Monumentet e kultit katolik në Anë të Malit

0
287
Foto: Dom Viktori, Kisha e Shën Prendes në fshatin" ne Kllezen Nalt".

Gjekë Gjonaj

 Në Anë të Malit  rrethanat historike kanë bërë të mundur  të kultivohen dhe  bashkëjetojnë tri komunitetet fetare,  katolikë,  myslimanë dhe ortodoksë. Këta të fundit janë një komunitet  fare i vogël, prandaj    ata në këtë zonë me shumicë dërmuese  të popullsisë  të besimit islam  nuk kanë   objekte të tyre fetare.

Gjurmët kulturore të  besimit  katolik  janë pasqyruar në ndërtesat e kultit si edhe në objektet e ndryshme fetare  në Shas dhe në Famullinë e Klleznës , të cilat përveç se janë dëshmi e kultivimit të besimit fetar, përfaqësojnë edhe vlera të jashtëzakonshme artistike dhe kulturore për  trevën  dhe për gjithë trashëgiminë kulturore.

Besimtarët katolikë,  islamë dhe ortodoksë   të Anës së Malit në vazhdimësi i kanë kushtuar rëndësi  fesë  dhe kanë  ditur  të vlerësojnë, ruajnë dhe të ndërtojnë  objektet e  tyre fetare. Kisha dhe xhamia, apo shtëpia e Zotit,  është ajo që i lidhi anamalasit   të besimit islam  dhe katolik   me  Krijuesin – Zotin  –  Allahun.

Objektet e kultit  në Famullinë e Klleznës

Materialet dokumentare kishtare,  burime të tjera të shkruara, dhe gojëdhënat që janë ruajtur dhe tregohen nga   banorët e   moçëm vendas,   shprehin zhvillimin e jetës kulturore të Anës së Malit  edhe nëpërmjet ngritjes së  disa  objekteve të  kultit  në Famullinë e Klleznës me vlera arkitekturore dhe artistike. Përveç rëndësisë që  paraqesin   në aspektin fetar, objektet e kultit të kësaj famulli  janë në qendër të interesit të vizitorëve vendas dhe të huaj. Thuhet se në Kllezën ka pasur   shumë kisha, kurse tani janë tri, një në Kllezën Poshtë dhe  dy të  tjera në Kllezën  Nalt.

1.Kisha e Shën Gjon Pagëzuesit 

Kisha  famullitare e Shën Gjon Pagëzuesit,  në Kllezën Poshtë  (Klleznën e Poshtme), sipas dokumenteve kishtare të shkruara në Monografinë  e Argjipeshkvisë së Tivarit, është ndërtuar  në kohën e famullitarit Zef Kiri ( 1864-1872). Aty thuhet se kjo kishë  të cilën   klleznorët e quajnë  Kisha e Shëngjinit,  është rindërtuar në vitin 187o, ndërsa është   rinovuar në vitin 1888 dhe më vonë. Për shkak të dëmtimeve  të mëdha të  shkaktuara  të kishës nga tërmeti i vitit 1979,  shërbimet liturgjike janë  kryer në  kishën  me qelën e vogël   barakë , dhuratë e Karitasit gjerman,  në vitin 1980. Rindërtimi i kësaj kishë, me nismën e  Imzot Sinom Filpaj I dhe Ordinariatit të Tivarit  ka përfunduar  më 30 maj 1998 në praninë e bamirësve  nga Gjermania ( Famullia e Shën Chritophor-it).

2.Kisha    e varrezave- Shna Prendja

Kishëza  e Shën  Prendes  në Kllezën  Nalt  ka qenë   kishë varresh dhe është quajtur vendi i bekuar i varreve. Edhe këtë kishë famullitare e ka rrafshuar krejtësisht tërmeti.   Kishëza  e re e mjaft e bukur e  Shna Prenës u ndërtua   me mjetet financiare të klleznorëve   në mërgim  në Shtete të Bashkuara të Amerikës, Australi  dhe klleznorëve  që jetojnë në Komunën e Ulqinit  në vitin   2002. Rreth  kësaj kishëze, të cilën e kanë  rrënuar dy tërmetet e fundit të fuqishëm, janë  janë varrezat e klleznorëve të punuara me  gurë të lashtë e  të gdhendur    dhe me mermer të rrethuara me mur betoni.  Kjo kishë e cila hijeshon fshatin e vogël Lulaj-Kosiq, ka një kryq në maje punuar prej mermeri të bardhë, kurse  sipërfaqet e varrezave pranë saj janë zmadhuar duke  duke i shtuar njëpjesë të tokës përreth që, siç shkruan. Rrok Mark Dush Shkreli në librin e mtij “ Në valët e jetës”, ia ka falur kishës e shoqja  e Gjon Tomë Harapit.Kishën dhe murin rrethues, sipas këtij burimi, e ka punuar punëmarrësi Ndoci i Filip Ndocit Filipaj prej fisit të Markushejve të Klleznës Poshtë.

3.Kisha e Shën Nikollës

Kjo kishë e cila ndodhej  në  një kodrinë sipër  fshatit Kosiq, poshtë malit të Millës,  në  fshatin e vogël Lulaj , sipas  shënimeve të Dom Simon Filipaj I marrë nga një besimtar i besimit islam, është  kisha më e vjetër  e Anës së Malit. Kisha e re   ( kushtuar Shën Nikollës)  u ndërtua në themelet e kishës së vjetër  me   donacione të   mërgimtarëve lulanjorë gjatë viteve 2007-2008 .

  1. Famullitarët e Famullisë së Klleznës

Kllezna  rregullisht   ka pasur meshtarin    e vet, ndërsa në raste të rralla  të mungesës së  tij,  famullinë e kanë administruar  famullitari  i Shëngjergjit ose i Ulqinit. Famullitarët që kanë shërbyer në këtë famulli, siç thuhet në Monografinë e Argjipeshkvvisë  së Tivarit, janë si vijon:

Dom Antoni ( 1851);

Dom Mikel Shirqi ( 1864);

Dom Zef Kiri (1867-1872);

Dom Gjon  Shkreli;

Dom Mikel Shirqi ( 1879);

Dom Anton Mjeda ( 1882);

Dom Nikollë Gojani ;

Dom Gjon Bushati ( 1888);

Dom Nikollë Radovani ( 1892);

Dom Pjetër Shkreli? (1894 -1898);

Dom Luigj Kroçi ( 1898-1899);

Dom Mikel Shirqi ( 1899-1911);

Dom Nikollë Radovani (1912-1914);

Pater Alberto Espozito  ( 1915-1916);

Dom Ndre Plani ( 1016-1921) i varrosur në varrezat e Klleznës Nalt

Dom Luigj Zojzi   ( 1921-1922);

Dom Pala Marvuliq ( 1922-1927);

Dom Nikollë Tusha ( 1927-1933);

Dom Jak  Llukiq ( 1933-1943);

Dom Josip  Kosanoviq ( 1943-1951);

Pater Anselm Marstjepaj;

Dom Mark Bakoçeviq (1954—1966);

Dom Mark Kolloviq ( 1966-1970);

Dom Rrok Mirëdita ( 1970-1973);

Dom Simon Filipaj ( 1973-1999);

Dom Millorad Defar ( 1999-2000);

Dom Nikë Ukgjini( 2000-2003);

Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit ( 2004);

Dom Simo Luliq( 2005-2006);

Dom Robert Jakaj ( 2007-2009);

Dom Palush Gjinaj  ( 2009 e këndej );

Kishat në këtë zonë, sikurse edhe xhamitë  në të gjitha kohërat e mira, por edhe të vështira veçanërisht gjatë shekullit XIX ,dhe gjysmës së parë të shekullit XX , kanë  qenë edhe një vend takimi i krerëve  dhe burrave të urtë të Anës së Malit, me qëllim organizimin e mbrojtjes së kësaj treve që rrezikohej nga pushtues e lakmues të ndryshëm.

Kujtojmë se në këto tubime para kishave dhe xhamive  kanë marrë pjesë jo vetëm  besimtarë, por edhe atdhetarë  e nacionalistë të besimit  katolik e mysliman, vëllezër të  një gjaku, një gjuhe dhe një kombi.

Ajo që  i karakterizon anamalasit e të tri besimeve është respekti i ndërsjellë   që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë  me njëri-tjetrin .  Të gjithë e quajnë veten  anamalas , pa dallim besimi. Në mes tyre, pohojnë  përfaqësuesit e të tri besimeve  nuk ka pasur kurrë  mosmarrëveshje. Për të mirë dhe  për të keq, thonë ata,  kemi qenë  dhe do të jemi bashkë.