Dashuri në kohë e terrorizmit!

Ne foto shkrimtarja Eralda Baze, foto E. Kaceli

0
618

Shënim për romanin bashkëkohor “Dielli më perëndon në Lindje” të romancieres Eralda Baze

Sipas Gabriel Garcia Marquez ka pasë “Dashuri në kohën e Kolerës”!

Romancierja shqiptare Eralda Baze thotë “Dielli më perëndon në Lindje!” Sipas mejet, romani, i shkrimtares bashkëkohore shqiptare, që po rrin në listën e librave më të shitur në Shqipëri, duhej të kishte një titull tjetër të ngjashëm me të Markez-it, një titull më tregtar! Për shembull:”Dashuri në kohën e terrorizmit” E kur flasim për terrorizmin nuk kemi parasysh terrorizmin që ka thjeshtë një shpërthim eksplozivi apo bombe! Shpërthimi është vetëm rezultati final! Vdekja fizike e njeriut! Vdekja fizike nuk është asgjë në krahasim me vdekjen shpirtërore që i ndodh përditë e nga pak intelektualit shqiptar! Nga faqja e parë, e deri në fundin tragjik të romanit, autorja ka sjellë, pa e deklaruar asnjëherë (dhe kjo është arritja më kryesore e romancieres Baze) këtë formë të terrorizmit! Terrorizmin ndaj intelektualëve, në Shqipëri, në Ballkanin tmerrësisht lindor, e në përgjithësi në Lindje. Tirana është pasqyra më e spikatur, pasqyra më reale. Përpara se të marrë formën e një bombe shpërthyese në një vend të Lindjes, ku perëndon tragjikisht dielli, terrorizmi ndaj intelektualëve ka fillua qysh më herët! Na shoqëron kudo: Në shtëpi, në zyrë, në ambjentet e punës, në rrugë, para televizorit, në median e shitur, në kafe… Me një gjuhë të zhdërvjelltë rrëfyese, njohëse perfekte e strukturës së romanit bashkëkohor, ku përzihen në mënyrë të përsosur humori, ironia dhe autoironia, limfa e jetës, autorja bën autopsinë e kohës dhe gjëndjes në të cilën ndodhet intelektuali shqiptar! Ambjenti mbytës, paragjykimet, dhuna psikologjike dhe ajo fizike, dhuna e fjalës, mungesa e kushteve më normale të një shoqërie normale, janë fillesat dhe vijimësia e terrorizmit që do të finalizohet me një shpërthim vrasës! E ndërsa ti, intelektuali i sotshëm (personazhet e romanit) lypën rrugëdaljen nga terrori psikologjik dhe psikopatia mërzitëse e Tiranës, përfundon rrugëve të botës, ku fati yt si intelektual shqiptar i ngjan, tmerrësisht, fatit të intelektualëve të mbarë Lindjes! Eralda Baze, na bën të ndjekim, thuajse me një frymë, nga faqja e parë, deri në të fundit, pa e ndalë asnjë moment ritmin narrativ, dramën intelektualëve shqiptarë të rinj, që kërkojnë të bëjnë ndryshimin! Ndryshim që ndesh në rrugë dramën e intelektualëve të Lindjes! Një dramë, në dramën e madhe, spikat drama e femrave intelektuale shqiptare tipike e femrave të Ballkanit, e femrave të Lindjes, dielli i të cilave, perëndon përditë nën trysninë e maskilizmit, në kërkim të një rrugëdaljeje të kotë! Një rrugëdaljeje krejt të pamundur! Shpërthyese…

Një përgëzim edhe për botimet “SCHNELL” që ia kanë dal të zgjedhin me guxim e sukses, në mes prezantimit të një autoreje të panjohur deri tani për publikun dhe përfitimit nga tregu i rrëmujshëm i librit në Shqipëri, që si rregull publikon e promovon vetëm emra të njohur të prozatorëve të huaj!

Edmond Kaceli,

Itali, janar 2022