të vërtetë, kjo luftë e Berishës është gjithashtu edhe lufta politike e shqiptarëve për të shpëtuar nga shqiptarët, të cilët në një shekull egzistencë kanë prodhuar në mënyrë të vazhdueshme variante të ndryshme të Berishës. Berisha i ka treguar gjeneratës sonë se si politikanët tanë duhet dhe nuk duhet të jenë. Ai është në të drejtën e Zotit për të korigjuar veten, ashtu siç duhet të bëjmë të gjithë ne. Ndaj le t’i japim Berishës atë që i takon Berishës!

______________

**Bledar Prifti është Profesor i Asociuar i Shkencave Politike ne Kolegjin e Shën Petersburgut, Florida, USA, dhe pedagog i jashtëm i Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Floridës Jugore.

Ai është autor i librit Politika e Jashtme e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme: Rasti për Vazhdimësi (US Foreign policy in the Middle East: The Case for Continuity, Palgrave McMillan, 2017 )