Cili do jetë stacioni i fundit i Veliajt: Karrigia e Ramës apo SPAK?

0
324

Erion Veliaj që kur u katapultua në MJAFT e më pas në majën e PS-së e pushtetit të Rilindjes, e ka një destinacion fundor. Por cili është ai dhe a është e vërtetë lufta e brendshme e udhëhequr prej tij kundër Edi Ramës, me synim marrjen e Partisë Socialiste?

Për shumëkënd ky duket një konspiracion, por për grupimet brenda Partisë Socialiste dhe strukturave të pushtetit qendror e vendor, kjo ‘luftë’ është e vërtetë dhe madje e mirë-planifikuar.

Është një betejë permanente, e cila ka nisur shumë vite më parë. Herë intesifikohet dhe herë shkon drejt armëpushimit të përkohshëm, por kurrë nuk pushon.

Të dy nuk e fshehin, se janë të përkëdhelurit dhe të investuarit e mëdhenj të Xhorxh Soros në Shqipëri. Se janë të mbrojtur nga tentakulat e tij ndikuese politike, financiare e diplomatike në Europë dhe SHBA.

Por mburoja që marrin prej spinofeve të Soros nëpër kancelaritë perëndimore, nuk do të mjaftonte.

Erion Veliaj kuptoi një ditë se kurrë nuk do t`ja zinte vendin në parti Edi Ramës, vetëm duke shpresuar te Soros dhe ndikimi i tij nëpër shumë kancelari.

Kjo ka ndodhur në periudhën kur ‘Fondacioni’ përpiloj planin e ri konfigurimit të kufijve të Kosovës dhe Edi Ramës ju dha një rol kyç.

Nga ana tjetër rivali i tij kryeministër paralelisht me mbrojtjen diplomatike të siguruar nga Soros, po fuqizohej në mënyrë eksponentciale duke krijuar një shtet, ku shkrirja mafia- biznes- politikë, si dhe kapja e çdo qelize në skenën social-mediatike shqiptare ishte afatgjatë.

Paralel me shndërrimin e vendit në bazën më të madhe logjistike dhe të transitit të drogave të rënda për Europën, pastrimin e miliarda eurove në pak kohë, Rama, krijoi edhe infrastrukturën për të fituar de juro çdo palë zgjedhje.

Që kjo inxhinieri funksionoi, u pa jo vetëm në rezultatin e 25 prillit, por edhe në nxitimin e ndërkombëtarëve për ta njohur pa përfunduar procesi.

Më herët Erion Veliaj kishte kuptuar se për të spostuar shefin-rival nga partia, nuk mjaftonte vetëm mbështetja e Soros dhe spinofeve të tij diplomatike. Përball kishte një Edi Ramë të blinduar nga tutori i përbashkët, por  edhe nga krimi i organizuar i shndërruar në biznes të ligjshëm, me gjithë portofolin e tyre gjigant financiarë.

Duket se ky është momenti që kryetari i bashkisë të ndryshojë strategji dhe të vendos që të bëjë njësoj si Edi Rama; të krijojë edhe ai aleanca ku ngjizen; Mafia-Biznesi- Politika- Media.

Eksperimentin e parë e bëri në 25 Prill. Nëse Rama dhe ‘inxhinierët’ e tij ishin të zënë në atë periudhë me planin makro të votës, Veliaj eksperimentoi me sukses në qarkun e Tiranës.

Si shembull perfekt i kësaj inxhinierie mund të merret turpërimi dhe flakja nga parlamenti i ardhshëm i kryetarit të partisë në kryeqytet, Ervin Bushati dhe katapultimi spektakolar nëpërmjet një lumi votash, i Fatmir Xhafajt.

Ky ishte eksperimenti që Veliaj shpresonte të bënte edhe në parti në rast të një rezultati të ngushtë, por gjithsesi mund të shtyhet për më vonë. Veliaj është nga ata që di të presë, veçse këtë herë ka ngecur në një rrjetë të hedhur përtej detit nga antimafia italiane.

Në datën 22 Janar të këtij viti u publikuan për herë të parë përgjimet e një mega-operacioni të antimafies italiane që kishin vazhduar disa vite,  ndaj organizatës Nragheta.

Lajmi shkaktoi tërmet edhe në Shqipëri, pasi mafia më e egër dhe më e pasur në Europë kishte mbërritur brenda zyrave të bashkisë së Tiranës; në ministrinë e Shëndetësisë dhe në shumë institucione të tjera që japin tendera.

Nuk po flasim për çështjen e incerenatorit të Tiranës dhe 420 milion eurot e tij që sërish ndërlidhen me mafien përtej detit Adriatik!

Në përgjimet e antimafies italiane i dërguari i ‘Ndragheta’ në Shqipëri, Antionio Gallo, del se ka pasur edhe një takim me kryebashkiakun Veliaj për investime në kullat në kryeqytet.

Sipas raporteve ndërkombëtare në 3 vitet e fundit krimi i organizuar ka pastruar në Tiranë 1.6 miliardë euro, nëpërmjet lejeve dhe ndërtimit të kullave.

‘Do dëgjoni në këtë fushatë çudira. Do dalin që kemi qenë shokë në çerdhe me Eskobarin. Do dalin lloj çudirash’, u përpoq ta sfumonte Veliaj skandalin.

Shok me Escobarin vërtet nuk mund të ketë qenë, por nëse është mik e ortak me ata që kanë pastruar vetëm nëpërmjet ndërtimeve në Tiranë miliarda euro në vitet e fundit, po presim të na e thotë SPAK.

Kanë kaluar rreth 5 muaj dhe shumëkush ndoshta e ka harruar, por zyra e Erion Velisë po hetohet për lidhje me Ndraghetan.

Pas presionit të madh të opinionit dhe një pjese të medias, 3 ditë pas publikimit të përgjimeve të antimafies italane, në datë 25 Janar SPAK njoftoi se kishte nisur mbi të dhënat shqiptare të dosjes së antimafies për Ndragheta, procedimin penal nr. 17.

‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, ‘Grupi i strukturuar kriminal’, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’,  parashikuar nga nenet 259, 333/a, 287 – 28/4 dhe 334 i Kodit Penal’.

Nëse i zbërthen që të gjitha këto veprave penale një e nga një, e nëse SPAK ka vullnetin e pandikuar që ti hetojë e vërtetojë, atëherë Veliaj dhe bashkëpunëtorët e tij do të bënin mirë që planin për marrjen e Partisë Socialiste, ta transformonin në plan për shpëtimin nga shumë vite burg e konfiskim pasurish.

Nuk mund të paragjykojmë SPAK, por përveç përgjimeve dhe fakteve që do të ndiqni në këtë speciale, ai mund të përdorë edhe raportet e ndërkombëtarëve për pastrimin e parave në vendin tonë dhe veçanërisht nëpërmjet ndërtimeve të shumta e gjigante në Tiranë.

Pas 5 muajve, ende nuk dihet se në çfarë niveli janë hetimet e SPAK për Veliajn, por një shtyrje pas  çështjes së plasur papritur dhe çuditshëm, ‘Berisha non grata’, duket se e kanë marrë.

Ndoshta është rastësi, por menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit Erion Veliaj nxitoi që të bënte dhe reklamonte një vizitë në Uashington DC. Doli në fotografi edhe me ndihmës zëvendësin amerikan të shtetit Mathew Palmer dhe ish-ambasadorin në Tiranë Arvizu.

Mund të ketë shkuar deri në SHBA, edhe për të festuar fitoren e 25 prillit, por edhe për të kërkuar ndihmë.

Gjithsesi, dosja e antimafies italiane me 1 mijë faqe për lidhjet e Ndragheta në zyrat e Erion Velisë dhe investimet e tyre në leje ndërtimi e ngritjen e kullave në qendër të Tiranës është e freskët te zyra e shefit të SPAK, Arben Kraja.

Do të kyçet, do ta përdorë dhe ekzekutojë Drejtësia e Re e amerikanëve, Edi Rama, apo kush tjetër?!

Vetëm atëherë do të mësojmë se cili është stacioni i fundit i Erion Veliajt: Karrigia e Edi Ramës në parti, apo SPAK e më tej?!