Flaken në rrugë ata që u punësuan para zgjedhjeve.

0
342

Ditën e entje, Ministrja e Financave, Anila Denaj, ka bërë gati urdhërin, që do t’i dërgohet aparateve të 7 ministrive, 32 bashkive e 15 enteve publike qendrore dhe rajonale, për të ndërprerë marrdhëniet financiare me punëtorët provizorë.

Bëhet fjalë për 2100 të rinj të moshave 23-30 vjeç, të punësuar në fillim të muajit tetor 2020 e në janar 2021, me 3 VKM të posaçme, për shtim kapacitetesh në administratën e shërbimet publike, gjoja “shtim kapacatitesh për nevoja pune, me të diplomuar ekselentë”.

Në fakt, ishin punësime të paramenduara elektorale, shtesë numri në stukturën dhe buxhetin e pagave; që siç rezulton tani, qenkan me kontrata pune të përkohshme 6 e 9 mujore.

Urdhëri që do shpërndahet ditën e hënë, zbulon se më 30 qershor përfundojnë kontratat e këtyre 2100 të punësuarve fiktivisht; të cilët janë bërë pjesë e shtabeve elektorale të PS, ministrave, drejtorëve e kryebashkiakëve.

Referuar vendimeve të qeverisë, shumica e tyre janë punësuar në administratat e ministrive të Bujqësisë, Financa-Ekonomisë, Rendit, Arsimit, Mjedisit, Infrastrukturë-Energjisë, Rindërtimit; të Bashkive Tiranë, Durrës, Kamëz, Fier, Dibër, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë dhe në OSHEE, ARRSH etj.

Përveç titullarëve të institucioneve, urdhëri i ministres Denaj, do t’i dërgohet dhe Thesarit të Shtetit, për ndalimin e pagesave të kësaj “ushtrie” punonjësish elektoralë, të cilët e kryen “misionin” për të cilin u punësuan.

Nuk dihet, nëse urdhëri i ministres Denaj, është diktuar nga kryeministri Rama, që firmosi dhe punësimin e tyre me vendime speciale, apo për të ndalur abzumin me fondin e pagave; por dihet fakti, se fondi për pagat 6-9 mujore të tyre, është marrë nga buxheti rezervë i shtetit për ministritë; dhe nga të ardhurat për bashkitë e entet publike.