Gjekë Gjonaj
Një nga prodhuesit më të vyeshëm dhe më të rinj bujqësor në trevën e Anës së Malit është Abedin Veliqi, nga fshati Fraskanjel- Komuna e Ulqinit, i cili kultivon shalqinj dhe pjepër. Derisa shumica e bashkëfshatarëve të tij janë larguar nga ky fshat pranë lumit Buna në kufi me shtetin amë – Shqipërinë, në kërkim të një jete më të mirë, Abedini i mbeti besnik vendlindjes dhe është përcaktuar për profesionin e ndershëm të bujkut edhe pse shumë vite është marrur me muzikë, e cila, përveç fitimit, i ka mundësuar pjesëmarrje në shumë dasma e ahengje familjare, jo vetëm në Komunën e Ulqinit por edhe jashtë shtetit. Rruga që ka zgjedhur Abedin Veliqi është një mënyrë mjaft e mirë për të jetuar në këtë vend e për të siguruar të ardhura të kënaqshme, me të cilat bleu truallin dhe ndërtoi shtëpinë e re në Fushë të Ulqinit.
Nuk donte të punonte për të tjerët, kur mund të punonte për veten e tij
Ky fermer i suksesshëm vjen nga një familja e cila ka jetuar nga bujqësia , ndaj ishte e logjikshme që edhe kjo të ishte zgjedhja e tij. Ky punëtor i madh 42 vjeçar vazhdoi traditën e familjes së tij duke përmirësuar prodhimin, duke e përshtatur atë me trendet moderne. Ai është marrë me prodhimtari bujqësore që në fëmijërinë e hershme dhe ka gati 30 vjet që kultivon shalqi dhe pjepër. Vitin e kaluar i kanë vdekur të dy prindërit të cilët si fëmijë e merrnin me vete për të punuar në punët bujqësore. Edhe pse ishte djalë i vetëm, prindërit e tij si foshnje e angazhonin t’u ndihmonte atyre në punët e përditshme. Kjo shprehi pune që e mori si fëmijë, ngjalli tek ai dashurinë për punën që bën sot, e cila i ka mundësuar familjes së tij një jetë të rehatshme dhe të mirë, që nuk ia ka lakmi askujt, madje as atyre që ikën për të punuar tokat e botës.
Fermerin e ri plot energji e shqetëson fakti se të rinjtë çdo ditë po largohen nga vendi dhe po u vazhdua në këtë ritëm nuk do të ketë kush të punojë e as të konsumojë prodhimet. Këtë fat të hidhur po e përjeton edhe Fraskanjeli, ku kanë mbetur vetëm 3-4 shtëpi, kurse tokat janë lënë djerr. “ Pse të punosh për tjetrin, kur mund të punosh për veten tënde’” , pyet me shqetësim Veliqi.
Produktet cilësore, tregu i sigurt dhe fitimet e kënaqshme
Familja pesë anëtarëshe Veliq, këtë verë ka mbjellë 3.5 hektarë shalqi dhe 1.5 hektarë pjepër. Prodhimi i këtyre kulturave bujqësore është një biznes shumë dinamik dhe prodhimi i suksesshëm kërkon përkushtim të madh dhe organizim të mirë. Ndihma e madhe e Abedinit në këtë punë është gruaja e tij Anida, djali Eldari( 13 vjeç) dhe vajzat Arisa( 14 vjeç) dhe Esra ( 6 vjeç) . Edhe pse 80 për qind të punës në ara e bënë me familjen e tij, kur fillon mbjellja dhe vjelja duhet të punësojë fuqi shtesë. “E gjithë familja është e përfshirë në këtë punë, por ne nuk kemi kohë të mjaftueshme për të punuar vetëm , kështu që punësojmë tre-katër punëtorë për mbjellje dhe vjelje gjatë verës. Punëtorët janë nga Shqipëria, të cilët punojnë tek ne një kohë të gjatë tashmë . Shalqirin dhe pjeprin e kultivojmë në ambiente të hapura, kurse këtë vit edhe në tri sera. Falë kësaj shpërndarjeje, shalqiri dhe pjepri i parë kanë mbërritur në treg rreth datës 20 qershor dhe janë vjelë deri më 25 shtator. Sivjet kemi prodhuar rreth 250 tonë shalqi dhe 50 tonë pjepër. Ky vit nuk ishte pjellor si vitet e kaluara për shkak të thatësirës së madhe. Në disa parcela rendimentet ishin afërsisht të njëjta me ato të mëparshmet , në disa rendimenti ishte më i vogël, kurse cilësia e produkteve bujqësore ka qenë e klasës së parë. Kjo ka ndikuar në shitjen e sigurt në treg”, shprehet Veliqi.
Sipas tij, fitimet e këtij viti pavarësisht se vera ishte e thatë, megjithëse priste që çmimi të ishte më i lartë për shkak të rritjes së të gjitha çmimeve, duke filluar nga farërat, plehrat, pesticidet , karburantet dhe gjithçka tjetër që dikton çmimin e prodhimit . “Nga qershori e deri në fund të gushtit, pothuajse nuk kishte ditë me shi. Megjithatë, falë sistemit të ujitjes pikë-pikë , produktet morën të gjithë ushqimin dhe mbrojtjen e nevojshme. Viti nuk ishte i favorshëm për sëmundjet, ndaj nuk kishte kushte për zhvillimin e tyre. Prandaj 95 për qind të prodhimeve bujqësore të grumbulluara i kam shitur pa asnjë problem si të cilësisë të parë”, pohon Veliqi.
Shteti ka filluar të mendoj më shumë për bujqit, por duhet lehtësuar procedurat administrative
Pa mbështetjen financiare të shtetit nuk është i mundur shtimi i sipërfaqeve të mbjella me perime-kultura të ndryshme e as rritja e numrit të fermerëve. Në pyetjen time nëse gëzon ndonjë mbështetje nga shteti për punën që bën ai përgjigjet se Ministria e Bujqësisë së Malit të Zi viteve të fundit ka filluar të mendojë më shumë për bujqit, duke e rritur sadopak buxhetin bujqësor, duke siguruar mjete nga fondet evropiane dhe duke ndarë subvencione në bujqësi. “Këtë vit kam marrë një traktor dhe makineri përmes buxhetit bujqësor. Kam marrë edhe subvencione për farë nga ministria në vlerë prej 30 për qind dhe 250 euro për hektar tokë. Kjo është e mirë, por mendoj se fermerëve duhet t’u lehtësohet procedura administrative e aplikimit në të gjitha kulturat bujqësore dhe blegtorale që mbështeten përmes programeve të Ministrisë së Bujqësisë . Ndërkaq nga administrata lokale e Ulqinit nuk kam marrë asgjë ”, thotë ai, duke shtuar se pa projekte milionëshe nuk mund të nxiten bujqit të punojnë toka bujqësore dhe të fokusohen në kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore në mënyrë që edhe përdorimi i tyre të jetë nga produktet vendore dhe vendi të mos ketë krizë në mungesë të tyre.
Në ekonominë e tij bujqësore tashmë po mendohet për prodhimin për vitin e ardhshëm i cili, siç thekson bashkëbiseduesi ynë, do të jetë më i lartë se sivjet.