130 vende kanë rënë dakord për një reformë globale të taksave duke siguruar që kompanitë shumëkombëshe të paguajnë atë që u takon kudo që veprojnë, tha të enjten Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), por disa shtete të BE-së refuzuan ta përqafojnë reformën.
Organizata tha në një deklaratë se kompanitë globale, përfshirë gjigandët amerikanë Google, Amazon, Facebook dhe Apple do të taksohen me një normë prej të paktën 15% kur marrëveshja të vihet në zbatim.
Regjimi i ri i taksave do të shtojë rreth 150 miliardë dollarë në arkat e qeverive në mbarë botën sapo të hyjë në fuqi, gjë që OECD-ja tha se shpreson të arrihet në vitin 2023.
“Reforma modernizon elementët kryesorë të një sistemi ndërkombëtar shekullor të taksave, i cili nuk është më i përshtatshëm për ekonominë e globalizuar dhe të dixhitalizuar të shekullit 21-të,” thotë organizata OECD.
Marrëveshja zyrtare pason një miratim nga grupi i G-7ës muajin e kaluar dhe negociatat tani kalojnë në një takim të grupit të G-20ës, të ekonomive të zhvilluara dhe në zhvillim që mbahet më 9-10 korrik në Venecia të Italisë.
Presidenti amerikan Joe Biden tha se marrëveshja e fundit “na vë shumë pranë një marrëveshjeje të plotë globale për taksat e korporatave”.
Gjermania, një mbështetëse e reformës tatimore, e përshëndeti atë si një “hap kolosal drejt drejtësisë tatimore” ndërsa Franca tha se ajo ishte “marrëveshja më e rëndësishme e taksave në një shekull”.
Ministri britanik i Financave Rishi Sunak, vendi i të cilit mban presidencën e G-7ës, tha se “fakti që 130 vende në të gjithë botën, përfshirë të gjitha vendet e G-20ës, janë dakord, shënon një hap më tej në misionin tonë për të reformuar taksën globale”.
‘Në interes të të gjithëve’
Por vendet me taksa të ulta të BE-së, Irlanda dhe Hungaria nuk pranuan ta nënshkruajnë marrëveshjen e arritur sipas kornizës së OECD-së, tha organizata, duke theksuar mosmarrëveshje mbi taksimin global.
Të dy vendet janë pjesë e një grupi të vendeve të BE-së ku përfshihet Luksemburgu dhe Polonia që janë mbështetur në nivele të ulëta taksash për të tërhequr kompanitë shumëkombëshe dhe për të forcuar ekonomitë e tyre.
Irlanda, vendi në BE ku kanë qendrën rajonale gjigandët e teknologjisë Facebook, Google dhe Apple, ka një normë të taksës prej vetëm 12.5% për korporatat.
Ministri irlandez i Financave Paschal Donohoe ka paralajmëruar se rregullat e reja mund t’i sjellin Irlandës një humbje prej 20% të të ardhurave të saj nga korporatat.
Të enjten, ministri Donohoe tha se Irlanda ende “mbështet gjerësisht” marrëveshjen, por jo nivelin e taksës prej 15%.
“Ka shumë elementë për t’u finalizuar para se të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse,” tha ai, duke shtuar se Irlanda “do të përfshihej në mënyrë konstruktive” në diskutime të mëtejshme.
Gjithashtu shqetësime ka shprehur Zvicra – e njohur për ligjet e saj për të mbrojtur privatësinë e informacionit bankar – e cila tha se do të mbështeste marrëveshjen megjithëse ka “rezerva të mëdha” dhe se shpresonte që interesat e “vendeve të vogla dhe novatore” të merren parasysh.
Një marrëveshje për zbatimin e planit është planifikuar për në tetor.
Nëntë nga 139 vendet pjesëmarrëse në bisedime deri tani nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen.
Por Kina, pozicioni i së cilës po vëzhgohej nga afër pasi ofron stimuj tatimorë për sektorët kryesorë të ekonomisë, e miratoi marrëveshjen.
“Ekonomi globale ‘më e drejtë’
Shefat e financave kanë argumentuar se një taksë minimale është e nevojshme për të ndaluar konkurrencën midis vendeve mbi atë se kush mund t’u ofrojë kompanive shumëkombëshe nivelin më të ulët të taksave.
Për presidentin Biden, një marrëveshje globale e taksave do të ndihmojë në ruajtjen e konkurrencës së Shteteve të Bashkuara pasi ai ka propozuar rritje taksash mbi korporatat brenda vendit për të paguar për një program të infrastrukturës dhe vendeve të punës me një çmim prej rreth 2 trilionë dollarësh.
Presidenti Biden – planet fiskale të të cilit përballen me një betejë potencialisht të vështirë në Kongres – e përshëndeti marrëveshjen si një “hap të rëndësishëm për të çuar përpara ekonominë globale në mënyrë që ajo të jetë më e drejtë për punëtorët dhe familjet e klasës së mesme në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën”.
Ai vuri në dukje se ato vendet që e mbështetën atë përbëjnë më shumë se 90% të ekonomisë botërore.
Në deklaratën e OECD-së thuhet se paketa “do të sigurojë mbështetjen e nevojshme për qeveritë që duhet të mbledhin të ardhura” për buxhetet e tyre dhe për të investuar në masa për të mbështetur rimëkëmbjen pas-COVID-it.
Oxfam, një organizatë bamirësie, ndërkohë tha se marrëveshja nuk arriti një nivel taksash të nevojshëm për t’u dhënë vendeve të varfëra një pjesë të mjaftueshme të të ardhurave shtesë nga taksat.
Duke e quajtur marrëveshjen “të devotshme ndaj të pasurve dhe plotësisht të padrejtë”, Oxfam tha se nënshkruesit kishin humbur një “mundësi të artë për të ndërtuar një botë thellësisht më të barabartë”./VOA