Rama, Berisha, Meta dhe frika nga e vërteta

0
278

Nga Enton Abilekaj

E vërteta nuk jep aq para sa mund të japë Edi Rama, Sali Berisha, apo Ilir Meta, për të gënjyer, por të paktën garanton integritetin e personit që zakonisht është gazetar që e ka për detyrë.

Kur kryetari i opozitës, del në konferencën e katërt rresht dhe, në vend të ndjenjës së fajit për atë që nuk arriti të bënte, akuzon këdo që ia thotë të vërtetën, është e qartë se asgjë nuk do ndryshojë dhe të hënën pas zgjedhjeve të 2025 do rifillojë të njëjtën gjë.

E para; opozita nuk ka asnjë arsye t’i njohë zgjedhjet dhe për këtë nuk ka diskutim. Hedhja e këtij diskutimi për të ndarë më keq faktorët opozitarë, duke i akuzuar si të Ramës, tregon vetëm mungesën e dëshirës për të ardhur në pushtet nëpërmjet bashkimit.

E dyta; Ato që ndodhën në zgjedhje ishin të papranueshme, shkatërrimtare për procesin, por të paralajmëruara. Pati shumë pak metoda të reja të manipulimit të zgjedhjeve, të tjerat ishin po ato me të cilat janë manipuluar zgjedhjet e mëparshme nga Edi Rama, por opozita nuk kishte marrë asnjë masë.

E treta; është për të ardhur keq kur kryetari i opozitës denoncon ngjarje si orientimi i gabuar i votimit elektronik dhe nuk shpjegon pse opozita nuk ua shpjegoi votuesve si duhet të votonin, por i la në mëshirën e FRESH-istëve në qendrat e votimit? Pse nuk i shoqëroi, pse nuk i përgatiti? Pse komisionerët prezentë i lejuan të orientoheshin nga FRESH-istët?

E katërta; dje dhe sot, përfaqësuesit e PD-së përmendin shifrën zyrtare të 180 mijë votuesve që nuk arritën të ushtronin të drejtën për shkak të listave. Kjo serviret si e dhënë zyrtare, por opozita vetë nuk ka asnjë të dhënë edhe pse lista e zgjedhësve ka dalë 3 muaj përpara zgjedhjeve, me 1.3 milionë votues të shpërngulur nga qendrat e tyre. Si shpjegohet që PS ishte në çdo qendër dhe PD në asnjë për të orientuar votuesit?

E pesta; është për të ardhur keq kur kryetari i opozitës dhe eksponentët e saj nuk kanë përgjigje për përballjen me manipulimin, ndërsa një forcë e re si Lëvizja Bashkë e ka, ndërsa një gazetar apo qytetar i angazhuar e di mirë se si. Kjo tregon që, ose opozita nuk e ka vënë ujin në zjarr, ose është e paaftë për t’u përballur me makinerinë manipuluese të Edi Ramës.

Dhe kur nuk përballon dot makinerinë, nuk bind dot as qytetarët të marrin pjesë masivisht në zgjedhje që manipulimi të bëhet më i vështirë, kur nuk i mbledh dot qytetarët për të protestuar pas manipulimit dhe kur nuk bind asnjë zyrë të huaj të reagojë për manipulimin, do të thotë që nuk ka zgjidhje për të ndalur qëllimin e Pushtetit për t’u bërë i përjetshëm.

Nëse nuk zgjidhet kjo, është shërbim për Edi Ramën, nëse akuzohen ata që e thonë këtë është shërbim për kalbëzimin opozitar që e mban Edi Ramën përjetësisht në pushtet. Nëse sot, pas masakrës së pritshme elektorale, diskutohet jo për atë që dihej, por për atë që nuk u bë për ta ndaluar, do të mund të ketë në 2025 një opozitë më të fortë, një regjim më të dobët dhe ndoshta një reagim popullor dhe ndërkombëtar që ta detyrojë të largohet