Mes vëllezërve shqiptarë në Amerikë

0
1241

Nga Zija VUKAJ
Dhjetëditëshi i dytë i majit 2021 ishte për mua jo vetëm një bekim i Zotit, por edhe një shans që i vjen njeriut vetëm një herë në jetë.

Ky segment kohor shënon vizitën time të ëndërruar gjatë tek vëllezërit shqiptarë të Amerikës, konkretisht tek shqiptarët e Michiganit. Kjo vizitë ishte një inkursion i shkëlqyer në vendin e shpresës së shumë brezave; në vendin e realizimit të ëndrrave të etërve dhe bijve të kombit tonë, që materializuan kalvarin e qindra përpjekjeve për të kapërcyer prangat e sistemeve totalitare dhe pët të hapur dritaret e perspektivave të ardhshme.
Prej shumë vitesh e dekadash kam dëgjuar e lexuar për rrugën e mundimshme të mërgimit, për eksodin biblik të shqiptarëve, për qindra e mijëra saga, për narrativa rrëqethëse individësh, familjesh e brezash të shkaktuara nga etja për jetën dhe lirinë. Për sakrifica dhe flijime vetjake e kolektive të brezave të kombit tim. Dhe gjithçka në emër të jetës. Gjithçka në emër të së drejtës për dinjitet e rrugëtim të natyrshëm drejt tokës së premtuar. E kësaj radhe pata rastin dhe fatin e mirë ta prekja realitetin për të cilin aq shumë kam përfytyruar.
Me ftesën e miqve të mi, vëllezërve Lulash dhe Shtjefën Palushaj në mbrëmjen e datës 10 maj 2021 preka tokën e Michiganit, ku qëndrova deri më datën 21 maj. Qëndrimi im në këtë vend ishte një qëndrim tek vëllezërit e mi. Aty pata rastin të përjetoj emocionet e larta dhe hijeshinë e mikpritjes sublime të genit të lartë të racës shqiqptare. Gjithë realitetin e qëndrimit tim në Michigan e kundrova dhe e shijova nga këndvështrimi bujar i derës së fisme të familjes Palushaj. Nën ngrohtësinë vllaznore të Lulashit, Shtjefnit dhe bijve të tyre përjetova gjithë ato ditë të paharruara, që zbukuruan qëndrimin tim aty. Ditët m’u bënë njëra më e bukur se tjetra nga prania e miqve të çmuar Rush Dragu, Ndue Ftoni etj. Mbeten të pashlyera në kujtesën time mikpritja, angazhimi dhe veprimet e fisme të tyre që t’i bënin sa më të bukura ditët e qëndrimit tim në Michigan.

Si mund të harrohen shëtitjet që më rezervoi Rushi dhe rrugëtimet e gjata me Ndue Ftonin drejt New Yorkut, Ohajos etj. Takimi me këta miq të mrekullueshëm më ka befasuar shumë dhe më ka ridimensionuar përfytyrimet e mia për imazhin e shpirtit shqiptar. Kam gjetur në zemrat e tyre më shumë dritë humane dhe zjarr patriotik e vëllazëror se ç’kisha takuar përgjatë gjithë jetës sime.

Kam menduar, por edhe jam shprehur: Mbase këtu dhe në të gjitha viset ku janë vendosur shqiptarët, lavdi Zotit, kemi të konservuara virtytet më të mira dhe cilësitë më të paprekura të genit tonë. E pashë këtë gjithkund. E preka tek individë të tillë si burrat e familjes Palushaj, tek bujaria dhe shpirti i Ndue Ftonit, tek kontributet e këtij burri të veçantë në promovimin e vlerave dhe të individëve përçues të tyre, tek humanizmi, mikpritja dhe kultura e Rush Dragut, Luigj Pepës, Zef Përgegës, Pjetër Jakut etj.
Shumë domethënës ishte edhe një takim promovues libri në mjediset e kishës së Shën Palit. Në këtë tempull të shenjtë, ku përveç funksionit sakral religjioz shenjtërohen edhe eventet letrare, kulturore dhe vetë gjuha shqipe, u bë promovimi i librit “Mall me shumë vuajtje” të z. Shtjefën Palushaj, pedagog dhe atdhetar. Ky qe një rast i mrekullueshëm për të parë edhe solidaritetin e brezave të komunitetit tonë shqiptar, si dhe nivelin e lartë të krijuesve, të cilët e kanë ruajtur gjuhën amtare dhe zjarrin e frymëzimit e të krijimit letrar dhe artistik.

Gjatë një interviste me mikun tim krijues z. Rush Dragu evidentova fuqinë e këtushme dhe kulturën e lartë të brezave dhe individëve krijues që po japin produkte të vyera dhe po kontribuojnë në transmetimin e gjuhës dhe të traditave tek brezat e rinj. Mendoj se ka ardhur koha që kampione të krijimtarisë letrare të shkrimtarëve të sotëm të diasporës të merren në konsideratë dhe të shqyrtohen nga hartuesit e teksteve të sotme të letërsisë shqipe, me qëllimin që të bëhen pjesë e antologjive dhe teksteve mësimore, jo vetëm si pjesë integruese kulturore, por edhe si caqe të larta cilësore të krijimtarisë artistike.


Ajo që më entuziazmoi më shumë gjatë vizitës sime në komunitetin e shkëlqyer të Michiganit, është jo vetëm prosperiteti ekonomik, por ecja përpara sidomos e brezave të rinj, që janë integruar me dinjitet në nivelet më të larta kulturore të shoqërisë moderne amerikane, por duke ruajtur diversitetin dhe veçoritë etnike të racës së bukur e të lartë shqiptare. Dhe për këtë të fundit, merita më e madhe i takon brezit që i lindi, i rriti dhe i edukoi këta të rinj të shkëlqyer që po bëhen plejadë në çdo fushë të jetës.
Krenar për ju!