Mjaft është mjaft, por deri kur?

0
540

Nga Beqir SINA

Mjaft është mjaft! Që kjo situatë duhet të ndalet, besoj se është në interesin e çdo shqiptari e sidomos në të mirë të marrëdhënieve të shkëlqyera të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çështja është deri kur? Deri kur do të luhet me vizita të kalkuluara, me deklarata dhe intervista, që nuk janë gjë tjetër, veçse një spektakël politik pa brumë dhe pa efekt përpara shqiptarëve?

Deri kur ambasadorë të SHBA, për të cilët ne paguajmë taksa, do të përpiqen të’i trajtojnë shqiptarët sikur të ishin fëmijë, duke u treguar se cilin duhet të ketë kryetar një parti politike?

Përtej kësaj, një pyetje e rëndësishme që kërkon përgjigje të ngutshme është: A bën Departamenti i Shtetit analiza se si kanë shkuar marrëdhëniet Amerikë-Shqipëri gjatë vitit 2021? A e ka në Shqipëri administrata e tanishme e SHBA mbështetjen që gëzonte më parë?

Druaj se jo. Ka shumë shenja që tregojnë se marrëdhëniet (jo ato shtetërore) janë në një pikë të ulët, më të ultën në këto 30 vjet që nga rënia e komunizmit në Shqipëri.

Një sërë hapash të Ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, kanë sjellë pasoja që, në qoftë se nuk riparohen me shpejtësi, mund të bëhen të pakthyeshme. Është treguar jo vetëm arrogancë dhe padurim, por sidomos një mosnjohje e skajshme e realitetit shqiptar.

Zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Shqipëri ishin një katastrofë. Ato u vodhën në mënyrë brutale nga Edi Rama, i njëjti njeri që kishte fituar edhe dy zgjedhje të mëparshme dhe që ka shfaqur hapur synimin për të qëndruar në pushtet edhe për shumë vite, njëlloj si Aleksandër Lukashenko i Bjellorusisë.

Edi Rama është tashmë një autokrat tipik i një vendi të prapambetur. Ai është njeriu që, në mënyrë të paskrupullt dhe pa iu dridhur qerpiku, justifikon me propagandë skandalet e qeverisjes së tij. Qeveria e tij është opake, aty nuk hyn dot drita e diellit. Ai është i vetmi kryeministër në Evropë që ka një televizion personal, pasi beson se me një propagandë të efektshme personale mund të arrijë të dominojë gjithçka. Dhe nuk mund të thuhet se nuk ka patur sukses. Pikërisht ky është njeriu ku Amerika i ka varur të gjitha shpresat në politikën e saj për Shqipërinë.

Zgjedhjet e 25 prillit i humbi i njëjti njeri që kishte humbur edhe dy të mëparshmet, Lulzim Basha. Ky humbës i përjetshëm i opozitës është gjithashtu njeriu që mbështetet sot hapur dhe fuqishëm nga Amerika.

Ambasadorja Kim tregon kujdes të veçantë që në vizitat e tyre në Shqipëri, senatorë, kongresistë, apo zyrtarë të ndryshëm të qeverisë amerikane si Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, më parë se ti drejtojë te Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i shoqëron për te dera tashmë proverbiale e zotit Basha. E vetmja gjë që duhet të bëjnë ata është të japin një deklaratë ose ndonjë intervistë të mirëpërgatitur në një nga televizionet pro-qeverisë, të cilat ambasadorja i pëcjell me zell të madh në llogarinë e saj në Twitter apo në faqen e Ambasadës në Facebook.

Më shumë se tre dekada të shkuara, regjimi komunist në Shqipëri dhe Enver Hoxha, deri ditën që e tërhoqën zvarrë në rrugët e Tiranës, u tregonte shqiptarëve se ata mund të hanin edhe bar por kurrë nuk do të dorëzoheshin para armiqve të jashtëm, Imperializimit amerikan dhe Nato-s.

Anti-amerikanët e asaj kohe e përdornin me krenari këtë punën e barit. Sot shqiptarët pothuajse e kishin harruar dhe as u shkonte mendja se do ta dëgjonin në një kontekst të ri. Për fat të keq e dëgjuan nga askush tjetër veçse nga goja e Ambasadores Kim disa muaj më parë, kur ajo i bëri një vizitë Lulzim Bashës, për të sfiduar kundërshtarin e tij të ri, Sali Berishën, të shpallur non grata nga SHBA. Sugjerimi i saj ishte një fyerje e inteligjencës së demokratëve, kur kërkoi që Partia Demokratike, forca e parë anti-komuniste në vend, “të mos hajë bar” për interesat e një njeriu të vetëm, Sali Berishës, por të përcaktohet për Lulzim Bashën.

Kjo lëvizje sa naive aq edhe e pajustifikueshme nga një ambasador perëndimor, la një shije të hidhur te shqiptarët. Mund të quhet edhe gafë diplomatike, por çështja është se zonja Kim nuk po ndalet në këtë shteg që s’të çon askund.

Si çdo udhëheqës në krye të një vendi të sapo dalë nga diktatura, Sali Berisha ka pjesën e tij të gabimeve. Por çdo vëzhgues që ka respekt për të vërtetën, i njeh atij disa gjëra: Ai është i vetmi president dhe lider shqiptar që është pritur me “red carpet” në Shtëpinë e Bardhë; është Kryeministri që firmosi hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe që arriti liberalizimin e vizave. Ai është kryeministri që priti në mënyrë madhështore Presidentin e SHBA, George W. Bush kur vizitoi Tiranën, i cili njoftoi nga kryeqyteti shqiptar se Kosova do të bëhej shumë shpejt e pavarur.

Periudha kohore së cilës i referehet vendimi i Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken për Berishën, përkon me një takim mes të dyve në vitin 2009 në Shtëpinë e Bardhë, kur zoti Blinken ishte Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Zëvendëspresidentit Joe Biden. Në atë kohë Blinken e vlerësonte Berishën jo për gjë tjetër, por pikërisht për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në një njoftim të kryeministrisë shqiptare të asaj kohe, ruajtur në faqen Keshilli i Ministrave thuhet se “zoti Blinken vlerësoi lart suksesin e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformat ekonomike, etj”. Kjo është lehtësisht e provueshme.

Ne të gjithë e kuptojmë tashmë se vendimi i Uashingtonit zyrtar për Berishën ishte i nxituar, doli jashtë kontrollit dhe shkaktoi një efekt të pa menduar nga ata që e morën. Kjo është për të ardhur keq.

Përsa i përket procesit se si u mor vendimi, këtu ka shumë pikëpyetje. DASH ka burimet e veta të informacionit, të cilat ai nuk i tregon për të ruajtur konfidencialitetin dhe kjo mund të mirëkuptohet. Departamenti thotë ndërkohë se këto informacione përputhen edhe me raportimet e mediave dhe të organizatave joqeveritare në Shqipëri.

Ky është një formulim mjaft i debatueshmëm që DASH ka përgjegjësinë ta rishikojë, sepse e ashtuquajtura media e pavarur në Shqipëri ka në skalionet e saj të para disa nga ushtarët më të bindur të Edi Ramës, si Sokol Balla , Frrok Çupi, dhe Mero Baze, për të përmendur vetëm disa. Për nga stili i propagandës, këta snajperë politikë nuk i lënë gjë mangut ndihmësve të Vladimir Putinit. Për të mos e ulur nivelin e bisedës, le të mos flasim për OJQ-të në Shqipëri, këto vemje majtiste, të paafta për të belbëzuar qoftë edhe një fjalë kundër arrogancës dhe arbitraritetit të padronit Rama. Thua vërtet Departamenti i Shtetit i mbështet gjetjet e veta te këta njerëz?

Çfarë po ndodh realisht në terrenin shqiptar? Ambasadorja Kim ka shpallur bllokadë ndaj Sali Berishës, i cili ka shumicën në Partinë Demokratike. Për të luftuar Berishën dhe shumicën e tij, ambasadorja ka zgjedhur të mbështesë zotin Basha, një njeri pa karizëm por që të impresionon me pamjen e e një xhentëlmeni dhe me anglishten e kuruar. Në mënyrë të gabuar, zyrtarë të tjerë të lartë të Departamentit, si zoti Escobar po përdorin kredibilitetin e tyre për t’u zhytur më thellë në këtë betejë pa kuptim, që mbi të gjitha po dëmton marrëdhëniet amerikano-shqiptare.

Mjaft është mjaft!   

Lëreni Partinë Demokratike t’i zgjedhë vetë udhëheqësit e saj. Sali Berisha është 77 vjeç, nuk ka poste politike dhe nuk besoj se në të ardhmen do të ketë të tilla. Nuk kishte nevojë që ai të kryqëzohej dhe të turpërohej publikisht. Por tani që kjo ndodhi, askush nga jashtë nuk ka arsye të ndërhyjë edhe më tej në punët e kësaj partie.

Është vendi të përmendim se Amerika i është gjendur gjithnjë pranë Shqipërisë. Gjatë shumë dekadave, që nga Presidenti Woodrow Wilson, ndihma e saj ka qenë e domosdoshme, në mos jetike, për fatet e shqiptarëve. Sidomos në 30 vitet e fundit, Amerika e ka ndihmuar Shqipërinë të drejtojë kurrizin, të fitojë dinjitet, të rimëkëmbet ekonomikisht.

Askush nuk e di se sa para amerikane është derdhur në Shqipëri për të ndihmuar institucionet dhe për të zhdukur gjurmën e shëmtuar dhe të përgjakur që la komunizmi, por duhet të jenë miliarda, pa dyshim miliarda dollarë.

Më kryesorja e kryesoreve është mbështetja e Amerikës si partnere strategjike e Shqipërisë në Ballkan. Aty ku Evropa ka hezituar, Amerika ka vepruar dhe madje me shumë forcë. Kur ke Amerikën me vete, Zoti është me ty. Kjo nuk duhet të harrohet.

Disa zëra anti-amerikanë në Shqipëri i kanë rritur tonet dhe kjo nuk i pëlqen aspak autorit të këtyre rradhëve, që e ka vuajtur vetë në kurriz komunizmin dhe propagandën e tij kundër Amerikës.

Është koha të analizojmë se si erdhëm në këtë pikë dhe si duhet të dalim nga ky makth ku kemi hyrë. Ka shumë rëndësi që disa zyrtarë të DASH të bëjnë analizën e tyre, bazuar në realitetin e Shqipërisë si vend autoritar dhe me një elitë thellësisht të korruptuar. Le të reflektohet thellë, le të shihen gabimet që mund të jenë bërë. Le të ulen tonet dhe të harrohet krenaria, le të lihet mënjanë retorika dhe propaganda boshe.

Sot kërkohen në mënyrë urgjente dy gjëra: E para, të ndihmohet me mënyra konstruktive për të rimëkëmbur opozitën shqiptare dhe e dyta të bëhet çmos për të ndalur dhe riparuar të çarat shqetësuese që janë hapur në marrëdhëniet amerikano-shqiptare.