40 vjetori i vdekjes së magjister Agron Lucaj.Tubim përkujtimor i Fondit Humanitar Trieshi në New York

0
1002

BRONX NY : Të dielën (17 tetor)Fondi Humanitar TRIESHI me veprimtari në SHBA, organizoi tubim përkujtimor me rastin e 40 vjetorit të vdekjes së magjister Agron Lucaj, në lokalin e njohur “Tesoro D’Italia”, në Pleasentville NY.

Në këtë tubim morën pjesë veprimtar dhe personalitete, aktivistë të komunitetit shqiptare,mysafirë nga vendlindja.

Televizioni Kultura Shqiptare, në New York, e cila e filmoi eventin përkujtimor në kujtim të profesorit Agron Lucaj, do të trasmetojë dhe vdieo koronikën në platformën e ALB-TV kanali 26 .

Në 18 Shtator 40-vjetori i ndarjes nga jeta të Agron Lucaj.

“Ky ishte malësori i parë me emrin Agron në Malësinë tonë. Kështjella e mbretit Ilir Agron dhe mbretëreshës Teuta në Medun që është vetëm 15 kilometra larg nga vendlindja e Agronit.” ka thënë Gjek Gjonlekaj – ish gazetar i Zërit të Amerikës.

ACTV, thotë se ceremonia përkujtimore filloi në shenjë respekti me mbajtjen e një minut heshtje për të ndjerin Profesor Agron Lucaj.

Ndërkaq, këtë tubimin përkujtimor e moderoi Kolë Cacaj, kryetar i Fondit TRIESHI, në New York, i cili ndër të tjera pohoi edhe një here se Dr. Agron Lucaj, ishte një djalë i shkëlqyer i shkolluar në universitete prestigjioze, një djalë i mrekullueshëm që bën krenar çdo malësor e shqiptar.

Më pas Cacaj – ka lexuar shkrimin e z.Fikret Lulanaj, shkruar për të ndjerin Agron Lucaj ku ndër të tjera ai thotë se Dr. Agroni ishte “Ylli shkencor që shëndrit qiellin e Malësisë. Emër i lartë në fushën e shkencës, emër që lartëson emrin e universiteteve të shquara dhe të çdo shqiptari”.

Bashkëkohës, dhe bashkëvendas të profesorit të ndjerë, njohës të mirë të jetës dhe veprës së tij, nëpërmjet kujtimeve sollën kujtime të bukura dhe të dhimbshme.

Doktor Palok Camaj, i cili është njëri prej bashkëkohësve të Dr. Agronit në kohën e studimeve të doktoraturës , e kujtojë Agron Lucaj, në përshkrimin e tij,: si një djal me zemër shqiptari të madhe e zemër malësori të fortë. Dr. Camaj, duke folur për kohën studentore me Agronin në Prishtinë, Zagreb, Prizren, e përshkrojë formimin e tij, të peripecitë të jetës së Agronit, dhe dëshirën profesorit të ndjerë për kontribuar në Malësi.

Zef Gjokaj i ardhur enkas nga Malësia me ftesë të organizatorit të këtij tubimi, në kumtesën përkujtimore tha se: “Jam këtu për të ndarë me ju kujtime të bukura e të dhimbshme për mikun tim Agron Lucaj”.( Kumetesen e plote mund ta lexoni ne fund te kronikes)

Ish-gazetari i Zërit të Amerikës, Gjek Gjonlekaj, publicist i njohur, i cili dy vjet më parë,(https://ulqini-online.com/sajti/?p=23357), ka shkruar një artikull të gjatë për jetën dhe veprën e Dr. Agron Lucaj, rikujtojë atë se armiqtë e shqiptarëve i kishin inat njerëzit e dijes.

Ndërsa foli për Dr. Agron Lucaj, ai nuk la pa permendur edhe Gjon Gjekën, babain e Dr. Agronit si patriot të madh dhe ndërtimin e identitetit kombëtar tek heroi i kombit Shqiptar Gjergj Kastrioti.

Madje,Gjonlekaj, sygjeroi se edhe Shkolla e Trieshit, duhet ta kujtojë dhe përkujtojë Agron Lucajn si i pari malësor me emrin Agron dhe pë kontributin e tij në shkencë, në shenjë nderimi e respekti për këtë përsonalitet.

Kol Gjelaj referoi në kumtesën e tij profilin e Agronit të ardhur nëpërmjet profesorëve, miqve, kolegëve, studentëve bashkëkohës të Agronit

Dr. Lena Lucaj Kolçaj, vajza e Zefit, mbesa e Agronit, dërgoi një letër që e lexoi Kol Gjelaj. Ajo falenderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit dhe u ndal te roli i Dr. Agronit dhe ndikimi në formimin e saj. Ai pati një ndikimin tek të gjithë ne përtej jetës së tij.

Pjetër Lucaj, nipi i Profesor Agronit shprehu mirënjohje të thellë e respekt në emër të familjes për pjesëmarrësit, kumtuesit dhe organizatorët në këtë tubim përkujtimor.

Në këtë kujtim përkujtimor ka folur edhe shkrimtari e poeti Mëhill Velaj, i cili është ndalur te roli dhe figura e Agronit si shqiptar dhe si shkencëtar dhe kërkoi që ti propozohet Universitetit të Prishtinës titulli i lartë i nderit Honoris Causa për Agron Lucajn.

Veprimtari Xheladin Zeneli – shkrimtar e publicist, i cili përshëndeti fondin Trieshi dhe familjen për këtë organizim madhështor dhe u fokusua te roli i Dr.Agronit si shqiptar i suksesshëm me ndikim kombëtar e ndërkombëtar, postojë në statusin e tij fotografitë nga ky tubim dhe shënoi :

Në tubimin përkujtimor me rastin e 40 vjetorit të vdekjes së magjistrit Agron Lucaj (1949-1981), organizuar nga Fondi Humanitar “Trieshi” në New York.

Agron Lucaj ishte magjistër i Fizikës Molekulare, ndërsa e humbi jetën gjatë kohës kur ishte duke studiuar për mbrojtjen e tezës së disertacionit në lendën e Fizikës Nukleare në Universitetin e Zagrebit.

I ndjeri Lucaj , një shkencëtar i ri dhe më shumë përspektivë , humbi jetën në mënyrë tragjike në moshën 31 vjeçare dhe në rrethane ende deri më sot të panjohura . Kjo ishte atëherë një humbje tepër e madhe jo vetëm për Malësinë por për gjithë hapësirën shqiptare.
(Për më shumë lidhur me jetën e të ndjerit magjistër Agron Lucaj, mund të lexoni shkrimin e z. Gjekë Gjonlekaj e vitit 2019

PROFESOR DR. AGRON LUCAJ SHKNCETAR MBASE EDHE MARTIR

Ai në fund të këtij shënimi falenderoj kryetarin e Fondit Humanitar “Trieshi” , z.Kolë Cacaj për ftesën dhe për respektin e treguar, kurse vëllezëzit Lucaj, pronarët e restaurantit “ Tesoro D’Italia”përndryshe nipat e të ndjerit Agron Lucaj, për mikpritjen dhe bujarinë e tyre shqiptare.

Përfaqësuesi i Shoqatës Malësia e Madhe Shaqir Gjokaj si bashkëvendas I Dr Agron Lucaj falenderoi organizatorët e kësaj përkujtimore jubilare, të gjithë folësit e pjesëmarrësit dhe veçanërisht organizatorët për organizimin.

Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të Vatrës dhe foli për rëndësinë e kremtimit të kësaj ngjarjeje dhe arritjet e Dr. Agronit në shkencë si një mision i papërfunduar.

Vëllezërit Lucaj, Marku, Gjoka dhe Pjetri shprehën mirënjohje për të gjithë të pranishmit dhe shtruan një drekë vëllazërore në përkujtim të axhës së tyre të dashur dhe të paharruar Profesor Agron Lucaj.

Mysafir special i mbrëmjes i cili dhe bëri hapjen e këtij aktiviteti përkujtimor lexoi kumtesën e tij të cilën na e dërgoi të plotë :

Fjala përkujtimore e z. Zef Gjokaj me rastin e përkujtimit të 40-vjetorit të vdekjes së mr. Agron Lucaj

Të nderuar vëllezër e motra!

Të nderuar bashkëvendës e bashkëkombës mërgimtarë!

I nderuar kryetar dhe kryesi e Fondit Humanitar “Trieshi”!

Të nderuar familjarë të patriotit dhe veprimtarit të shquar, Gjon Gjekë Lucaj!

Të nderuar të pranishëm të tjerë në këtë aktivitet përkujtimor, me rastin e shënimit të dyzet – vjetorit të vdekjes tragjike të birit të Malësisë, Agron Gjon Gjekë Lucaj, pranoni përshëndetjet e mia nga vendlindja jonë e përbashkët.
Ndihem i nderuar dhe privilegjuar që ndodhem para jush, me ftesën e Kryesisë së Fondit Humanitar “Trieshi”, të ndaj me ju kujtimet e mia, të bukura, e të dhimbëshme për bashkëvendësin, shokun e mikun tim të përjetshëm Agron Gjon Gjekën, të cilat edhe pas 40 -viteve, i mbaj të freskëta në kujtesën dhe shpirtin tim.

Fillimisht falënderoj përzemërsisht Fondin Humanitar “Trieshi” dhe donatorët e tij , që tashmë janë zë i fuqishëm i zhvillimit të përgjithshëm të vendlindjes tonë të dashur.

Historia shqiptare e gjysmëshekullit të fundit është e lidhur në mënyrë të ngushtë me emigracionin. Kjo plagë e shoqërisë shqiptare ka përfshirë dukshëm edhe Treishin dhe krahinat tjera të Malësisë. Shpërnguljet dhe migrimet masive kanë bërë të vetën. Sot fshatrat kanë mbetur pa banorë. Shtëpitë po rrënohen. Gërmadhat e shtëpive të dikurshme, të cilat duken se nga viti në vit, po bëhen një me tokën, tani kanë mbetur vetëm në kujtimet se në Triesh jo shumë kaherë ka pasur gjallëri. E, kjo nuk është mirë. Por, për ringjalljen e jetës në këtë vendbanim të lashtë , ku janë ruajtur në periudha të ndryshme të historisë, virtytet më të larta të kombit tonë, po përkujdesen maksimalisht bijtë dhe bijat e kësaj trevë shqiptare të shpërndarë në shtete të ndryshme të Evropës dhe Botës, të tubuar në Fondin Humanitar “ Trieshi” . Me investimet e këtij fondi në infrastrukturë ky vendbanim malor midis maleve e pyjeve, me një bukuri të rrallë natyrore, me një klimë të shëndetshme e ajër të pastër, janë një shembull se si duhet vendlindja. Rruga e asfaltuar, shkolla nëntëvjeçare e modernizuar, shtëpia e kulturës, objektet e bukura fetare, shitorja, shtëpitë riparuara, përmendoret e figurave të ndritura vendore, kombëtare dhe fetare, me të cilët krenohemi me të drejtë , janë vetëm një pjesë të një mozaiku e imazhi të ri të Trieshit që japin shpresë për një të ardhme më të ndritur të këtij vendbanimi.

Për arsye kohe nuk do të flasë për gjithë atë plejadë të tërë intelektualësh , burra të besës e trima të lirisë të cilët bënë emër dhe fituan famë të madhe , madje edhe në qendra të njohura jashtë vendit , në fushën e kulturës, arsimit, shkencës e tjerë. Në mesin e këtyre njerëzve të mëdhenj , që u përkundën në djepin e Trieshit, gjithësesi është edhe protagonisti kryesor i këtij aktiviteti, Agron Lucaj.

Të flasësh për jetën dhe veprën e Agronit pa emocione është e vështirë, sepse e kisha bashkëvendës. Shokë shkolle në vendlindje , për një kohë ishim studentë të afërmë në Kosovë dhe së fundmi edhe mik të shtëpisë.
Lindi në fshatin Stjepoh – Triesh në vitin 1949 . Shkollën fillore e kreu në vendlindje me sukses të shkëlqyer. U dallua jo vetëm për dije e inteligjencë, por edhe për sjellje të veçantë e maturi , që tejkalonin moshën e tij. Shkollën e mesme pesëvjeçare të mësuesisë e përfundon në Prishtinë. Në vitin shkollor 1969/70 regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Matematikore – UP në drejtimin e fizikës , ku edhe diplomoi në afat rekord.

Me dëshirën e tij dhe mbështetjen e prindërve regjistroi studimet pasuniversitare në Universitetin “ Rugjer Boshkoviq”, në Zagreb – në grupin Fizika Atomike Molekulare, të cilat i kreu me sukses të lartë, dhe merr titullin shkencor magjistër, në vitin 1979. Ka punuar si asistent dhe ka ligjëruar disa vite në Institutin e Fizikës dhe të Matematikës panë Univesitetit të Prishtinës.

Agroni edhe pse kishte një arsimim të lartë ishte njeri i thjesht e modest, nuanca cilësore të kundërta me kryelartësinë, mendjemadhësinë dhe krenarinë. Për shkak të thjeshtësisë dhe modestisë së tij gëzonte autoritet në mesin e shokëve dhe kolegëve. I ndihmonte studentët në çdo rast kur kërkonin nga ai. Veçmas i ndihmoi dhe i përkrahu studentët nga Malësia, por jo vetëm, duke u dhënë këshilla nga përvoja e tij.

Unë personalisht nuk i jap vetes të drejt të vlerësoj arritjet shkencore të Agron Lucajt, në fushën fizikës molekulare, sepse nuk i takoi kësaj lëmi. Por e di se tema e magjistraturës dhe punimi i përgatitur i doktoratës në qarqet shkencore cilësohen si arritje të larta shkencore. Leksionet e tij u vlerësuan shumë nga studentët e Universitetit të Prishtinës. Përveç cilësive të tij si profesor universiteti ai karakterizohej nga vlera morale, drejtësinë e tij, virtytet e tij njerëzore dhe etike. Andaj, do të fokusohem tek ditët e fundit të jetës së tij, si dëshmitar i gjallë i asaj ditë shumë të dhimbshme, jo vetëm për familjarët e tij, por edhe për të gjithë ata që e njihnin, bashkëpunonin apo shoqëroheshin me të. Dua të shpalosë para jush fakte, e jo insinuata, trillime e deklarime sensacionale të dëgjuara deri më sot për vdekjen e Agronit, të cilat, me ose pa qëllim të keq, kanë shkaktuar paqartësi, huti dhe kanë prekur në dinjitetin njerëzor të familjes dhe të afërmve të tij.

Lajmi i parë për aksidentin tragjik të Agron Lucajt u kumtua në një rast vdekjeje në fshatin Luhar të Malësisë. Njerëzit me pikëllim të lartë e pranuan këtë informacion të trishtë. Zemra e vëllait të Agronit, Nikollës i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni mortore, u copëtua nga dhimbja. Iu afrova, u shtrëngova fort, për ta ngushëlluar.

U nisëm së bashku për në Titograd ( Podgoricë), me qëllim që të mbërrijmë sa më parë në Zagreb. Mundësia e vetme për të shkuar atje ishte me makinë. Po atë ditë, më datë 16.09.1981 u nisëm drejt Zagrebit, në shoqërim të mësuesit Gjon Tomë Berishaj dhe vajzës së tij Leonorës, të fejuarës së Agronit. Pas gjashtëmbëdhjetë orë udhëtimi arritëm në Spitalin e Zagrebit – në Repartin e Traumatologjisë, ku ishte shtruar për shërim Agroni.

Punëtorët shëndetësorë të këtij spitali na pritën shumë mirë. Na njoftuan hollësisht me lëndimet e frakturave të trupit të tij. Plagë më të rënda, siç na njoftuan mjekët, kishte pësuar në kokë dhe informatat e para nuk ishin aspak shpresëdhënëse. Në ambientet e spitalit qëndruam tërë ditën. Aty erdhën numër i madh studentësh nga Zagrebi e Lubjana. Në mbrëmje mbërrini vëllai i Agronit Zefi nga Gjermania dhe disa kolegë e shokë të tij nga Prishtina. Aty përjetuam një stres të paparë, ankth të madh i cili na shtrëngonte gjoksin, sikur donte të na plas. Nuk mund të gjenim qetësi. Ndërkohë që mjekët specialistë dhe infermierët po e trajtonin në mënyrë profesionale dhe nuk kursenin asgjë për t’ia shpëtuar jetën Agronit , i cili ishte në luftë të ashpër mes jetës dhe vdekjes.

Me dëshirë të mësojmë se si ndodhi aksidenti, në të cilin Agroni përjetoi lëndime të rënda trupore, shkuam në polici, e pastaj edhe në vendngjarje para ndërtesës së Komunës së Zagrebit, ku komunikacioni rregullohej me sinjalistikë moderne. Sipas shpjegimeve zyrtare Policisë Rrugore të qytetit të Zagrebit ( Kroaci) ) ngjarja tragjike ndodhi në ora 21:oo, teksa Agroni po kthehej nga një kurs i gjuhës angleze, sigurisht i thelluar në mendime, kalon rrugën me dy semaforë me ngjyrë jeshile, ndërsa semafori i tretë mbyllet për këmbësorët për t’ia mundësuar kalimin tramvait. Agroni, duke mos e vërejtur se ishte ndezur ngjyra e kuqe e semaforit kishte tentuar të kalojë rrugën me shina, por në atë moment u godit nga tramvaii. Kjo , është e vërteta e këtij aksidenti tragjik. Çdo rrëfim tjetër është i pavërtetë dhe gënjeshtër.

Agroni, nuk arriti t’i mbijetonte këtij aksidenti tragjik.

Ai ndërroi jetë, në moshën 32 vjeçare, tri ditë pas ngjarjes tragjike, ditën e premte me datë 19.09.1981, nga plagët e marra në përplasjen e fuqishme me tramvain. Vëllai i tij Zefi ishte i pranishëm në momentin kur personeli mjekësor i spitalit të Zagrebit po e përgatiste trupin e pajetë të Agronit në arkivolin e blinduar për ta nisur për në vendlindje. Moment mjaft rrëqethës ishte kur Zefi e përqafoi për herë të fundit të vëllain e vet para se të mbyllej dera e arkivolit. O Zot, mos e përjetoftë kush?

Lajmi i hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta e këtij intelektuali në kulmet e arritjeve shkencore na tronditi të gjithëve pa masë. Mes dhimbjes dhe lotëve , Agron Lucajt iu dha lamtumira e fundit në ceremoninë mortore që u zhvillua në fshatin Stjepoh. Atë ditë zie për të gjithë shqiptarët, qindra qytetarë të Malësisë, Kosovës, trevave tjera shqiptare dhe të diasporës i dhanë nderimin e fundit, që nuk ishte parë ndonjëherë në Malësi. Nga pikëllimi ushtonte Suka, Kazheniku e malet përreth. Qante Trieshi, lotonte Malësia, qanin mbi arkivol jo vetëm familjarët dhe të afërmit, por qindra qytetarë të tjerë të cilët kishin ardhur për u dhënë forcë e kurajë më të dashurve e tij të zemrës, ata uleshin në gjunj, luteshin me duar ndgitur e shiqim lartë në qiell dhe vajtonin pa pushim për njeriun më të dashur.
Pas varrimit të Agronit familjen e tij e ngushëlluan kohë pas kohe kolegë e bashkëveprimtar nga shume qëndra universitare , të cilët sjellën dhurata në shenjë respekti e nderimi për të . Por dhurata më domethënëse ishte ajo nga kolegët e Agronit nga Prishtina , të cilët i dorëzuan nënës së tij një shumë parash për ngritjen e një busti mbi varrezën e Agronit, i cili do të shërbente si një emblemë e pavdekshmërisë.

Në përfundim, duhet theksuar, se veprimtaria e tij shkencore, praktika e përvoja e gjallë e lënë përgjysmë, puna organizative dhe aktivitetet e tij publike i japin Agron Lucajt jetëgjatësinë dhe pavdekësinë, duke na kujtuar “Fjalët e qiririt” të Naimit:

“Kur më shihni se jam tretur,
Mos pandehni se kam vdekur”!…
Jam i gjallë e jam në jetë.
jam në dritët të vërtetë, ”.

I përjetshëm qoftë kujtimi për magjistër Agron Lucaj.

Zoti e mëshiroftë!