Zef Hila kundër Alibeajt: Berisha, jo i përjashtuar nga grupi i PD

0
438

Deputeti i PD, Zef Hila, përmes një statusi në rrjete sociale bën të qartë se është distancuar nga platforma Alibasha. Hila shkruan se platforma e prezantuar nga Alibeaj krijon ngërçe të cilat nuk zgjidhin, por përkeqësojnë situatën në radhën e demokratëve.

Ndër të tjera deputeti i PD shprehet se të gjithë demokratët duhet te jenë të bashkuar nën një sigël të vetme të Partisë Demokratike.

Postimi i plotë i Zef Hilës

Të nderuar demokratë të Bashkisë Vau Dejës dhe Qarkut të Shkodrës,

Si përfaqësues i juaji në Parlamentin Shqiptar, pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ndjej detyrimin tim personal për të sqaruar të gjithë demokratët e Qarkut Shkodër, për qëndrimin tim lidhur me situatën aktuale në Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Situata e vështirë, në të cilën po kalon forca e vetme me frymë demokratike, e lindur në vitet 90 për të sjellë ndryshimin në Shqipëri, sot ka nevojë për Bashkim, dhe asnjë “përçarje”.

Të gjithë jemi njohur me platformën e propozuar, e cila lë shumë hapësira dhe krijon “ngërçe”,  të cilat nuk zgjidhin por përkeqësojnë situatën në radhët e demokratëve.

Si zëri juaj dhe përfaqësues i demokratëve ndjej detyrimin t´ju bëj me dije qëndrimin tim përballë kësaj situate:

  1. Grupi parlamentar i dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit 2021 duhet të jetë unifikues, duke filluar me shfuqizimin e çdo vendimi për përjashtim të deputetëve të grupit parlamentar.
  2. Të gjithë demokratët duhet te jenë të bashkuar nën një sigël të vetme të Partisë Demokratike.
  3. Vota e lirë e çdo demokrati është baza për zhvillimin dhe forcimin e Partisë Demokratike.

Ky është qëndrimi im përballë demokratëve, çdo kërkesë përjashtuese ndaj çdo demokrati thellon krizën ndërkohë që sot është koha vetëm për bashkim rreth vlerave të demokratëve.