Kreu Pakategori Dikur në Shkodër disa këndonin edhe këngë nacionaliste serbe, korçarët kurrë sepse...

Dikur në Shkodër disa këndonin edhe këngë nacionaliste serbe, korçarët kurrë sepse i urrenin serbët!

0
692

Nga: Namik Mehmeti

Ndoshta edhe nuk më takon si gazetar sportiv të përfshihem në vorbullën e një debati që nis nga Korça, Tirana, Shkodra e deri në Prishtinë. Po replikojnë edhe profesorë, akademikë, politikanë, shkrimtarë dhe gazetarë. Secili ka të drejtën e të shprehurit pa censurë dhe këtë debat e bënë dhe më zhurmëmadh debati tjetër me përmasa diplomatike në mes të ‘Ballkanit të hapur’ dhe Kosovës, ose direkt debati ‘Kurti-Rama’.

Po, le të shprehem për atë që më nxiti t’i kthehem kujtesës dhe të drejtohem drejtë Korçës, qytetit të kulturës evropiane.

Kam kaluar ditë të bukura dhe shumë mbresëlënëse në mes korçarëve me të cilët kam kalue në Kolonjë vitet e ushtrisë. Më tërhiqnin serenatat, kitarat e mandolinat, këngët të cilat i këndonim edhe në Shkodër.

Asnjëherë nuk më ka rastisë që korçaret të shfaqnin nostalgji për këngët sllave, bile edhe i urrenin ato pasi trashëgonin edhe motive antishqiptare. Aq shumë i urrenin serbët, jo vetëm serbët, por të gjithë popujt e ish Jugosllavisë sa edhe ne shkodranëve, kur shkonim për aktivitetet sportive na shënjestronin “erdhën serbët”.

Ky është një fakt që mund ta argumentojë me shumë shembuj por ai më skandalozi ishte kur ekipi i volejbollit i “Vllaznisë” sapo ishte kthyer nga turneu miqësor në Kosovë në vitin 1971.

Dihet se çfarë ka ndodhur pas atij turneu jo vetëm me ekipin e volejbollit, por me të gjithë ekipet e këtij klubi sportiv, të cilat u përjashtuan nga aktivitet ndërkombëtare, u përjashtuan drejtues nga Partia, u dënuan me punue në zonat e Dukagjinit e Shllakut.

Dhe, njolla që i kishin vënë diktaturës komuniste, se kishin pranuar dhurata dhe ma esktremistja se kishin marrë pjesë në koncertin e dhënë për nder të tyre nga kangëtarja e madhe Nexhmije Pagarusha, ku në atë natë muzikore me këngë shqiptare ishin kënduar edhe këngë sllave. Pas pak ditëve, ky ekip do të luante në Korçë me Skënderbeun.

Dhe sapo ekipi i “Vllaznisë” kishte hyrë në fushën e lojës, një kor i tërbuar korçar, gjëmoi me thirrjet: “Jashtë serbet”, “jashtë titistët”… Volejbollistët shkodranë nuk e pritnin këtë ofendim e sharje, sa e detyruan ish sekretarin e parë të Komitetit të Partisë, Enver Halili, të zbriste nga tribuna e t’i bënte thirrje spektatorëve korçarë, të shfaqnin një qëndrim më dinjitoz, ndaj ekipit shkodranë. Ai e ndërmori atë nisiativë, më shumë, se edhe ai ndihej i ofenduar si shkodran. Ndeshja u luajt sa për sy e faqe, siç thotë një proverb popullor.

Mbas 50 e sa viteve, pyes veten: si korçarët paskan kthyer shijet për kangët sllave, derisa Bashkia ka guximin e në Festën më tradicionale, asaj të Birrës të ftojë një kangëtar i cili simbolizon karrierën e tij me kangën ‘Kallashnikov’, armë kjo që vrau me mijëra e qindra kosovarë dhe boshnjakë?!

Në fillimet demokracisë u ba një përpjekje edhe në Shkodër, bile u afishuan me dhjetëra reklama mbrenda një nate, në mënyrë klandestine, në sheshin e Piacës, por ndërhyrja e shpejtë e Bashkisë, e Këshillit të Rrethit, i preu rrugën një shfaqje me këngëtarë malazezë dhe serb, kur Kosova po provonte gjenocidin e Millosheviqit.

Dihet se në Shkodër janë këndue kangë sllave, dashurie e historike, pa dyshim me theks nacionalist serb, edhe në kohën diktaturës. Dhe, internimi i një familje qytetare me shumë tradita në lagjen, “Çinari i Hoxhëdheut”, familja e ‘Mësuesit të Popullit’ Hysen Lohja, edhe sot kujtohet nga shkodranët, pasi në dasmën e djalit të tyre, dikush guxoi e dual mbi urdhrat e Partisë, duke këndue kangë sllave.

Aq i vërtetë është fakti që muzika sllave është pëlqyer nga shkodranët, sa në barcaletat që i’u veshën Pal Vatës, ishte edhe ajo: “Kur po e shëtitnin nga lagja Kiras, pra nga Zooteknika, kur dëgjoi se nga radiot e qytetarëve muzika sllave që e shoqëroi në çdo hap, u tremë dhe tha: ‘Ku jam këtu bre burra, në Jugosllavi, mos më koritni më Shokun Enver’”.

Por, shkodranët kur i hapën portat kosovarëve pas genocidit të serbit Millosheviq dhe u njohën me barbarizmat që sollën ‘Kalloshnikovët’ e Bregoviqit, i dhanë jo vetëm bukën, por më kryesoren, i falën fjalën, buzëqeshjen, muzikën tradicionale të Shkodrës e të Veriut, u banë si vëllazën, e sot e kësaj dite trokasin në portat e njeri-tjetrit, duke i gjetur ato të hapura çdo orë.

Nuk e di nëse ajo nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, si nënë, e ka ndjerē në shpirt atë mizori dhe gjakderdhje që shkaktuan ‘Kallashnikovët’ e Bregoviqit, a ka pasur rast të takojë një nga nënat, motrat e fëmijët që pësuan atë tronditje psiqike e shpirtërore, nga vrasjet, prerjet dhe përdhunimet?

I bindur se jo. Pasi ajo nuk e njeh respektin e dhimbjes!

Po presidentët amerikanë, Clinton e Biden, e kanë ndjerë këtë masakër, ndaj nuk kursyen asgjë për t’i falur Kosovës lirinë, e për të harruar ‘Kallashnikovët’ e Bregoviqit me shokët e tij.