Gjeke Gjonaj
Ana e Malit është zonë e vlerave kombëtare e cila zë vendin e duhur në botën e kulturës shqiptare. Që ta njohësh folklorin e kësaj zone duhet të hysh në jetën e banorëve anamalas, të përjetosh nga afër realitetin e saj. Kjo trevë në tërësi ka krijuar dhe vazhdon të ruaj vlera të trashëgimisë etno-kulturore të zonave autoktone shqiptare. Ana e Malit paraqet një venbdbanim me interes nga pikëpamja kulturore. Në këtë aspekt ajo është shumë e pasur. Ka një thesar të pasur popullor. Brenda gjithë atij thesari ka shumë trashëgimi. Këngët, instrumentet muzikore, vallet popullore, kostumet me ngjyra, që rrezatojnë shpirtin e anamalasve, janë dëshmi e pasurisë shpirtërore te kësaj zone. Këto vlera kombëtare anamalasit i kanë ruajtur me fanatizëm nëpër shekuj, pavarësisht rrethanave jo të favorshme historike dhe trysnive të vazhdueshme politike , maltretimeve e diskriminimeve që i bëheshin kësaj popullate. Për ta forcuar identitetin e tyre kombëtar dashamirët vullnetarë të folklorit të kësaj zone , siç shkruan njohësi i mirë i trashëgimisë folklorike të kësaj trevë Haxhi Zeneli, në librin e tij “ Me këngë nga vendlindja në Amerikë” organizimet e para kulturore – artistike i nisën pas Luftës së Dytë Botërore në Shkollën Fillore “ Bedri Elezaga” në Katërkollë, ku drejtor i asaj kohe ishte Jonuz Divani , i cili nga banorët e kësaj zone vlerësohet si njeriu me kontribute dhe me merita më të mëdha në edukimin, arsimimin dhe emancipimin e tyre . Këto aktivitete me nxënës të drejtuesve dhe mësimdhënësve të kësaj shkollë i paraprinë një fillimi të mbarë të organizimit të jetës kulturore në Anë të Malit.
Shoqëria Kulturore – Artistike “ Buna”, pioniere e kulturës folklorike në Anë të Malit
Këtë vit kalendarik do të mbushen 54 vjet nga krijimi ( formimi) i Shoqërisë Kulturore-Artistike “ Buna” ( sipas emrit të Lumit Buna) , institucioni i parë amator kulturor i ngritur me nismën e disa veprimtarive dhe adhuruesve të shquar të asaj kohe të trashëgimisë kulturore, artistike të përcjellë ndër breza, të cilët dolën nga shkolla fillore e Katërkollës. Përkujtimi i kësaj ngjarjeje mendojmë se ka një rëndësi shumë të madhe për kulturën folklorike të anamalasve , sepse ky ansambël folklorik i vuri themelet e zhvillimit të jetës kulturore artistike në këtë trevë dhe bëri të mundur ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e folklorit anamalas përmes koncerteve e festivaleve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Pavarësisht nga kushtet shoqërore-historike në të cilat jetonin popullata e Anës së Malit në regjimin komunist – titist , i cili nuk i shihte me sy të mirë organizimet e këtilla kulturore të shqiptarëve në ish-Jugollavi, ky ansambël folklorik lindi si një nevojë jetike e organizuar vullnetarisht nga vetë anamalasit që bën çmos që të ruajnë vlerat folklorike kombëtare. Sipas Haxhi Zenelit SHKA “ BUNA “ u themelua në Katërkollë në vitin 1969 , kryetar i së cilës u zgjodh Elez Muça. “ Kjo shoqëri ishte e para në Anë të Malit, ku pasi punoi për disa vite rrethanat e asaj kohe bënë që të pushojë, deri në riaktivizimin e saj në janar të vitit 1978 me shfaqjen e një koncerti në hollin e Shkollës Fillore “ Bedri Elezaga “ në Katërkollë. Kjo shoqëri ka dhënë disa koncerte nëpër qendra të tjera gjatë kësaj kohe”, shkruan Zeneli.
Shoqëria Kulturore Artistike “ Lipoja”
Me një lule nuk çelë pranvera, thotë një fjalë e urtë popullore . Prandaj gjashtë vite më pas u formua Shoqëria-Kulturore – Artistike “ Lipoja” në vitin 1975 , në fshatin Krythë. Ajo e mori emrin e malit të lartë Lipoja në Anë të Malit. Punën e saj, siç pohon Zeneli, e udhëhoqën Musa Pali, arsimtar i gjuhës shqipe dhe Ramazan Bërkani ( aktor i teatrit të Gjakovës).
Artdashësit e tubuar në këtë ansambël më punën e tyre vullnetare dëshmuan vlerat e çmuara të trevës në fushën e artit folklorik dhe kulturës sonë kombëtare, bukurinë dhe larminë dhe e kostumeve popullore, simfoninë e instrumenteve popullore , që dëshmojnë lashtësinë e shpirtit artistik të anamalasve.
Shoqëria Kulturore Artistike “ Zgjimi”
Tri vite pas themelimit të shoqërisë së dytë kulturore – artistike në Anë të Malit fillon punën edhe një shoqëri e re për ruajtjen e trashëgimisë folklorike. Në verën e vitit 1978, disa studentë që studionin në Universitetin e Prishtinës u organizuan dhe në dhjetor të atij viti themeluan SHKA “ Zgjimi”. Kryetar i kësaj shoqate u zgjodh Zija Kraja, nënkryetar Faik Avdiu dhe sekretar Junuz Ujkashi . Siç mësuam nga njëri prej bartësve të veprimtarisë dhe aktiviteteve të kësaj shoqërie Gjlaver Avdiu, këta të rinj entuziastč, plot vullnet e energji, pas shumë provave çdo pasdite në mjediset e shkollës fillore në vitin 1978 shfaqën koncertin e parë për banorët e Bashkësisë Lokale të Sukubinës. se “ SHKA “ Zgjimi” , e përbërë nga grupi i djemve dhe vajzave shfaqi me sukses koncerte në të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi, si në Sukubinë, Katërkollë, Ostros, Tuz e Ulqin, pastaj në Festivalin Republikan Folklorik, në Festivalin Ballkanik të Folklorit në Ohër etj. Ajo i befasoi edhe përfaqësuesit e strukturave udhëheqëse komunale dhe republikane, të cilat dolën me vlerësime se veprimtaria e saj nuk përkonte me frymën e vëllazërim-bashkimit jugosllav dhe si e tillë duhej hetuar nga Administrata e Sigurimit Shtetëror të UDB-ës jugosllave, e cila filloi t’i thërrasë në biseda informative themeluesit dhe anëtarët e kësaj shoqërie, gjoja për të gjetur armiqtë e vërtetë të cilët ishin të indoktrinuar nga irendentistët kosovarë”, shkruan Avdiu në librin e tij “ Pishtarët e lirisë”.
Teatri për fëmijë “ Zgjimi”, ringjalli artin skenik
Në kuadër të SHKA “ Zgjimi” nga Sukubina, nga viti 1996 -2000 , me mjaft sukses ka vepruar edhe Teatri për fëmijë, i pari dhe i vetmi këtij lloji në trevat shqiptare në Mal të Zi. Falë vullnetit dhe entuziazmit të Shefqet Lucës , regjisor i këtij teatri dhe aktor shumëvjeçar amator në trupat teatrore “ Sandër Prosi” dhe “Aleksandër Moisiu” të Mitrovicës , me rreth 50 fëmijë të moshës 5-13 vjeçare, ringjalli artin skenik jo vetëm në këtë lokalitet kufitar, por edhe në Komunën e Ulqinit. Gjatë punës së vet, siç na njoftoi regjisori dhe aktori Luca, ky teatër ka vënë në skenë tri shfaqje premierë: “ Me Lizën në pritje të Vitit të Ri” ( dhjetor 1996), “ Një zemër e humbur” ( maj 1997) dhe “ Klasa e çapkënëve” ( prill 1998) me të cilat është prezantuar para publikut vendas dhe mbarëshqiptarë.
Këto tri shoqëri kulturore-artistike në atë kohë patën një veprimtari të dendur artistike. Koncertet e shfaqura në të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi u pritën shumë mirë nga shikuesit. Mirëpo pas vitit 1985 filloi rënia ose një pasivitet i këtyre shoqërive. Në pasivitetin e tyre ndikuan demonstratat e vitit 1981 në Kosovë , pas të cilave edhe në Anë të Malit filluan të ashtuquajturat “diferencime” politike, nga e cila valë e pësuan edhe disa nga anëtarët e këtyre shoqërive, kurse disa të tjerë u detyruan të pezullojnë ose ta pakësojnë veprimtarinë e vet.
Shtojmë se aktualisht në Anë të Malit në mënyrë aktive nuk vepron asnjë shoqëri kulturore-artistike. Tri ansamblet e para f0lklorike bashkë me tetarin për fëmijë janë shuar, kurse dy shoqatat e fundit kulturore-artistike “ Tradita” dhe “ Ana e Malit “ figurojnë vetëm në letër. Për ringjalljen e tyre duhet një mbështetje e qëndrueshme financiare.