Rusia, shteti i korruptuar që admirojnë analistët shqiptarë të medias

0
330

Nga Beqir Sina

Në vitin 2015 senatori i ndjerë amerikan John McCain thoshte: “Rusia është thjesht një stacion karburanti, i maskuar si shtet. Ajo është kleptokraci, është korrupsion. Është një vend që në fakt varet vetëm nga nafta dhe gazi për të mbajtur në këmbë ekonominë”
Historia e vendeve të Europës juglindore, pjesë e të ashtuquajturit “Kamp socialist” këto dekadat e fundit duhet të ishte historia e kalimit nga diktatura në demokraci. Për fat të keq, në ndonjë prej tyre, nostalgjia për të shkuarën nuk është shkulur dhe me sa duket do të rrijë gjatë aty.
Kjo, të paktën është shëmbëlltyra e Shqipërisë së Edi Ramës.

Pas vitit 1990, pothuajse të gjitha vendet ish komuniste që kishin kaluar nëpër diktatura të majta, u bënë pjesë e demokracisë perëndimore. Shumica e tyre ia dolën edhe falë traditës së tyre të hershme pro-perendimit, pavarësisht se kishin qenë pjesë e kampit të Lindjes.

Për fat të keq, Shqipëria jonë ende jeton sikur të ishte në kohën e propagandës sovjetike.

Me keqardhje, shikon moderatorë, gazetarë, analistë politikë dhe opinionistë të Tiranës që flasin këto ditë me zell të shtuar për fuqinë e Rusisë në përplasjen e saj me Ukrainën. Këtyre nostalgjikëve u duket sikur shohin paradat ruse në Sheshin e Kuq të Moskës, apo stërvitjet e Traktatit të Varshavës, që futën trupa në Hungari dhe Çekosllavaki.

Studiot televizive shqiptare janë mbushur me strategë që flasin sikur të ishin gjeneralët pa kokë të ushtrisë së Putinit. Ata perifrazojnë si robotë propagandën e Putinit, kreut të korruptuar të një shteti autokrat, i cili e mbështet mjaft strategjinë e tij tek lufta psikologjike.

Gazeta Tema qendron në ballë të korporatës së propagandës së bashku me televizionet kryesore si Klan TV, News24 dhe sidomos me televizionin e majtë Top Channel që është haptazi pro qeveritar dhe siç duket pro-Kremlinit. Në mënyrë të paskrupullt, moderatorët u bëjnë jehonë “sukseseve” ushtarake të Putinit dhe përpiqen të demonizojnë Amerikën, duke sjellë me entusiazëm si shembull tërheqjen kaotike nga Afganistani, të cilën vetë zyrtarët amerikanë e pranojnë se ishte e tillë.
Kohët e fundit, Top Channel, dërgoi në Ukrainë “sajuesin” e tij të lajmeve “bombastike”, gazetarin Muhamet Veliu. Për tu vet mburrur si e vetmja media shqiptare që do të pasqyronte nga afër ngjarjet në terren, luftën që sipas këtij gazetarit që pritej të shpërthente nga “çasti në çast”.

Në raportimin e tyre me kosto të lartë financiare, jo vetem për një televizion nga Shqiperia, Veliu dhe kameramani i tij, u panë të shkonin prapa një banese, që ai tha se ishte vetëm 50 metra nga kufiri ku do të sulmonin rusët, një luftë që ai raportonte se ishte e paevitueshme, dhe e “dramatizonte” sikur po “kerciste” lufta pas krahëve të tij .

Një luftë që as nisi dhe mesa duket as që ka për të nisur…..!!!

Klan TV, News 24, dhe Topi, janë vënë në konkurrencë për të transmetuar videot e propogandës ruse: Pamje me raketa dhe tanke që Moska i quan moderne, video me falanga ushtarësh me uniforma të bardha, në kufi me Ukrainën. Ndërsa, në qiell duken skuadrilje bombarduesish SU-25 që fluturojnë sipër kokave të ushtarëve. Vladimir Vladimiroviç Putin paraqitet sot në Tiranë gati-gati si udhëheqësi më i fortë botës!

Nostalgjikët e Shqipërisë së sotme, mes tyre moderatorë, gazetarë dhe opinionistë, po përpiqen hapur t’u mbushin mendjen shikuesve sa çfarë fuqie e madhe ushtarake është Rusia.

Po çfarë është në fakt Rusia? Është shteti që u shpërbë si një shtëpi prej letre në fund të vitit 1990, pas rënies së Murit të Berlinit. Pra, nuk paskej qenë aspak ai që shikonim në paradat e Sheshit të Kuq. Pas shpërbërjes, Bashkimi Sovjetik humbi rreth dy të tretat e territorit, pa folur për vendet e Evropës Lindore që mezi kishin pritur të fitonin lirinë nga kjo monstër komuniste.

Rusia është një shtet i korruptuar që drejtohet nga një njeri i vetëm, Putini. Atje nuk ka institucione të qëndrueshme, është vetëm kulti i një njeriu me tekat e tij. Nuk dihet se çfarë mund të ndodhë në Rusi nëse lideri vdes papritur. I gjithë vendi mund të zhytet në kaos dhe në anarki. Rusia është në thelb një shtet i dobët, buxheti i saj është pothuajse sa i Spanjës, ekonomia është e ngathët dhe pa inovacion; ajo ka humbur lidhjet me teknologjitë perëndimore, e megjithatë shpenzon pa kufi për modernizimin e ushtrisë, duke varfëruar popullin e vet.

Në kohën e sotme, fuqia e një shteti nuk përcaktohet nga madhësia e territorit ose nga arsenali i armëve që posedon, por nga aftësia për të zhvilluar një ekonomi dinamike dhe institucione të qëndrueshme. Rusia nuk ka asnjërën prej këtyre, me përjashtim të rezervave të mëdha të naftës dhe gazit siberian. Por çmimi i burimeve energjitike luhatet mjaft në treg dhe kjo e shton paqëndrueshmërinë e ekonomisë ruse.

Në vitin 2015 senatori i ndjerë amerikan John McCain thoshte: “Rusia është thjesht një stacion karburanti, i maskuar si shtet. Ajo është kleptokraci, është korrupsion. Është një vend që në fakt varet vetëm nga nafta dhe gazi për të mbajtur në këmbë ekonominë”. Që nga koha kur senatori McCain bëri komentet e tij të hapura,
Rusia ka parë edhe një rënie të shpejtë të vlerës së rublës, gjë që e ka bërë ekonominë e saj mjaft të ekspozuar ndaj rreziqeve. Nëse sulmon Ukrainën, ekonomia ruse do të pësonte dëme të pariparueshme dhe thjesht do të paralizohej.
Kështu që të vjen neveri kur sheh ata gjoja gazetarë dhe analistë shqiptarë që i thurin lavde një autokrati të quajtur Vladimir Putin, i cili demonstron forcën në mënyra të shëmtuara për t’i treguar botës një fuqi që nuk e ka.

Të vjen neveri kur shikon se si televizionet e Tiranës i fillojnë emisionet me sistemet raketore ruse që lëshojnë zjarr, pa e kuptuar se kjo është një propagandë e pastër ruse dhe presion psikologjik që e ka burimin drejpërdrejt nga zyrat e Putinit në Kremlin.
Kur flasim për ndikimin rus në Ballkan, mos shkoni më larg: është pikërisht ky rasti tipik i ndikimit të Moskës, që ka kapur disa analistë dhe opinionistë të zellshëm në një vend anëtar të Natos si Shqipëria.