DEDË GJON LULI , “FLAMURI” UDHËHEQËS I KRYENGRITJEVE (1911-1912) QË I PARAPRINË SHPALLJES SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

0
830

Nga Ndue BACAJ
“Hyrje” Të shkruash për të madhin atdhetar Dedë Gjon Luli do të thotë të marrësh mbi vete një barrë të rëndë sa vetë historia e shqiptarisë ndër shekuj, në luftërat për liri, identitet e pavarësi, ku padyshim flamurin e kësaj epopeje, sa tragjike, aq të lavdishme e mban treva simbol që e lindi dhe e rriti Dedë Gjon Lulin, Hoti dhe Malësia e Madhe. Dedë Gjon Luli është jo vetëm pjesë e historisë së gjysmës së dytë të shekullit 19-të dhe e fillimit të shekullit 20-të, por mbi të gjitha është udhëheqësi dhe simboli i palëkundur i të gjithë Malesisë e Shqipërisë Veriore e më gjerë , në të gjitha betejat ku jeta ishte një hiç para idealit të lirisë e të drejtave kombëtare, si dhe në “tryezat” diplomatike, ku me pendë e mendje projektohej Shqipëria e lirë e sovrane. Jeta dhe vepra e Dedë Gjon Lulit është aq e madhe, sa as dje dhe sot, por edhe as nesër nuk do të kenë kuptim Malësia e Madhe ,Shqiperia dhe historia e saj, pa trimin, të urtin, legjendarin e heroin e popullit Dedë Gjon Luli, i cili për më shumë shumë se 50 vjet ishte zemra, mendja dhe shpirti i të gjithë atyre shqiptarëve që për atdhe “e banin deken si me le”…1.
“JETËSHKRIMI…”
Duke çilë drita e datës 25 shtator të vitit 1840 nga shtepia e Gjon Lulit u dëgjuan krisma pushkësh . Bardhajt e Traboinit siç e kanë pasur zakon malësoret “pyeten” me za të thekshem ç’asht pushka more ?. Nga kjo shtepi menjeherë një za burri si jehonë malesh do të lajmronte se në konakun e Gjon Lulit Dedvukaj kishte lindë djal.. Gjon Luli kishte pasur per grua Lulë Keqen nga Vrithi i Shkrelit.. Fatkeqesisht Gjon Luli nuk kishte jetuar vetem pakë vite pas lindjes së djalit të vetem që e pagëzoi me emrin e gjyshit tij Dedë.. Pas vdekjes së Gjonit nëna e Dedës , Lula ishte “detyruar” të martohet , ndersa Dedën e mitur do ta rriste pa i lënë gjë mangut axha i tij.. Siç e kanë pasur zakon malësoret Dedë Gjon Luli martohet i ri me të bijen e Gjelosh Marashit nga Gruda , Prenën , me të cilen patën katër femijë ; dy vajza (Naren e Mrinë ) e dy djem ( Gjergjin e Kolen). Babai i Dedës ndonse kishte vdekur i ri kishte lënë një trashëgimi të pasur atdhetarie…Fjalet e babes tij (Gjon Lulit) ; “Se as drita nuk shkëlqen dhe as dielli nuk ngroh në këto troje deri sa të sundojë turku apo shkjau tokën shqiptare”, Deda i rujati si një amanet të shenjtë , jo vetëm për vete e femijet e tij , por u mundua t’i kultivojë edhe te bashkëkohësit e tij, dhe siç dihet me mjaft sukses. Që kur Deda u bë të hedhë krahëve pushkën, nuk ka betejë, kryengritje apo kuvend, ku nuk merr pjesë ky trim si zana, që nuk i shkonte një plumb kotë per armikun ,dhe nuk i binte një fjalë në tokë per mikun… 2. Dedë Gjon Luli e filloi aktivitetin e tij atdhetar në moshë të re, ku dallohet “të paktën” që në Luften heroike të Vranines, , ku trimi legjendar Oso Kuka, me aktin e tij heroik i “paralajmronte” perjetsisht shkjetë fqinjë :
“..Mos t’i lakmojnë tokes Kastriotit /
se u bjen shtrejt , qe besa e Zotit..” 3.
Dedë Gjon Luli do të ishte pushkë e parë edhe në Luftën e Kernices(1862) , në Luftën te Mulliri i Vrakes (1871), në tre Luftrat e Shpuzes (1870-1877) , në Luftrat per mbrojtjen e Hotit , Grudes , Plaves , Gucisë , Ulqinit e tjer të cilet zhvillohen nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878 -1881).4. Dedë Gjon Luli ishte komandant i ushtrisë (vullnetare) të Lidhjes shqiptare të Prizrenit per Malesinë e Madhe dhe Zevendëskomandant i ushtrisë të Deges së Lidhjes Prizrenit Shkoder.5. Por lufta më e madhe e Malesorëve me në krye Dedë Gjon Lulin është ajo e vitit 1911 që njihet si kryengritja antiosmane që çoi në ngritjen e flamurit kombëtar të Gjergj Kastriotit me 6 prill në Bratilë të Deçiqit , pas 432 viteve “mungesë” nën pushtimin turko-osman… Dedë Gjon Luli ishte udhëheqesi i kesaj kryengritje që shpesh identifikohet edhe me emrin tij.6. Por trimi i urtë baca Dedë ishte pushkë e parë dhe udhëheqës i parë edhe në luftrat per mbrojtjen e trojeve shqiptare nga lakmit e shoveneve serbo-malazez të viteve 1912 -1913-1915.. Dedë Gjon Luli ishte jo vetem pushkë e parë e mbrojtjes të trojeve shqiptare ,por edhe “firmë” e parë në memorandumet , kerkesat dhe protestat e 8 majit 1878 , 13 qershorit 1878 , 15 qershorit 1878 , 16 qershorit , 2 korrikut, 7 korrikut, 7 tetorit, 22 tetorit e 8 nëntorit të vitit 1878, si dhe ato të 21 shtatorit 1879, të 1 marsit 1880 , 12 marsit, 4 prillit , 2 majit , 18 majit , 16 korrikut , 7 gushtit , 15 shtatorit, 19 shtatorit 1880 , 26 prillit 1883 , 9 qershorit dhe 26 qershorit 1883 , të majit 1903… Dedë Gjon Luli shquhet si organizator dhe protagonist i Kuvendit të Greçes të 23 qershorit 1911 që formuloi e miratoi memorandumin (e Greçes) me trajtat e një një programi politik per pavaresinë e trojeve shqiptare ,per të vijuar me kerkesat e 9 shkurtit 1912…7. etj… Dedë Gjon Luli njihet edhe si një ndër perkrahesit e zjarrtë dhe nënshkruesit e vendimit prej 7 pikave të dates 5 mars 1899 (të zhvilluar në Shkoder) , në të cilen në emer të të gjithë vilajetit të Shkodres , u shpall besa dhe bashkimi i popullsisë së ketij vilajeti me Kuvendin apo Lidhjen Shqiptare të Pejes (të 26-30 janarit 1899)dhe komitetin e saj të kryesuar nga udhëheqësi trim e patriot Haxhi Zeka. 8. Dedë Gjon Luli ( me bashkeluftetaret e tij) në memorandume e protesta dallohet per nënshkrimin domethenes shenjë me kryq , një “simbol” ky jo vetem per besnikrinë në fenë e të pareve , por edhe një simbol që kerkesat dhe protestat beheshin per gjithë Shqiperinë Etnike, nga veriu në Jug , dhe nga Perendimi në lindje. Të gjitha këto protesta shoqëroheshin me argumente liridashëse në mbrojtje të Hotit, Grudës, Kelmendit , Trieshit, Kojës, Tuzit, Plavës, Gucisë, Ulqinit e të tjera troje që Europa kishte vendosur t’ua jepte Malit të Zi, Serbisë etj. Në këto momente tragjike edhe pushtuesi shekullor turk ishte dobësuar e ligështuar aq shumë para Europës, sa ishte i gatshëm të lëshonte pa mëshirë territore shqiptare. Të gjitha këto protesta , shqiptarët në përgjithësi e ata të Malësisë së Madhe në veçanti i shoqëruan me kryengritje e luftëra mbrojtëse.. Emri dhe fama e Dedë Gjon Lulit si udhëheqës i malësorëve kryengritës, detyroi jo vetëm pushtuesin turk, por edhe kralnitë e Europës ta njohin e “respektojnë” këtë malësor si tribun popullor të shqiptarëve liridashës , që At Shtjefen Gjeçovi e portretizon:
“Shih i herë at’ me flok t’bardhë
Që perpara u ka pri ,
Ai asht ora e ksaj Malci
Ai po thonë asht Ded Gjon Luli
Që ma i fortë nuk bahet burri…” 9.
Ndonëse këto shtete të fuqishme të kohës i ofruan Dedës bashkëpunim, shpesh të shoqëruara edhe me florinjë, ky atdhetar i klasit të parë nuk pranoi kurrë të shitet apo shesë idealet e lirisë së atdheut, që ai e quante mbi gjithçka. Vlen të kujtohet se Dedë Gjon Luli kishte qenë ndër të parët atdhetar që mbështeti Kongresin e Manastirit (1908) dhe vendimet e tij për alfabetin shqip që kemi sot… Kur në Shkodër, një grup fanatikesh musliman të nxitur nga hyqameti turk kërkuan të organizojnë një manifestim në perkrahje të shkronjave arabe , ata ndërruan mendje kur moren vesh se malesorët e Malësisë (me në krye Dedë Gjon Lulin ,N.B.) do ti pergjigjen me një manifestim akoma më të madh e më fuqishem në perkrahje të shkronjave latine.10. Dedë Gjon Luli i fali gjithçka lirisë së atdheut, duke angazhuar në këto luftëra djemtë e tij, por edhe nusen e djalit të tij, Norën e tjer. Luftërat çlirimtare për Dedë Gjon Lulin vazhduan deri më 24 shtator 1915, kur e vranë armiqt e Shqiperisë Etnike . E vranë Dedë Gjon Lulin pasi keta armiq e shihnin si një ndër pengesat kryesore të grabitjes të trojeve shqiptare të Malesisë Madhe e më gjerë… Dedë Gjon Luli kishte ndertuar një bashkepunimin të shkelqyer në mes të atdhetarëve malesoreve e më gjerë pa dallim feje e krahine , dhe kjo e kishte shqetsuar gjithnjë pushtuesit shekullore otoman dhe fqinjet hileqar e shoven malazez , gjë që e tregojnë edhe vargjet brilante popullore :
“…Dergut Pasha në gjok të bardh
Knjaz Nikolles o po i çon fjalë,
Zot kë ka koçaku të parë ?
Ded Gjon Lulin ,Zenel Shabanë ,
Mehmet Shpendin që rri në Shalë,
Has Jakupin ,Hys Belanë.
Ismail Qemali fjalë ka çue ,
Dergut Pash paske gabue
Çka ke djegë ke me pague..”.11.
Për Dedë Gjon Lulin është shkruar e folur gjithnjë , per forcën , vullnetin, urtinë dhe atdhedashurinë e palekundur për trojet shqiptare edhe kur ai kishte dialoguar ballperball me shovenë apo perkrahes të tyre :
Admiralin anglez Cecil Burey i cili , për të ndalur hovin e Dedë Gjon Lulit me malësorët e tij që mbronin me çdo çmim trojet e tyre shqiptare i kishte thenë Dedes ,kot luftoni më se Hoti e Gruda mbaruan,, pasi Europa ia ka dhënë Malit Zi…E kreshniku Dedë pa ju dridhë qerpiku i ishte pergjigjur rrufeshem : “Ti zotni ke tager me shitë kopshtin tand , se atë t’emin as nuk e shes , as nuk e fali..” Admirali duke parë vehten ngusht kishte kërcënuar malësorët se mos ndejshin rahat , fuqitë e mëdha kanë me i zbatua me forcë vendimet e veta.. Pas ketyre fjaleve të admiralit kishte ra një heshtje , që e theu vet Dedë Gjon Luli me fjalet – kushtrim : ”A ka tager e forcë Europa me më ndalue që me derdh gjakun tem…”.12. Krali i Malit Zi një ditë do ti thoshte Dedë Gjon Lulit se malësorët e tu janë vetem një grusht eshtnash perpara taborreve të turqisë. Pranoni ndihmen tonë që të shpetoni . Deda do tja priste, o Kral, shqiptari nuk ka parë tek vehtja kurr eshtnat ,por zemren.. Kral Nikolla në Vrellë të Potgoricës kur u takua ball-perball me Dedë Gjon Lulin do ti thoshte : “O Dedë Gjon Luli gryka e pushkes sate është e ngushtë dhe vetem duke pasë në krah Malin e Zi ty të bëhet gryka e pushkes top”. Por Dedë Gjon Luli do ti pergjigjej aty per aty :”Me të vertet o kral gryka e pushkes time është e ngushtë, por duke u ndodhur midis maleve shqiptare ato ma bajnë gryken e ngushtë të pushkes sime më të gjerë e më të fuqishme se gryken e topave të ushtrisë sate.13. Ndersa kur një gazetar i huaj e pyeti Dedë Gjon Lulin ,si është e mundur që një grusht luftëtaresh si ju të ndeshen me porten e lartë ?. Dedë Gjon Luli do t’i pergjigj rrufeshëm me fjalet :” Shqiptari është ah e nuk është shelg që të perkulet”.14.
Dedë Gjon Luli gjithmon perpara se të nisej në beteja kerkonte që me vehte të kishte një flamur shqiptar. Një ditë shoket e çetes me të cilet ishte nisur në një betejë i thanë :” O baca Dedë kemi nevoja të tjera më të mëdha se flamurin sot në luftë” , baca Dedë pasi u kishte drejtuar shikimin të gjithëve u ishte pergjigj: “Jo bre burra, në krye duhet Flamuri se ai i ka të tana brenda : Besen , trimnin , zakonet , bashkimin , luften dhe fitoren. Ai ka gjakun e të parëve tanë që e skuqi e na prinë…”.
Por me pakë fjalë e mrekullisht e ka “permbledhur” portretin atdhetarë të Dedë Gjon Lulit , publicisti dhe vullnetari italian Euxhenio Vaina , me daten 7 gusht 1911 (nga Tivari) kur e “quan” Ded Gjon Lulin : “..Kalores të pa njollë dhe pa frikë ..”15 .
“DEDË GJON LULI NË DITË E SHPALLJES SË PAVARëSISË
Në diten e shpalljes së pavaresisë së Shqiperisë me 28 nentor 1912 në Vlorë ,mungoi Dedë Gjon Luli, mungoi ai që duhet të ishte i pari e në krye të vendit, mungoi ai që mbajti më shumë se një gjysem shekulli të ndezur zjarrin e lirisë në trojet e Malesisë Madhe e më gjërë, mungoi ai që me 1911 shperndau në votrat (gati të fikura ) të Shqiperisë gacat e zjarrit, per të rindezur zjarre të reja lirie e mvehtesie. Mungoi ai që frymzoi e trimëroi Ismail Qemalin , Luigj Gurakuqin e tjerë korifenjë të shpalljes së pavaresisë së Shqiperisë . Mungoi Dedë Gjon Luli, mungoi ai që vetem ai nuk duhej të mungonte kurr…Por ndonse Dëdë Gjon Luli mungoi fizikisht , ai me vepren e tij atdhetare ishte atë ditë aty, madje në krye të vendit , se pa Dedë Gjon Lulin dhe luften e tij me trimat Malësor ,ajo ditë nuk do të kishte ardhur kurr… PO ATËHERË PSE DEDË GJON LULI MUNGOI FIZIKISHT NË VLORË ME 28 NËNTOR 1912..??. Dhe pergjigja nuk është aq e “kollajt” të thuhet , sepse brenda saj kjo pergjigje ka mungesen objektive të Dedë Gjon Lulit , i cili ishte në moshen e tij 72 vjeçare, por që ja rendonte këtë moshë edhe jeta si “kaçak” duke jetua ma shumë jashtë (malesh e shpellash , ku shtroje kishte token e bymyer me gjak , dhe mbulojë atë copë qiell që na takonte ,por që shpesh e mbulonin retë e zeza që shpraznin mbi trojet tona shi ,breshen e rrebeshe). Këtë jetë të veshtirë e pershkruan sakt e bukur famulltari i kishës së Brigjes , At Agostini në një relacion që i dergon Argjipeshkëvisë të Shkodres me daten 29 janar 1886 , ku ndër citojmë : “Shumë i ndershmi Dedë Gjon Luli , i pari i arratisun , gjendet në kushte shumë të veshtira jetese , i mungon deri buka …shtepinë e tij të djegun sapo e kanë mbuluar në një qoshe . Të ndihmohet se është ma i ndershmi dhe ma i dashtuni në keto male”..16. Edhe sot gjindet si “shenjë” një shpell e vogel aty ku “ndahet” Hoti me Kastratin me homonimin “Shpella e Dedë Gjon Lulit”, ku ai shpesh ishte strehuar gjatë perndjekjeve nga hyqameti turko-osman.17. Këto kushte Dedës ja kishin renduar moshën e paksuar fuqinë për të shkuar atë ditë në Vlorë. Por e kishte të pamundur edhe pasi rruga nga do të kalonte ishte plot tym e erë baruti ku perlesheshin dy armiq shekullorr të malësorve e shqiptareve, Shkaju i Malit Zi që kerkonte të pushtonte Shkodren e rrethueme prej tij dhe turkut , që kishte mbetur me një pjesë të ushtrisë së tij si trofe lufte , por që së bashku me shkodranë e shqiptar të tjer po mundoheshin të mbronin vehten e Shkodren..18. Këto veshtirësi nuk “mbaronin” me kaq , pasi Kral Nikolla i Malit Zi me politiken dhe propoganden e tij hileqare kishte arritur të mashtroi jo pak malesorë, të cileve u kishte thënë më ndihmoni të bojmë turkun që nga Malesia e deri pertej Shkodres , e ju kudo në keto vende që do ti çlironi do të ngritni flamurin tuaj ,dhe do të jeni zot të trojeve tuaja dhe ne nuk do tu biem më në qafë, por për këtë duhet ti thejmë qafen turkut, se sa të sundojnë ai kalanë e Shkodrës, ne , as ju nuk jemi të lirë… Fatkeqësisht mjaftë malsorë u genjyen dhe moren pjesë së bashku me ushtrinë malazeze , gjoja në luften kunder turkut , por në fakt me këtë luftë ndihmuan Malin e Zi per të pushtuar Shkodren…19. Kur malësorët e kuptuan se çfar po benin ishte vonë , pasi deri atëherë , perveçse kishin luftur kundër “vehtes” e trojeve të tyre , duke ndihmuar armikun grabitqar Malin e Zi , kishin rënë duke luftuar edhe dhjetra malësorë, trimeria e të cileve si asnjeherë ndër mote e shekuj kishte shkuar kot… Në ketë gjendje të vajtueshme që kishin rënë një pjesë e Malesisë , Dedë Gjon Luli nuk kishte si ja kthente shpinen trojeve të Malesisë Madhe… Por Dedë Gjon Luli pas shpalljes së pavaresisë do të sfidonte kohet e veshtira dhe moshen mbi 72 vjaçare dhe do të shkonte të takonte shpallesit e pavaresisë me në krye Ismail Qmalin ,me të cilin ishte takuar edhe gjatë kryengritjes antiostomane të Malesisë Madhe në vitin 1911. Dedë Gjon Luli e siguroi Ismail Qemalin se te Malesia e Madhe do të kishte një mbeshtetje besnike dhe te palekundur per qeverinë e Vlores. Pas takimit Ismail Qmali do të deklaronte se: “Dedë Gjon Luli është pushkë e ngrehur per Shqiperinë”.20.
VRASJA E DEDË GJO LULIT .
Me 24 shtator të vitit 1915 në Orosh të Mirdites vritet pabesisht nga falangat serbo-malazeze dhe esadiste , trimi legjendar Dedë Gjon Luli. Vritet nga komandanti serb me emrin Gjura , që gjindej (jo rastesisht) në Mirditë me një kompani ushtaresh serb në vendin e quajtur Sheshaz..Vritet kur baca Dedë kishte shkuar atje per të realizuar një beslidhje të Madhe me parinë e Mirdites e më gjerë, per të kordinuar luftën çlirimtare e mbrojtëse të trojeve shqiptare nga grykesia shekullore e shkjeve të Ballkanit e më gjerë.. Lufta e parë Boterore kishte filluar dhe kishte rrezik që të realizonte vendimet famkeqia të traktatit të fshehtë të Londres të 26 prillit 1915 , duke coptuar edhe atë Shqiperi që kishte “tepruar” nga konferenca e Londres 1913.. Ndaj Trimi i urtë Dedë Gjon Luli duke qënë zemra ,mendja dhe pushka e parë e Malesisë Madhe dhe shqiptarisë, për më shumë se një gjysem shekulli , kishte perbuzur moshen e thyer dhe rrezikun per jeten, duke u bërë keshtu faqja e bardhë në perjetsi e Hotit ,Malesisë e Shqiptarisë… Pas vrasjes së Dedë Gjon Lulit, falangat serbo-malazeze dhe esadiste trupin e tij të pajetë e kishin mbuluar me landë drusore e gjethe në Malin Shejtë ,ku e zbuluan disa barinjë rastesisht pas disa diteve…Me 8 tetor (1915),famulltari i Oroshit të Mirdites e varrosi te kisha e “tij”. Ndersa me 29 maj 1924 eshtrat e Dëdë Gjon Lulit u rivarrosen me një cermoni madheshtore të organizuar nga Etnit Franceskan në Shkoder, ku muaren pjesë mbi tremijë veta , si dhe delegati Apostolik imzot Ernesto Kozi. Në ketë cermoni një ligjeratë brilante mbajti At Anton Harapi ,ligjeratë nga e cila menduam të citojmë :”Sikurse Athina e Roma mbi gjak e eshtna të fatosave ngrehen ndertesen e Lirisë ,ashtu per të mëkamunit e Shqipnisë u lyp që gjaku i kreshnikeve të sterpikë krepat e Maleve tona…Mbas 400 vjetësh Dedë Gjon Luli me çeten e vet lufton per të paren herë nën Flamurin e Shqipnisë ,per Lirinë kombetare. Ai kje tre here Fatos se i fali Atdheut dy djemtë dhe veten ,tuj u ba shenjë i salvimit të xhonturqëve ,të sllavëve dhe esadisteve….Ai së dyti provoi se bashkë me Atdhetarinë në gjoksin e tij ,vloi edhe zelli per Fe…Në të vertetohet fjala e popullit se ndihma e Zotit dhe pushka e Hotit e shpejtoi Lirinë Kombetare..” 21. Ndërsa patrioti pendartë i kombit shqiptar At Gjergj Fishta, do ta “portretizonte” Dedë Gjon Lulin dhe vepren e tij atdhetare me një publikim brilant që vetëm nga penda e tij mund të shkruhej me titull: PER MONUMENT TË DEDË GJO’ LULIT : Nga e cila mendova të citoj: “Vllazen shqiptare !…. Asht Ded Gjo’Luli , që vu sy me dekë a shqiptar i lirë me mbetë , me ata kreshnikë petrita të Maleve të Mdhaja –burra motit veç që i bante lokja shqiptare,- bjen në mal e mbi “kaki” të Deçiqit ngul Flamurin e Shqipnisë – kuq e zi ; zjarm e dekë – nji be ai rreh , nji be të madhe po rreh aj në sy të qielles e të dheut , se rob shqiptari per nën thember mizore të Turkut ma kurr , jo, kurr ma do të gjimonte , e as nën thember të atij sllavi te mnieshem . M’atë be të shugurueshme ngeli në habi Europa ; Cetina u trand e u dynd tan pezem e mni Stambolla ; edhe prej Deçiqit në Veleçik të madhnueshen nisi me vlue e rrebtë nji luftë e pergjkashme e pernjimend titanike. Shkumë gurgulloi gjaku neper dolomie e stalagtita të zgavrave t’erreshme , e kah qiella u çue , po, tym e shkendi , e vigem nanash , e vaj foshnjesh të flakrueme në zjarm , e ankime e gjamë të varruemesh , e nji zhurmë e nji krizme rrotash , e kualsh topash , e nji bubullime e menereshme , thue po të rroposet per nën kambë rruzullimi. Edhe malsori muejt . E kje m’atehere që verigat e randa të robnisë sonë pesqindvjetore u keputen e zojë e lirë e me vedi duel Shqipnija. – Po mos të ishte kenë që malsori i jonë , Konstitucjonit të Turkise e tektej i’u gjet me pushkë në faqe kundra turkut , Shqipni sod nuk do kishte e na edhe sod do të gjimojshim per nën thember të ndonji tirani të ri. Vllazen shqiptar ! na sod jemi të lirë ; por martiret fatosa të lirisë sonë kombetare kalben të harruem nën dhe , kur trupat e tyre të bam kortar prej anmikut , mos t’i ketë shpuplue e grise mbi dhe orrlat e shekrbet e egra. E po a pernjimend se nipat e sternipat tonë , mbas ndonji stinet të terrnueme , ma ata nuk do të dijnë as emnin e atyne burrave të padekshem , që u fituen lirinë dhe u falen Atdhen . (Para se flie vehten të bante malsori na Atdhe s’kem pas , e rob kem kenë , e raje , e skllav e kurrgja tjeter). Jo , per Zotin ! se marre e turp per ne do t’ishte e nji dam i madh per Atdhe , po u qitë në harresë emni , e gjallë në nipni tonë s’u mbajt ideali , që kreshnikët e maleve tona i shtyni , flie me bamun vedin per mizori t’anmikut . Jo, po : do të hupë Shqipnija , diten që sysh ta dar (harroi) shqiptari njatë idealin e Ded Gjo’Lulit …”.22.
“EPILOG”
Familja e Dedë Gjon Lulit është shuar në luftërat për liri , por fatkeqësisht bashkë me Dedë Gjon Lulin u shua edhe një pjesë e atdhetarizmit të trojeve tona, që prej më shumë se një shekulli kanë nevojë per një Dedë Gjon Lul të “ri”… Për këtë ketë heroizem dhe atdhetari të kulluar Dedë Gjon Luli “gezon” titullin e lartë “HERO I POPULLIT” dhe që nga nentori i vitit 2015 është dekoruar nga (ish) presidenti B.Nishani me “Urdhërin e Flamurit Kombëtar”. Megjithë këtë Dedë Gjon Luli nuk ka vorr ku pushojnë eshtrat e tij (pasi nuk dihet ku janë) , ka vetem një vorr “bosh” te vorri i djalit tij deshmor Gjergjit , në vendlindje në Traboin . Ndërsa deri me 27 nentor 2015 nuk ka pasur asnjë bust , shtatore apo monument të ndertuar në Republiken e Shqiperisë. Me data 27 nentor (2015) me financimin e diaspores malësore-shqiptare në Amerikë, në qendër të Tiranës (në lulishten e muzeut historik kombëtar ), u vendos shtatorja impozante e heroit të popullit Dedë Gjon Lulit, shtatore që do të zënë në perjetsi vendin që i takon në memorien e historisë të luftrave mbrojtese dhe çlirimtare , që me 28 nentor 1912 u kurorzuan me shpalljen e pavaresisë nga Vlora , ndonse kjo pavaresi është ende e munguar në shumë troje të Shqiperisë Etnike.. Dedë Gjon Luli është një ndër shkëmbinjtë e mëdhenjë dhe të palevizshem të themelit të shtetit 109 vjeçar shqiptar…23. Shtatorja në qendër të kryeqytetit është veçse një kujtesë e vogel para vepres së madhe të heroit të popullit Dedë Gjon Luli, me emrin dhe vepren e të cilit u frymëzua edhe luftojë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës në vitet 1998-1999 , kunder shovenëve serbë..24. Dedë Gjon Luli dhe vepra e tij është dhe do të jetë shembull frymezimi dhe sakrifice per çdo shqiptar të vertet që i don pa hile trojet e veta Etnike Iliro-Shqiptare..
REFERENCAT:
1.Ndue Bacaj, Kryekryengritja e Malësisë së Madhe kundër perandorisë Turke-osmane 1911, (botim i dytë), fq.88, Fiorentia-Shkodër 2018.
2.Ndue Bacaj, po aty, fq.89-90.
3.At Gjergj Fishta ,Lahuta e Malësisë ,fq.62, Romë 1991.
4.Hamdi Bushati ,Shkodra dhe Motet ,v.I , fq.413-431 ,Shkodër 1998.
5.Hysni Myzyri , Ded Gjon Luli –patriot dhe luftëtar i shquar i Rilindjes sonë , gaz. “Zeri i popullit” dt. 23.9.1975.
6.Romeo Gurakuqi, Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës 1911, fq.86-88, Phoenix;Shkodër 2002.
7.Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptare… Tiranë 1978.
8.Kristaq Prifti , Lidhja Shqiptare e Pejës , fq.221, Tiranë 2002.
9.Shtjefen Gjeçovi ,Fondi “Bernardin Palaj” ,dosja 4/1 dhe 15 AQH, R.Shqiperisë.
10.Edwin Jacques ,Shqiptaret-Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme , fq.352, botim 1995.
11.At Gjon Karma “Kerkime në malet tona [të veriut] ,fq.197.
12.Fritz Radovani “Dedë Gjon Luli” ,fq.27.
13.Pandi Rrumbullaku ,”Dedë Gjon Luli pushkë e ngrehur per Shqiperinë” ,gazeta “Luftëtari” , dt.25 shtator 1980.
14.Frrok Çupi, ZP, Asht ah nuk asht shelg me u perkul shqiptari ,dt.3 tetor 1979.
15.Stefanaq Pollo “Gjurmë të historisë së Shqiperisë”,fq.282 ,botim i A.K.Sh. ,Tiranë 1990.
16.Pal Doçi , “Dedë Gjon Luli “ ,Tiranë 2003.
17.Ketë ma ka treguar Marash Vatë Shabi në mars të vitit 2010.
18.At Justin Rrota , Ditet e mbrame të Turqisë në Shkoder, ase rrethimi i qytetit 1912-1913 ,botim II ,botime franceskane , Shkoder , 2010 ,fq.28-31.
19.Hortense von Zambaur , Rrethimi i Shkodres 10 tetor 1912 -22 prill 1913, fq. 138, “Camaj-Pipa”, Shkoder 2006.
20.Pandi Rrumbullaku ,”Dedë Gjon Luli pushkë e ngrehur per Shqiperinë” ,gaz. Luftëtari ,dt.25 shtator 1980.
21.Fritz Radovani ,veper e cituar ,fq.38.
22.At Gjergj Fishta-ligjeratë Për një monument të Dedë Gjo’Lulit, ”Antologji Shqipe”, bleni I ,shtëpia botuese “Kristo Luarasi” botua nga Filip Fishta , Tiranë 1935.
23. Ndue Bacaj, po aty,fq.104.
24.Zekeria Cana ,fjala e tij e mbajtur në shtator 2005 ,kur u inagurua shtepia muze e Dedë Gjon Lulit.