Diçka po levizë për mirë tek PD-ja

0
184

Pas deklaratës së kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj se Partia Demokratike do të ketë kandidatët e saj në zgjedhjet e vitit 2023, vjen reagimi nga disa deputetë demokratë.

Alibeaj tha se PD (ligjore) do të këtë kandidatët e saj në zgjedhjet lokale, duke lënë të kuptohet se opozita do të këtë 2 kandidatë, duke marrë parasysh qëndrimet e Berishës. Ky i fundit theksoi faktin se kandidatët për kryetarë bashkie do të dalin nga procesi i primareve, që Alibeaj nuk e njeh si proces.

Duke marrë shkas nga deklaratat e sotme të Alibeajt erdhi dhe reagimi për News24 nga deputetët Agron Gjekmarkaj, Ervin Salianji, Dhurata Çupi, Samir Korreshi, Xhelal Mziu si dhe Kreshnik Collaku.

Gjekmarkaj tha se nuk ka dijeni nëse është mbledhur grupi parlamentar, duke shtuar se vetëm me kandidatë të përbashkët ka shanse opozita për gare reale për zgjedhjet lokale të 2023-shit.

“Nuk e kam pare intervistën!Tani po e marr vesh. Pa e dëgjuar s’dua te komentoj, dhe me këte nuk po them qe nuk i besoj fjalës tende Osman i dashur. Vetëm me kandidat te përbashkët opozita ka shanse reale gare. Por nuk e di te jete mbledhur grupi parlamentar dhe te jene marre vendime, si i vetmi institucion qe e ka këtë tager ne kushtet ku jemi.”, tha Gjekmarkaj.

Ndërkohë, Ervin Salianji, nënkryetar i Grupit Parlamentar pohoi se është fat i keq për demokratët që të zgjedhurit e tyre janë në garë inati me njëri-tjetrin. Salianji pohoi se opozita duhet të jetë e bashkuar.

“Fat i keq për demokratët që të zgjedhurit e tyre janë në garë inati dhe jo në logjikë dhe as arsye! Dua të le mënjanë modestinë, pavarësisht se jam votuar thuajse nga 10.000 qytetarë në Korçë, deri sot askush nuk më ka kontaktuar dhe as pyetur. Mendoj që opozita duhet të jetë e bashkuar. Beteja mediatike që bëjnë demokratet ndaj njeri-tjetrit nuk i shërben qytetarëve që po përballen me një qeverisje prepotente skandaloze, demokratët po i dëmton deri ne palcë.”, tha Salianji.

Të njëjtin qëndrim duket se ka mbajtur dhe deputetja Dhurata Çupi, e cila pohoi se PD duhet të përfaqësohet në Lokalet me një kandidat.

“Ne duhet te përpiqemi të gjithë te dalim me nje kandidat. Eshte detyrim i joni ndaj demokrateve te dalim bashke. Eshte detyrim i joni si drejtues, mos te bjerremi pas sedres personale apo interesave personale. Demokratet nuk e duan sjelljen e ndasive dhe ne duhet tju pergjigjemi interesave te tyre. Duhet fituar me Edi Ramen, jo me njeri tjetrin.”, tha ajo. Më radikal është treguar deputeti i Lushnjës, Saimir Korreshi, i cili pohoi se nëse ndodh që PD të dalë me dy kandidatë, nuk do të marrë pjesë në zgjedhje.

“Unë qëndrimin tim e kam bërë publik. Në një palë zgjedhje si ato të 2023-it, kur mund të këtë 2 kandidate ne zgjedhje te PD-se, nuk do te marr pjesë.”. theksoi Korreshi.

Nga ana tjetër, deputeti Xhelal Mziu tha se çdo subjekt politik opozitar del në zgjedhje me kandidatë të vetët dhe jo në koalicion, do të konsiderohet ‘patericë’ e Ramës. “Çdo subjekt politik opozitar që del në zgjedhjet lokale të 2023 me kandidat te vetet, por jo në koalicion, do të konsiderohet një patericë e Edi Ramës.”, pohoi Mziu.

Për demokratin Kreshnik Çollaku me rëndësi është bashkimi i PD-së. “Unë mendoj se përcaktuese per fitoren e opozitës si të tërë ka rendësi bashkimi i PD. Nje PD e ndare apo e përçarë sjell automatikisht pikëpyetje mbi suksesin e krejt opozitës. Për mua ka rëndësi qe te këtë vetem nje kandidat nga PD. Pra bashkimi i opozitës percaktohet nga bashkimi i PD. Sigurisht PD eshte forca me e madhe dhe percaktuese e opozites dhe do te mbaje peshen me te madhe te kandidaturave. Nese PD eshte e bashkuar Opozita eshte e bashkuar. E kunderta nuk mund te ndodhe. Sado te shtohen ngjyrat e aleateve apo koalicioneve, pa bashkim te PD nuk ka bashkim te Opozitës.”, theksoi ai