Ristani: Ja si regjistrohet PD në zgjedhje

0
315

Ristani: Situata është shumë e komplikuar. Rama në mënyrë konsistente dhe të qartë ka marrë të gjitha masat që PD ta lërë jashtë zgjedhjeve sepse nuk do të përballet me të në zgjedhje por do ti marri në tavolinë siç i mori në 2019 në bashkëpunim me Bashën dhe bashkëpunimi i tyre vazhdon.

Vini re në mënyrë të qartë një taktikë që ata zgjodhën për të shpikur Alibeajn si një kryetar të komanduar apo të autorizuar të PD. Unë personalisht në daljet e mia në media e kam theksuar se Alibeaj është një prodhim mediatik me termin kryetar i komanduar apo i autorizuar i PD dhe sot ju e patë dhe të konfirmuar nga komisioneri që unë kam pasur të drejtë në konstatimet e mija. Madje besoj që padashje media i ka shërbyer kësaj taktike të Ramës vetëm se Enkelejdi ndihej si kryetar dhe ju si media e keni trajtuar si kryetar të komanduar në retorikën tuaj dhe kjo e ka ndihmuar Ramën për të krijuar këtë mjegullnajë e cila sot sqarohet dhe duket qartë se është një bashkëpunim i Ramës me Lulzim Bashën i cili po rishfaqet në skenë.

Ju kujtoni deklaratat e Ramës në Parlament ndaj Bashës ku i thoshte se unë ty të dua, unë me ty dua të punojë etj. etj. dhe vazhdon ky dualitet i tyre që Rama të mbajë pushtetin dhe të mos ndeshet në zgjedhje me PD.

Regjistrimi i PD është ndikuar nëpërmjet gjykatës në mënyrë që gjykata ta mbante zvarrë këtë çështje për vite dhe të mos e zgjidhte konfliktin brenda PD.

Sot gjykata jo vetëm që e ka kthyer çështjen për rigjykim të pazgjidhur por ende nuk ka nxjerrë arsyetimin e vendimit se përse e prishi regjistrimin e PD.

Nga njëra anë kemi një Kuvend të PD e cila ka prodhuar një vendimmarrje e cila është në fuqi të cilën nuk e ka kundërshtuar asnjë por kjo vendimmarrje është penguar të regjistrohet në regjistrin e partive politike në gjykatë.

Nga ana tjetër kemi një kryetar si Lulzim Basha që është dorëhequr publikisht por që vazhdon të mbetet në regjistrin e partive politike dhe nga ana dokumentare komisioneri i zgjedhjeve ka të drejtë pasi ai i referohet vendimit të partive politike dhe merr këtë lloj regjistrimi.

Por çfarë do shkaktojë kjo në fund? Ai i dha dy ditë kohë Bashës që të plotësojë dokumentacionin.

Dhe tani presim që o Basha do dalë një gënjeshtar dhe të thotë ju kam gënjyer nuk dhashë dorëheqjen por vazhdoj kryetari i PD me mendjen time apo të ndjehet siç ndjehej Enkelejdi dhe të vazhdojë të firmosi i kryetar i PD o Basha të bëj atë që bëjnë njerëzit me integritet dhe të thotë që unë nuk çfarë të firmos se kam një vit e ca që kam dhënë dorëheqjen dhe nuk jam më kryetar i PD.

Por nëse ndodh kjo athëherë ndodhemi para një diskutimi se si duhet të regjistrohet PD në zgjedhje dhe a duhet të regjistrohet apo jo. Dhe këtu kemi një konfuzion nga pikëpamja e dokumentacionit dhe është vërtetë e vështirë për komisionerin që o të regjistrojë një kryetar të dorëhequr dhe që mund të mos e firmosi dokumentacionin që ai kërkon, o të regjistrojë formacionin sipas vendimit të Kuvendit që nuk është regjistruar në regjistrin e partive politike.

Unë mendoj se e vetmja rrugë për ta kapërcyer këtë është ti referohemi direkt Kushtetutës, ti referohemi lirive dhe të drejtave të njeriut, lirive dhe të drejtave politike ku qytetarët kanë të drejtë të organizohen lirshëm në formacione politike sipas vullnetit të tyre që nuk është i ndikuar nga pushteti dhe një liri e tillë është zbatuar te anëtarësia e PD duke bërë Kuvendin dhe është shprehur nëpërmjet vendimeve që kanë marrë.

Nëse Celibashi do ti referohet direkt Kushtetutës, ai do ta kapërcejë këtë konfuzion që Rama ka krijuar nëpërmjet gjykatës e cila ka penguar regjistrimin e PD dhe kështu mund tu japë shqiptarëve zgjedhje kompetitive pra zgjedhje konkurruese ku forcat politike garojnë lirshëm në një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë.

Përndryshe duke rënë nën grackën e Ramës i cili nëpërmjet gjykatave ka penguar regjistrimin e PD atëherë do të ndodhemi në zgjedhje pa palë kundërshtare, ku nëpërmjet gjykatës shmanget liria kushtetuese që shqiptarët kanë për tu organizuar lirshëm në partitë politike që ata dëshirojnë.