AT AMBROZ MARTINI NË 94 VJETORIN E LINDJES SË TIJ (Foto …)

0
394

Nga Kozeta BRUÇI     

Aktivitet përkujtimor nga Shoqëria Kulturore “Besa Shosh”

Si sot, 94 vite më parë, pikërisht me 2 dhjetor 1928 është lindur At Ambroz Martini, një ndër klerikët që bëri aq shumë për Shqipërinë, e pati atë gjithmonë në zemër dhe i shërbeu krishtërimit për 50 vite në 5 kontinente.

Do të shërbenin vetëm këto pak të dhëna për të zgjuar kërshërinë dhe njohur personalitetin e At Ambrozit, tek të gjithë ata që nuk e kanë njohur, por edhe tek miqtë e të afërm, bashkëkohës të tij që kanë jetuar e punuar me të.

Në fakt është një histori e tërë që të zgjon: krenari, drithërrim, dhimbje, zhgënjim, indinjatë, e për tu mbyllur me dashuri e humanizëm. Një histori që të trondit, që nga pushkatimi, arratisja, internimi, shungurimi, veprimtaria atdhetare e patriotike në dhe të huaj, e deri tek kontributi në tokën e të parëve, pas 50 vitesh larg atdheut.

Janë dokumentet, dëshmitë edhe të atyre që sot nuk jetojnë më, regjistrimet në Radio Vatikani, etj, të cilat janë rradhitur kaq mirë, me një gjuhë të thjeshtë ne dokumentarin “Shtigjet e lirisë”.

Duke qenë se ne zgjodhëm dt. 2 dhjetor, pikërisht ditën e lindjes së At Ambrozit, le të mos e konsiderojmë ditën e sotme si një ditë të trishtueshme, por si të gëzueshme, pavarësisht se gëzimi dhe vuajtja janë bashkëudhëtare në jetë.

Sot, vlerësojme figurën e At Ambrozit, e për ta bërë këtë zgjodhëm paraqitjen para jush të dokumentarit “Shtigjet e lirisë”, me autor Mhill Vatën.

Le të ndalemi pak tek dokumentari si gjini televizive. Nuk është aspak e lehtë që jeta e një personaliteti të përfshihet në 60 min., ashtu siç është me shumë vlerë që publikut, i cili e ka të vështirë te gjejë kohën për të lexuar libra, të marrë thelbin dhe t’i bëhet mjaft e njohur biografia, shkaqet, pasojat, e gjithë rrugëtimit të At Ambrozit, apo kujtdo tjetër që e meriton vëmendjen tonë.

Realizimi i dokumentarit “Shtigjet e Lirisë” u mbështet nga Shoqëria Kulturore “Besa e Shoshit” me iniciator nipin e të ndjerit At Ambrozit, Ndoc Fusha.

Dokumentari, me autor Mhill Vata, një mjeshtër në gjininë e dokumentarit, njohës i mirë edhe i mendësisë e historisë së gjithë trevës së Dukagjinit, të mban të gozhduar në renditjen e fakteve, të çilat nuk kufizohen vetëm në rrjedhën e jetës së At Ambrozit, që nga koha kur ai fillimisht u pagëzua me emrin Zef, por paralelisht do të vijnë edhe mjaft fakte që sjellin historinë e dhimbshme që kaloi  vendi ynë gjatë sistemin diktaturës komuniste.

Teleshikuesit teksa mësojne fakte të reja, do të kuptojnë më mirë raportet shkak-pasojë, fatin e nëpërkëmbur të njeriut, të cilit vetëm një shpirt i vullnetshëm me ndihmën e një shpirti hyjnor gjen rrugën e duhur dhe realizon idealet e tij.

Rrëfimet e sinqerta, plot kujtime të ngulitura e të konservuara në mendjet e të afermve, në atë dialekt të mrekullueshëm geg, të emocionojnë, e të përlotin njëherësh. Do të veçoja shprehjen e motrës së At Ambrozit: “300 herë e kam kqyr diellin se kam than s’kan hall pa e pa edhe ata, e na përpiqen drit e syve ndër vedi”

Une nuk dua të ndalem më shumë në detajet e ngjarjes.

“Me ka ruajt i madhi Zot dhe e kam ndjerë veten në borxh e në pamundësi”,- shprehet At Ambroz Martini.

Pse e ka rujt Zoti?

Pse u ndje në borxh?

Pse e kishte të pamundur?

Për të marrë përgjigjet, ju ftojmë të ndiqni dokumentarin “Shtigjet e Lirisë” me autor gazetarin e mirënjohur Mhill Vata.

Jeta e At Ambrozit

Historia e familjes së Marash Nokës do të niste nga Okoli i Thethit. Dy nga 6 fëmijët e kësaj familje do i dedikohehsin krishtërimit, Zefi dhe Orselina. Zefi është lindur më 2.12. 1928, një dritë jete e dhuruar nga shpirti prindëror por edhe ai hyjnor.

50 vjet më parë ai u shugurua në tokë të huaj, pasi Shqipëria gjendej në monizëm.

U largua nga atdheu i ndjekur nga persekutimi dhe vala e shkatërrimeve ndaj kishave

Kreu kolegjin françeskan, liçeun “Illyricum”. Në14.12.1946 u mbyll shkolla françeskane. “Na kane rrethu kuvendin e për 40 minuta na urdhëruan se duhej me marr teshat tona”,- shprehet At Ambrozi në dëshminë e tij. Më 12.1.1947 u detyrua të lërë rrugën e tij drejt formimit fetar dhe të mobilizohej me Lin Delinë (piktorin e njohur), në ushtri. Zefi u caktua të mbante këndin e emulacionit. Si shumë klerikë, u arrestua për punë armiqësore. Pas 30 ditëve torturash, nxirret para pushkatimit. Ndodh ajo që nuk pritej. Shoku i tij Gjelosh Lulashi, pret plumbat, dhe mori përsipër akuzat ndaj Zefit.

Pas kthimit nga ushtria, Zefi mori vëllanë, Palin, e dolën në bjeshkë, aty ku veronin me bagëti familja. Çdo gjë u planifikua në pak kohë. Lëshoi gurët poshtë shpatit si sinjal që kaluan vetë i treti kufirin. Motra murgeshë, për t’mos rënë në duart e diktaturës, shkoi në Zllakuqan, fshat në bashkinë e Klinës në Kosovë. Më 27.7 1948 me vëllain Palin dhe Lin Delinë largohen drejt ish Jugosllavisë. Nisi kështu rrugëtimin për realizimin e idealit françeskan, ne 5 kontinente, per fene katolike e Shqipërinë etnike.

Për ata që mbetën nisi persekutimi. Policia mori nanën e babën pas 4 ditëve nga arratisja. Familja u izolua në kodrën e Shën Gjergjit, mes Shalës e Shoshit. Mes të rriturve edhe dy fëmijë të vegjël. Më pas kthehen ne Theth, por dera e Martin Nokës do të ishte në syrvejim. Pas pak kohe familjen do e transferonin në Vlorë. Lëvizje pafund për tu ndalur në Tepelenë. Herë me bukë e herë pa bukë. Jetuan në një sallë mushkash, as dritë, flinin në çimento. Vuajtje për familjen Noka do të vijonin edhe pas Tepelenës.

Në vitin 1948 Zef Martini do të shkonte në Hercegnovi, ku do të ndiqte për 4 vite shkollën në pikture, dhe do të punonte më vonë si profesor në Vladimir.

Në 1952 burgoset nga autoritetet jugosllave, me akuzë pasi ndihmonte çështjen nacionaliste shqiptare, por lirohet brenda vitit.

1953 gjatë studimeve në universitet, bie në kontakt me ambasadën italiane dhe më 12.1.1955 kalon në Itali, falë ndihmesës së At Daniel Gjeçës. Shugurohet meshtar. Emri i tij, sipas rregullave kishtare, nga Zef ndërrohet në Ambroz. Pasi ka shërbyer për vite të tëra në Europe, At Ambroz Martini më 1970 shkon ne USA.

Vlera më e madhe e At Ambrozit qëndron tek korrespondenca që ai mbajti me patriotë në emigrim. Një punë e jashtëzakonshme për atdhetarizmin e shqiptarëve, e që patër Ambrozi e bënte në heshtje. Ai ishte një figurë komplekse, karakter i fortë, i drejtëpërdrejtë, ia thoshte të vërtetën përballë çdokujt, e ka dashur të vertetën. Shpërndante butësi, ambëlsi. Plot pasion, dashuri dhe dhimbje për atë që ka kaluar atdheu i tij, dhimbjen që ka shkaktuar komunizmi mbi meshtarët.

Nga Kalifornia u kthye në Belgjikë. U shërbeu shqiptarëve për 3 vite atje. Do të qëndronte përkrah Dom Prekë Ndrevashës dhe Dom Daniel Gjeçajt, në përkujtimin e figurës së Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar.

Në vitin 2000 u kthye në vendlindjen e tij, në Shkodër. “Vetëm tash kam gjet parajsën e vertetë”,- u shpreh At Ambrozi gjatë një interviste të tij në dokumentar. Këtu gjeti njerëzit që e donin Zotin dhe e respektonin.

2002 At Ambroz Martini, dha meshë në Bjeshkët e Namuna, mes Jerzecës e Radohimës.

Ka mertitën se pasuroi bibliotekën e françeskanëve në bashkëpunim me Patër Daniel Gjeçën, me libra, kaseta, regjistrime të figurave historike të cilat kanë dhënë shumë për kombin. Kampanieli i kishës françeskane në Shkodër është meritë e At Ambrozit, si një ndihmë ekonomike dhe shpirtërore ndaj besimtarëve që kanë ruajtur fenë, atdhenë e dashurinë për zotin.

Deri 82 vjeç, At Ambrozi bëri një jetë aktive, edhe pse kaloi 2 operacione kardiake.

Më 4.2.2010 i dha lamtumirën kësaj botë. U përcoll për në banesën e fundit me nderime të mëdha dhe një ceremoni që do mbetet gjatë në kujtesën e qytetarëve në Shkodër.

Duke iu rikthyer aktivitetit, të organizuar nga Shoqëria Kulturore “Besa Shosh”, sot në Bardhaj, në ambjentet e restorant “Rinia”, shfaqjes së dokumentarit “Shtigjet e Lirisë” iu bashkangjit edhe një çeremoni që kurrsesi nuk do e quanim zyrtare. Përveç fjalës së iniciatorit dhe kryetarit të “Besa Shosh”, zotit Ndoç Fusha, autorit të dokumentarit Mhill Vata, fjalën e morën edhe mjaft miq, të afërm e klerikë menjëherë pas emocioneve që shkaktoi dokumentari i realizuar mjaft mirë. Mes tyre përmendim: Gjergj Leqejza Konsull Nderi i Austrise, Ndue Sana Kr. Shoq. Atdh. “Dukagjini”, Prelë Milani studiues dhe publicist i njohur, Rita Kalaj Kr. Shoq. “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, Zef Toka arsimtar, Geg Zefi Bajraktari i Shoshit, Ndrek Deda burri i nderuar nga Brashta e Shoshit, Mirash Kometa kushuri i At Ambrozit, klerikë, etj. Në fjalët e tyre ata sollën kujtime me At Ambrozin, vlerësuan organizatorët për aktivitetin e realizuar, u bënë thirrje strukturave vendore për vendosjen e emrave të klerikëve më të njohur te Thethit rrugëve kryesore të tij, etj.

    Një pasqyrim më të detajuar të aktivitetit ju do të keni mundësinë ta ndiqni në emisionin “+355 Atdheu” të Albdreams Media.