50 milionë mesazhe për të “vrarë” Lulëzim Bashën!

0
330

Nga Artur Zheji 

“BIRN”, bën shpesh zbulime dhe investigime të pazakonta, të cilat herë janë në favor dhe herë janë kundra, njërës apo tjetrës palë politike.

Kësaj radhe, gazetari Besar Likmeta, ka goditur fort dhe në lule të ballit, me investigimin e tij bombastik dhe me mjaft prova të pakundërshtueshme në dorë. Sipas këtij investigimi, shumë muaj përpara Fushatës Zgjedhore, socialistët kishin filluar kundër Bashës, një Fushatë tjetër dhe të pashpalllur zgjedhore, të egër dhe të kushtueshme sa s’ka!

Shënjestra ishte personaliteti i Bashës dhe krijimi i një pikture të rreme, duke u përpjekur të tjetërsojnë perceptimin e opinionit publik dhe të opinionit politik, për atë që përfaqson në të vërtetë Lideri i Opozitës.

Partia Socialiste pra, dhe strategjistët e vet politikë të huaj, janë angazhuar intesivisht prej Shtatorit 2020, për të sulmuar dhe për ta zvogluar figurën publike dhe politike të kryetarit të Partisë Demokratike. Por që kjo Maxhorancë e “Rëndë”, plot pordhë dhe vetëmburrje të fryra kacek, të kish nevojë për 50 milion mesazhe denigruese për të zvogëluar Lulëzim Bashën në sytë e shqiptarëve, kjo ishte se çfarë ishte!

Qindra mijëra euro të dukshme dhe kushedi se sa miliona të padukshme janë angazhuar në këtë “Operacion” luftarak të mirëfilltë për të bombarduar imazhin e Lulëzim Bashës në sytë, veshët dhe mendjen e mjegulluar të shqiptarëve, na hap sytë Birn!

Dhe mund të thuhet se kjo Fushatë e mirëshënjestruar, është përhapur jo vetëm nëpërmjet mediave anonime dhe rrjeteve sociale, por edhe në një pjesë të madhe të mediave kombëtare, të sponsorizuara fort kundër Lulëzim Bashës dhe personalitetit të tij.

Tani Fushata Politike ka mbaruar. Pushteti politik mbeti forcërisht apo djallëzisht në të njejtat duar të mbipushtetshme. Porse, mendoj se Pushtetin Moral, investigimi i Birn, ja riktheu fort dhe qartë liderit demokrat Basha. Sepse dilet në një përfundim të thjeshtë:

Strategjistët e huaj e të super mirëpaguar të Partisë Socialiste, paskan identifikuar te Lulëzim Basha, “kockën” e fortë të Zgjedhjeve të 25 Prillit 2021 dhe në të vërtetë, përtej Tymnajave e sulmeve publike pa bereqet dhe plot provokacion, që shpërndante Rama, kundër Berishës dhe Metës, burime anonime vreri dhe helmi politik, lëshonin në eterin shqiptar 50 milion mesazhe denigruese kundër Bashës. Që do të thotë rreth 31,5 mesazhe për cilindo nga 1,6 milion votuesit e Republikës së Shqipërisë.

Porse përsëri, demokratët dhe më gjerë, qëndruan besnikërisht në krah të kryetarit të tyre duke kapitalizuar një numër rekord votash, në ato kushte krejtë të pabarabarta…

Dhe me sa duket “strategët” e super paguar të Partisë Socialiste, vazhdojnë edhe tani, në zgjedhjet brenda Partisë Demokratike, të shënjestrojnë edhe njëherë Lulëzim Bashën, si njeriun më të rrezikshëm të Opozitës!

Dhe kuptohet, do vijojnë ta godasin, por me sa duket deri tash, ashtu si edhe në 25 Prill, e kanë vështirë ta ndajnë atë nga mbështetja e shumicës së demokratëve…