Kosovës i duhet përkrahja e “Uncle Sam”

0
579

Kosovës në këtë fazë nuk i duhen spektakle mediale, dhe çdo mospajtim politik ndërmjet subjekteve politike dhe ndërkombëtarëve duhet të kornizohet brenda angazhimit institucional, ngase “barkçitja” politike e bisedave interne, është e hidhur dhe e kobshme

Agim Vuniqi

Historianët nuk janë plotësisht të sigurtë si u krijua karakteri i Xhaxha Sam-it, ose kush (nëse ndonjëri) është personifikuar me këtë emër. Teoria që më së shumti përmendet është se Xhaxha Sam ka marrë këtë emër sipas Samuel Wilson. Ai kishte lindur në Arlington, Mass., më 13 shtator, 1776. Fëmijërinë e kishte kaluar në Mason, New Hamshire, ku kishte edhe shtëpinë. Më 1789, ai dhe e motra kaluan në Troy, New York. Gjatë luftës së 1812, Wilson kishte si biznes përgatitjen dhe paketimin e mishit. Ai furnizoi ushtrinë me sasi të madhe të mishit, paketimet ishin të stampuara me inicialet US, duke supozuar se ndonjëri që do i vërente do i pranonte si një mahi, ngase inicialet e vendosura kishin të bënin me Xhaxha Sam-in. Supozimi se dërgesat e mishit vinin nga Uncle Sam krijoi idenë se Uncle Sam simbolizonte Qeverinë Federale të SHBA-së. Që nga ajo kohë shumë këngëtarë, artist, piktorë u inspiruan nga kjo ndodhi. Portreti më i njohur i Uncle Sam është në posterin e regrutëve të armatës amerikane gjatë Luftës së parë Botërore, “I WANT YOU” . Posteri është pikturuar nga James Montgomery Flagg më 1916-1917.

Shqiptarët dhe Kosova nuk kanë qenë asnjëherë gjatë historisë në gjendje më të favorshme të jetësimit të aspiratave nacionale, por deri kjo e drejtë e patjetërsueshme dhe e kahmotshme e qytetarëve për të jetuar në një shtet demokratik dhe të pranuar ndërkombëtarisht që përfundimisht do të kishte legjitimtetin ndërkombëtarë është projekt i arritshëm, ngase për përmbushjen e çfarëdo synimi madhor kombëtarë duhet medoemos përkrahja e Uncle Sam.

Ç’është e vërteta në tabllon politike dhe diplomatike luhen lojëra të papërgjegjëshme që burojnë nga vetë subjektet politike v.s. institucioneve demokratike dhe bartësve të tyre. Çarjet e fundit politike dhe zhurma e orkestruar “gjate sezones së gjahut” kanë tejkaluar normat e angazhimit intelektual në politikën-brenda institucionale, ajo më tepër i përngjanë konfliktit se sa përkushtimit për zbatimin e detyrimeve kushtetuese, duke iu përmbajtur kontratës që ia shpalosën elektoratit. Kjo përvojë e hidhur determinon krizë dhe përpjekje për dështim në qeverisje, ku më tepër i jipet prioritet luftës mediale midis partiake se sa të zbatimit të ligjit dhe kushtetueshmërisë, që më tepër ka reflektim të brendshëm, meqë pozicionimi i jashtëm i deritanishëm është në përputhje me zhvillimet në botë falë angazhimit permanent të popullit shqiptarë për të sforcuar lidhjet natyrale me SHBA-në.

Edhe pse problemi i Kosovës është krejt tjetërfare nga ai i Shqipërisë, është paksa edhe më kompleks meqë është i ndarë midis dëshirës dhe realizimit praktik të sovranitetit. Në dukje një çarje e zakonshme politike për zbatim të ligjit, ngriti në qiellin e fëqiut të gjithë ato fluturake të prodhimit rus saqë implikojë edhe diplomacinë amerikane, gjë që ishte plotësisht e patolerueshme nga regjimi Vuçiqian dhe mund ishte fatale për paqen ne regjion dhe më gjërë, dhe kjo duhet të kufizohej si brenda mediumeve informative, ashtu edhe brenda subjekteve politike.

Se si i drejtojnë punët partitë politike është çështje e tyre, por pa pasur të drejtën e përfoljes së implikimit të jashtëm amerikan, ngase është plotësisht e papranueshme dhe shumë e dëmshme, që mund të ketë reperkusione për të ardhmen e Kosovës. Bile, edhe në suaza të deklarimit, meqë vendimet që vulosën skemën qeveritare në kreun institucional të Kosovës janë pjesë e përgjegjësive të institucioneve, si atyre partiake, ashtu edhe atyre konstitucionale të bazuara në Kushtetutën e Kosovës, pra është e papranueshme retorika luftënxitëse. Çfarëdo diskutimi i mëtejmë jashtë suazave institucionale është i pamoralshëm, sidomos kur bëhet fjalë për bartës të deridjeshëm të funkcioneve shumë të rëndësishme edhe për individë të rëndësishëm brenda partive politike.

Pranimi ndërkombëtar apo njohja diplomatike “Deplomatic Recognition” e Kosovës është më se e rëndësishëme, është “transfuzion” që konfirmon legjitimitetin e përpjekjeve për shtetësi, poashtu, edhe të pranimit ndërkombëtarë të institucioneve të zgjedhura nga vota e popullit (Parlamentit shumëpartiak, Qeverisë, dhe Presidentit, dmth. pushtetit qendror dhe atij lokal)) por edhe në pajtueshmëri me rregullat e sistemit zgjedhor. Prandaj, çdo vendimarrje nga subjektet politike parlamentare, ndërtuese të pushtetit, që përshëndetet, përkrahet dhe konfirmohet nga ndërkombëtarët duhet të pranohet nga qytetarët e Kosovës. Angazhimi në politikë është edhe dëshmi e lojalitetit qytetar dhe respektit ndaj ligjit dhe kushtetutës, shpeshherë i dhimbshëm dhe i papëlqyeshëm, që nganjëherë është në kundërshti me kriteret shkencore dhe titujt shkencor, edhe po që se e drejta morale por edhe formale- juridike për ndryshime do të ishte në anën e njërit apo tjetrit subjekt politik, meqë bëhet fjalë për vendime të rëndësishme politike, prandaj kujdesi i deputetëve në kuvend duhet të jetë në përputhshmëri me interesting e qytetarëve, jo të atyre që kanë ditur të procedojnë në votim vendime jo të favorshme, duke u përpjekur pastaj t’i zhvlerësojnë të cilat nuk janë pranuar nga ndërkombëtarët.