Historia e ushtarve Sokol Veshti dhe Gjelosh Gega që tentuan të arratiseshin nga Vermoshi në vitin 1986

0
497

Intervista: “Te posta e kufirit, më lidhën me tela, me shokun tim të vrarë, Sokol Veshtin, nëpër fshtara na pështynte populli”

Dëshmia tronditëse e 58-vjeçarit Gjelosh Fran Gega nga fshati Bogë i Koplikut, për ngjarjen e 2 tetorit ’86-të, ku shokun e tij, Sokol Veshti, i’a vranë dhe atë e kapën në vijën e kufirit. Intervista / “Pasi më kapi qeni i kufirit, ushtarët e oficerët, filluan të më godisnin me shkelma dhe me qytat e automatikëve e, me një elektrik dore metalik, më thyen të gjitha dhëmbët e dhëmballët që kisha në gojë”!

Nga Dashnor Kaloçi **

Edhe pse kanë kaluar gati 37 vite nga ajo ngjarje e largët, e 3 tetorit të vitit 1986, 58 vjeçari Gjelosh Fran Gega, nga fshati Bogë i Malësisë së Madhe, kujton me detaje gjithçka, madje, sikur ajo të kishte ndodhur sot. Telefonatës sonë për t’u takuar me të, (pasi botimit të disa dokumentave arkivore në tre numra të gazetës ‘FJALA’), ai u përgjigj menjëherë, madje me shumë dëshirë, duke na felenderuar shumë. Ndoshta edhe për faktin se ajo ngjarje, ka shënjuaur shumë në drejtimin e jetës së tij, madje, duke lënë vraga të thella në memorien e tij! Pasi, ai humbi shokun më të ngushtë të jetës, dhe vetë përfundoi prapa hekurave të burgut për disa vjet, edhe pse deri atëhere, jeta në liri, për shumë rrethana, nuk i ofroi ndonjë gjë më shumë, se ajo prapa hekurave të burgut. Ndërsa bisedojmë me të aty afër shtëpisë së tij në fshatin Bogë, hera herës, Gjeloshi shkrehet në vaj, teksa shikon fotot e dosjes hetmimore, me trupin e pajetë të Sokolit, (të masakruar nga plumbat e ushtarëve të kufirit), për të cilin thotë se; e kishte si vëlla më të madh, edhe pse ata ishin moshatarë.
Z. Gjelosh, ne Sokol Veshtin, jeni njohur në jetën civile, apo kur shkuat ushtar?
Me Sokolin nuk kam pasur njohje në jetën civile dhe për herë të parë jemi takuar kur kemi shkuar ushtar, në janarin e vitit 1985, në rrethin e Vlorës, ku për shkak të biografisë

Sokol Veshti ushtari i vrare në tentavive arratisje

familjare, pra me njerëz të arratisur në Amerikë, të dy ne, na caktuan në një repart xhenjo, (Rep. 3205), që merrej vetëm me punime. Në atë repart pune, ku ne nuk kishim të drejtë me mbajt armë, por vetëm në punime xhenjere, kishte edhe shumë ushtarë të tjerë nga rrethi i Shkodrës, kujtoj se ishim rreth 17 veta, por unë kisha shoqëri të ngushtë vetëm me Sokolin, pasi që ditët e para na shkoi muhabeti dhe patëm kriju aq miqësi, saqë edhe kuletën e kishim bashkë. Pra shkurt, ishim si vëllezër.
Kur diskutuar për herë të parë, për planin e arratisjes nga Shqipëria dhe kush ja i tha i pari njëri-tjetrit?
Bisedat e para për t’u arratis nga Shqipëria, i kemi bërë gati një vit përpara, pra diku nga tetori i vitit 1985 dhe ishte Sokoli ai që ma propozi i pari atë gjë, duke më thënë se ai, kishte vëllanë në SHBA-ës, Nikoll Veshtin, i cili ishte arratisur nga Vermoshi që në vitin 1966, në moshën 17 vjeçare dhe ata si familje, shkëmbenin letra me të. Po kështu, edhe unë kisha axhën tim, Nik Gega, të arratisur në SHBA, dhe nisur nga ky fakt, ne mendonim se po të kalonim kufirin e të dilnim në Jugosllavi, do na jepnin strehim politik dhe do të na vinin njerzit tanë për të na marrë, ose do të na bënin garancinë që nga SHBA-ja.
Po me tjetër njeri, a biseduat për atë gjë?
Pasi vendosëm të arratiseshim, ramë dakort që atë atë gjë, t’a tregonim edhe një shokut tonë, Prek Nili, quhej, një djalë shumë i mirë dhe tepër besnik, me të cilin ishim njohur në tre muajt e parë të ushtrisë, apo karantinës siç quhej atëhere dhe ai ra plotësisht dakor me ne. Preka, është nga fshati Vukël i Malësisë së Madhe dhe ai si puna jonë, ishte me biografi të keqe, siç thuhej atëhere, pasi kishte njerëz të arratisur edhe ai në Amerikë. Pas tre muajve të parë të ushtrisë, Preka, u caktua në një repart tjetër pune, kurse unë me Sokolin, kemi qenë gjithmonë bashkë në një repart, por ne mbajtëm lidhje të vazhdueshme me Prekën, duke u takuar me të, kur na jepej mundësia, që dilnim me liridalje.
Po pse e shtytë aq shumë planin e arratisjes, pra, keni biseduar me Sokolin në shtatorin e vitit 1985 dhe e vutë në zbatim, një vit më pas, në shtatorin e 1986-ës?
U gjet ajo kohë si më e përshtatshme, pra pikërisht në fundin e shtatorit të vitit 1986, sepse Sokoli, në 20 shtator, martonte motrën dhe ishte e sigurtë, që do i jepnin leje nga reparti. Në atë kohë, unë dhe Sokoli, ishim në Repartin 8799/5, në Vërmik të Vlorës, ku bënim punime xhenjere.
Po ju, si do ta siguronit lejen, për të shkuar në fshatin tuaj?
Në planin që kishim bërë që më përpara unë me Sokolin, kishim rënë dakort, që kur të shkonte ai me leje në shtëpi, do më bënte mua një telegram, sikur mua më kishte vdekur vëllai, dhe pas kësaj, komanda do më jepte leje patjetër. Për ta bërë sa më të besueshëm planin tonë, që një muaj përpara, una hapa fjalë në repart me shokët, se kisha vëllanë në gjëndje shumë të rëndë dhe rrija shumë i mërzitur. Kjo gjë funksionoi mësëmiri dhe ushtarët, por edhe ndonjë oficer, më pyesin se si u bë vëllai. Kështu, një apo dy ditë pasi shkoi Sokoli me leje, më datën 18 shtator, ka qenë ditë e shtunë, mua më thirri komandanti i repartit, Sotir Dema dhe më tha se; ushtar Gega, ju keni vëllanë sëmurë dhe ne si komandë, kemi vendosur që t’ju japim disa ditë leje. Unë vazhdova rolin, pra duke bërë si shumë i mërzitur dhe ai që atë minutë, bashkë me komisarin, Viktor Gjiknuri, pasi plotësuan lejen me firmë dhe me vulë, nga Vërmiku, më dërguan me makinën e tyre, deri te stacioni i trenit në Vlorë, ku unë kisha lënë të takohesha me shokun tonë, Prekë Nilin. Pasi u takova me Prekën, zumë vënd në tren dhe kemi udhëtuar deri në Tiranë, e të nesërmen, me datë 20 shtator, kemi mbërritur në Shkodër, po me tren. Gjatë gjithë rrugës në tren, kemi biseduar gjatë me njëri tjetrin, pasi Preka, u tërhoq nga plani që kishim bërë dhe kjo gjë si të thuash, na e prishi disi terezinë.
Po pse u tërhoq Preka, ua tha arsyen dhe çfarë vendosët që të bënit pas kësaj?
Preka u tërhoq për arsyet e veta, se u friksua dhe normal, pasi nuk ishte gjë e lehtë në atë kohë, të merrje rrugën drejt kufirit, duke vënë kokën në rrezik, aq më shumë, se i nxirrje probleme të mëdha edhe familjes, që sigurisht, do të përfundonte në internim, por i hapje punë edhe gjithë fisit.
Çfarë vendosët që të bënit, pasi Preka, nuk do vinte me ju për t’u arratisur?
Pasi Preka u tërhoq nga plani që kishim bërë, ne i dhamë besën njëri tjetrit, se; çfarë do që të ndodhte me ne, pra me mua dhe Sokolin, që e kishim ndarë mëndjen që të arratiseshim, nuk do tregonim në asnjë mënyrë, se Preka kishte dijeni, apo dhe për të gjitha bisedat që kishim bërë me njëri tjetrin, që në repart në Vlorë. Të njëjtën gjë, do bënte dhe Preka, pra, nëse do e kapnin, ai nuk do tregonte kurrë, se kishte dijeni për ne, që do të arratiseshim. Me këto fjalë, jemi ndarë dhe jemi përqafuar me njëri tjetrin, kur kemi zbritur nga treni në Shkodër.
Ku shkuat ju pasi mbërritët në Shkodër?
Pasi u ndava me Prekën, ai u nis për në fshatin e tij, Vukël, kurse unë shkova në fshatin Bajzë të Koplikut, për te shtëpia e Sokolit, që atë ditë kishte dasmën e motrës. Aty mbërrita nga pasditja vonë, kur ata të shtëpisë së Sokolit, po përcillnin dasmorët, pasi dasma ishte për drekë dhe njerzit po iknin në shtëpitë e tyre. Unë nuk u afrova te shtëpia e Sokolit, pasi aty kisha qenë dhe herë të tjera e, ata më njihnin mirë, por qëndrova diku larg, pasi nuk doja që të na shikonin njerzit, pra me qëllim që, gjithçka që mund të ndodhte më pas me ne, mos me rëndu njeri. Kështu u detyrova dhe dërgova një fëmi të vogël, që ta njoftonte Sokolin dhe ai nuk vonoj e, erdhi shpejt. Sokoli u gëzua kur më pa, por dhe u mërzit, kur i tregova për Prekën, që u tërhoq nga plani jonë, që do arratiseshim të tre.
Si reagoi Sokoli, a pati dyshime dhe çfarë bëtë më pas ju të dy?
Apsolutisht nuk pati asnjë dyshim, as Sokoli dhe as unë. Preka ishte djal besnik dhe koha e vërtetoi, se ai mbeti i tillë deri në fund, ashtu siç i qëndruam dhe ne. Plani që kishim bërë me Sokolin që në repart, ishte se; unë nuk do shkoja fare në shtëpinë time, pra, me qëllim që të mos i rëndoja më shumë ata, pasi dihej fare mirë, se po të arratiseshim ne, aty do të shkonin menjëherë ata të Sigurimit dhe do u thoshin se; ju keni dijeni dhe pse nuk keni denoncuar? Por unë, u detyrova me shku në shtëpinë time, pasi kur zbrita nga treni në Shkodër, rastësisht u takova me një bashkfshatarin tim, i cili m’u lut të shkoja me të, pasi atë e priste dhe një makinë, që do shkontë deri në Bogë. Kështu u detyrova dhe shkova në shtëpi, pasi isha i sigurtë, që ai do njoftonte familjen time dhe ata do bëheshin merak e, mund të telefononin edhe repartin tim në Vlorë dhe dilte puna e telegramit të vdekjes, që ishte fallco.
Kur shkuat në shtëpi, kishin dijeni familja për atë telegram që ju kishte bërë Sokoli?
Familja ime nuk kishte asnjë dijeni rreth telegramit që më kishte bërë Sokoli dhe u habitën kur më panë, por unë u thashë se; kisha vetëm dy tre ditë leje. Nisur nga kjo gjë, unë qëndrova vetëm dy tre ditë ditë në shtëpinë time dhe të mërkurën pasdite, u nisa nga Boga dhe shkova në Bajzë, për të takuar Sokolin, ashtu siç e kishim bërë planin. Nga aty shkuam në qendër të Koplikut, te lokali i vetëm që ishte në atë kohë dhe aty kemi porositur nga një pije alkolike, edhe pse ne nuk pinim alkol, por gjoja se Sokoli, po më qeraste se kishte martu motrën, pra, mos me ra në sy të njerzve që mund të na shikonin. Pasi kemi ndenjur disa kohë aty, kemi dalë, pasi kemi blerë edhe disa gurabie, (apo ingranzhe, siç u thoshin atyre në atë kohë, që kushtonin nga 5 lekë copa), dhe morrëm rrugën për në drejtim të fshatit tim, Bogë. Shkuam aty, sepse, pas tërheqjes së Prekës, ndryshuam edhe planin e drejtimit të rrugës, për të shkuar deri në Vermosh, në vijën e kufirit.
Si e kishit bërë planin, nga cila rrugë do të kalonit për të shkuar deri në kufi?
Plani që kishim bërë fillimisht të tre, që kur kishim në repart në Vlorë, pra bashkë me Sokolin e Prekën, ishte që do kalonim nga rruga nacionale e makinës, deri në një farë vëndi, dhe për më tej, do të na udhëhiqte Preka, se ai e dinte vëndin dhe shtigjet nga do kalonim. Por ai plan, siç ju thashë, ra pas tërheqjes së Prekës, dhe unë me Sokolin, e ndryshuam drejtimin e lëvizjes, duke vendosur që të kalonim maleve dhe pyjeve, rrugë e pa rrugë, që të mos na shikonte njeri dhe të binim në kontakt me fshatarët të atyre zonave, apo me ushtarë të forcave të kufirit.
Nga kaluat pas ndryshuat planin e lëvizjes?
Atë natë, pra të mërkurën, datë 23 shtator 1986, shkuam afër fshatit tim në Bogë, dhe kemi fjetur jashtë diku në pyll, kuptohet pa u takuar me asnjeri. Të nesërmen, jemi ngritur herët dhe kemi vazhduar rrugën nëpër male dhe pyje, sa më larg atyre rrugëve, ku mund të ndesheshim me njerëz apo ushtarë. Por të premten nga dreka, kur ishim diku sipër fshatit Vukël, jemi takuar ballë për ballë me një person, një burrë që ishte disa vjet më i madh se ne në moshë, i cili  na pyeti se nga ishim e, ku do shkonim, etj., siç e kanë zakon malsorët kur takohen rrugë me ndonjë të panjohur. Ne  i treguam të vërtetën, pra; se ishim nga Bajza dhe nga Boga, por që po shkonim me shërbim, te reparti ushtarak në Lëpushë, pa e ditur fare nëse kishte repart ushtarak atje. Pasi i dhamë nga një cigare “Partizan” nga paketat që kishim me vete, ai na tha se; do zbriste pak në fshat poshtë dhe do vinte edhe ai me ne, për të na treguar rrugën për në Lëpushë. Ne i thamë mirë, po të presim, por, sapo ai zbriti rrugës për në fshat, që ishte diku nja 20 minuta në këmbë, ne nuk e pritëm fare, por vazhduam të ecnim.
Pse vazhduat rrugën, a dyshoi ai te ju?
Po patjetër, ai dyshoi te ne, që nga paraqitja jonë e jashtme, pasi uniforma jonë ushtarake, ndryshonte nga ato të ushtarëve të kufirit, po ashtu ne ishim dhe me flokë pak më të gjata se të ushtarëve të kufirit, si dhe ato gurabiet që ne kishim me vete, të mbështjella me gazetë. Kështu, pas disa minutash që jemi ndarë nga ai, nga poshtë fshatit Vukël, kemi dëgjuar të shtëna automatiku, me breshëri të gjata. Pas kësaj, ne e kuptuam se ai na kishte tregur te ushtarët e kufirit dhe kemi vazhduar rrugën, duke ecur rrugë e pa rrugë, nëpër pyje. Një apo dy ditë më pas, pak pa shkuar afër fshatit Lëpushë, kemi ndeshur ballë

Gjelosh Gega nga Be Malësise Madhe

për ballë me një grua, e cila na u afrua dhe tha; hajdeni futuni në çadër, se qenkeni lagur, pasi po binte pak shi. Menjëherë ajo filloi të na pyeste, kush jeni, nga vini, ku shkoni, etj., etj., siç ndodhte me banorët e atyre zonave kufitare. Pasi ajo dyshoi se ne ishim ushtarë dhe po shkonim me shërbim në atë zonë, na kërkoj pashaportat dhe lejet e kufirit, se ndryshe, nuk do të na linte me lëviz që aty. Në u habitëm për guximin e saj dhe i thamë të largohej me të mirë, (madje duke e kërcënu edhe me një shkop që mbanim në dorë), pasi tentoj të na zinte rrugën! Por më pas e kuptuam, se aty ishim afër Postës Kufitare të Janës, dhe prandaj ajo kishte marrë zemër, duke tentuar të na mbante aty. Kështu, ne ikëm me vrap në drejtim të pyjeve dhe pas pak kemi dëgjuar të shtëna armësh me breshëri, që nuk pushonin. Breshëritë e armëve dhe lehjet e qenëve të kufirit vazhduan gjatë gjithë kohës dhe më vonë, unë kam marrë vesh se; që pas takimit me atë burrin sipër fshatit Vukël, ishte dhënë alarm në të gjithë atë zonë kufitare, pra, që nga Kopliku e deri në Vemosh dhe në drejtim tonë, ishin mobilizuar në një operacion të gjerë kërkimi, forca të shumta të Ushtrisë, Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, Batalionit të Kufirit, si dhe forca të shumta të çetave vullnetare, me në krye pushkatatët, siç quheshin në atë kohë, ata që mbanin armë me leje të Degës. Nisur nga kjo situatë ku ndodheshim, që nga ajo ditë që takuam atë burrin mbi fshatin Vukël (e enjtë 24 shtator 1986), e deri ditën që na kanë kapur, (e shtunë, duke u gdhirë data 3 tetor), pra kur vranë Sokolin dhe mua më kapën të gjallë, ne kemi ecur vetem natën dhe ditën rrinim të strukur nëpër shkurre, që të mos na kapnin, pasi krismat e armëve, lehjet e qenëve të kufirit dhe zërat e ushtarëve, herë herë i kishim shumë afër.
Po, me ça keni jetuar gjithë ato ditë?
Siç ju thashë, ne bleme disa gurabie, (ingranazhe) që kur u nisëm nga Kopliku dhe ato i racionuam, duke ngrënë nga një copë vetëm në darkë, sa me mbajt shpirtin gjallë. Po kështu, gjenim ndonjë pemë, si kumbulla dhe hanim apo e merrnim me vete, kështu kemi kaluar, gjithë ato ditë.
Si e kujton momentin kur ju kapën?
Ditën e premte, datë 2 tetor, ne kemi qenë afër vijës kufitare të Vermoshit, pa e ditur se jemi aty, por e kuptuam, se pamë dritat e Gucisë, në anën tjetër të kufirit dhe u gëzuam, pasi menduam se na erdhi momenti për të kaluar kufirin. Siç thashë, ne lëviznim vetëm natën dhe diku nga ora 01 e 30 të natës, pra duke u gdhirë 3 tetori, ishim diku në një shpat mali, që më vonë e morrëm vesh, se ishte vetëm 400-500 metra larg vijës së kufirit.

Gjelosh Gega nga Be Malësise Madhe

Ndërsa ishim duke ecur 10 hapa larg nga njëri tjetri, kemi dëgjuar thirrjet e ushtarëve të kufirit, që të ndalonim dhe menjëherë drejt nesh, është qëlluar me breshëri armësh automatiku. Instiktivisht, unë jam shtrirë barkas dhe jam futur në një shkurre dhe nuk lëviza më që aty. Prej atyre krismave, Sokoli mbeti i plagosur me disa plagë plumbi në trup, që e përshkuan tej e tej, pasi ushtarët që qëlluan, ishin shumë afër nesh. Ishte natë dhe nuk shikohej gjë, por unë dëgjoja qenin që lehte pa pushim, si dhe zëra që bërtisnin aty te Sokoli, ku ishin grumbulluar ushtarë, oficerë dhe civilë të armatosur. Ndërsa ata e morën Sokolin dhe u larguan në drejtim të postës, unë vazhdoja të rrija i shtrirë përmbys, te shkurrja ku isha futur, ku afro 20 minuta më pas, dëgjova qenin e kufirit, i cili m’u hodh në kurriz dhe kufitarët që erdhën dhe më lidhën.
Çfarë ju thanë ata në momentin e parë kur ju kapën dhe ku ju çuan më pas?
Ata fillimisht, pa më thënë asnjë fjalë, filluan të më godisnin me shkelma dhe me qytat e automatikëve, me sa fuqi kishin, pastaj më pyetën, si quhem, sa veta jemi, etj. Pasi më lidhën me tel, më dërguan te posta kufitare Bashkim, ku më kanë mbajtur deri në mëngjez, duke më rrahur në mënyrë çnjerzore. Me një elektrik dore metalik, më thyen të gjitha dhëmbët e dhëmballët që kishaq në gojë, aq sa unë mezi flisja, kur më pyesnin për ndonjë gjë.
Kur e mësuat ju se Sokoli ishte vrarë?
Për Sokolin që ishte vrarë, unë e kuptova që kur na qëlluan, pasi nuk ja dëgjova më zërin të më fliste, siç ndodhte kur ishim në situata pak a shumë të tilla, gjatë atyre ditëve, pra kur dëgjonim plumbat që na vërshëllenin fare afër nesh. Po kështu, e kuptova se Sokolin e shkretë e kishin vrarë, nga që ushtarët e oficerët nuk po qëllonin më dhe ata rrinin në këmbë aty, se ndryshe, do rrinin nëpër pozicione, duke qëlluar, siç bënë në fillim. Të nesërmen në mëngjes, ata më thanw; hajde ta shikosh shokun twnd, se sa mirë është dhe më nxorrën në oborrin e Postës Kufitare, ku kishin vënë trupin e pajetë të Sokolit, të larë në gjak. Pas kësaj, më afruan dhe mua aty, duke na a hipur në një makinë “ZUK” me karroceri, ku na lidhën me tela të dy dhe anash nesh, disa ushtarë dhe oficerë që na godisnin me shkelma përsëri.
Ku ju dërguan?
Nga aty, na nisën për në Shkodër, por, pasi na ndaluan në Tamarë, Bajzë e Koplik, ku kishin mbledhur popullin që më përpara, duke u mbajtur mitingje me fjalime, ku na shanin, duke thënë; “Armiq të popullit”, “tradhëtarë e kriminelë” etj. Përveç kësaj, në ato mitingje, vinin edhe njerëz nga populli aty te “Zuku”, ku ishin ne të dy të lidhur dhe na shanin e na pështynin. Pas kësaj, pra pas këtyre mitingjeve demaskuese, na dërguan në Degën e Brendshme të Shkodrës, kur ndaj meje, filloi hetuesia dhe më pas gjyqi.
Për çfarë ju pyesnin gjatë hetuesisë, a ju keqtrajtuan më aty dhe kur dolët në gjyq?
Hetuesia pak ditë vazhdoi, pasi mua më kapën në flagrancë dhe i pranova të gjitha, pra se doja të arratisesha, pasi nuk kisha rrugë tjetër. Në hetuesi, nuk më goditën më, por presione pata shumë, pasi ata donin të dinin, se përveç me Sokolin, kush kishte tjetër dijeni, për planin tonë të arratisjes, pra më pyesnin për Prek Nilin, sepse, ata kishin pyetur në Vlorë, se kush tjetër kishte ardhur me leje ato ditë në Shkodër. Unë nuk pranova asnjëherë, se Prek Nili kishte lidhje me ne dhe kështu ai i shpëtoi burgut. Po ato ditë, që isha në hetuesi në Shkodër, mua më morën një ditë dhe më çuan pranë repartit tim, në Vermik të Vlorës, për të më demaskuar, siç thuhej atëhere, por në fakt, për të terrorizuar ushtarët e tjerë, që mos t’u shkonte mëndja me marrë një veprim të tillë, siç kisha bërë unë me Sokolin. Gjatë asaj mbledhje demaskuese, oficerët kishin mësuar dhe detyruar disa ushtarë, që u ngritën dhe folën kundër nesh, duke na quajtur “tradhëtarë e kriminelë”, etj. Pas kësaj, më kthyen përsëri në Shkodër, ku më nxorrën në gjyq, i cili u zhvillua te Divizioni i Shkodrës, ku më dënuan me 16 vjet burg, me akuzën “tradhëti të lartë ndaj atdheut dhe shmangie nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak”.
Ku e vuajtët dënimin dhe kur jeni liruar nga burgu?
Nga Dega e Brendshme e Shkodrës, më dërguan në “Kaushin” e Tiranës (Burgu 313), dhe nga aty në Spaç, ku kam qëndruar deri në vitin 1990, ku me rastin e vizitës së Perez De Kuelar në Shqipëri, na hoqën nga aty dhe na dërguan në Shën Vasi të Sarandës, nga ku u lirova në fillimin e vitit 1991.
Kur u gjetën eshtrat e shokut tuaj, Sokol Vreshtit dhe a keni pasur rast të takoheshit me ndonjë nga ata që patën marrë pjesë në kapjen tuaj dhe vrasjen e Sokolit?
Eshtrat e Sokolit u gjetën nga fundi i vitit 1991 dhe familja e Sokolit më dërgoi fjalë, pasi unë mbajta kontakte të rregullta me ta, por fatkeqësisht, nuk munda të marrë pjesë në atë ceremoni, pasi atë ditë, ndodhesha në Vlorë, për të marrë disa materiale ndërtimi me një makinë, pasi axha im Nik Gega (sot është 90 vjeç në SHBA-ës) që ishte në Amerikë, financoi ngritjen e rregullimin e Kishës së Bogës. Ndërsa nga ata që kanë marrë pjesë në kapjen time apo vrasjen e Sokolit, nuk kam takuar njeri dhe as kam dashur t’i takoj, pasi çfarë mund t’ju thosha?! Njëri prej tyre, që u bë më vonë edhe në detyrën e Shefit të Komisariatit të Malësisë së Madhe, më dërgoi fjalë me një person, që të shkoja ta takoja, por nuk pranova. E kam mbyllur atë kapitull, pasi nuk kam çfarë të bëj tjetër.
Po gjatë këtyre viteve, a keni shkuar ndonjëherë në SHBA-ës, për të cilën rrezikuat kokën, ju vranë shokun tuaj më të ngushtë dhe vuajtët në burg?
Nuk kam shkuar, pasi nuk na lanë hallet e shumta, që nuk na janë ndarë as sot.
Z. Gjelosh, ju falenderojmë shumë për intervistën dhe që pranuat të flisnit për këtë ngjarje të rëndë të jetës suaj.
Faleminderit ju që që po merreni me këto punë dhe me këtë ngjarje, pasi askush deri më sot, nuk është kujtuar për një gjë të tillë.

Dashnor Kaloçi

** Kjo interviste është publikuar në gazetn FJALA në Shqiperi me titull; “Intervista: “Më lidhën me tela, me shokun tim të vrarë, në fshatra na pështynte populli”. Autori i shkrimit është gazetar i njohur në Shqiperi,ka bërë një pune me shume vlera dhe me shume ndershmeri me arkivat dhe në publikimin e dokumetave arkivor historik. Ai pervec se ka botuar ne organe shume të rendesishme te shtypit shqiptar por edhe në media audiovizive.Eshte pronar i portalit te rendesishem MEMORIE.AL