Abedin Veliqi, feremri i ri e plot energji që nuk e la Fraskanjelin

0
134

Gjekë  Gjonaj

 

 

Një nga prodhuesit më të vyeshëm  dhe më të rinj bujqësor në  trevën  e Anës së Malit  është Abedin Veliqi, nga fshati Fraskanjel- Komuna e Ulqinit, i cili kultivon shalqinj dhe pjepër. Derisa  shumica e bashkëfshatarëve të tij janë larguar nga ky fshat  pranë lumit Buna në kufi me shtetin amë – Shqipërinë, në kërkim të një jete më të mirë, Abedini  i mbeti besnik vendlindjes dhe është  përcaktuar   për profesionin e ndershëm të  bujkut edhe pse shumë vite  është marrur me muzikë, e cila, përveç fitimit,  i ka mundësuar  pjesëmarrje në shumë dasma e ahengje familjare, jo vetëm në Komunën e Ulqinit por edhe   jashtë shtetit. Rruga që ka zgjedhur  Abedin Veliqi është një mënyrë  mjaft e mirë  për të jetuar në këtë vend  e për të siguruar të ardhura të kënaqshme, me të cilat bleu truallin dhe ndërtoi shtëpinë e re në Fushë të Ulqinit.

 

Nuk donte të punonte për të tjerët, kur mund të punonte për veten e tij

 

Ky fermer i suksesshëm vjen nga një  familja e cila   ka jetuar   nga  bujqësia , ndaj ishte e logjikshme që edhe kjo të ishte zgjedhja e tij. Ky punëtor i madh 42 vjeçar  vazhdoi traditën e familjes së tij duke përmirësuar prodhimin,  duke e përshtatur atë me trendet moderne. Ai është marrë me prodhimtari bujqësore që në fëmijërinë e hershme dhe ka gati 30 vjet që kultivon shalqi dhe  pjepër. Vitin e kaluar i kanë vdekur të dy prindërit të cilët si fëmijë e  merrnin me vete për të punuar në punët bujqësore.  Edhe pse ishte djalë i vetëm,  prindërit e tij   si foshnje e angazhonin  t’u ndihmonte atyre në punët e përditshme. Kjo shprehi pune që e mori si fëmijë, ngjalli tek ai dashurinë për punën që bën sot, e cila i ka mundësuar familjes së tij   një jetë të rehatshme dhe të mirë, që nuk ia ka  lakmi askujt, madje as atyre që ikën për të punuar tokat e botës.

Fermerin e ri plot energji   e shqetëson fakti  se të rinjtë çdo ditë po largohen nga  vendi dhe po u vazhdua në këtë ritëm   nuk do të ketë kush të punojë e as të konsumojë prodhimet. Këtë fat të  hidhur po e përjeton edhe  Fraskanjeli, ku kanë mbetur vetëm 3-4 shtëpi, kurse  tokat janë lënë djerr.  “ Pse të punosh për  tjetrin, kur mund të punosh për veten tënde’” , pyet me shqetësim  Veliqi.

 

Produktet cilësore, tregu i sigurt dhe fitimet e kënaqshme

 

 

Familja  pesë anëtarëshe  Veliq,  këtë verë  ka mbjellë   3.5 hektarë shalqi dhe 1.5  hektarë pjepër. Prodhimi i këtyre kulturave bujqësore është një biznes shumë dinamik dhe prodhimi i suksesshëm kërkon përkushtim të madh dhe organizim të mirë. Ndihma e madhe e Abedinit në këtë punë është gruaja e tij Anida, djali Eldari( 13 vjeç) dhe vajzat Arisa( 14 vjeç) dhe Esra ( 6 vjeç) . Edhe pse  80 për qind të  punës në ara e  bënë  me familjen e tij, kur  fillon   mbjellja dhe vjelja  duhet të punësojë fuqi shtesë.  “E gjithë familja është e përfshirë në këtë punë, por ne nuk kemi kohë të mjaftueshme  për të punuar vetëm , kështu që punësojmë  tre-katër punëtorë për mbjellje dhe vjelje gjatë verës. Punëtorët janë nga Shqipëria, të cilët punojnë tek ne  një kohë të gjatë tashmë . Shalqirin  dhe pjeprin  e kultivojmë  në ambiente të hapura, kurse këtë vit  edhe në tri sera. Falë kësaj shpërndarjeje, shalqiri dhe pjepri i parë   kanë mbërritur  në treg rreth datës 20 qershor dhe janë vjelë    deri më 25 shtator. Sivjet kemi  prodhuar rreth 250 tonë shalqi dhe  50 tonë pjepër. Ky vit nuk ishte pjellor si vitet e kaluara për shkak të thatësirës së madhe. Në disa parcela rendimentet ishin afërsisht  të njëjta me ato të mëparshmet , në disa rendimenti ishte më i vogël, kurse   cilësia e produkteve bujqësore ka qenë e klasës së parë. Kjo ka ndikuar  në  shitjen  e sigurt në treg”, shprehet Veliqi.

Sipas tij, fitimet e këtij viti pavarësisht se vera ishte e thatë, megjithëse priste që çmimi të ishte më i lartë për shkak të rritjes së të gjitha  çmimeve, duke filluar nga farërat, plehrat,  pesticidet , karburantet  dhe gjithçka tjetër që dikton çmimin e prodhimit . “Nga qershori e deri në fund të gushtit, pothuajse nuk kishte ditë me shi. Megjithatë, falë sistemit të ujitjes pikë-pikë , produktet  morën të gjithë ushqimin dhe mbrojtjen e nevojshme. Viti nuk ishte i favorshëm për sëmundjet, ndaj nuk kishte kushte për zhvillimin e tyre. Prandaj 95 për qind  të  prodhimeve bujqësore  të grumbulluara  i kam  shitur  pa asnjë problem si të cilësisë  të parë”, pohon  Veliqi.

Shteti ka filluar të mendoj më shumë për bujqit, por  duhet lehtësuar procedurat administrative

Pa mbështetjen financiare  të  shtetit  nuk është i mundur shtimi i sipërfaqeve të mbjella  me  perime-kultura të ndryshme e as rritja e  numrit të fermerëve.  Në pyetjen time nëse gëzon ndonjë mbështetje nga shteti për punën që bën ai përgjigjet se  Ministria  e Bujqësisë së Malit të Zi  viteve të fundit ka filluar  të mendojë më shumë për bujqit, duke e rritur sadopak  buxhetin bujqësor, duke siguruar mjete nga fondet evropiane  dhe  duke ndarë subvencione në bujqësi. “Këtë vit kam marrë një traktor dhe makineri përmes buxhetit bujqësor. Kam marrë edhe subvencione për farë nga ministria në vlerë prej 30 për qind dhe 250 euro për hektar tokë.  Kjo është e mirë, por mendoj se  fermerëve  duhet t’u lehtësohet procedura administrative e aplikimit në të gjitha kulturat bujqësore dhe blegtorale që mbështeten përmes programeve të Ministrisë së Bujqësisë . Ndërkaq nga administrata lokale e Ulqinit nuk kam marrë asgjë ”, thotë ai, duke shtuar se pa projekte milionëshe nuk mund të nxiten bujqit të punojnë toka bujqësore dhe të fokusohen  në kultivimin e kulturave të ndryshme  bujqësore në mënyrë që edhe përdorimi i tyre  të jetë nga produktet vendore  dhe vendi të mos ketë krizë në mungesë të tyre.

Në ekonominë e  tij bujqësore  tashmë po mendohet për prodhimin për vitin e ardhshëm i cili, siç thekson bashkëbiseduesi ynë,  do të jetë më i lartë se sivjet.