“AT GJERGJ FISHTA, PATRIOTI I MADH PENDARTË I KOMBIT SHQIPTAR”,

0
444

BOTOHET MONOGRAFIA; “AT GJERGJ FISHTA, PATRIOTI I MADH PENDARTË I KOMBIT SHQIPTAR”, (Në vend të një memoriali nga një malësor),TË AUTORIT NDUE BACAJ.
Nga Marash GILAJ *

Të shkruash një monografi për një kolos si At Gjergj Fishta është një sipërmarrje sa e guximshme aq edhe patriotike e vlerësuese. Kjo do të thotë të bësh një studim shkencor të gjërë, të hollësishëm deri në detaje. Është gjithë jeta e një njeriu të përkushtuar ndaj kombit dhe fesë. Kësaj ia ka arritur me sukses historiani dhe publicisti i mirënjohur i Malësisë së Madhe, Z. Ndue Bacaj. Me thjeshtësinë që e karakterizon autorin, ai pohon se ndihet i vogël para kësaj figure madhështore, prandaj, veprimtarí të tilla duan guxim, vullnet, durim, kohë dhe punë të madhe për të gërmuar e mbledhur gjithë materialin e nevojshëm. Këto karakteristika nuk i mungojnë autorit të kësaj vepre dhe këtë e tregon më së miri libri i tij i gjashtë që do të lexoni. Më tej autori i librit thotë se këtij patrioti, mendimtari e veprimtari të shquar i kemi një borxh të madh që rëndon “si guri i pendesës” mbi ndërgjegjën tonë. Dhe se ky borxh duhet paguar.
Që nga tituli i librit, “At Gjergj Fishta, patriot i madh, pendartë i kombit shqiptar” tregon se autori i ka dhënë vlerësimin e parë shumë të merituar.
Duke lexuar librim do të mësojmë se At Gjergj Fishta e donte shumë kombin dhe fenë. Për këtë flasin veprat e tij në shumë fusha.
Lahuta e Malcisë, si vepra më e madhe e shkruar në vargje, është krahasuar me Iliadën e Homerit, shoqërohet edhe me shumë vepra të tjera në poezi, që së bashku me veprën kryesore shkojnë në rreth 50 000 vargje. Ai na ka lënë edhe 700 faqe të shkruara në prozë, thotë autori. Gjergj Fishta nuk ishte vetëm poet, ai njihet si publicist, diplomat, filozof, psikolog, dijetar e fetar. Ai ishte poliglot, njihte dhe fliste 5 gjuhë të huaja. Në moshën 16 vjeç shkruan vjershat e para. Kur u bë 23 vjeç, celebron meshën e parë. Nga monografia mësojmë se ai kryesoi Kongresin e Manastirit, më 1908, kur u vendos për alfabetin që do të përdorte Shqipëria.
Ai njihet si symbol i binomit Fe e Atdhe, na thotë autori i librit.
Ka themeluar e botuar revista si: “Hylli I Dritës” apo “Posta Shqipëtare. Ka qënë bashkëthemelues i gazetës “Ora e Maleve.” Lufta e tij në mbrojtje të kufinjve të atdheut, e gjen pjesëmarrës në Konferencēn e Paqës në Paris më 1919.
Është interesante, kur mëson se Fishta ishte edhe arkitekt i marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – SHBA, pjesëmarrës në Konferencën e Bukureshtit për sheshimin e mosmarrëveshjeve ballkanike. Këto veprimtari dhe të tjera tregojnë gjithanshmërinë e tij në shërbim të kombit.
Pa dashur të futem në hollësi të librit dhe të shuaj kureshtjen e lexuesve po vazhdoj të përmend shkurtimisht vetëm disa gjëra kryesore. Duke lexuar librin më në thellësi, mësojmë se Fishta ishte edhe piktor apo themelues teatri.
Edhe pse i ndaluar e i mohuar nga regjimi, malësorët, sado të pashkollë që ishin, dinin përmendësh qindra vargje të Lahutës së Malcisë. At Gjergj Fishta, siç na thotë autori, ka marrë shumë vlerësime, medalje, bile është propozuar edhe për çmimin “Nobël.”
Sidoqoftë, po t’i referohemi një thënie të A. Ajnshtajnit, i cili thotë: “Vlera e njeriut duhet të matet me ato që jep dhe jo me ato që merr”, del se At Gjergji dha shumë, por mori pak dhe për këtë, vlera e tij rritet edhe më shumë, nëse duam dhe dimë ta vlerësojmë.
Shumë studiues, historianë e shkrimtarë vendas apo të huaj kanë dhënë vlerësimet e tyre për këtë figurë që na bën krenar të gjithëve. Nuk mungon midis 40 vlerësuesve, që rreshton autori, as mohuesi i veprës së tij, Ismail Kadare, i cili e shpërfill dhe e denigron.
Me të drejtë, autori ankohet dhe bën thirrje që kjo figurë kaq e madhe, kaq patriote, me një aktivitet dhe prodhimtari letrare për t’u admiruar e pasur zili, por e kritikuar dhe e lënë në heshtje nga regjimi hoxhist, duhet rivlerësuar, me të gjitha meritat që i takojnë, duke e përjetësuar emrin e tij tek ndonjë shesh, rrugë apo shkollë në Malësi të Madhe, në tabanin ku “mbështeti” Lahutë… E pse jo, edhe busti i tij, nuk duhet të mungojë. Pse duhet të tregohemi kaq mosmirënjohës ndaj një figure si At Gjergj Fishta? A nuk na mbush me krenari vepra e tij? Të mos dish historinë e kombit tend, do të thotë të mbetesh përherë fëmijë. Kur historia harrohet ajo përsëritet, kanë thënë njerëzit e urtë. Siç duket, ne shqipëtarët, (sunduesit tanë, më saktë) pasi e mohuam këtë figurë madhështore për gati 50 vjet, ende nuk e kemi vënë në piedestalin që meriton. Këtë e kanë bërë sunduesit tonë që punuan si Judë për vendin e tyre. Fjalët dhe veprat e Fishtës janë dhe mbeten aktuale edhe për ditët që jetojmë sot. Figura e Gjergj Fishtës i bën nder kombit, ia lartëson vlerat jo vetëm në sy të shqipëtarëve, por edhe të botës. Njerëz si ai lindin rrallë. Duke përfunduar mendimet e mia shkurtimisht për këtë vepër dhe personazhin e saj, dua t’i uroj Z. Ndue Bacaj që pena e tij të mos pushojë së shkruari për patriotë të ngjashëm me Fishtën e madh dhe probleme të tjera që shqetësojnë kombin. Falemnderit që ma dhatë këtë mundësi.
Libri është botim i një cilësie shumë të lartë nga Shtepia Botuese FIORENTIA -Shkodër dhe është sponsorizua nga Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” Michigan-SHBA.

*Redaktor i librit
Shkodër, me 18 tetor 2021