Çdo hap prapa qënka përparim. Leshin pa qime marrim si shpërblim

0
528

Nga Marash Gilaj

Festa filloi në Bruksel, kur kryeministri nuk përmbahej prej gëzimit që dështuam edhe këtë radhë siç ka ndodhur në dhjetë vitet e shkuara. Pamë spektakël me vallëzime e dirigjime pa sens. Duke e ditur se ka punuar fort që kjo të ndodhte, i shpërbleu ata që ndihmuan të kishim këtë rezultat me nga një rrogë në këtë fund viti. Nuk harroi as patronazhistët spiunë që i ka aq për zemër. Pra, festa filloi. Kjo qeveri njeh vetëm “fitorje”, edhe pse të fundit ishim dhe të fundit mbetemi në çdo vlerësim nderkombëtar. Përpiqet ta mbajë veten duke e ditur se spektakli fsheh gjithmonë realitetin. Injoranca shoqërohet me arrogancë e krenari. Të tria dorëpërdorë udhëtojnë në kotësi.

Vetëm presidenti nuk u ndie mirë. Ai tha se ishte i zhgënjyer me moshapjen e kapitujve drejt integrimit. Dhe shtoi se gjithë kohën kemi marrë vetëm lavdërime, por në fund u kthyem me duar bosh, si një nxënës që mbetet në klasë, edhe pse gjithë vitin ka marrë lavdërime boshe e pa kokrra.

Në këtë çorbë të gatuar për lypsarë pati edhe risi. U dëgjuan zëra që dukeshin si haluçinacione e thonin se Europa nuk është e përgatitur për të na pritur. Kjo ndodhte sepse ne kishim kapur majat, kur ajo ende qëndronte ende në bisht. Ndoshta, ai që i pohonte këto, kishte marrë vesh se në sundimin e ligjit ne mbanim vendin e 133 – të nga 142 vende të marra në analizë. Mjafton kjo për t’u bindur se ku jemi.

Kemi kaluar, tashmë, 10 vjet mbretërim skandaloz pa njohur ligje, Kushtetutë as moral. Mbushja e parlamentit dhe bashkive me funksonarë të padënjë, të ardhur nga skutat e krimit ishte fillimi më skandaloz për një qeverisje që pretendonte se po rilindte diçka të bukur, se po fillonte “Vitin Zero.” Aq më e keqe ishte këmbëngulje se këta ishin më të mirët, se këta ishin ata që donte partia e tyre, se këta i kishte shokë, kur dihet se shumë prej tyre përfunduan në burg, u arratisën duke filluar nga “Tigri” ose shumica janë nën akuzë, edhe pse drejtësia punon me regji e me shumë standarde. Për këtë shikoni qëndrimin ndaj këtyre kriminelëve nder vite, zvarritjet me muaj e vite për të dhënë vendime që nuk presin si p.sh: Kujt i takon vula e sigla në PD, pse  u mbajt ai qëndrim ndaj dosjeve: 184 e 339 dhe pse të akuzuarit u bënë ministra, kur vendin e kishin në burg? Këtë e kanë theksuar gazetarë të guximshëm. Disa  prej tyre janë dënuar me “riedukim” për disa muaj si në diktaturë bashkë me fjalën e lirë. Dimë gjithashtu, që qindra shefa policie apo polic të thjeshtë janë përfshirë në bashkëpunime me trafikantët e drogës. Kjo qeveri njeh vetëm paligjshmëri, dështime e skandale që ulërijnë. Mbajtjen e pushtetit e kanë lehtësuar ata që pranuan t’i shiten atij. Amoraliteti, padija, varfëria e spiunllëku, gjithashtu, ia zgjat jetën një qeverie të paligjshme si kjo.

Japonezët kanë një shprehje të urtë që thotë: ”Vetëm piktori dhe gjyqtari mund ta bëjnë të zezën të bardhë dhe anasjelltas.” Kështu ka ndodhur vazhdimisht në dekadën e fundit. Nëse nuk keni kuptuar e nënkuptuar të kundërtën e atyre që janë thënë e shkruar nga propaganda rilindase, nuk keni marrë vesh asgjë. Për fatin tonë të keq, kështu janë parë, trajtuar e vlerësuar problemet tona edhe nga ambasadorët që na vëzhgojnë e monitorojnë. Ndryshe, si mund të ndodhte që këta thonin se ne kemi bërë progres të madh, se e meritojmë hapjen e negociatave, të kapitujve dhe përfundimi ishte e kundërta. Duket sikur harronin se” kush nuk i quan gjërat me emrin e vet, rrit fatëkeqësinë e botës”, sipas Albert Kamysë. Por e keqja nuk mbaronte këtu. Sepse ajo nuk po luftohej dhe duke mos u luftuar, tregonte dëshirën djallëzore për ta lejuar e nxitur që të bëhej. Të huajt kanë folur shpesh për korrupsionin që ka paralizuar shtetin, për mossundimin e ligjit, por nuk kanë këmbëngulur që të ndalej sadopak. Ata e shikonin se si bëheshin zgjedhjet, si kaluam në monizëm, si u shkatërrua pluralizmi, parlamentarizmi, çfarë ndodhi me inceneratorët, idea e hedhur në treg për pasaportat e arta, amnistinë fiskale e shumë maskarallëqe të tjera. Disa u ndaluan bashkë me Ballkanin e hapur, gjë që tregon se po të duan, nuk i pranojnë as nuk i lejojnë. Në sy të nderkombëtarëve opozita po luftohet me të gjitha format që të mos ekzistojë. Fillimisht duhej mashtruar populli, të përçahej e të detyrohej të largohej jashtë vendit me anë të luftës së klasave. Pas kësaj erdhi diktatura që shkatërroi opozitën, siç ka ndodhur me të vërtetë tek ne.

Për të arritur në këtë derexhe u desh kriminalizimi i jetës në vend, lejimi I drogërave deri në legalizim, korrupsioni galopant në çdo qelizë të shtetit, duhej shkatërruar arsimi në sasi e cilësi, të përjashtohej diaspora nga zgjedhjet, të bliheshin mediat e shumë zullume të tjera. Dhe përsëri vazhdoni të duartrokisni atë që ju mashtron, ju tall , ju fyen e ju turpëron.

Por, kur dhe pse gabuam? Ne i dhamë pushtet atij që e kërkonte me çdo kusht, me çdo mjet e mënyrë të paligjshme. Dhe jo vetëm një herë, por disa herë me radhë. Dhe në këmbim ai na dha shtetin pa ligje, na mori nepër këmbë, na shpëfilli, na talli duke e kthyer në system këtë mënyrë çqeverisje. Kështu vazhdon të poshtërojë e të injorojë të ndershmit, të drejtët e të diturit. Për disa kjo, tashmë, është bërë standard jetese e normalitet. Ne lejuam të rritej pushteti i sunduesit përtej shtetit demokratik, duke vënë lirinë në rrezik. Pra, ne shkuam pas djallit dhe ai na tregoi rrugën drejt ferrit.

Shpenzimet marramëndëse për show në lëshimin e satelitëve, tek dronët që nuk zbuluan drogën brënda repartit ushtak as kullat në mes të Tiranës, janë një investim pa vlerë që shërben si tymçe për të na mbushur mendjen se qeveria po punon fort. Rritja e rrogave të zyrtarëve është një tregues tjetër që nuk pyet për pensionistët as shtresat tjera në nevojë. Një qeveri shterpë që i shërben vetes dhe atyre që e mbajnë në pushtet.

Jeni ju që blini fjalën dhe heshtjen, që mbyllni e hapni lojrat e fatit si fundi dhe fillimi i marrëzisë, që falimentuat bashkitë moniste, që i kthyet në shtëpi publike, që na thoni se 95% të punëve nepër zyra janë të dixhitalizuara e megjithatë punonjësit nuk janë shkurtuar, por janë mbidyfishuar. Kjo nuk ka sens. Thjeshtë, u dashkan si votues të shitur e të blerë. Pse e lejon këtë drejtësia? Përse duhen ish ministrat e korruptuar e tē pushuar si :Beqaj e Krifca që të aktivizohen në punëra për të cilat akuzohen? Nuk e ditka i madhi se të korruptuarit nuk e luftojnë korrupsionin!? As të droguarit nuk janë kundra drogës.

Në përfundim dukemi si një shoqëri në koma, kur disave u është mbushur mendja se vlen më shumë njeriu i poshtër e maskara se sa i ndershmi e i drejti.(!!!) Bile këta sojsëz shkojnë edhe mē tej, kur thonë se ndershmëria nuk është edhe aq fitimprurëse. Një popull që vuan ka të drejtë të pyes veten se pse po mbajmë kaq shumë mbi kurriz? Shen Agostini e paska dhënë një përgjigje shekuj më parë: “ Populli mban mbi kurriz aq vese sa ka ai vetë. Manipuluesit dhe të manipuluarit janë fajtorë njësoj.” Nuk e di nëse vlen kjo thënie si ngushllim? Uroj të dalim nga koma!

25 dhjetor 2023