Gjergj Erebara
Ka shumë barsoleta me policë, të cilat nuk ia vlen të ritregohen. Dhe ka një ngjarje të vërtetë me karakteristikat e barsoletës si kjo që ndodhi së fundmi.
Ka jashtëzakonisht shumë barsoleta me policë, të cilat, në përgjithësi, nuk ia vlen të ritregohen. Thelbi i shumë prej tyre është polici i trashë, kokëgdhë, që nuk mbush. Por kjo është të kuptuarit të thjeshtë. Të kuptuarit më të thelluar duket se ka të bëjë me shoqërinë e absurdit: një ngjarje ndodh diku larg ndërsa, nën presion ndaj ngjarjes, dallga e reagimit propagandistik të policisë rrëmben policë lartë e poshtë, ca duke i shkarkuar nga puna, ca duke i pezulluar, ca duke i interrnuar. Për shembull, nga një qytet i madh, përfundon i internuar në një qytet më të vogël. Nga një qytet më i vogël, përfundon në një zonë edhe më të humbur. Nga ndonjë zonë e humbur, përfundon polic treni në një vend që nuk ka trenë, ose trenët që janë, janë pa pasagjerë. Imagjino veten polic në linjën hekurudhore Kashar-Durrës-Rrogozhinë, ku treni lëviz prej aq e aq vitesh me shpejtësi 20 kilometra në orë, në një kohë që nuk ka asnjë pasagjer. Absurdi nuk ka limit. Dhe zyrtarët me eksperiencë të gjatë si drejtori aktual i policisë duket se janë të rrahur me vaj e me uthull në këtë punën e absurdit.
Kjo ishte ajo që u shfaq në një njoftim të policisë të publikuar në Facebook, me titullin kuptimplotë “Reagim në përputhje të plotë me ligjin, ndaj atyre punonjësve të Policisë që abuzojnë me detyrën, kryejnë vepra korruptive apo cënojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve.”
Sipas njoftimit, një polic drejtues “është përjashtuar menjëherë”, një tjetër “është pezulluar” ndërsa tre të tjerë “janë pezulluar dhe transferuar jashtë qarkut”. Për të gjithë këta ka nisur “procedimi disiplinor”, dyshuar për këtë vepër penale.
Vini re gjuhën e përdorur, të ngjashme me gjuhën e barsoletave të policisë. Policia ka një problem: është problemi i lindur nga vdekjet e njëpasnjëshme në komisariate, të qytetarëve, disa të dyshuar për vepra penale të rëndomta, njëri prej tyre, i padyshuar për asgjë, por i ndaluar me bullizëm nga oficerët e policisë dhe i vdekur, ndërkohë që ishte i ndaluar dhe zyrtarisht e njerëzisht nën përgjegjësinë e policisë së shtetit dhe policëve që paguhen për t’u siguruar që një i ndaluar të mos e gjejë asgjë e keqe për sa kohë është nën përgjegjësinë e tyre. Ky është problemi: Lidhet dukshëm me kulturën e trashëguar të policisë së shtetit, por nuk është e ekzagjeruar të thuhet se lidhet edhe me politizimin e saj. Një polici që i jep të drejtë vetes të ndalojë njerëzit në rrugë pa shkas dhe t’i thotë: Dokumentet, kush je, ku po shkon, çfarë po bën. Dhe falë një ligji të kohës së nongratës, po, qytetari ka detyrën të mbajë me vete dokument identifikimi dhe ka detyrën t’ia tregojë policit që ka të drejtë ta kërkojë pa arsye.
Qëllon që qytetari të mos e ketë me vete kartën e identitetit. Njerëz jemi. Disave karta mund t’u hyjë në punë për të vajtur në bankë për të tërhequr para. Por të shumtëve nuk u hyn në punë për asgjë. Çfarë ndodh? Polici i jep të drejtë vetes të shoqërojë qytetarin për verifikim në komisariat. Sërish, polici nuk ka nevojë të ketë arsye. Atij mjafton t’i lërë në zemër që të pyesë dhe rrjedhimisht qytetari duhet të përgjigjet. Po çfarë ndodh nëse qytetari pa kartë identiteti kapet nga polici që pa kurrfarë arsyeje kërkon identifikimin e tij në orën 11 të natës? Qytetari detyrohet ta kalojë natën në komisariat, në pritje që një oficer, të nesërmen në mëngjes, për të mbushur disa bakallina që nuk i hyjnë në punë as dreqit, para se të lirohet dhe të shkojë në shtëpi.
Në një rast, disa kamarierë e banakierë të një lokali në bllok u kapën nga policia në orët e vona të natës pa kartë identiteti. U detyruan të kalojnë orët në vijim në komisariat, ulur në një karrige të ftohtë, pa pasur mundësi të flenë, në pritje të oficerit që duhet të konstatojë se kurrfarë krimi nuk ka ndodhur.
Kjo puna e ndalimeve pa arsye nuk ndodh pa shkas dhe nuk ndodh pa profilim klasor. Është e kuptueshme që polici që i jep të drejtë vetes që t’i kërkojë qytetarit dokumentet, nuk do ta bëjë po të shohë ndonjë zotëri me kostum a me kollare. Por do ta bëjë nëse gjen ndonjë me pamje më pak të fisme. Dhe nuk do ta bëjë kot se është maniak, por do ta bëjë se dallga propagandistike nga lartë është e tillë. Dhe dallga propagandistike nga shefat lartë urdhëron sjellje të tillë harbutshe sa herë që kredibiliteti i qeverisë për të bërë punën e vet, për të luftuar krimin, vihet në pikëpyetje. Nuk është e ekzagjeruar të thuash se kur ka ndonjë ngjarje tragjike në Elbasan ose në ndonjë qytet tjetër ku lidhjet mes krimit dhe politikës e bëjnë policinë të pafuqishme që të veprojë, diku në ndonjë qytet tjetër policët do të tregojnë dhëmbët përballë qytetarëve normalë.
Me pak fjalë, ndalimet nuk janë tamam të zakonshme. Ato kanë dallgë. Absurditeti fatalist i realitetit. Policia e Shtetit vihet nën presion nga opinioni publik në lidhje me probleme reale, krim i organizuar, qytete të tëra të dorëzuara në duart e krimit të organizuar. Dhe cili është reagimi? Ngremë postoblloqe nëpër rrugë që të tregojnë se jemi të fortë, ndalojmë qytetarë pa shkak dhe shoqërojmë disa prej tyre në komisariat. I mbajmë të gjithë natën në komisariat sepse, mund ta bëjmë.
Fakti është që në komisariatet shqiptare, të ndaluarit në orët e vona të natës nuk lihen të flenë në krevat por mbahen në karrige ose në këmbë pa gjumë përgjatë të gjithë natës. Është në fakt një formë torture që nuk ka lidhje me barsoletat me policë, por me realitetin. Deprivimi nga gjumi është një formë e njohur e torturës e ndaluar nga arsyeja e gjithëpranuar dhe ligji ndërkombëtar. E megjithatë është një ndodhi e rëndomtë në policinë shqiptare. Nuk dihet se sa, por padyshim janë të shumtë shqiptarët që janë detyruar për një arsye jo shumë bindëse të kalojnë një natë pa gjumë në komisariate.
Por ky është reagimi i parë. Kur presioni është i madh dhe pikëpyetjet mbi profesionalizmin, politizimin dhe shkeljet etike dhe ligjore të Policisë së Shtetit rriten, reagimi përshkallëzohet në më shumë barsoleta me polic, siç ishte reagimi me shkarkime dhe transferime policësh “jashtë qarku”.
Njoftimi, në përmbledhje të situatës, thotë: “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në përmbushje të një prej prioriteteve të punës, për largimin nga radhët e Policisë së Shtetit, të cilitdo që abuzon me detyrën, bazuar në hetimet e kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale e Policisë së Shtetit, si dhe duke marrë shkas nga publikime në media dhe në rrjete sociale të ndryshme, ka marrë disa vendime për punonjës policie, në disa qarqe të vendit.”
Karremi për median është i dukshëm. I pari në listë është një polic në Devoll, i cili thuhet se është përfshirë në një sherr me djegie makinash me një vajzë që prezantohet në media si “gangsterja e Bilishtit”, një deputet të opozitës ish-doganier e persona të tjerë. Me pak fjalë, një ngjarje spektakolare që ushqen mirë median, ndërkohë që problemeve reale të policisë së shtetit u vihet një letër sipër pavarësisht se mbajnë erë. Polici në fjalë “u përjashtua menjëherë”, thotë njoftimi, ndërsa ne të tjerët e dimë se përjashtime të tilla nuk janë përfundimtare dhe qëllon që të përmbysen edhe në situata më të rënda se sa kjo.
Por është pjesa tjetër e njoftimit që paraqet banalitetin e një policie të paaftë për t’u përballur me problemet e veta dhe me pasojat që këto probleme kanë në shoqërinë shqiptare. Mbani shënim: Tre policë, jo vetëm që janë “pezulluar”, dhe për ta është urdhëruar transferimi “në një strukturë tjetër, jashtë qarkut dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.”
Me një fjalë, policia e shtetit, ose më saktë, shefat e saj, nuk e dinë që qytetarët, ashtu edhe policët, gëzojnë të drejtën kushtetuese të prezumimit të pafajësisë. Sipas njoftimit, policët e dyshuar për shkelje, fillimisht janë degdisur gjetkë, (theksohet: “jashtë qarkut” si një formë më e ashpër dënimi se sa, fjala vjen, “brenda qarkut”), por ndaj tyre, pasi janë dënuar me internim, ka nisur hetimi disiplinor, as më pak e as më shumë se sa për një vepër penale.
Nëse do të analizosh problemin kryesor të Policisë së Shtetit sot në raport me qytetarët, nuk ka nevojë të shkosh më larg. Leksioni i parë për drejtorin Rrumbullaku është që të kuptojë prezumimin e pafajësisë për qytetarin që ecën në rrugë dhe ndaj të cilit nuk ka kurrfarë arsyeje të ndërmerret masë për sa kohë një hetim faktmbledhës i besueshëm sugjeron ndryshe; dhe të kuptojë se qytetarëve nuk u vjen kurrfarë gjëje e mirë kur disa prej tyre mbahen në komisariate për një natë të kaluar në karrige dhe pa gjumë, kur mundet ose mund të mos jenë dyshuar për shkelje të papërfillshme, të cilat nuk sugjerojnë nevojën për t’i mbajtur të ndaluar nga dyshimi i arsyeshëm se mos arratisen, apo kryejnë një vepër tjetër penale. Dhe e njëjta gjë vlen edhe për policët, të cilët, mundet edhe të shkarkohen nga puna, edhe të përfundojnë në burg, edhe të humbasin gradat; por kjo, gjithsesi duhet të ndodhë vetëm në përfundim të hetimit administrativ dhe jo në fillim të tij. Dhe kjo duhet të ndodhë gjithashtu si rrjedhojë e asaj që policët kanë bërë ose nuk kanë bërë dhe jo se pse Rrumbullaku është nën presion.
Reagime të tilla për efekt propagandues vështirë se do t’i mbrojnë qytetarët nga abuzimet e policisë dhe as policët nga abuzimet e shefave të tyre. Ato thjeshtë do të përbëjnë materjal për barsoleta absurde me policë të zënë nën grackat e reagimeve propagandistike, dhe me ndonjë qytetar që duhet të kalojë natën në karrige nëpër komisariate sepse, për një arsye që ndoshta ai nuk e di fare, shefat e policisë dhe shefat e shefave në karriget e pushtetit, janë vënë në siklet për diçka që e kanë shkaktuar ata vetë.