Vizita e Eskobar në Tiranë – përpjekje për të “shpëtuar” Ambasadoren Kim

0
360

Nga Beqir SINA

Si dështoi plani Rama me Lulzim Bashën pas 25 Prillit!?

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, pas Sarajevës, Podgoricës dhe Shkupit, i dërguari i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, rikonfirmoi angazhimin e Uashingtonit për të luftuar korrupsionin, përcolli një falenderim për strehimin e afganëve dhe bëri thirrje që vetë institucionet shqiptare të ndëshkojnë të korruptuarit.

Ai theksoi se SHBA janë në gjendje të ndihmojnë institucionet vendëse me prova kundër ish-Kryeministrit Sali Berisha, i cili në maj të këtij viti u shpall “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Vizita e zotit Eskobar, ashtu siç deklaroi ai vetë si dhe ambasada amerikane në Tiranë, ishte për integrimin e Shqipërisë në BE, NATO, strehimin e afganëve dhe, si pikë e fundit, për të diskutuar mbi zhvillimet aktuale në Shqipëri.

Ndërkohë, hamendjet e shprehura nga burimet mediatike pranë qeverisë se ai po vinte për të ndëshkuar zotin Berisha, duke përfshirë edhe aludimet për këtë qëllim të Lulzim Bashës, Gazmend Bardhit apo të ndonjë deputeti socialist, u provuan si të pabaza.

Kjo të paktën sipas deklaratave dhe leximeve zyrtare të vizitës, nga të cilat nuk doli që ardhja e zotit Escobar të ishte një mbështetje për zotin Basha, ose një ndëshkim tjetër nga DASH për Sali Berishën.

Për Lulzim Bashën dhe ata që i kan mbetur në dorë si “dopio gjashta”, vizita e Escobar ishte shpresa e vetme për të shpëtuar fytyrën. Basha fitoi vetëm një ftesë jo zyrtare nga zoti Escobar për të shkuar në Amerikë. Kjo ishte më tepër një konfirmim se Basha mund të marrë vizë amerikane, por asgjë më tepër se kaq.

Nga ana tjetër, ftesa ishte e paqartë: Si, kur dhe përse do të shkojë? Gjithsesi, nuk është e vështirë që, me ndihmën e ambasadores Kim, Bashës t’i gjendet një ftesë private për të udhëtuar në Amerikë.

Një pyetje që lind dhe që e ka të vështirë përgjigjen është: Përse Escobar apo dikush tjetër nuk i kishte bërë më parë Bashës një ftesë për në SHBA?

Do të jetë interesante të shihet nëse ende qëndron kjo ftesë tani që Basha u shkarkua si kryetar partie nga një kuvend me 4932 delegatë.

Ka mundësi që, gjatë vizitës në Shqipëri, zoti Escobar ta ketë kuptuar, edhe pse me vonesë, se ai kishte hyrë thellë tepër në lojën e Edi Ramës, i cili përdor ambasadoren amerikane në Tiranë, për të përçarë opozitën, duke veçuar zotin Berisha si objekt të goditjes.

Ka shumë mundësi që vizita e Gabriel Escobar në Tiranë të jetë bërë për të shpëtuar ambasadoren Kim nga sikleti ku e kanë futur qëndrimet e saj aspak diplomatike dhe në kundërshtim me vlerat amerikane, përpjekjet e saj për të ushqyer me lugë boshe një parti të ashtuquajtur pro-amerikane të kryetarit të shkarkuar Basha.

Në gjithë këtë proces ka patur një sërë kalkulimesh të gabuara, sepse as Edi Rama, as Lulzim Basha nuk e kishin menduar atë që do të ndodhte pas “non-gratës” së Berishës. Propaganda e tyre kundër Berishës u doli bllof. Ata llogarisnin se njerëzit do të mashtroheshin nga thënia klishe se “po e tha Amerika, ka mbaruar”. Mesa duket, Rama dhe miku i tij ideologjik Alexander Soros, arritën ta mashtrojnë ambasadoren Kim, e cila vazhdimisht ka treguar admirim të pajustifikuar ndaj mafiozit dhe simbolit të korrupsionit shqiptar, i cili në vitin 2016 e ktheu vendin në një parajsë të kultivimit të drogës.

Ambasadorja Kim ka treguar një mungesë të theksuar eksperience përballë djallëzisë së një politikani që rrjedh nga ikubatori komunist i Bllokut të dikurshëm të Tiranës. Edvin Kristaq Rama është i biri i anëtarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor Kristaq Rama, nënshkrues në ekzekutimet e disidencës shqiptare, ku rasti më flagrant është ai i poetit Havzi Nela. Rama është edhe nip i ish-anëtarit të Byrosë Politike, Spiro Koleka.

Vizita e zotit Escobar erdhi si kërkesë për të luftuar korrupsionin në Ballkan, por ajo u komplikua për shkak se mafiozët si Edi Rama, të cilët qëndrojnë në kupolën e këtij korrupsioni, nuk mund të luftohen duke i përkëdhelur dhe duke i marrë me të mirë. Shqiptarët janë populli më pro-amerikan në botë dhe Amerika duhet të përfitojë nga dëshira e tyre për të bashkëpunuar në luftën kundër korrupsionit. Lutja e popullit shqiptar është që Amerika të qëndrojë në krah të një opozite të bashkuar dhe të ndëshkojë hajdutët e qeverisë, në vend që ta hedhë gurin në drejtim të gabuar.