FONDACIONI HUMANITAR SHQIPTARO-AMERIKAN “TROJET TONA” NË MBËSHTETJE TË PROJEKTIT “MËSOJMË SHQIP”

0
953

Shkruan, Gjokë Dukaj

Rozhaja, komunë në pjesën veri-lindore në Mal të Zi, një qytet i bukur dhe, mbi të gjitha, shumë joshës për vizotorët dhe kalmitarët e rastit. Kushqo që ka rastin të shijoj bukurinë e këtij mjedisi, dëshiron që sa më parë ta vizitoj sërish dhe të përjetojë bukurinë e qendrës dhe të maleve përreth, të kësaj lugine të moçme përgjatë lumit Ibër, i cili vazhdon gjithnjë vallen e valëve të veta të kamotshme, me freskinë e shekujve dhe gjurmën e tyre në traditën e lashtë të banorëve të kësaj anë. Dhe, derisa kalimtari i rastit kënaqet me pamjet e mrekullueshme përreth, gazetari – reporter, ka çka të shkruaj apo të flasë nga qëndrimi i këtushëm; nga bujaria e banorëve të cilët, me kënaqësi, kujtojnë takimet e mëparshme në kafenetë e qytetit, bisedat e këndshme për qytetin dhe, sidomos, të kaluarën e tij të lashtë e të pasur për brezat e shumtë. Ata, me besnikëri ruajnë miqësitë e vjetra dhe me dashamirësi duan të kalojnë një orë e më shumë me mysafirët në këtë mjedis. Prandaj, gjithherë, tema interesante për biseda, kujtime nga e kaluara dhe shikimi drejtë të ardhmes e cila, nuk duket mjaft shpresëdhënëse për shkak të emigrimit të banorëve nga këto anë e që është një brengë e madhe për banorët e këtushëm. Kësaj radhe, erdha në këtë mjedis për ndonjë material gazetaresk, të takoj miq të shumtë si rëndom por, po ashtu, mësova për një nismë të bukur; humane e njerëzore nga entuziastë të kësaj anë, veteran të arsimit dhe edukimit, në përkujdesin e tyre ndaj brezave të rinj.

“Mësojmë shqip”, ishte aksioni që ka ndërmarr mësimdhënësi i nderuar, Haxhi Lajçi, duke organizuar orë mësimi vullnetarisht për fëmijët e këtushëm e që dëshirojnë të mësojnë gjuhën shqipe. Kaherë, nuk kisha përjetuar një interesim aq të madh nga nxënësit në ndjekje të një ore mësimore e të cilët, me aq entuziazëm, përcjellnin sqarimet dhe përmbajtjet e përgatitura nga z.Lajçi. Edhe pse ndër orët e para të këtij kursi, z. Lajçi, më njoftoi se numri i nxënësve të interesuar fillimisht, nga pesë – gjashtë kandidat, tashmë kishte arritur në mbi tridhjetë, kryesishtë nxënës të shkollës fillore por kishte edhe të interesuar, madje, edhe të moshës së tretë. Dhe e gjithë kjo, siç na njoftoi z. Lajçi, me përkrahjen e Fondit Humanitar Shqiptaro – Amerikan “Trojet Tona”, të cilët me përkushtimin e vet human dhe kombëtar janë të pranishëm kudo në trojet shqiptare, në mbështetje të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kombëtare në brezat e rinj. Ata, kanë siguruar mjetet financiare për realizimin e kësaj nisme, duke i pajisur ndjekësit e këtij kursi me tekste mësimore, mjetet edukativo-vizuele si dhe të gjitha mjetet e nevojshme për mbarëvajtjen e mësimit të gjuhës shqipe. Po ashtu, është siguruar ambineti përkatës në objektin e shkollës së këtushme “Mustafa Peqanin”, në mënyrë që ora e mësimit të zhvillohet në kushte optimale për të gjithë kandidatët e interesuar.

Andaj, duke përgëzuar Fondin Humanitar Shqiptaro- Amerikan “Trojet Tona” në mbështetje të kësaj nisme, duhet vlerësuar të gjithë ata të cilët me mjetet e veta ndihmojnë veprimtarinë e përgjithshme të këtij Fondacioni, në realizimin e projekteve të shumta dhe të nevojshme në trevat tona kudo. Sidomos, ato të fushës humanitare, por edhe krijuese dhe edukativo-arsimore të dobishme për shoqërinë shqiptare.

Kuptohet se e gjithë kjo është në vijën e dashamirësisë së bashkëkombësve tonë në mërgim të cilët vazhdojnë gjithnjë me kontributin e pakurësyer ndaj vendlindjes në të gjitha fushat e jetës. Projekti i lartëpërmendur është vetëm njëri prej tyre dhe urojmë që aktivitete të ngjashme të realizohen edhe në treva tjera ku është e nevojshme duke ndjekur shembullin e lartëpërmendur me përkrahjen e nismëtarit, Haxhi Lajçi, veteran i arsimit dhe edukimit të gjeneratave të reja dhe i cili në bisedën që zhvilluam për media, ka shprehur mirënjohjen më të thellë për atdhedashurinë e Fondacionit humanitar “Trojet Tona”, për kontributin e tyre humanitar e vëllazëror kudo.

Dashamirësisht!