A duhet të shpallet Luigi Soreca “non grata” në Shqipëri?

0
268

Nga:Bledian Koka

Diplomacia e huaj në Tiranë edhe njëherë e ka vënë në pikëpyetje atë që quhet sovranitet, jo vetëm të institucioneve, por të shtetit si koncept.

Më shumë se njëherë në 30 vite, veprimtaria e diplomatëve kryesorë në Shqipëri e ka tejkaluar cakun e arsyes së misionit, dhe klasa politike në këtë drejtim nuk është pa faj. Interesat e momentin të politik kanë shtyrë që politikanët duke përdorur qasjes emocionale dhe jo shtetërore për interesat personale dhe aspak për ‘reason d’etat’!.

Sot do të ndalem tek raporti që Erion Veliaj ka me ambasadorët e huaj në Shqipëri, që më shumë se njëherë e kanë vënë në pikëpyetje kthjelltësinë e tyre në raport me realitetin. Aleanca për Teatrin ka bërë sot një akuzë të fortë në adresë të kreut të delegacionit të BE-së në Tiranë, si një njeri që ka takuar kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha ditë që institucioni garant i ligjit themeltar të shtetit po trajtonte çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar!

Akuza është e drejtpërdrejtë dhe Aleanca për Teatrin nuk ka asnjë qime në gjuhë kur deklaron se ‘Takimi është zhvilluar brenda dhe informacioni që kemi është se Soreca ka ardhur për të lobuar në emër të kryebashkiakut Erion Veliaj. Kemi kërkuar nga kryetari i SPAK që të sekuestrojë gjithë kamerat nga bizneseve.

Do kërkojmë edhe përjashtimin e kryetares nga trupi gjykues. Do ia bëjmë me dije BE sesi një ambasador vjen dhe bën presion pranë Gjykatës Kushtetuese. Do kallëzohet dhe penalisht’. Në politikë një nga strategjitë e njohura për të konfirmuar një akuzë, është rregulli ‘make them say NO’ –bëji ata që të thonë JO-.

Dhe Delegacioni i BE-së e bëri lëvizjen e vet! Pak orë, pas akuzës publike Zyra e BE-së në Tiranë deklaroi se ‘Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përgënjeshtron me forcë deklaratat bazuar në shpifje prej një përfaqësueseje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar drejtuar Ambasadorit Luigi Soreca. Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon që Ambasadori Soreca është takuar me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Znj. Vitore Tusha, mëngjesin e 16 qershorit 2021.

Takimi ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri’. Por fjalia e fundit e reagimit zyrtar, më shumë se garanci ngre një seri pyetjesh të tjera. Si ka mundësi që Luigi Soreca nuk harron pa postuar asnjë lloj takimi, krejt papritur i ka rrëshqitur nga mendja të postojë në rrjetet e tij sociale takimin me Vitore Tushën?

Pse Luigi Soreca që shkëlqen me praninë e tij në çdo lloj aktiviteti të Erion Veliajt në sheshet e Tiranës, zgjodhi të hyjë e të dalë tinazi nga dera e pasme Gjykatës Kushtetuese? Pse reagimi i sotëm i Delegacionit të BE-së ndryshe nga herët e tjera, nuk është këshillues, por kërcënues për trupën e Aleancës për Teatrin? Dhe më e rëndësishmja, çfarë pune ka Luigi Soreca të takojë krerët e organeve të drejtësisë së Re të Shqipërisë, makar edhe koleget e tij ‘fuqiplotë’ në Tiranë? Pyetjet janë retorike, dhe përgjigja është po aty.

Fjala vjen, Luigi Soreca njihet si një nga njohësit më të mirë të luftës kundër pastrimit të parave të krimit të organizuar. A e keni dëgjuar Luigi Sorecan të thotë një fjalë për përgjimet e Antimafias Italiane që na treguan se tentativa për pastrimin e parave kishin mbërritur deri në zyrën e Erion Veliajt.

Nuk ka sot asnjë mëndje sadopak e kthjelltë të vërë në diskutim faktin se Tirana me shumë gjasë është shndërruar në lavatriçen më të madhe të pastrimit të parave në Ballkan, dhe kjo nuk mund të ndodhë pa firmën e Erion Veliajt që punon si makinë qepëse pa pushim në dëm të interesit dhe pronës publike në kryeqytet.

Ky qëndrim i heshtur i ‘mikut’ special të Erion Veliajt në krye të delegacionit të BE-së na bën të dyshojmë fort edhe për takimin që Luigi Soreca zhvilloi pak ditë më parë kur takoi kreun e SPAK, Arben Kraja e ku teme e takimit ishte pikërisht lufta kundër pastrimit të parave të krimit të organizuar.

Juristi i mirënjohur Gerti Shella, me të drejtë shkruan se sot se; ‘Do të ishte më produktive që, në vigjilje të vendimarrjes historike të Gjykatës Kushtetuese mbi shembjen e Teatrit, ambasadori Soreca dhe trupa shumë e respektuar diplomatike në Shqipëri të apelonin publikisht Gjykatën Kushtetuese për gjykim dhe drejtësi të pavarur nga çdo lloj ndikimi. Ky do të ishte kontributi më i mirë i mundshëm që drejtësia e re të inkurajohet nga mbështetja parimore e partnerëve tanë të vyer.’

Sot Aleanca për Teatrin, trupa më qëndrestare në 30 vitet e fundit për një kauzë në shërbim të interesit dhe nderit publik, na kanë bërë një tjetër shërbim të madh. Ata kanë bërë sot akuzën më serioze (të munguar madje) në raport me aktivitetin okult të ambasadorëve të huaj që veprojnë në Shqipëri.

Nga sot Luigi Soreca do të duhej të shpallej (non grata) në Shqipëri, sepse dyshimet janë më shumë se të forta që ai ka minuar demokracinë në Shqipëri në dëm të interesit kombëtar të Shqipërisë duke ndërhyrë në vendimmarrjen e Gjykatës së Kushtetutës së Shqipërisë. Një vend normal do të vepronte kështu, dhe vetëm kështu ndoshta ne do të rifillonim të kthehemi në vend normal!