Injoruesi i librit, diturinë vret

0
510

Nga Marash GILAJ
Librin e adhuroj,
Është frymëzim e lumturi,
Të vërtetën më mëson të përqafoj,
Gënjeshtrën ta urrej,
Me gjithë fuqi.

Kur lexoj, ndihem më i lirë,
Libri është mësuesi pa shpërblim,
Ai më këshillon si të jetoj më mirë,
Është shoqëruesi më i këndshëm,
Në udhëtim.

Nga librat kurrë nuk jam ndarë,
Të lexosh nuk do të thotë,
Se je në vetmi,
Midis tyre kam gjetur
më shumë se një thesar,
askush si libri
nuk të bën shoqëri.

Pasionin për librin
e konsideroj dhuratë,
Në lumturi jetën zbukuron,
As nata nuk të duket si natë,
Në fatkeqësi, zemrën ta ngushllon.

Libri i hapur është një mendje që flet,
Kur është i mbyllur,
Ngjan me një mik që të pret.

Vlera e tij nuk njeh kufi,
Nuk është vetëm kuriozitet,
Është edukim dhe urtësi.

Ai më ka mësuar të urrej çdo ves,
Në situata delikate si të reflektoj,
Si të ndertoj të ardhmen,
Që më pret,
Jetën si ta ndryshoj.

Libri thyen prangat e kohës,
Na bën të aftë në komunikim,
Si të meritojmë emrin “njeri”,
Një mundësi e artë
për vetëkorrigjim.

Duke lexuar,
Njeriu zbulon padijen e vet,
Rrit kujtesën dhe imagjinatën pa kufi,
Arrin të ndjejë dhimbjen e tjetrit,
Kur dikush është në siklet.

Kuvendim me shkrimtarë,
Filozofë të shquar,
Me burra shteti plot dije e famë,
Që janë më të ditur se prindërit
dhe mësuesit që na kanë mësuar.

Nxite fëmijën të lexojë,
Me shembullin tënd,
Nganjëherë shpërbleje
që të përparojë.

Kush pushon së lexuari,
Përbuz diturinë,
Ndalon së menduari,
Bëhet skeptik.
Me një të verbër
veten barazon,
Bota pa libra,
Me egërsira ngjason.

Leximi vetëm injorancën dëmton,
Injoruesi i librit diturinë vret.
Pa e kuptuar, jetën shkatërron,
Që në shoqëri të mos ndihesh i huaj,
Lexo, sëpaku, një libër në muaj.

13 Qershor 2021