A ka thënë Bismarku “Shqipëria është një ‘shprehje gjeografike’ apo është shpikje serbe?

0
349

nga JUSUF BUXHOVI *

Ka kohë që thuhet se kancelari i parë gjerman, Bismarku, gjatë kongresit të Berlinit gjoja ka thënë se “Shqipëria është vetëm koncept gjeografik, ndërsa shqiptarët nuk ekzistojnë”!

Faktet historike tregojnë se Bismarku në mbledhjen e shtatë të Kongresit të Berlinit dhe atë të trembëdhjetë shqiptarët i zë ngoje “si popull etnik evropian që ka hapësirën e vet, e cila duhet të ruhet e paprekur në kuadër të Perandorisë otomane”.

U bënë më shumë se njëqind vjet që kur spekullohet me një thënie të kancelarit të parë gjerman, Bismarkut, se gjoja ka thënë se “Shqipëria është vetëm koncept gjeografik, ndërsa shqiptarët nuk ekzistojnë”! Farkëtuesit e këtij konstatimi, në radhë të parë historianët serbomëdhej në krye me Çubriloviqin, Haxhivasilevin, Garashaninin e të tjerë që vijnë deri në ditët tona, gjithnjë kanë cituar një “studim’ të Vladan Gjorgjeviqit (përndryshëm kryeministër i Serbisë në prag të Luftës së Parë botërore), ku ai një libër pamflet kundër shqiptarëve, të botuar në vitin 1913 në disa gjuhë dhe në disa qendra evropiane, sjell mendimin e Bismarkut “të cituar nga dokumentet e Kongresit të Berlinit. Këtë “zbulim spektakolar historik” Gjorgjeviqi e përdori qëllimisht për t’i ushqyer qarqet e prirura antishqiptare gjatë dhe pas mbajtjes së mbledhjes së Konferencës së ambasadorëve në Londër (1913), në mënyrë që ata të kenë “një argument’ më tepër që të mos u lejohej shqiptarëve shteti, sepse diçka e tillë nuk ka qenë asnjëherë në projektet e kancelarive evropiane që nga Kongresi i Berlinit e tutje, kur është hartuar harta e re e Ballkanit.

E vërteta, megjithatë, është tjetërfarë. Gjykuar nga dokumentet origjinale të kongresit të Berlinit që ruhen në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë gjermane në Bon, si dhe nga dokumentet që u botuan në Gjermani me rastin e kremtimit të njëqindvjetorit të mbajtjes së Kongresit të Berlinit në një vëllim të madh nga “Herald Boldt Geiss”, mund të thuhet se ky “konstatim” i Gjorgjeviqit nuk ekziston fare. Në seancën e dhjetë, së cilës i referohet Gjorgjeviqi, shihet qartë se çështja shqiptare nuk është zënë ngoje fare. Përkundrazi, për shqiptarët dhe problemet e tyre që lidhen me Serbinë dhe Malin e Zi bëhet fjalë në dy seanca të tjera: në atë të shtatën dhe në të trembëdhjetën. Në seancën e shtatë, të datës 26 qershor 1878, në të cilën u bë fjalë për Serbinë dhe kufirin e saj të ri në drejtim të Bosnjes dhe të Portës në pikën katër të vendimeve të seancës, në mënyrë deçizive Bismarku formulon këtë konstatim.

“Kazatë shqiptare: Vushtria, Karshumlia, Yrkyp (Prokuple) dhe Leskovici nuk duhen të ndahen nga Porta. Nëse Kongresi do të vendoste që një pjesë e kësaj hapësire të shkëputet, pjesa Prepolac-Shluht (Takhali Khan Getsidi) pjesët midis Karshumlisë dhe Prishtinës duhet të mbesin në Turqi, në mënyrë që të ruhet rrethi i Prishtinës dhe i Vranjës, të cilat njëherë duhet të paraqesin pjesën veriore të kufirit të Portës”.

Ky pasus i protokollit të Kongresit gjendet edhe në botimin komplet të materialeve të Kongresit të Berlinit, botuar nga Imanuel Geiss (në faqen 238).

Në paragrafin shtesë të protokollit të tetë, në pikën dy, po ashtu Bismarku gjatë dokumentit fjalëpërfjalë angazhohet që “Rrethet shqiptare Rozhaja dhe Gucija, si dhe Malësia e Hotit dhe e Kelmendit, po ashtu të banuara me popullatë shqiptare, t’i mbesin Portës”, (shih faqe 258). Në pikën c të të njëjtit protokoll prapë ndeshim propozimin e Bismarkut në këtë formë decidive që i është paraqitur kongresit, e ku thuhet:

“Pasi qe rrethi i Tivarit, bashkë me qytetin banohet eskluzivisht prej shqiptarëve, duhet të mbetet nën mbikqyrjen e Portës” (shih faqe 259).

Nga protokolli i seancës së shtatë dhe anekset që iu bënë protokollit të seancës së tetë, angazhimet e Bismarkut janë të qarta në të mirë të ruajtjes së etnisë shqiptare. Ato që gjenden në proceset e mbledhjeve flasin se Bismarku ka qenë tepër precis dhe decidiv në përcaktimin e territoreve shqiptare dhe të etnisë shqiptare. Në seancën e shtatë të datës 26 qershor ai i përcakton si shqiptarë “për nga popullata dhe etnia” kazatë e Vushtrisë, Kurshumlisë, Shkupit, dhe të Leskocit, si dhe propozon që ato të mbesin edhe më tutje nën mbikqyrjen e Portës, pikërisht pse ato janë të banuara me shqiptarë. Në protokollin e seancës së dymbëdhjetë të datës 4 korrik Bismarku kërkon që përfaqësuesi i Turqisë në Kongres, Mehmet Ali Pasha, të deklarohet se Turqia do të mbrojë popujt joturq në Ballkan, në radhë të parë shqiptarët, sllavët dhe hebrenjtë dhe se duhet të angazhohet që Porta të rifillojë sa më parë reformën territoriale dhe politike të Perandorisë për t’i mbrojtur këta popuj, të cilët sipas konceptit gjerman, duhej të mbeteshin edhe një kohë në kuadër të Portës, në mënyrë që të mos copëtoheshin midis shteteve sllave të Ballkanit. Përfaqësuesi turk Mehmet Ali pasha, në mbledhjen e 4 korrikut, pas insistimit të Bismarkut, do të deklarojë, e kjo do të shënohet në protokoll “se Porta do të respektojë veçoritë etnike të qyteteve dhe krahinave shqiptare si Plava, Gucia, Tivari…” Në të njëjtin protokoll madje shënohet fjala përfundimtare e Mehmet Ali Pashës ku thuhet: Tivari shqiptar nuk mund t’i shkëputet Shqipërisë (faqe 296).

Në seancën e trembëdhjetë të Kongresit, të mbajtur me 5 korrik, ku bëhet fjalë për disa privilegje dhe njëfarë si autonomi të Mirditës, që kërkohet nga Austro-Hungaria dhe Franca, Bismarku diskutimin e hap me fjalët: “Duhet të bisedojmë edhe për një përmasë të çështjes shqiptare”. Pra, ai edhe veçimin e qëllimshëm të Mirditës nga ana e Austro-Hungarisë dhe Francës, që kërkonin të shtrohej në “kuadër të disa privilegjeve”, e konsideronte si segment të çështjes shqiptare. Po të ishte, siç pohon Vladan Gjorgjeviqi dhe historiografia serbe, Bismarku fare nuk do t’i zinte në gojë rrethet shqiptare, qytetet shqiptare apo edhe te fliste për dimensionin e një përmase shqiptare, siç e konsideronte çështjen e Mirditës.

Në dobi të këtij konstatimi flet edhe një material tjetër që ruhet në Arkivin Shtetëror gjerman në Bon. Fjala është për hartën e re të Ballkanit dhe të pjesës evropiane të Perandorisë Otomane, që iu prezantua diplomatëve në Berlin nga ana e Bismarkut pas mbylljes së Kongresit. Në këtë hartë shihet qartë përkufizimi etnik i tokave shqiptare dhe i Shqipërisë së mbetur në kuadër të Portës – në veri shkon deri te Vranja- në lindje, zbret kah Tetova deri në Ohër dhe shkon në jug deri në Janinë dhe Artë. Kjo hartë ka qëndruar një kohë të gjatë në kabinetin e Bismarkut.

Megjithatë, spekulimi i qëllimshëm i Gjorgjeviqit dhe i historiografisë rreth Bismarkut është bërë “fakt historik” edhe për shumë historianë shqiptarë, të cilët edhe sot e gjithë ditën citojnë atë që nuk e ka thënë kancelari gjerman. Nga mosnjohja e fakteve, veçmas e materialeve origjinale të Kongresit të Berlinit dhe dokumenteve të tjera që janë botuar rreth kësaj konference tepër të rëndësishme për Ballkanin dhe për ne, historiografia shqiptare këtë kapitull ende e trajton në bazë të ngarkesave ideologjike apo të referencave spekulative të marra nga të huajt. Është koha që të hulumtohen që të gjitha dokumentet dhe të dilet me një qëndrim të qartë, të plotë dhe shkencor rreth Kongresit të Berlinit dhe çështjeve të tjera, të cilat ende gjithnjë janë të mistifikura, të pandriçuara apo të keqinterpretuara.

*Ky shkrim është pjesë e rubrikës “Arkiva PRINT” që hap Politiko.al me materiale të nxjerrë nga fondet e Periodikut dhe të Librit të Biblikotekës Kombëtare. Botuar në Gazeta “RD”, e shtunë 4 mars 1995, faqe 2. Marrë nga gazeta “Rilindja” e Kosovës.

POLITIK0