BAMIRËSI, MARK NIKOLLË PJETRUSHI, VAZHDON ME KONTRIBUTET E VETA NË MALËSI

0
250

Shkruan, Gjokë DUKAJ

Të shkruash dhe të shënosh për ngjarje dhe aktualitete të shumta nga trevat tona, është
obligim, sidomos për njerëzit e medias, në veçanti për vepra bamirësie të cilat meritojnë të
shënohen dhe të shkruhen në kronikat më të bukura të një populli. Për fat të mirë, njerëzit tonë kudo, janë dalluar për solidaritet dhe vepra të humanizmit, pavarësisht, por parim kryesor ka qenë dhe mbetet, gjithherë, të ndihmojnë njerëzit në nevojë. Në trevat tona, në vazhdimësi, nevojat kanë qenë të shumta pasi kemi jetuar në rrethana të ndryshme të zhvillimit të kufizuar të kushteve të jetës. Por, falë njerëzve qëllimmirë, bashkëvendësve tonë që jetojnë në mërgim dhe dashurisë së tyre ndaj vendlindjes, nuk kanë munguar asnjëherë mbështetja vëllazërore për nevojat e shumta në këto treva, për bamirësinë dhe ndihmën e madhe të njerëzve tonë për të afërmit, të njohurit dhe për tokën e të parëve të vet.
Shpeshherë, shkrimet e tilla shkaktojnë emocione të thella jo vetëm për autorët e teksteve për veprat e tilla por edhe për ata që i lexojnë, sidomos ata që jetojnë larg vendlindjes, në mërgim, sepse ato na kujtojnë vendlindjen, të kaluarën dhe mallin për tokën e të parëve. Kënaqësi e veçantë është kur njeriu gëzon botën e fëmijëve, ata që janë e ardhmja e vendit dhe e çdo kombit dhe të cilët gjithmonë ëndrrojnë botën më të bukur. Ishte vërtet kënaqësi kur këtyre ditëve në prag të festave të fundvitit shehë fëmijët tanë me dhurata në duar nga njerëzit bamirës, nga ata të cilët i bëjnë këto veprime nga zemra e tyre e madhe, nga zemra e tyre e gjerë për të shkaktuar qoftë edhe një buzëqeshje në fytyrën e ndritur të fëmijës. I tillë është edhe shembulli i bashkëvendësit tonë Mark Nikollë Pjetrushi Lulgjuraj, me familjen e vet, i cili jeton dhe punon në SHBA, por që me veprat e veta bamirësie është i pranishëm kudo në vendlindjen e vet, por edhe më gjerë. Para pak ditësh, falë donacionit të tij, të gjithë fëmijët nga fshatrat e rranxë Sukës, morën nga një dhuratë për festën e fundvitit nga Mark Nikolë Pjetrushi dhe, siç na njoftoi Mark K. Lulgjuraj, i cili bëri ndarjen e këtyre dhuratave, këtë vit ishin më tepër se 80 fëmijë që do të thotë edhe dhjetë fëmijë më shumë se vitin e kaluar. Unë, edhe vitin e kaluar kurë bëra një shkrim modest për të njëjtin rast citova fjalët e donatorit, Mark N.Pjetrushi, i cili më tha në një rast se “gjatë çdo vizite në fshatrat e Malësisë, kujtoj me mallë fëmijërinë time prandaj dëshiroj nga zemra ime që me nga një dhuratë modeste t’i gëzoj ata”.
Por në vitin që po lëmë pas, Marku, vazhdoi gjithnjë të ndihmojë dhe të përkrah kudo që ishte nevoja. Kontributet e tij janë të mëdhaja dhe të shpeshta, por unë dua të veçoj përkrahjen e tij dhënë shkollave tona dhe nxënësve tanë të cilët vijojnë mësimin e rregullt në shkollë. Jo shumë kaherë, pata rastin të prezantoj dorëzimit të donacionit nga Mark Nikollë Pjetrush Lulgjuraj, për shkollën fillore “Bashkimi”, në Skorraq ( afër Tuzit), kurse para disa kohe, ai, ndihmoi shkollën nëntëvjeçare “29 Nëntori”, në Dinoshë ( afër Tuzit), për nevojat e nxënësve të këtushëm në ndjekjen e mësimit të rregullt. Ndërkohë, pas ai po ashtu, gjatë këtij viti njëjtë ndihmoi edheshkollën e mesme “25 Maji” në Tuz, si dhe shkollën nëntëvjeçare, “Mahmut Lekiq”.

Marku, duke vazhduar me kontributin humanitar, para disa ditësh, dërgoi një shumë të
konsiderueshme mjetesh edhe për objektin e shkollës fillore në Vuksanlekaj. Nxënësit edhe
mësimdhënësit në këto shkolla, i janë mirënjohës këtij dhe të gjithë bashkëvendësve tonë që jetojnë në mërgim për kontributin në vazhdimësi në zhvillimin dhe përparimin e jetës në
vendlindje, të vetëdijshëm për nevojat e shumta të banorëve në tokën e të parëve. Me këtë
rast, veçova shembullin e Mark Nikollë Pjetrushit Lulgjuraj, dhe familjen e tij, të cilët vite me radhë, ka ndarë me qindra mijëra dollarë amerikan, për nevoja të ndryshme, për individ dhe familje në nevojë, për fëmijë të shumtë në prag të festave të fundvitit, për nxënës e student dhe për objekte të ndryshme të infrastrukturës. Veprat e këtilla bamirësie, janë shembull i dashurisë për vendlindjen dhe i zemërgjerësisë për njerëzit në nevojë, andaj do të ishte mirë që institucionet vendore me rastin e ndarjes së çmimeve vjetore, tu japin mirënjohjen e merituar personave të tillë, në mesin të cilëve është edhe bashkëvendësi ynë i cili jeton e punon në mërgim, Mark Nikollë Pjetrushi. Aq më parë, pasi një veprim i tillë është mirë të kultivohet edhe në gjeneratat që vijnë e të cilët do të gëzojnë frytin dhe kontributin njerëzve tonë kudo, atyre të cilët me përkushtim vazhdojnë veprat e bamirësisë
Urojmë që veprat e ngjashme të njerëzve bamirës dhe zemërgjerë të jetojnë përjetësisht dhe të ruhen e kultivohen nga brezi në brez, ashtu siç veprojnë bashkëvendësit tonë kudo që jetojnë, kjo traditë e njohur nga lashtësia dhe e cila vazhdon gjithnjë. Mark Nikollë Pjetrushi, vazhdon t’i jetë besnik këtyre virtyteve, dashurisë dhe mallit për vendlindjen e vet