A do t’i mbajë Lulzim Basha të gjitha faturat e humbjes mbi vete

0
404

Shtruam edhe pyetjen: Po në PD, a do të mbajë ndonjëri përgjegjësi? A do t’i mbajë Lulzim Basha të gjitha faturat e humbjes mbi vete apo faturat do të ndahen dhe t’i jepen secilit përgjegjës?-shkruan FAKTOR.AL

A ka arsye Lulzim Basha t’i mbrojë e tua mbulojë përgjegjësitë? A duhet Lulzim Basha të heshtë, vetëm e vetëm që ata të vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet e tyre, të vazhdojnë të mbajnë gradat e tyre edhe pse janë përgjegjës?

Partia dhe lideri u kanë dhënë këtyre personave, mundësinë për të treguar se sa të aftë janë, sa punojnë, sa vlejnë e sa afër fitores e çojnë partinë. Nuk u kanë dhënë mundësi dhe pozita që ata të tallen, t’i nënvlerësojnë detyrat, të ndërtojnë klientelizëm politik për veten e tyre dhe, kështu ta penalizojnë partinë.

Anëtarësia e Partisë Demokratike, duhet t’i hedhë prozhektorët edhe në selinë e partisë dhe të kërkojë përgjegjësit. Në kryesi, në Këshillin Kombëtar, në sekretariate e në çdo instancë. Demokratët duhet të kërkojë përgjigjje, kush nuk e bëri mirë detyrën? Sepse nuk i ka pasur Lulzim Basha të gjitha detyrat.

Dhe këta njerëz nuk mund ta ngushëllojnë veten duke u shprehur në tavolina se po ishim ne përgjegjës, përgjegjësi kryesor është Lulzim Basha. Ta harrojnë ketë sepse ky quhet dredhëri politike dhe ikje nga përgjegjësia. Lulzim Basha nuk ka pretenduar t’i fitojë zgjedhjet i vetëm, individualisht. Nuk fitohen individualisht. Ka ndarë detyrat dhe përgjegjësitë. Prandaj për ato detyra, duhet të përgjigjen detyrambajtësit.

Përveçse për selinë, demokratët duhet të fillojnë të mendojnë për secilin qark. Duhet të mendojnë, kush ishte përgjegjës për mosarritjen e objektivit të vendosur?

Demokratët duhet të pyesin: përveç blerjes, shtetit, bandave, a u penalizuam edhe prej klientelizmit të kandidatëve për deputetë? A ndërtuan këta kandidatë dhe drejtuesit politikë në veçanti, skema klientelizmi duke llogaritur pushtetin e nesërm për vete dhe për grupin e tyre dhe, kështu u humbën dhe përjashtuan vetvetiu disa njerëz politikë të tjerë? Këto nuk mund të kalojnë pa përgjigjje.

Lulzim Basha, pastaj, duhet t’i marrë parasysh pyetjet e mësipërme të demokratëve. Ai ka legjitimitetin e plotë për të hedhur njerëz nga shkallët, metaforikisht, sepse ka votën e anëtarësisë të cilët presin nga lideri i tyre t’i japë drejtim punës.

Ai duhet ta kuptojë se nëse dëshmon shenja pushteti edhe brenda partisë, nëse u tregon shkallët atyre personave përgjegjës, demokratët do ta duan më shumë. Sepse vetë demokratët i kanë parë këta njerëz teksa punonin për forcimin e grupit të tyre pas datës 25 kur mendonin se do vinin në pushtet. Dhe demokratët presin prej Lulzim Bashës që tu tregojë shkallët këtyre personave.

Nuk ka shokë, nuk ka miq, nuk ka dashuri. Askënd nuk duhet ta gënjejë mendja se mund të kursehet për motive miqësie e sentimentalizmi politik. Kush ka dashur detyrat, duhet të mbajë edhe përgjësitë. Nuk mund ta përdorë askush Partinë Demokratike, nuk mund ta shfrytëzojë askush Partinë Demokratike, t’i shkaktojë katastrofa e humbje, pastaj të përpiqet të fshihet e të mos mbajë përgjegjësi. Sepse kjo nuk është çështje miqësie, këtu flitet për fatin e Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë.