Soros-Basha-Meta dhe zgjedhjet e 30 qershorit

0
517

Një dokument i brendshëm i Partisë Demokratike dërguar të gjithë anëtarëve të kryesisë dhe ish-deputetëve i drejton ata se çfarë qëndrimesh të mbajnë në publik në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit. Dokumenti i shpërndarë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, që nuk mban as firmë dhe as vulë, flet shumë për raportin e së djathtës me Presidentit Ilir Meta dhe vija e kuqe që nuk duhet kapërcyer.

Një porosi e veçantë është të mos thuhet asnjë fjalë për qëndrimin që Presidenti Ilir Meta mbajti me akuzat ndaj Sorosit.

Ajo çka shkruhet me të zeza në dokument, faktohet edhe nga deklarimet publike të eksponentëve të PD-së, të cilët nuk janë shprehur asnjëherë publikisht në lidhje me akuzat e presidentit Meta për “deep state”, ku ai akuzonte Sorosin se ka kapur shtetin në bashkëpunim me Ramën dhe veçanërisht reformën në drejtësi.

Edhe ish-anëtari i Këshillit Kombëtar në PD, Edvin Kulluri e konfirmoi këtë qëndrim kur sot në studion e Report Tv, tha se Basha është i mbështetur nga Sorosi për të bashkëpunuar me kryeministrin Edi Rama. Ai tha se Meta nuk duhet t’i gjejë armiqtë jashtë vendit, tek Soros, pasi i ka në Shqipëri, duke lënë të nënkuptuar se një ‘armik’ i kreut të shtetit, është vetë lideri demokrat.

Dokumenti i brendshëm i PD-së konfirmon gjithashtu që ka një thyerje mes të djathtës dhe presidentit Ilir Meta. PD nuk pranon negociatat e presidentit për të ulur palët në dialog.

“Ne kemi vlerësuar përherë përpjekjet e Presidentit për zgjidhjen e krizës. Por qëndrimi ynë është i pandryshuar: ne nuk hyjmë në zgjedhje pa largimin e Edi Ramës dhe nxjerrjen e drejtësisë së atyre që vodhën zgjedhjet në bashkëpunim me krimin”, shkruhet në dokument.

Pikërisht ky qëndrim i PD-së shpjegon edhe deklaratën e kreut të shtetit një ditë më parë, i cili tha se i është drejtuar drejtuesve të OSBE me një letër, prej të cilës kërkon ndërmjetësimin e negociatave mes palëve politike në Shqipëri.