NË KUJTESË 145 VJETORI I KONGRESIT TË BERLINIT

0
500

PERG.  NDUE  BACAJ

HYRJE:

Fuqitë Europiane e thirrën Kongresin e Berlinit me 13 qershor 1878. Ata u  përqendruan në çeshtjen që kishte shkaktuar thirrjen urgjente të Kongresit-zvoglimin e ndikimit rus në Ballkan…1.  Kongresi i Berlinit do të fillonte punimet tre ditë pas Lidhjes së Prizrenit dhe kishte si qellim rishikimin e Traktatit të Shën Stefanit, të atij viti, të cilin Rusia ia kishte imponuar Perandorisë Osmane , si dhe për të krijuar mardhënie politike të qendrueshme në Ballkan. Gjithashtu kongresi donte të kufizonte hegjemonin ruso-sllave në Ballkan. Në kongres morën pjesë përfaqësuesit e gjashtë fuqive të mëdha të Europës: të Gjermanisë, të Anglisë, të Francës, të Rusisë, të Austro-Hungarisë dhe të Italisë.2.  Gjermania përfaqësohej me kancelarin e saj  Otto Bismark , Franca me ministrin e jashtem Vadington , Anglia me lordit Beaconsfield,  Austro-Hungaria  me ministrin e jashtem Adrassy , Italia me kontin Korte (Corte) , Rusia me ministrin e jashtem Gorkaçov , ndersa perandoria  Osmane kishte tre perfaqesues , Mehmet Ali Pashen , Karatheodhori Pashen  dhe  ambasadorin e saj në Berlin  Sadulla Pashen… Delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të Mëdha. Ai mund të diskutonte për çdo çështje të rendit të ditës, por nuk kishte të drejtë të votonte për vendimet e Kongresit. Shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) u ftuan vetëm për të parashtruar kërkesat e tyre. Ndonse në Berlin po të diskutohej edhe për fatin e popullit shqiptar, delegacioni që dërgoi Lidhja e Prizrenit (Abdyl Frashërin dhe Pashko Vason), me nismen e vet, nuk e pranuan të fliste në Kongres. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark. Gjatë kësaj kohe nga trojet shqiptare u formuluan dhjetëra peticione, protesta  e memorandume që iu dërguan kongresit të Berlinit gjatë muajve qershor-korrik 1878. Por përveç peticioneve, protestave dhe memorandume kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë etnike , parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomiste.  Këtë kërkesë Lidhja e Prizrenit ia përcolli me anën e Abdyl Frashërit dhe Pashko Vasos Kongresit të Berlinit me 15 qershor. Megjithëse platforma e autonomisë ishte pranuar nga shumica e qarqeve patriotike shqiptare, nuk munguan t’u paraqiten Fuqive të Mëdha edhe kërkesa të tjera, që parashikonin formimin e një shteti të pavarur shqiptar.3.

PROTESTA E MEMORANDUME QË SHQIPTARËT U  DËRGOJNË FUQIVE TË MËDHA TË EUROPË DHE KONGRESIT TË BERLINIT!

Në ditën e fillimit të kongresit të Berlinit me 13 qershor 1878  një grup atdhetarësh shkodranë i dërguan një memorandum kryeministrit  anglez, nepërmjet lordit Beaconsfield, (kryetar i delegacionit anglez në Kongresin e Berlinit), ku ndër të tjera “thuhet”: “…Ndërsa përfaqësuesit e fuqive të Mëdha të Evropës janë mbledhur në Kongres, për të gjetur zgjidhje të arësyeshme dhe të ligjshme çeshtjeve të ndryshme që pëbëjnë çeshtjen Lindjes, sigurisht nuk do të jetë i huaj zëri i shqiptarëve midis shumë të tjerëve që kerkojnë drejtësi duke terhequr vemendjen e përfaqësuesve fuqiplotë. Dhe aq më tepër duhet shpresuar se Çeshtja Shqiptare do të shtrohet në tryezën e bisedimeve , mbasi të gjitha kombësitë e tjera nën perandorinë Osmane kanë një qeveri dhe një diplomaci që ua shpreh dëshirat , vetëm  Shqipëria nuk ka asnjë lloj përfaqësie. Duke mos pasur qeveri të vetën, ajo nuk mund të përfaqësohet vetë, dhe nuk mund të përfaqësohet as nga perandoria Osmane… Evropa e njeh historinë tonë. Stergjyshrit tanë që u munden , por nuk u mposhtën nga armët  turke , ruajtën pavarësinë e tyre, karakterin kombëtar, traditat, gjuhen, edhe pse me fe të ndryshme, shqiptari , qoftë katolik, ortodoks ose musliman, e urren si sundim turk, ashtu dhe çdo sundim tjetër të huaj… Shqipëria ka një faqe të lavdishme në historinë e kombeve që nga Skenderbeu….”. Në fund të memorandumit shkruhet Shkodër 13 qershor 1878-SHQIPTARËT.4.  Po me 13 qershor (1878) , Dega e Lidhjes së Prizrenit (Shkodër), me pelqimin e gjithë vilajetit të Shkodrës dhe të Dibres, muhamedanë dhe katolikë bashkë , vendosen me i dergue një telegram kongresit të Berlinit me lutje që Tivari, Shpuza, Podgorica t’i mbetëshin Shqipërisë. Telegrami u nënshkrua prej 500 vetëve…5.  Me datën 15 qershor 1878, Lidhja  Shqiptare e Gegërisë i drejtohet Kongresit të Berlinit me një protestë kundër aneksimit të tokave shqiptare nga Bullgaria, Serbia e Mali i Zi. Nënshkruesit e protestës  janë përfaqësues të Jenipazarit, Dibres së Sipërme, Tetovës, Shkupit, Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës, Pejës, Gucisë, Senicës, Tashlixhës, Lomit, Latinët (Katolikët) e Prizrenit, të Gjilanit e Pejës.6.  Po me datën 15 qershor (1878) popullsia e Podgoricës, Shpuzës, Zhabjakut dhe të krahinave të Grudës e Kuçit , i drejtojnë një protestë Kongresit të Berlinit kundër lëshimit të tokave të tyre Malit të Zi si dhe kundër akteve barbare të kryera prej autoriteteve malazeze. Nga emrat e nënshkruesve sipas krahinave shqiptare , mendova të cilësoi ata të Grudës, të cilët janë: Ibrahim Hysejnoviq, Baca Kurti, Pllumb Gjeka e Smajl Martini dhe të Kuçit: Ram Hysi, Nik Deda, Lul Vuksani, Mirash Pera, Stojan Gjeli e Mus Melini…7.  Ndërsa me 16 qershor (1878) nga Shkodra nënshkruhet  protesta e krahinave të Shqipërisë së Mesme , të Veriut  të Tivarit, të Trieshit, Tuxhemiles, Kuçit etjerë, që i drejtohej kongresit të Berlinit  kunder coptimit të Shqipërisë. Ajo kërkon respektimin e të drejtave kombëtare… Është “interesant” se po me dtaën 16 qershor (1878) nga Shkodra nënshkruhet edhe protesta tjetër e fuqishme dhe organizuar  nga 324 perfaqesues thuajse të të gjithave krahinave të Shqiperisë së veriut dhe asaj të mesme…Unë me këtë “rast” mendova të cilësoi vetem disa  nga emrat më sinjifikativ që nënshkruan protesten..nga Shkodra me rrethinat, Dukagjini etj…si: Jusuf  Sokoli, Farnçesk Çoba , Pjeter Ashiku , Daut Boriçi , Filip Suma , Selim Gjyrezi , Zef (Xhuzepe)  Muzhani , Hafiz  Jusuf  Repishti , Pjeter Lazer Pistulli , Alo  Tabaku ,  Anton Zojzi , Tahir  Bushati , Gjon (Xhiovani) Çurçia , Dul Grizha , Pjeter Guraziu , Ahmet Haxhi  Ademi , Engjëll (Anxhelo)  Curani , Paulo Simon Noga , Pjeter A. Suma , Alush Fishta , Françesk Pema , Gjon (Xhvani) Çoba , Haxhi Selim  Karakaçi , Zef (Xhuzepe)  Vasa , Hasan  Quku ,  Pjeter Çapaliku , Mark  Lula , Marash Kola , Gjekë Gega etj. Si dhe nga Malësia e Madhe nënshkruajnë: Dedë  Gjon  Luli , Çun  Mula , Nikollë Mirash Hasanaj – Hot ; Ujk Gila e Merandia (Mirash) Nika –Kelmend ;  Gjel  Vuksani e Paskal (Pashko) Deda- Kastrat ; Smajl Martini, Baca Kurti, Pllum  Gjeka e Ibrahim  Hasani –Grudë ; Dedë  Nika , Lul  Vuli e Mus  Milia –Kuç ;  Dedë  Hysa e Mirash  Musa –Triepsh ; Marash  Dashi- Shkrel ; Sokol  Mustaf  Bajraktari , Meto Dema , Abdyl  Kurti e Mem Shabani- Koplik ; Fasli  Gruemira –Gruemire  ; Tafil Bisho e  Ali Tahiri – Grizhe ; Mehmet Rrjolli e Hajdar Huka –Rrjoll ; P. Mark Loshi nga Reçi ; Tak  Elezi –Lohe…  Vlenë të theksohet se edhe komunitetet shqiptare që jetonin jashtë  trojeve të tyre  ishin soldarizuar me  protestat energjike kundër kongresit të Berlinit , që po planifikonte coptimin e mëtejshem të trojeve shqiptare. Një ndër keto protesta me  rëndësi historike është edhe ajo e  shqiptarëve me banim në Stamboll të cilet  me daten 18 qershor (1878) u dergojnë një protestë domethenese perfaqesusesve  të Fuqive të mëdha në Kongresin e Berlinit  kundër qellimeve  aneksioniste të Greqisë ndaj tokave shqiptare…8.  Po me datën 18 qershor nga Mirdita, krerët e Mirditës, Pukës, Kthellës, Malësisë Lezhës dhe Lurës u drejtohen me një protestë të plotfuqishmëve të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit, për njohjen e autonomisë krahinore, si dhe të drejten për krijimin e një shteti autonom…9.  Është interesant se kur nënshkruhet Protesta, perveç krerëve të krahinave të “paralajmruara” në fillim, shënohet se nënshkruajnë protesten edhe prijësit e Ohrit të Vogël…

DISA NGA VENDIMET E KONGRESIT TË BERLINIT:

Pas një muaji punimesh të kongresit dhe pas një lufte të ashpër diplomatike me 13 korrik u nënshkrua Traktati i Berlinit. Sipas këtij Traktati përfitimet politike dhe teritoriale të Rusisë dhe shteteve sllave të Ballkanit u paksuan. Kufijët e Bullgarisë autonome u zvogluan tri herë. Krahinat shqiptare, që Traktati i Shën Stefanit ia jepte Bullgarisë, do të mbetëshin nën sundimin Osman. Serbia nuk zgjerohej në drejtim të Mitrovicës dhe të Prishtinës, por iu dhanë krahinat e Pirotit , të Trenit, të Vranjës, dhe të Nishit që i qenë premtuar Bullgarisë. Malit të Zi i jepëshin krahinat e Tivarit, të Podgoricës, të Plavës, të Gucisë, të Rugovës dhe të Kolashinit. Kongresi mori në shqyrtim edhe kërkesat e Greqisë që nuk kishte marrë pjesë në Luftë kundër perandorisë Osmane dhe vendosi që kufiri i ri në Tesali dhe në Shqipërinë e Poshtme të caktohej nga një komision turko-grek. Si vijë kufiri rekomandohej vija që formonin lumenjtë Kalamas dhe Selemvria, duke i dhënë kështu Greqisë, perveç tokave greke që i takonin, edhe treven shqiptare të Çamërisë. Në këtë mënyrë Kongresi i Berlinit e trajtoi Shqipërinë si plaçkë tregu dhe e bëri objekt coptimi në favor të shteteve fqinjë ballkanike. Këto vendime cenonin rëndë të drejtat dhe interest kombëtare të popullit shqiptar. Prandaj ato e shtuan edhe më tepër zemrimin e shqiptarëve.  Nga katër anët e vendit pati protesta kundër coptimit të trojeve shqiptare.10.  Kongresi i Berlinit ua njohu pavarësinë Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Ai ripohoi gjithashtu vendimin e mëparshëm për t’i dhënë Rumanisë Dobruxhën Veriore dhe për t’i shkëputur asaj provincën e Besarabisë në favor të Rusisë. Kufijve të Serbisë e të Malit të Zi ai u bëri ndryshime të rëndësishme. Me këmbënguljen e Austro-Hungarisë u vendos që Serbia të mos zgjerohej nga ana jugore (në drejtim të Novi Pazarit, të Mitrovicës dhe të Prishtinës, të cilat Vjena i lakmonte për vete)… Për të njëjtën arsye, me këmbënguljen e Vjenës, Malit të Zi iu pakësuan së tepërmi përfitimet territoriale nga ana veriore, në drejtim të Hercegovinës dhe të Novi Pazarit…. Aneksimi i Ulqinit nuk iu njoh, por Cetina fitonte të drejtën që anijet tregtare malazeze të lundronin lirisht në lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës….11.  Vlen të shënohet se Fuqitë e Mëdha duke hasë në pengesa për zbatimin e vendimeve në Shqipërinë Etnike, e morën edhe njëherë çeshtjen në shqyrtim. Italia mori nismën me propozime , me anën e të deleguemit të saj Kontit Korte, që në vend të Plavës e Gucisë, t’i jepej Malit të Zi Hoti e Gruda, mbasi këto dy krahina bonoheshin prej katolikëve e kështu vija e kufinit do të caktohej në bazë të vijëe së shënueme në protokollin e Berlinit, tuj lëshue 2/3 e fisit të Grudës, një pjesë të Hotit e kullotat e stanet e Kelmendit…. Në këto kushte dega e Lidhjes së Prizrenit Shkodër shpalli vendimin e marrun prej gjithë fiseve: “Me luftue deri në iken e fundit të gjakut në mbrojtje të trojeve shqiptare…”.12.  Kongresi i Berlinit bëri në fakt bëri të mundur ndryshimin e vendimeve të Shën Stefanit në një muaj të vetëm…. Vendimet u morën në sajë të dy këndvështrimeve të cilët kishin qënë të pranishëm edhe në kuvendet e tjera të këtij lloji: Turqia duhej fuqizuar, Rusia duhej zbrapsur. Bullgaria e Madhe, e cila përbënte themelin e planit rus u nda në tri pjesë. Ndërmjet Danubit dhe maleve Ballkane do të shtrihej principate vet-qeverisëse e Bullgarisë e cila nuk kishte asnjë detyrim ndaj sulltanit perveç pagimit të një tribute vjetor, ndërmjet maleve Ballkane dhe Rodope do të shtrihej Rumelia lindore e cila do të ishte e pushtuar ushtarakisht nga turqit, por do të qeverisej nga ana administrative nga një i krishterë; province e Maqedonisë  që mbetej, do t’i kthehej sulltanit në mënyrë që ai të luante një rol aktiv në Ballkan. Kështu Bullgaria u shkëput nga duart e carit. Për të qetësuar sadopak carin rus, kongresi i Berlinit i kënaqi dëshirat e tij në disa aspekte më të vogla. Cari mori Besarabinë nga Rumania të cilën e kishte humbur që prej 1856 dhe i dha aleatit të tij të fundit Dobruxhen  bullgare. Në Azinë e Vogël , cari zgjeroi kufijtë e tij në Armëni duke marrë edhe qytete të rëndësishme si Karsin dhe Batumin. Edhe me këto lëshime të vogla, Austro-Hungaria dhe Britania e Madhe u treguan të kujdesëshme për të marrë kompensim. Bosnja dhe Hercegovina që kishin qenë në krizë, iu besuan Austro-Hungarisë për t’i pushtuar e administruar…. Austro-Hungarisë iu dha e drejta për të mbajtur garnizone, por për të administruar, sanxhakun e Novipazarit i cili dante Serbinë nga Mali i Zi. Edhe Britania e Madhe, nën drejtimin e përkryer të Lord Bikonsfildit, arriti të marrë ishullin e Qipros, të cilin sulltani e lëshoi pasi kishte siguruar ndihmën britanike në rast të ndonjë sulmi rus në teritoret aziatike….13.  Bisedimet e përfaqësuseve të fuqive të mëdha europiane ishin të gjata dhe të bujshme dhe përfunduan me nënshkrimin e  traktatit të Berlinit. Në bazë të këtij traktati Bullgaria e Shën Stefanit u përgjysmua. Tokat në jug të maleve të Ballkanit e deri në detin Egje u banë “Krahina Autonome e Rumelisë Orientale”.14.  Gjithashtu pas debatesh, Kongresi i Berlinit , duke marrë parasysh kundërshtimin që bëri Anglia për Kretën dhe Rusia për Maqedoninë, nuk pranoi që këto t’i jepeshin Greqisë, ndërsa për pretendimet greke në Epir, Perandoria Osmane deklaroi haptas se aneksimi i Epirit nga Greqia do të ishte i rrezikshëm për të dyja palët, pasi aty mbisundonte popullsia shqiptare, e cila do t’u shkaktonte telashe si Greqisë, ashtu dhe Turqisë. Më në fund u vendos që kufiri në Thesali dhe në Epir të caktohej nga një komision turko-grek. Megjithatë, Kongresi rekomandonte si vijë kufiri lumin Kalamas në Epir dhe lumin Selemvria në Thesali. Në rast se Greqia e Turqia nuk do të merreshin dot vesh ndërmjet tyre, thuhej në nenin 24, atëherë do të ndërhynin Fuqitë e Mëdha. Vlenë të shënohet se meqë Kongresi i Berlinit kishte qenë i mendimit se një korigjim i kufijjve midis Greqisë dhe Turqisë (kupto trojeve etnike shqiptare të pushtuara nga Turqia N.B.), ishte me vend, takimet u bënë, në fillim në Prevezë (shkurt dhe mars 1879, pastaj në Kostandinopojë në fund të vitit 1880 dhe fillim të 1881…15.  Në përfundim të Kongresit të Berlinit hapsirat tokësore që fituan Serbia dhe Mali i Zi ishin shumë të mëdha në krahasim me teritoret e tyre fillestare, por ato shkelnin vetëm anëve të hapsirës shqipfolëse. Ishin tronditëse, sepse përfshinin lokalitete ku shqiptarët përbënin shumicën dërmuese të popullsisë…16.  Shqiptarët gjatë kësaj kohe nuk u mjaftaun vetëm në “luftën” me pendë, me protesta, memorandum e kërkesa, por nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u organizuan në mbrojtje të trojeve shqiptare me pushkë. Betejat janë të shumta dhe heroike që fillojnë me Luftërat në mbrojtje të Plavës e Gucisë, Hotit e Grudës (1878-1881), Lufta në mbrojtje të Ulqinit (1880), Lufta e Majes, Lufta te Ura e Sutjeskës, Lufta te Ura e Zharnicës etj.17. 

BIS MARKU PËR “SHQIPËRINË”, NË MES TË VERTETËS DHE GËNJESHTRËS  SERBE TË VLADAN GJEORGJEVIQ-it…

Shkrimtari, studiuesi dhe historiani i njohur Jusuf Buxhovi i bazuar në arkiven e dokumenteve të Kongresit të Berlinit ndër të tjera do të shkruante: “U bënë më shumë se njëqind vjet që kur spekullohet me një thënie të kancelarit të parë gjerman, Bismarkut, se gjoja ka thënë se “Shqipëria është vetëm koncept gjeografik, ndërsa shqiptarët nuk ekzistojnë”! Farkëtuesit e këtij konstatimi, në radhë të parë historianët serbomëdhej në krye me Çubriloviqin, Haxhivasilevin, Garashaninin e të tjerë që vijnë deri në ditët tona, gjithnjë kanë cituar një “studim’ të Vladan Gjorgjeviqit (kryeministër i Serbisë në prag të Luftës së Parë botërore), ku ai një libër pamflet kundër shqiptarëve, të botuar në vitin 1913 në disa gjuhë dhe në disa qendra evropiane, sjell mendimin e Bismarkut “të cituar nga dokumentet e Kongresit të Berlinit…. E vërteta, megjithatë, është tjetërfarë. Gjykuar nga dokumentet origjinale të kongresit të Berlinit që ruhen në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë gjermane në Bon, si dhe nga dokumentet që u botuan në Gjermani me rastin e kremtimit të njëqindvjetorit të mbajtjes së Kongresit të Berlinit në një vëllim të madh nga “Herald Boldt Geiss”, mund të thuhet se ky “konstatim” i Gjorgjeviqit nuk ekziston fare. Në seancën e dhjetë, së cilës i referohet Gjorgjeviqi, shihet qartë se çështja shqiptare nuk është zënë n’goje fare. Përkundrazi, për shqiptarët dhe problemet e tyre që lidhen me Serbinë dhe Malin e Zi bëhet fjalë në dy seanca të tjera: në atë të shtatën dhe në të trembëdhjetën. Në seancën e shtatë, të datës 26 qershor 1878, në të cilën u bë fjalë për Serbinë dhe kufirin e saj të ri në drejtim të Bosnjes dhe të Portës në pikën katër të vendimeve të seancës, në mënyrë deçizive Bismarku formulon këtë konstatim. “Kazatë shqiptare: Vushtria, Karshumlia, Yrkyp (Prokuple) dhe Leskovici nuk duhen të ndahen nga Porta. Nëse Kongresi do të vendoste që një pjesë e kësaj hapësire të shkëputet, pjesa Prepolac-Shluht (Takhali Khan Getsidi) pjesët midis Karshumlisë dhe Prishtinës duhet të mbesin në Turqi, në mënyrë që të ruhet rrethi i Prishtinës dhe i Vranjës, të cilat njëherë duhet të paraqesin pjesën veriore të kufirit të Portës”. Ky pasus i protokollit të Kongresit gjendet edhe në botimin komplet të materialeve të Kongresit të Berlinit, botuar nga Imanuel Geiss (në faqen 238). Në paragrafin shtesë të protokollit të tetë, në pikën dy, po ashtu Bismarku gjatë dokumentit fjalë për fjalë angazhohet që “Rrethet shqiptare Rozhaja dhe Gucija, si dhe Malësia e Hotit dhe e Kelmendit, po ashtu të banuara me popullatë shqiptare, t’i mbesin Portës”, (shih faqe 258). Në pikën c të të njëjtit protokoll prapë ndeshim propozimin e Bismarkut në këtë formë decidive që i është paraqitur kongresit, e ku thuhet: “Pasi qe rrethi i Tivarit, bashkë me qytetin banohet eskluzivisht prej shqiptarëve, duhet të mbetet nën mbikqyrjen e Portës” (shih faqe 259). Në protokollin e seancës së dymbëdhjetë të datës 4 korrik Bismarku kërkon që përfaqësuesi i Turqisë në Kongres, Mehmet Ali Pasha, të deklarohet se Turqia do të mbrojë popujt joturq në Ballkan, në radhë të parë shqiptarët… Përfaqësuesi turk Mehmet Ali pasha, në mbledhjen e 4 korrikut, pas insistimit të Bismarkut, do të deklarojë, e kjo do të shënohet në protokoll  “se Porta do të respektojë veçoritë etnike të qyteteve dhe krahinave shqiptare si Plava, Gucia, Tivari…” Në të njëjtin protokoll madje shënohet fjala përfundimtare e Mehmet Ali Pashës ku thuhet: Tivari shqiptar nuk mund t’i shkëputet Shqipërisë (faqe 296). Në dobi të këtij konstatimi flet edhe një material tjetër që ruhet në Arkivin Shtetëror gjerman në Bon. Fjala është për hartën e re të Ballkanit dhe të pjesës evropiane të Perandorisë Otomane, që iu prezantua diplomatëve në Berlin nga ana e Bismarkut pas mbylljes së Kongresit. Në këtë hartë shihet qartë përkufizimi etnik i tokave shqiptare dhe i Shqipërisë së mbetur në kuadër të Portës – në veri shkon deri te Vranja- në lindje, zbret kah Tetova deri në Ohër dhe shkon në jug deri në Janinë dhe Artë. Kjo hartë ka qëndruar një kohë të gjatë në kabinetin e Bismarkut.18. 

NË VEND TË NJË EPILOGU: NË KUJTIM TË NJË MIKU DHE NJË ARMIKU TË SHQIPTARËVE…

Vlen të kujtohet se perkundër politikes zyrtare të fuqive të atëhershme të Europes , kishte edhe zëra intelektualesh potencial të cilet e shihnin  në sy realitetin historik dhe konkret të trojeve shiptare. Studiuesi britanik  Artur Xhon Evans  botoi “Letrat Ilire” po në vitin 1878 , pasi kishte vizituar (një vit më parë) , Durresin , Shqiperinë Veriore dhe Kosoven me në krye Prizrenin . Pershtypjet e vizitës së tij  ky studiues i permbyllte  me  fjalët : ” Gjithçka më bënë të kujtoj se nuk jam  as në mes të sllavëve  e as në me të turqve. Keta janë me të vertetë bashkëpatriotët  e Skenderbeut  dhe të Aliut të Tepelenes – shqiptarë , trashigimtarë të fortë si shkëmbi ,një racë luftarake  dhe gjithmonë e pamposhtur…”.  Me sa duket fuqitë Europiane të kohes kishin vendosur të mos degjojnë potenciale intelektuale të pa-anshme si studiuesin britanik  Evans , por të “degjonin” Karl Marksin , mikun e sllavëve dhe armikun e shqiptarëve , filozofin e proletarëve ( të atyre që  populli u thoshte horra) i cili ndër të tjera shkruante: “Arnautët (shqiptarët),janë pjesërisht të krishterë  të ritit ortodoks –grek dhe pjesërisht  musliman ,ku duke gjykuar persa i njohim janë pak të pergatitur  per tu qytetruar. Prirjet e tyre grabitqare  duhet të detyrojnë çdo qeveri  fqinje  ti mbajnë nën trysni të rreptë ushtarake …Nuk mund të mohohet fakti se gadishulli i quajtur Turki  europiane  është pasuri natyrore e trashiguar  nga stergjyshrit  e races  sllave të jugut… Rival të sallavëve  janë vetem barbaret arnaut  dhe turqit të cilët  prej kohesh duhen denuar si kundershtaret më të egër të qytetrimit e perparimit , perkundrazi sllavë janë bartës të qytetrimit…”.(Se çfarë “qytetrimi” suallen sllavët në Ballkan e më gjërë , këtë e kanë treguar vazhdimisht luftrat dhe krimet e shovenëve serb mbi popujt jo serb të Ballkanit e veçanarisht mbi shqiptarët  autokton të Kosovës..).19.  

REFERENCAT:

1.Edwin Jacques, SHQIPTARËT, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.288, shtëpia botuese “KARTË E PENDË”, Tiranë 1995.

2.Robert Elsie, Fjalor Historik i Shqipërisë, fq.325-326, Sh.B.”UEGEN”, Tiranë 2011.

3.https://fjala.al/2021/07/14/kongresi-i-berlinit-ceshtja-shqiptare-nuk-perfillet-nga-fuqite-e-medha/ 

4.Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave,  fq.21-23…Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978.

5.Hamdi Bushati ; Shkodra dhe Motet, traditë, ngjarje, njërëz Vëll. I. Fq.429-430, Shkodër 1998.

6.AMAE, CPC, Ambasada e Francës pranë Portës Osmane, Turqia, vëll.nr.417, f.558, shtojcë e raportit 98… përkthyer nga Frangjishtja- Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave …Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978, fq.29.

7.AQSH i RSH, fondi i kongresit të Berlinit , dok.nr.5, përkthyer nga orgjinali turqisht- Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave …Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978, fq.31.

8.PAAA, Turqia 129, vëll.II; Aktet e Kongresit të Berlinit , II, 1878, dok.33, perkthyer nga orgjinali frengjisht- Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave …Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978, fq.32-38.

9.HHStA, PA, Konsullata e Shkodrës, XXXVIII/26, 230, 235, 240, 243, 248. Shtojcë e informacionit të konsullit të Austro-Hungarisë në Shkodër Lipih, date 24 qershor 1878…- Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave …Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978, fq.38-39.

10.Histori e Popullit Shqiptar, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Innstitutit të historisë të Akademisë së shkencave  të Rep.Shqipërisë, fq.102, viti i parë i botimit “Eurorilindja”, Tiranë 1994.

11.https://fjala.al/2021/07/14/kongresi-i-berlinit-ceshtja-shqiptare-nuk-perfillet-nga-fuqite-e-medha/ + Ferdinand Schevill; BALLKANI-historia dhe qytetrimi, fq.328-329, sh.b. Eugen, Tiranë 2002.

12.Hamdi Bushati ; Shkodra dhe Motet, traditë, ngjarje, njërëz Vëll. I. Fq.431, Shkodër 1998.

13.Ferdinand Schevill; BALLKANI-historia dhe qytetrimi, fq.327-329, sh.b. Eugen, Tiranë 2002.

14.Tajar Zavalani, Histori e Shqipnisë, fq.172-173, botues Phoenix-shtëpia e librit, botim i dytë 1998.

15.Zhan Klod Faveirial, Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, fq.459, Plejad 2004.

16.Serge  Metais ,HISTORI E SHQIPTARVE  nga Iliret deri te pavarësia e Kosovës, fq.253, Tirane-2006.

17.Më hollësisht shih Hamdi Bushati ; Shkodra dhe Motet, traditë, ngjarje, njërëz Vëll. I. Fq.432-434.

18.Jusuf  Buxhovi, ky shkrim është pjesë e rubrikës “Arkiva PRINT” që hap Politiko.al me materiale të nxjerrë nga fondet e Periodikut dhe të Librit të Biblikotekës Kombëtare. Botuar në Gazeta “RD”, e shtunë 4 mars 1995, faqe 2. Marrë nga gazeta “Rilindja” e Kosovës.

19.Ndue Bacaj, https://gazetadielli.com/nga-lidhja-e-prizrenit-ne-lidhjen-shqiptare-te-prizrenit/ JUNE 17, 2022 BY S P.