Akuzuesja e sulmeve seksuale të Bidenit, Tara Reade, kërkon shtetësinë ruse

0
203
FILE - In this April 4, 2019, photo Tara Reade poses for a photo during an interview with The Associated Press in Nevada City, Calif. (AP Photo/Donald Thompson)

Një grua që akuzoi Joe Biden për sulm seksual gjatë garës presidenciale 2020 u shfaq të martën në Moskë dhe tha se po i kërkonte presidentit Vladimir Putin shtetësinë ruse.

Tara Reade, e cila punoi në zyrën e tanishme të presidentit Biden për një periudhë të shkurtër në vitin 1993, tha se donte të qëndronte në Rusi pasi një ligjvënës republikan i tha asaj se ishte në rrezik fizik.

Reade, 59 vjeç, tha në një intervistë të transmetuar nga grupi mediatik Sputnik – një media ruse e shtypit – se ajo kishte mbërritur në Rusi si pushuese.

“Kur zbrita nga avioni në Moskë, për herë të parë pas një kohe shumë të gjatë, u ndjeva e sigurt. Dhe u ndjeva e dëgjuar dhe e respektuar,” tha ajo. “Jam ende disi e hutuar, por ndihem shumë mirë”, citon The Guardian të ketë thënë ajo. “Ndihem shumë i rrethuar nga mbrojtja dhe siguria”.

Reade ndezi titujt në fillim të vitit 2020 duke pohuar në një podcast se zoti Biden, i cili ishte senator në atë kohë, e sulmoi seksualisht në një korridor të Capitol Hill në gusht 1993, kur ajo ishte 29 vjeç.

Akuza e saj erdhi pikërisht në kohën kur zoti Biden po rritte fushatën e tij kundër  kandidatit per president Donald Trump, i cili vetë është përballur me akuza për abuzim seksual dhe përdhunim.

Zoti Biden e mohoi kategorikisht pretendimin e saj.

“Kjo nuk është e vërtetë. Unë po them pa mëdyshje se kurrë, kurrë nuk ka ndodhur,” tha ai.

Një dokument gjyqësor i vitit 1996 thotë se ish-bashkëshorti i saj përmendi se ajo ishte ankuar për ngacmim seksual gjatë kohës që punonte në zyrën e zotit Biden.

Reade, e cila e quajti veten një analiste gjeopolitike, tha në intervistën për Sputnik se pasi bëri publike pretendimet e saj në vitin 2020, ajo u kërcënua me burg, iu kërcënua jeta dhe u quajt agjente ruse.

E ulur përkrah Maria Butina, një anëtare aktuale e parlamentit rus, e cila u arrestua dhe u burgos në Uashington në korrik 2018 si spiune e dyshuar për Rusinë, përpara se të lirohej në tetor 2019 dhe të dëbohej, Reade i tha intervistuesit se ajo “e ka dashur gjithmonë Rusinë”.

“Unë nuk e shoh Rusinë si armik dhe as shumë nga bashkëqytetarët e mi amerikanë”, tha ajo, duke shtuar se kishte një kërkesë “të madhe”.

Megjithëse dëshiron të mbajë nënshtetësinë e saj amerikane, ajo tha se “do të donte të aplikonte për shtetësi në Rusi, nga presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin… Unë premtoj të jem një qytetare e mirë”.

Sipas The Guardian, Reade tha për Butinën, “Unë thjesht e vlerësoj shumë Marian dhe të gjithë ata që më kanë dhënë [mbrojtje] në një kohë kur ka qenë shumë e vështirë të dija nëse jam e sigurt apo jo. Thjesht nuk doja të ec në shtëpi dhe të futem në një kafaz ose të vritem, që në thelb janë dy zgjedhjet e mia.”