Platformat e palicensuara po lulëzojnë në Shqipëri. Skema e mashtrimit nga kompanitë e regjistruara në parajsën fiskale, të cilat kanë si nënkontraktor call center-at në Shqipëri. Pamundësitë ekonomike të të rinjve kanë bërë që platformat e kamufluara si Call Centër, por që merren me pastrim parash, po fusin tek të rinjtë mendësitë e të fituarit me vjedhje dhe mashtrim. Reagimi i AMF, Drejtorisë Pastrimit të Parave, Bankës së Shqipërisë, të punësuarve dhe heshtja e prokurorisë
Ja pasojat psikologjike dhe ekonomike që rrezikojnë të përballen të rinjtë që punojnë në platforma të kamufluara si Callcenter
Pamundësitë ekonomike lëshojnë në kurthin ‘duhet të mashtrojnë’ të rinjtë e Call Center
Platformat e palicensuara ‘Forex’ lulëzojnë në vend, si funksionon skema e mashtrimit. Zbradhet kontrata e një kompanie të regjistruar në parajsën fiskale, që kërkon të nënkontraktojë call center-ët në Shqipëri
Ankthi, ndjesia e fajit dhe shenjat e depresionit janë shqetësimet e shfaqura tek të rinjtë shqiptarë të grupmoshës 22 – 27 vjeç, të punësuar në platformat e palicencuara ‘Forex’. “Këta të rinj shprehin të tilla shqetësime, pasi siç më pohojnë shumë prej tyre, janë të vetëdijshëm se ‘duhet’ të mashtrojnë. Nga ana tjetër, pamundësitë ekonomike i mbajnë në këtë punë stresuese, sepse fitimet janë shumë të mëdha.
Pjesa më e madhe janë të punësuar prej 2 apo 3 vitesh në punë të tilla dhe dëmi më i madh që po i shkaktohet shoqërisë shqiptare është mentaliteti i krijuar. Te ky target-grup po krijohet mendësia e të fituarit me vjedhje dhe mashtrim”, pohoi psikologia dr. Aljona Jonuzaj.
Kompanitë ‘Forex’, janë opsioni i rremë financiar i platformave online të shitblerjes të aksioneve në bursat e huaja. Bazë kryesore e selive të këtyre kompanive është Qipro. Në Shqipëri këto platforma janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit dhe kryesisht funksionojnë brenda kompanive call center, që përdoren si nënkontraktorë të ofrimit të shërbimit. Punonjësit e platformave ‘Forex’ marrin në telefon klientët potencialë dhe i orientojnë për këto forma investimi.
Duke iu dhënë informacione të rreme mbi ecurinë e tregjeve në bursat ndërkombëtare, ata i mashtrojnë shtetasit e huaj të interesuar për të luajtur në bursë.
Aktorët e tregut pohojnë se janë të shumtë operatorët ‘Forex’ që funksionojnë në Shqipëri. Nga viti në vit numri i tyre është rritur, por totali i saktë është e pamundur të identifikohet, pasi këto skema janë të palicencuara.
Aktiviteti i ‘Forex’ tërësisht jashtë kontrolli
Prokuroria e Përgjithshme sqaroi se dosjet dhe rastet konkrete të hetimeve për këto platforma jepen nga prokuroritë e rretheve. Drejtuar dy prokurorive në vend, por asnjëra prej tyre nuk dha sqarime nëse kanë nisur hetimet për këto skema mashtrimi. Prokuroria e Tiranës nuk iu përgjigj kërkesës për informacion, ndërsa Prokuroria e rrethit Shkodër, kërkoi të dhëna më specifike për subjektet apo personat që zbatojnë këto skema mashtrimi, me qëllim që të procedonte verifikimet.
Mungesa e kontrollit dhe fitimet e larta kanë bërë që numri i kompanive që ofrojnë këtë shërbim të shtohet ndjeshëm vitet e fundit, sipas konstatimeve nga burimet në treg. Këto platforma janë bërë dhe subjekt Drejtorisë së Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave (DPPPP), për dyshime për pastrim parash (shiko më poshtë nëntitullin: Rritet pastrimi i parave në call center).
Si funksionon veprimtaria e ‘Forex’-eve të palicencuar?
Të kamufluara si call center, platformat paralele false të shitblerjes të aksioneve në bursën e tregjeve ndërkombëtare, po mashtrojnë më së shumti të moshuarit në vendet e Evropës, si: Spanjë, Gjermani, Itali, Greqi dhe Maqedoni.
Lulëzimi i platformave të palicencuara ‘Forex’ po rrit fitimet ekstraligjore për drejtuesit e tyre. Një pjesë e konsiderueshme e parave po investohen në blerje të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, sipas agjencive imobiliare.
Paratë nga këto skema mashtrimi fillimisht depozitohen në parajsën fiskale ku është e regjistruar kompania, me seli në Izrael, Qipro ose Angli, që nënkontrakton një call center në Shqipëri. Në vendin tonë, komisioni për kompaninë call center vjen i tjetërsuar nëpërmjet faturave për shërbime marketingu, informatike, konsulence financiare dhe digjitale, të lëshuara nga shteti ku ndërmarrja operon.
“Monitor” zbardhi kontratën e një kompanie të regjistruar në parajsë fiskale me seli në Britaninë e Madhe, që për kamuflim, kërkon të nënkontraktojë call center-ët në Shqipëri. Në kontratë përcaktohet se kompania “Astra Financial Limited” (AFL), e regjistruar në Republikën e Vanuatu-s (offshore), me numër HE 300266 me seli në Angli, kërkon partner shqiptar që do të nënkontraktohet për shërbimin call center dhe do të paguhet me komisione mbi 2,500 dollarë.
Mashtrimi legjitimohet me kontratë, në të cilën përcaktohet se kompania call center do të paguhet nga kompania “AFL”, e regjistruar në parajsë fiskale nga fitimet që rrjedhin prej llogarive të bllokuara, pasi janë mashtruar klientët. Pagesa për komisionin e kompanisë shqiptare do të kryhet një herë në çdo 14 ditë nga data 1 e çdo muaji kalendarik dhe data 14 e çdo muaji kalendarik.
“Pagesa do të bëhet sipas raportit të kompanisë për bilancin e depozitës neto të miratuar të muajit paraprak (në varësi të vonesave, për shkak të sistemeve të pagesave me kartë krediti), të gjitha në përputhje me regjistrat e kompanisë, të cilat do të konsiderohen prima facie (përgjegjës kryesor për pagesat e komisioneve), dëshmi të përmbajtjes së tyre, pas zbritjes së mashtrimeve, kthimeve të parave, llogarive bankare të bllokuara, etj.”, nënvizohet në kontratë.
Dokumenti specifikon edhe rastet kur kompania nuk mban asnjë përgjegjësi ndaj partnerit shqiptar në lidhje me pagesat e shpërblimit.
Rreth gjysma e shumës së grabitur (fitimet) do të jenë për kompaninë që kryejnë shërbimin call center, nëse lista me personat që do të mashtrohen, krijohet nga kontraktori (lista e personave që merren në telefon për të investuar në bursë, krijohet nga kompania e regjistruar në offshore.)
“Në çdo rast në të cilin partneri ka gjeneruar të ardhura nga burimet e tij, ose listat e klientelës, të cilat nuk ishin të listuara në regjistrat e Kompanisë, atëherë Partneri do të marrë një shumë prej 45% të depozitës neto të miratuar. Për të shmangur çdo dyshim, kompania do të marrë një listë specifike në Excel, e cila do të pasqyrojë rezultatet e sjella nga përpjekjet e nënkontraktorit”.
Shërbimi i operatorëve call center
Të punësuarit në platformat ‘Forex’ janë të vendosur brenda ambienteve të një operatori call center, që për kamuflim ka edhe të punësuar të tjerë në fushata shërbimi për pagesat e faturave të energjisë, gazit apo telekomunikacioni.
Burime nga tregu call center pohuan se fillimisht, të interesuarit për bursën “joshen” nga skuadra “opening” e platformës të palicencuar, të cilët janë operatorët që flasin në gjuhën angleze, spanjolle apo italiane. Pasi të interesuarit i prezantohet faqja pirate, do të telefonohet për së dyti nga operatorët e grupit “first time depozit”.
Detyra e tyre është të orientojnë klientët për mënyrën e funksionimit të faqes online dhe vendosjen e depozitës së parë me vlerë 250 – 300 euro. Pasi lojtarëve të bursës u lihet kohë të ambientohen me faqen pirate online, ata telefonohen përsëri nga punonjësit e strukturës kryesore që njihen si “retention”. Në çdo platformë të palicencuar burse ekzistojnë të paktën 4 retention-s, që orientojnë lojtarët se si të veprojnë.
P.sh., të blejnë 1 monedhë virtuale Bitcoin, pasi pas 1 jave vlera e saj do të rritet (por ky është një informacion i rremë dhe mashtrim, pasi e këshillon të investojë 50 mijë euro për 1 monedhë Bitcoin në një platformë ‘Forex’ të palicencuar). Më pas klienti telefonohet për t’i njoftuar se ecuria e monedhës virtuale në bursë është përkeqësuar dhe për këtë arsye ka humbur 15 mijë euro. Por situata mund të rikuperohet, nëse do të investohen edhe 30 mijë euro të tjera në një monedhë tjetër virtuale. Në rast se retention-s bindet se klienti i tij nuk dëshiron të investojë para të tjera, i merren 50 mijë eurot e depozituara dhe zhduket llogaria bankare.
“Individët që investojnë në ‘Forex’-at e palicencuara ‘me duart e tyre’ kryejnë transferta bankare në një platforme online që nuk e njohin dhe nuk e dinë se çfarë do të bëhet më pas me të. Këtyre njerëzve, përveçse u thuhet të investojnë në disa tregje që as vetë operatori nuk i njeh, por edhe më keq, i mashtrojnë duke u thënë të investojë në një faqe që nuk është e licencuar. Në qendër të kësaj skeme mashtrimi është platforma ‘Forex’, e cila nuk është e licencuar nga institucionet përkatëse ndërkombëtare të bursës dhe vetë kompania zotëruese e kësaj faqe është e regjistruar në offshore”, pohuan burime nga tregu call center.
Rritet pastrimi i parave në call center
Në call center-ët shqiptarë është rritur veprimtaria e skemave të pastrimit të parave. Elvis Koçi, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave (DPPPP), tha për “Monitor” se gjatë viteve të fundit 2017-2020 është vënë re një tendencë e raportimit nga subjektet e ligjit, të rasteve të dyshimta të aktiviteteve (skema të dyshimta të pastrimit të parave që lidhen me shoqëri që operojnë si “Call Center”/Shoqëri Telematike”.
Për sa i përket analizimit të rasteve të pastrimit të parave, përfshirë këtu edhe nga shkëmbimi i informacioneve me njësi homologe të huaja, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave shpjegon se nuk janë evidentuar tipologji apo trende që lidhen specifikisht me platforma online mbi shitjen dhe blerjen e aksioneve.
Të dhënat për pastrimin e parave
Nga Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave “Për mashtrim financiar” dhe “Mashtrim kompjuterik” në 2019, u referuan në prokurori 18 raste. Sipas të dhënave të këtij institucioni, krahasuar me një vit më parë, rastet e referuara në organet ligjzbatuese janë rritur 28%.
Në total në 2020, dosjet e regjistruara në prokurori për pastrim parash (sipas neneve 287, 287/a, 287/b që përcaktohen në Kodin Penal) janë rritur 17% krahasuar me 2019-n. Sipas të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme në organin e akuzës, në vitin 2020 u referuan 286 raste të pastrimit të parave. Totali i të dënuarve për pastrim parash në 2020 është ulur 30% krahasuar me 2019-n. Në vitin 2020 ka pasur vetëm një të dënuar për pastrim parash me llogari anonime. Në 2019-n nuk ka pasur asnjë të dënuar për këtë vepër penale, në 2018 janë dy të dënuar dhe në 2017-n, asnjë i dënuar.
Askush nuk e kontrollon aktivitetin e ‘Forex’-it
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tha për “Monitor” se, referuar llojeve të instrumenteve financiare të parashikuara në ligj, tregu Forex nuk është nën rregullimin e AMF-së. Sipas AMF-së, subjektet e palicencuara që ofrojnë shërbime investimi në tituj në apo prej territorit të Republikës së Shqipërisë, veprojnë në shkelje të ligjit dhe veprimtaria e ushtruar prej tyre konsiderohet vepër penale dhe dënohet, sipas përcaktimeve të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
“Nëse Autoriteti vihet në dijeni për ekzistencën e platformave të palicencuara, njofton zyrtarisht organet ligjzbatuese të vendit. Gjithashtu AMF, nëpërmjet paralajmërimeve të publikuara në faqen zyrtare, ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e investitorëve për ofrimin e shërbimeve të investimit nga subjekte të palicencuara dhe e ka vënë theksin te ndërgjegjësimi i publikut për rreziqet që mbart investimi në platformat online. AMF ndjek me vëmendje edhe paralajmërimet e publikuara nga Autoritetet Mbikëqyrëse homologe për ekzistencën e brokerave apo platformave të palicencuara.
Në zbatim të ligjit nr. 62/2020 “Për Tregjet e Kapitalit”, Autoriteti ka miratuar Rregulloren nr. 188, datë 16.12.2020 “Për regjistrimin dhe veprimtarinë e agjentit të lidhur të shoqërisë komisionere”, ku përcaktohen kërkesat dhe procedurat për regjistrimin e agjentit të lidhur të shoqërisë komisionere, si dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së tyre”.
Në mbështetje të Ligjit nr. 62/2020 “Për Tregjet e Kapitalit” dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të këtij ligji, AMF licencon/njeh/regjistron dhe mbikëqyr subjektet që ushtrojnë veprimtari në tregjet e instrumenteve financiare. “Mbështetur në këtë ligj, edhe një shoqëri e huaj komisionere mund të ofrojë shërbime investimi në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet regjistrimit të një dege apo zyre përfaqësimi në Shqipëri, ose duke përdorur një agjent të lidhur në Republikën e Shqipërisë, me kusht që këto shërbime dhe veprimtari të mbulohen nga një licencë e dhënë nga autoriteti kompetent i vendit të saj.
Në faqen zyrtare të Autoritetit është lista e të gjithë subjekteve të licencuara nga AMF, e cila përfshin edhe subjektet që veprojnë si agjentë të lidhur të shoqërive të huaja komisionere, të licencuara nga vendet e BE-së, të cilat operojnë platforma të tregtimit online”, pohoi AMF.
Kreu i Drejtorisë të Përgjithshme të Pastrimit dhe Parandalimit të Parave, Elvis Koçi, sqaroi se në lidhje me platformat ‘Forex’ të palicencuara, ushtrimi i palicencuar i aktivitetit bankar ose financiar është i parashikuar si vepër penale në nenet në vijim të Kodit Penal: Neni 170/c Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë bankare (Shtuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012); Neni 170/ç Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare (Shtuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 25); dhe në këtë kuadër detyrimin për të bërë kallëzim penal e ka nëse e konstaton bazuar në KPP çdo punonjës publik (Neni 281 Kallëzimi nga nëpunësit publike) dhe çdo shtetas (Neni 283 Kallëzimi nga ana e shtetasve).
Bazuar në kuadrin e saj rregullativ, Banka e Shqipërisë tha për “Monitor” se nuk licencon platforma ‘Forex’ apo aktivitete të tjera këmbimi të natyrave të ndryshme nga sa më lart përmendur. “Banka e Shqipërisë është autoriteti që licencon, ndër të tjera, edhe aktivitetin e këmbimeve valutore, specifikisht vetëm Zyrat e Këmbimit Valutor (ZKV), të cilat operojnë sipas një modeli tradicional biznesi, që konsiston në këmbime në sportel me bazë cash-i, ose në llogari.
Kriteret dhe kërkesat e kuadrit ligjor dhe rregullator të licencimit për këtë aktivitet janë të disponueshme për publikun e gjerë në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë (ëëë.bankofalbania.org). Për rrjedhojë, Banka e Shqipërisë disponon të dhëna vetëm për subjektet që licencohen prej saj, në rastin konkret vetëm për ZKV-të, të cilat janë subjekt i monitorimeve periodike, nëpërmjet raportimeve ose inspektime në vend”, nënvizon Banka e Shqipërisë.
Pse nuk kryhen inspektime
Faqja e internetit që kompania marketon është false, nuk ka asnjë licencim për operim shërbimi sipas standardeve ndërkombëtare për bursa, ndërsa për koperturë punonjësit janë brenda ambienteve të një kompanie call center. Kjo konsiderohet një ndër arsyet se pse Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave nuk mund të kryejë inspektime në terren për këto subjekte. Kreu i këtij institucioni, Elvis Koçi, theksoi se ligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, ka detyrimin të analizojë rastet e dyshimta të institucioneve financiare të licencuara, si banka, noterë, zyra të këmbimit valutor etj. Z. Koçi thekson se nuk ka inspektor terreni për subjekte që nuk janë të licencuara.
Si funksionon skema e pastrimit të parave
Nga verifikimet e kryera rezultoi se: Në të njëjtën adresë që ushtronte aktivitetin kompania A, kishin regjistruar selinë edhe disa biznese të vogla të tipit Person Fizik (rreth 11 PF) me të njëjtin objekt veprimtarie si të shoqërisë A dhe të regjistruara në të njëjtën datë në QKB. Këto biznese ishin regjistruar në emër të punonjësve të shoqërisë dhe kishin moshë tepër të re.
Nga analizimi i llogarive të bizneseve PF është vënë re se ka pasur transferta në hyrje që në momentin e regjistrimit të tyre nga të njëjtat shoqëri që më parë i kishin dërguar transferta edhe shoqërisë A. Fondet e mbërritura në llogaritë e bizneseve PF ishin pothuajse në të njëjtat vlera (10,000-15, 000 EUR për transfertë) dhe të gjitha këto fonde tërhiqeshin menjëherë nga shtetasi Z, i cili ishte person i autorizuar për kryerje transaksionesh në bizneset PF, si dhe njëkohësisht i punësuar menaxher në shoqërinë A.
Gjatë analizimit të mëtejshëm të rastit është konstatuar se shoqëritë dërguese, jashtë vendit kanë qenë të lidhura me shoqëri të tjera në Shqipëri me veprimtari “call center”, të sapokrijuara dhe me ortak shtetas me moshë të re, raste për të cilat është dërguar informacion kohë më parë në organet ligj-zbatuese për dyshime lidhur me aktivitetin që ato ushtrojnë. “Monitor”