Ditmir Bushati merr postin e rëndësishëm në OSBE

0
742

Një lajm i mirë vjen së fundmi nga ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Mësohet se ky i fundit do të jetë udhëheqës i misionit vëzhgues afatshkurtër të OSBE për zgjedhjet parlamentare në Moldavi.

Vendimi është marrë pas emërimit nga Kryetarja e rradhës së OSBE, ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde .

“Shpresojmë që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës do t’i japin një mundësi Moldavisë që t’i japë fund bllokimit politik për të hapur rrugën e reformave. Së bashku me partnerët tanë nga ODIHR, Parlamenti Europian dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, ne shpresojmë të ndihmojmë Moldavinë në angazhimet e saj demokratike”, është shprehur Bushati.

Më herët Bushati u prit në një takim nga Presidentja e Moldavisë,  Maia Sandu, Kryetarja e Parlamentit, Zinaida Greceanii dhe përfaqësuesit e partive politike kryesore që do të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Të hënën, misioni vëzhgues ndërkombëtar që udhëhiqet nga Bushati do të bëj të njohur për publikun gjetjet dhe konkluzionet paraprake për procesin zgjedhor të 11 Korrikut në Moldavi.