“Serbia e mban konfliktin ballkanik ‘on hold’. Ftesa për Washington-in dhe Brukselin”. Fjala Berishës në Forumin Global

0
380

nga Sali Berisha*

Gadishulli i Ballkanit është, fatkeqësisht, rajoni që ka prodhuar në të shkuarën më shumë luftëra dhe më shumë histori se çdo rajon tjetër në Europë.

Sot pas konfliktit të fundit të viteve ’90-të të shekullit që shkoi, 3 nga 6 vendet e BP jane antarë të NATO-s dhe, për definicion, prodhojnë siguri. Po kështu, 4 nga 6 vendet e BP kanë marrë statusin e vendit kandidat për në BE, dhe dy prej tyre kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE.

Por, megjithë këto ndryshime pozitive të jashtëzakonshme në fushën e sigurisë, përsëri më duhet të them se në këtë fushë, Ballkani perëndimor ndodhet në udhëkryq, dhe tani pas mbi 23 viteve nga konflikti i fundit, progresi drejt një paqeje të qëndrueshme është modest dhe jo ai që duhet, apo pritej të ishte.

Unë mendoj se shkaqet kryesore të udhëkryqit të sotëm janë:

1-Plagët e pambyllura të konflikteve të shkuara dhe hijet e ultranacionalizmit, dhe ky po e mban “on hold” konfliktin;

2- Influenca e fortë ruse në rajon dhe,

3- krimi i organizuar në shkallën më të lartë, i lidhur me pushtetin autokratik, dhe korrupsioni në të gjitha nivelet.

Kështu, sot, pas 23 vitesh, ndonëse midis Kosovës dhe Serbisë janë firmosur në Bruksel dhjetra e dhjetra marrëveshje, disa të zbatuara, të tjera thjesht në letër.

Presidenti i Serbisë, në vizitën e tij të fundit në Veri të Kosovës, në çdo takim do të deklaronte se Serbia do bëhet me e madhe, dhe se Millosheviçi ishte udhëheqës i madh, por që bëri gabime. Kurse dy javë më parë, po Presidenti Vuçiç, në betimin e tij inaugural në parlament për mandatin e ri do betohej se ai do të mbronte sovranitatin dhe integritetin e Kosovës së pavarur si pjesë e Republikës së Serbisë.

Mendoj se këto qëndrime nuk i shërbejnë aspak një marrëveshjeje midis dy vendeve. Ato dëshmojnë se Serbia po e mban konfliktin ‘on hold’, dhe po të shtojmë këtu armatosjen e saj me armë të shumta ruse dhe kineze, në një kohë që Serbinë nuk e kërcënon asnjë vend, kjo përbën një shqetësim serioz.

Marrëveshjen e kanë penguar dhe e pengojne dhe dy nisma tjera si:

Nisma për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territorve, pra vendosjen e kufijve mbi baza të pastra etnike midis Kosovës dhe Serbisë.

Kjo nismë e vjetër e fillimit të viteve ‘90 të shekullit të shkuar e Milloshviçit, u paraqit pak vite më parë nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur në Beograd. Kjo nismë, e cila paraqitej si zgjidhje për tri komuna serbe në Veri të Kosovës dhe tri komuna shqiptare në jug të Serbisë, ishte tejet e rrezikshme, pasi hapte Kutinë e Pandorës në rajonin ku egzistojnë disa zona të ngjashme, si ajo e veriut të Kosovës. Kjo nismë mbështetej nga Rusia, por fatkeqësisht, ndonëse vinte në kundërshtim me të gjitha aktet ndërkombëtare dhe kombëtare mbi të cilat ishte shpallur pavarësia e Kosovës, gjeti mbështetje, jo të vogël, për shkak të lobimit të multimiliardierit George Soros në Bruksel dhe në Ëashington.

Natyrisht, ajo dështoi, por dështimi i saj riktheu procesin mbrapa në kohë.

Një zhvillim tjetër, që ka penguar progresin drejt një marrëveshje paqeje të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë, ka qenë dhe iniciative e mini-Shengenit të Ballkanit Perëndimor, e shpallur nga presidenti i Serbisë në tetor 2019 në Novi Sad, në një takim me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

I bazuar në një traktat sekret, them secret, sepse kurrë nuk është publikuar, qoftë edhe një kapitull nga ky traktat.

Kjo nismë, më vonë në nderim të George Soros si promotor kryesor i saj, mori emrin Ballkani i Hapur dhe përfundoi e u konsolidua si një aleancë trilpalëshe Beograd-Shkup-Tiranë pasi vendet tjera, Kosova, Bosnja-Hercegovina dhe Mali i Zi, nuk u antarësuan. Ato e konsideruan një nismë që rikthen hegjemoninë e Serbisë në rajon dhe, së bashku me të edhe influencën ruse.

Përveç këtyre, në një rajon me të shkuar të afërt fort konfliktuale, aleancat e veçanta bi apo trilaterale, që nuk mbështeten nga të tjerët, janë të panevojshme dhe të padobishme, dhe duhen shmangur mbasi më shumë krijojnë probleme se sa zgjidhin.

Rikujtoj këtu se, të nesërmen e anullimit të vizitës në Beograd për shkak të bllokimit të hapësirës ajrore nga vendet antare të NATO-s për avionin e tij, Sergej Lavrov deklaroi se një nga qëllimet kryesore të vizitës në Beograd ishte të mbështeste nismën Ballkani i Hapur pasi, sipas tij, Brukseli kërkon Ballkanin e mbyllur.

E vërteta është se Brukseli, dmth Nisma e Berlinit, i cili filloi vite më parë, nuk kërkon Ballkanin e mbyllur, por Ballkanin e hapur dhe tregun e përbashket rajonal të 6 shteteve të barabarta të Ballkanit Perëndimor dhe është projekti i duhur për rajonin.

Duke përfunduar mendoj se:

Procesi i Berlinit është një nismë e dobishme dhe duhet ndjekur, duke dëshmuar kështu plotësisht atë që dihej, se kjo nismë përshtatej plotësisht me interesat e Rusisë në rajon.

Misteri këtu qëndron se çfarë e bashkon në një projekt George Soros me Lavrovin?

Mbështeja nga George Soros e projekteve që mbështet Rusia në rajon përbën një problem për rajonin.

Një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në ligjin ndërkombëtar, që duhet të garantojë njohjen reciproke të të dy vendeve, është e domosdoshme.

Së treti, SHBA kanë qenë aksionerë kryesorë në ndërprejen e konflikteve në rajon, ndaj dhe mendoj se një ndermjetësim i përbashkët i Brukselit dhe Ëashington-it është i domosdoshëm për arritjen e një marrveshje paqeje të qëndrueshme.

Në 150 vitet e fundit, të gjitha marrëveshjet në këtë gadishull kanë qenë jo me vullnet të plotë, por me vullnet të pjesshëm dhe imponim, ndaj dhe kjo marrëveshje e domosdoshme vështirë se do të bëjë përjashtim.

Së fundmi, për 6 vendet e Ballkanit perëndimor, integrimi në BE është jetik, në këtë kontekst hapja e negociatave, le të shpresojmë se në fund të këtij muaji, vendimi për hapjen e negociateve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të jete pozitiv.

Ajo që mund të them është se sot, absolutisht, Serbia vetë e mban konfliktin “on hold”.

*Fjala e mbajtir në Forumin Global në Baku.

POLITIKO