UÇK, Kosovë, Hero, shqiptar e atdhetar, kjo ishte biografia e Ilir Konushevcit-Mergimit

Epoka e UÇK-së, Ilir Konushefci - Mërgimi (20.6.1969-9.5.1998).Si u vra Ilir Konushefci, Komandant “Mërgimi”? është bërë para nje viti dhe është botuar vetëm në Gazetën "Zëri i Kosovës", informatat bashkëluftari i Ilirit i ka marrë qysh gjatë luftës në Maqedoni, nga një zyrtar i lartë i hirarkisë së lartë të SHIK-ut të Shqiprisë në vitin 2001, gjatë një takim-bisede për luftën në Maqedoni, që ishte gati nga mbarimi.

0
1112
Agim Vuniqi
Heroi i Kombit Ilir Konushevci, është pjesë e debateve dhe shkrimeve të gjata, ngase jeta e tij ishte modeste…, bashkëshort i dalluar, i dashur dhe i ndershëm i gruas së tij Lules dhe babai i Nertilës, i dëshmuar me veprën e tij, kombëtarisht shumë të vlefshme, që duhet të paraqitet në mënyrën më dinjitoze, ashtu siç ishte vet ai. Ju me të drejtë mund të shtroni shumë pyetje, dhe të bëni çudi pse aq pak shkruhet për jetën e tij familiare, ku gjendet bashkëshortja e tij, dhe vajza e vetme Nertila, cili është përkushtimi i institucioneve të shtetit për familjen e tij të ngusht, a i ka takuar ata ambasadori i Kosovës në Zvicer, a ka pasur ndonjë korespondencë zyrtare të presidentes Jahjaga me te dhe vajzën Nertilen, dhe cilat janë beneficionet e shtetit, që i takojnë bashkëshortes së Ilirit, Lules, dhe vajzës së tyre, Nertiles? Aq pak dinë opinioni për këtë familje gjigande! Edhepse ka pak informata kam arritur të kuptoj se ajo ka qëndruar stoike në përcaktimet e saja si i shoqi, në idenë qindëvjeçare të Bashkimit Kombëtar, ajo me vajzën jetojnë në Zvicer. 
A ka të bëjë çështja e shtruar, e “kujdesit” institucional-demokratik, me mentalitetin tonë tribal, apo fuqinë e patriarkalizmit të instaluar në institucionet e shtetit të Kosovës? 
Më besoni se do të mbetemi të vegjël para historisë nëse institucionet dhe liderët institucionalë konsiderojnë se kanë kryerë detyrat e tyre të shërbyesëve të qytetarëve duke “belbëzuar”, shpeshherë, retorikë të ripësëritur militante, edhepse ai ishte njëri ndër militantët më të shquar të kombit, dhe së bashku me shumë bashkëluftarë-dëshmorë lufte tashmë qëndrojnë në paqe dhe të heshtur. 
Pse deri më tash është ngurruar të flitet haptas, çka do të thotë të jesh hero lufte, dëshmorë, çlirimtarë… athua si është e formuluar dekorata për vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, a mendohet pak më larg…, se jeta vazhdon dhe familiarët e tyre meritojnë shumë tepër, meritojnë të jetojnë me dinjitet, të kenë pagë mujore, banesë…, unë e di që vajza e Ilirit, hero, dhe bashkëshortes së tij, Nertila, ka shkuar për të vizituar prindërit e babait, axhallarët, dajët, ka shkuar të vizitojë Kosovën, për të cilën dha jetën heroi Ilir Konushevci-Mërgimi. 
Pse organizatorët,presidenca, qeveria, nën protektoratin e të cilëve mbahen akademitë përkujtimore nuk ftonë gruan e tij burrërore Lulen dhe vajzën e shkëlqyeshme, në çdo aspekt, edhe në shkollim, Nertilën, apo këto organizime bëhen për të promovuar veten folësit e ndryshëm. Ato takime jubilare duhet të jenë vende takimi me familiarët e tyre, ngase domethënia e çdo takimi të tillë është nderimi i veprës heroike, në emër të të cilëve mbahen ato; apo edhe s’mund të jetë ndryshe…, ngaqë ato e kanë mbi shpinë, barrën e madhe dhe tepër të Lavdishme e Krenare: Të jenë grueja dhe vajza e ILIR Konushevcit – Mërgimit!
Dëshmori i Kombit, Ilir Konushevci-Mërgimi, Hero i Kosovës
Kryetarja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, më 20 qershor 2011, i ka dorëzuar familjes Konushevci, urdhrin ‘Hero i Kosovës’ me të cilin nderohet Dëshmori i Kombit, Ilir Konushevci. Gjatë takimit me familjen Konushevci, Jahjaga ka vlerësuar lart veprën e Ilirit, për të cilin tha se ai ishte udhëheqës, luftëtar që vetë projektonte dhe vetë realizonte projektet e qëndresës kombëtare. Ai do të jetë frymëzim për brezat që vijnë pas tij, siç ishte frymëzim i gjallë për bashkëluftëtarët e tij, theksoi më tej Jahjaga. ‘Urdhëri ‘Hero i Kosovës’ u jepet figurave historike shqiptare, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri në ditët tona, për njerëzit që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. 
Sipas mediave të shkruera /Kosovain.euro media online/ më 20 qershor 2011 Heroi i kombit Ilir Konushevci është dekoruar për vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Urdhri “Hero i Kosovës” Ilir Konushevcit i është akorduar nga ish-Presidenti Fatmir Sejdiu më 12 maj 2009, ndërsa iu dorëzua familjes së tij nga Presidentja Jahjaga, në 42-vjetorin e lindjes së Ilirit. Gjatë takimit me familjarët e Ilirit, presidentja Jahjaga tha se Iliri ishte një udhëheqës, luftëtar që vet projektonte dhe vet i realizonte projektet e qëndresës kombëtare. 
Ai është jo vetëm inspirim për brezat që vijnë pas tij, por ai ishte inspirim i gjallë për bashkëluftëtarët e tij. Ai kishte zgjedhur rrugën e luftës për çlirim, jo pse ajo ishte rrugë e lehtë, por se ajo ishte rrugë e drejtë, tha ajo. Sot, heroizmi i Ilirit, i bashkëluftëtarëve të tij, dhe i shumë vajzave e djemve të Kosovës, në faza të ndryshme të historisë sonë, shërben si bazë për shkuarjen përpara. E shkuarja përpara është mbështetje e vlerave të lirisë kolektive e individuale, të paqes, të pranimit dhe të krijimit të një shoqërie demokratike me mundësi të barabarta. Ky është rrugëtimi i drejtë i Kosovës dhe në këtë rrugëtim do ta përkrahim njëri-tjetrin, si dhe do t’i kujtojmë me mirënjohje ata që u flijuan për lirinë e atdheut tonë, theksoi Presidentja Atifete Jahjaga. 
Vendimi për dekorimin e Ilir Konushevcit me Urdhrin “Hero i Kosovës” është marrë në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 48, pika 28, si dhe në bazë të Rregullores mbi Dekoratat dhe Titujt e Nderit të Kosovës që i jep Presidentja e Kosovës, dhe Procedurat e Dhënies së tyre, nenet 3, 5, 24 dhe 49. Urdhri “Hero i Kosovës” u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës, të kohëve moderne, nga Lidhja e Prizrenit e këndej, si dhe qytetarëve të Kosovës që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ky ishte arsyetimi i presidentes Jahjaga gjatë dorëzimit të urdhërit “Hero i Kosovës” i akorduar nga ish-Prseidenti Sejdiu më 12 maj 2009 vetëm tre ditë pas përvjetorit të 11-të të vrasjes së Ilir Konushevcit-Mërgimit, ishte ky fillimi i tregimit për rrugëtimin e gjatë të UÇK-së, të Ilir Konushevcit deri në përvjetorin e 14-të, në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe 4 vjet pas pavarësisë së Kosovës. Se sa e gjatë do të mbetet rruga e nisur e Ribashkimit, do të dëshmojë koha, por sa ishte e rëndë tregojnë heroizmat e brezit të Ilir Konushevcit…, e Jasharajve, Haradinajve, e Zahir Pajazitit, e Salih Çekut, Agim Ramdanit, Fehmi Lladrovcit…, e të gjithë atyre herojve dhe dëshmorëve që nuk hezituan asnjë çast për t’ia lënë porosi gjeneratë pas gjenerate gjakun e njomë, Kosovës. 
Cila është e vërteta për vrasjen e Heroit Ilir Konushevci-Mërgimi ?
Si ndodhi që njëri nga figurat më ëmblematike të UÇK-së, në kohën kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë të lartë për në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdo herë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, u vra në mëngjesin e hershëm (rreth orës 2:00) të datës 9 maj 1998, në një pritë të organizuar nga dora e zgjatur hileçare e porositur e pushtuesit serb…, së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim. 
Vrasja e Ilirit, atje ku më së paku pritej, shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe Shtabin e saj Qendror. Në varrimin e tij morën pjesë me mijëra bashkatdhetarë, të cilët atë ditë kishin ardhur nga të gjitha anët e botës për t’i dhënë lamtumirën e fundit luftëtarit të paepur të radhëve të para të UÇK-së.
Cila është e vërteta për vrasjen e “Mërgimit”, e porositur gjithsesi, atë që jep gazeta prestixhioze amerikane “New York Time” e datës 25 qershor 1999, që këto vrasje, akoma të pa investiguara nga drejtësia, ia ka ngarkuar Hashim Thaçit dhe dy prej bashkëpunëtorve të tij të ngushtë, Azem Sylës dhe Xhavit Halitit, atë të versionit të New York Times-it të autorit David Wallsh (http://www.wsws.org/articles/1999/jun1999/kla-j29.shtml; atë që jep Baton Haxhiu nga:“LUFTA NDRYSHE“–pjesë nga libri i BATON HAXHIUT, që e emëron si versioni zyrtar; apo atë të emisionit “Xhungël” i News 24 që solli fakte dhe detaje që publikohen për herë të parë, të cilat hedhin sadopak dritë mbi vrasjen e Ilir Konushevcit-Mërgimit, të përfshirë në “Dosjen Tropoja”, duke implikuar njërin prej protagonistëve të saj, familjen Haklaj; apo versionin e gazetës “Zëri i Kosovës” të interpretuar nga shoku dhe bashkëluftari i tij (emri i njohur për redaksinë e Gazetë “Zëri i Kosovës”), i bazuar në të dhënat e një dëshmitari të gjallë te kohës, dhe ky version i vrasjes së Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës është njëri ndër versionet me të besueshme deri sot. (http://zeriikosoves.org/index.php?option=com_content&view=article&id=491:si-u-vra-ilir-konushefci-komandant-mergimi)
Domosdoshmërisht duhen krahasuar versionet jo për të dhënë ndonjë konkludim të saktë, meqenësë aktorët e përmendur janë në spikamë të akuzave të ndryshme, të pajustifikuara, që do të zbehnin imazhin e luftës së UÇK-së, por edhe do të krijonin hapësirë për manipulim të opinionit, ngase deri më tash asgjë nuk është komentuar, as shkenctarisht, por as që ka pretendime të merret drejtësia me këtë rast, që do të lëkundëte balansin politik, duke krijuar një situatë të konfrontimit të brendshëm politik, e ky nuk duhet të ishte qëllimi i këtij shkrimi…, shumë nga hamendjet e mia do i lë të hapura për lexuesit, që në një kohë të përshtatshme do të shpalosen tërsisht. Nuk dua as të bie në sprovë që materialet e cituara t’i konsideroj si të paanëshme, apo ekzakte, ngase edhe ato mbështeten në deklarata të akterëve pjesëmarrës, por as që pretendoj që ky artikull të shërbejë si i saktë, më tepër ka karakter publicistik ekzagjerues, për të shfletuar në një vend materialet e grumbulluara, shumë nga to të publikuara, për të shërbyer për ndonjë studim të mëvonshëm, më dubioz.
 
I.
 
Versionin e parë e jep autori amerikan David Wallsh në New York Times, në artikullin “Udhëheqësi i UÇK-së urdhëron ekzekutimin e rivalëve, thonë komandantët rebelë” http://www.wsws.org/articles/1999/jun1999/kla-j29.shtml, nga Nga David Walsh, më 29 Qershor 1999 . Një artikull që u paraqit të Premten në New York Times jep dritë shtesë në karakterin e Ushtrisë Clirimtare të Kosoves, grupin që SHBA dhe NATO e kanë bërë partner në okupimin ushtarak të provincës Jugosllave. Pjesë e gjatë, nga Cris Hedges, bazuar në intervistat me komandantët e tanishëm dhe të mëparshëm të UÇK-së, zyrtare të mëparshëm të qeverisë Shqiptare dhe diplomatëve Perëndimorë, e përshkruan udhëheqjen e UÇK-së si brutale, të korruptuar dhe e uritur për fuqi. I reporton thënjet e pa vërtetuara se Hashim Thaçi dhe dy njerëzit e dorës së tij të djathtë – Azem Syla, ministri i mbrojtjes së UÇK-së, dhe Xhavit Haliti, ambasador i saj në Shqipëri – ka urdhëruar vrasjen e komandantëve më të lartë të organizatës së tyre dhe rivalët potencialë brenda lëvizjes këmbëtare të shqiptarëve të Kosovës. 
Hedges ka intervistuar një ish anëtar të këtij grupi në Zvicër, Rifat Haxhiaj, i cili i tha atij se: “Kur lufta (kundër autoritetit serb) fillojë, secili dëshironte të behej shef. Për udhëheqjen kjo nuk ishte vetëm një luftë kunder serbëve – ishte po ashtu një perleshje për fuqi.” Një diplomat perëndimor, komentoi se, “taktikat e pa-mëshirshme te Z. Thaçit jane legjendare në rajon. “Diplomati shpjegoj: “Thaçi ka një reputacion për të qenurit mjaft i egër … Haliti dhe Syla nuk janë te njohur për temperamentet e tyre të ëmbëla. Kjo është një mahallë e ashpër, dhe kërcënimet dhe vrasjet ndodhin.” 
Hedges reporton një incident nga viti 1997 në të cilin një reporter shqiptar i Kosovës, Ali Uka, ishte gjetur i vdekur në apartamentin e tij në Tiranë, kryqytetin Shqiptar, “fytyra e tij ishte disfiguruar nga therjet e përseritura me një kaçavidhë dhe tehet e shishes së thyer.” Uka ishte mbështetës i lëvizjes së Kosovës për pavarësi, por ai kishte kritikuar në shkrime. Shoku i tij i dhomës në kohën e vrasjes së tij ishte Thaçi, i quajtur me nofkën “Gjarpëri”, për të cilin, Hedges shënon se, “Dhuna ka lëvizje të gjatë…” 
Udhëheqësia e UÇK-së ka zhvilluar një marrdhënje të ngushtë me qeverinë shqiptare, “e cila ka reputacion për korrupsion dhe ka qenë e lidhur nga diplomatët perëndimorë në trafikimin e drogës.” Sipas zyrtarëve të mëparshëm dhe të tanishëm të UÇK-së, Thaçi drejtoj vrasjet në bashkëpunim me regjimin e Tiranës, i cili shpesh vendos anëtarët e regjimit të tij në polici të fshehtë “në përdorim të komandantëve rebele.” Së paku dy zyrtarë të policë së fshehtë shqiptare ishin pohuar të kenë luftuar me forcat e UÇK-së. Dy zyrtarë të ish UÇK-së dhe një ish zyrtar i Policisë shqiptare i tha Hedges-it se “Haliti ishte duke punuar në Kosovë me agjentë të policisë së fshehtë shqiptare nga Shqipëria që të formojnë një rrjet të sigurisë së brendshme që do të përdorej të qetësonte kundërshtarët në Kosovë.” 
Thaçi dhe ndihmësit e tij ishin rregullisht të përfshirë në kontrabandimin e armëve nga Zvicra në tri vitet para se te fillojë kryengritja e UÇK-së në fillim të vitit 1998. Thaçi dhe Haliti kanë familjet në Zvicer, por më vonë, sipas pjesës së Hedges-it, “ka formuar një familje të re në Tiranë, ku ai ka një vilë të madhe dhe lidhje të ngushta me udhëheqësit e vjetër të Qeverisë. ” Artikulli i “Times” raporton se në prill të vitit 1998 një komandant rebel (është fjala për Ilir Konushevcin) i cili kishte transportuar shumicën e armëve akuzojë Halitin për përfitime. Komandanti akuzoj se dora e djathtë e Thaçit ishte duke blerë kuti me granata nga 2$ një pjesë, dhe duke ngarkuar të paguajnë lëvizjen 7$ për çdo granatë. Komandanti, Ilir Konushevci, ishte zënë në pritë dhe vrarë disa ditë më vonë në një regjion të kontrolluar nga UÇK-ja në Shqipërine veriore, vrasje në të cilën u fajësuan serbët. 
Bujar Bukoshi, kryeministri në ekzil i Ibrahim Rugovës, një prej rivalëve më të moderuar të Thaçit, shënon se, “Kufomat kurrë nuk kanë qenë pengesë në karrieren e Thaçit.” Me sa duket UÇK-ja planifikojë një tentim-vrasje të pasuksesshme mbi Bukoshin majin e kaluar. 
Thaçi dhe bashkëpunetorët e tij po ashtu pohohet të kenë eleminuar një rival të finacuar ushtarak nga grupi i Rugovës. Në verën e vitit 1998, gjersa UÇK-ja ishte duke përsuar tërheqje ushtarake, Ahmet Krasniqit, një koloneli të mëparshëm të armatës Jugosllave, i ishte dhënë $4.5 milionë dollarë nga fondet e ngritura nga administrata e Rugovës të ndërtojë një strukturë ushtarake rivale e njohur si Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. Pas tensioneve të ngritura nga grupi i Krasniqit dhe UÇK-ja, Thaçi dhe qeveria shqiptare vendosën që të eleminojnë Krasniqin, bazuar në ish komandantët e UÇK-se dhe zyrtarët e ish qeverise shqiptare. Më 21 Shtator Krasniqi ishte vrarë në Tiranë nga policia e fshehtë shqiptare, ose UÇK-ja, ose nga të dyja. 
Sipas Hedges-it, “Pas vrasjes së Z. Krasniqi, ish komandatët rebelë thanë, vrasjet, spastrimet, dhe arrestimit u përshpejtuan. Policia rebele, e veshur në unformë të zezë dalluese, e vuri në arrestim çdonjërin që paraqitej armik tek Z. Thaçi. Shumë nga këta njerëz jane rrahur.” Pas fillimit të bombardime të NATO-së të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, “edhe komandantë të sinqertë, Agim Ramadani, një kapiten në ish Armatën Jugosllave, dhe Sali Çeku, ishin vrarë, të dy në një pritë të pretenduar serbe. Një ish zyrtar i vjeter i UÇK-së në Tiranë i tha Hedges-it se Thaçi ishte përgjegjës për vrasjet.
 
II
 
Versioni i dytë…”zyrtar”. Cila është e vërteta, sipas versionit “zyrtar” të një zyrtari të lartë të Qeverisë së Shqiperisë, shumë thashetheme dhe nje kurth i pergatitur ? Kur dhe si ishte ndalur kamioni, qe barte arme per ne kufi? Cfarë kishte kërkuar në atë kohë Qeveria serbe prej Misionit te OSBE-se, i cili vëzhgonte zhvillimet në kufirin Kosovë-Shqipëri? 
Por tash kanë kaluar shumë kohë për të pasur mundësi të thuhet e vërteta, të cilën autori pa asnjë hamendje thotë se e di…? Ka një distancë kohore nga ngjarja, prandaj ky rrëfim është i parë nga larg dhe i shkruar nga dikush, për vrasjen e Ilirit. Eshtë gati klithës “zbulimi” i Batonit, nuk dua të përmendë fakte tjera të cilat do të lëndonin dëshmitarët, njërin ndër ta edhe të përmendurin, si dëshmitarë në procesin histrorik të Hagës, ku i gjykohej Millosheviqit dhe pasuesve të tij, por edhe të tjerëve që kanë shkelur Ligjin e Luftës, edhe si aranzhues i takimeve të fshehta me zyrtarë serbë, gjatë kohës së luftës; nuk them që do të degradoj atë që ka hetuar autori, që pretendon t’ia mveshë substancën e versionit zyrtar, ngase këtë nuk mund ta thotë një njeri, as ai, ngase faktet duhet studjuar nga njerëz kompetent-ekspertë të fushave të ndryshme, dhe të njëjtat fakte duhet t’i pranoj gjyqësia si të vërteta. 
OSBE-ja kishte dhënë urdhër që të kontrollohej kufiri Kosovë-Shqiperi. Autoritetet jugosllave ishin ankuar se armët po hyjnë ne Kosove nga Shqiperia. Ata kishin propozuar zonën 5-kilometërshe ne kufirin Kosovë-Shqipëri, nese nuk ndalet trafikimi i armëve nga ky vend. Sa është i saktë ky konstatim? Apo vetëm lakohet “përvjedhurazi” nga Marrëveshja Ushtarake e Kumanovës, pas kapitulimit të ushtrisë serbe. Bile së paku nuk kam ndonjë njohuri për miratimin e ndonjë marrëveshjeje në mes të Shqipërisë dhe Federatës Serbo-malazeze, në atë kohë, apo për ndonjë inciativë të tillë, ngase Qeveria shqiptare “botërisht” nuk ka pranuar asnjëherë se është e implikuar në ndonjë konflikt ndërshtetërorë…?!
Në vitin 1998, OSBE-ja kishte përfaqësues të shumtë në Shqipëri. Dhe vëzhguesit kishin dalë për ditë të tëra në kufirin Shqipëri-Kosovë. Ato ditë ishin të informuar të gjithë pjesëtarët e UÇK-se, që nuk guxojnë të lëvizin kah kufiri. Kështu më rrëfente njeriu kryesor i kabinetit të kryeministrit të Shqipërisë, thotë autori. 
Komandant “Mërgimi”, nuk e kishte ditur se OSBE-ja ka dërguar vëzhguesit e vet në kufirin me Kosovën. Prandaj ishte nisur për të derguar armë. Ai kishte qenë i shkëputur nga vija tjetër furnizuese. Kurrë nuk e kisha dëgjuar një variant të vetëm për vrasjen e Ilir Konushevcit. Shumë variante kanë qenë në qarkullim. E para se vrasja ka ndodhur për shkak të konflikteve të brendshme, kurse varianti tjetër per shkak të kurthit, që i është kurdisur. 
Rrëfimi për vrasjen e komandant Mërgimit, nëse duhet besuar krejtësisht në variantin e shtetit shqiptar, duket kështu: Ky variant është ndërtuar në bazë të rrëfimit të shoferit, i cili ka shpëtuar pasi që është plagosur rëndë. 
Një kamion me armë me një shofer, që ka qenë qytetar shqiptar është nisur rrugës që shpie në veri të Shqipërisë. Udhëtimi është bërë naten. Rruga e vështire dhe me kthesa ka bërë që të udhëtohet ngadalë. Komandanti ka qenë vetë i treti në kamion me bindjen se meqë është i armatosur do ta kalonte lehtë rrugën. Dhjetëra herë kishin kaluar armë ato ditë. Furnizuesit kanë qenë mirë të përcjellë, kurse ndihma e shtetit shqiptar ka qenë e plotë. Jo rrallë edhe pse shteti ka qenë në përcjellje, konvoji ka pasur probleme. 
Komandant Mërgimi e ka nisur rrugen pa askë. Me mikun e tij dhe me shoferin. Mund të ketë ndodhur që shoferi shqiptar e ka bindur apo mund t’i ketë thënë se nuk ka ndonjë rrezik. Rruga e gjatë, ndërkohë, i ka lodhur shumë. Kur kanë mbërritur te një kthesë me një tatëpjetë, në një rrugë krejtësisht malore, kanë parë një pengesë në rrugë. Menjëherë e kanë ditur se ky është një kurth. Së pari në rrugë ka dalë njëri prej plaçkitësve, kurse të tjerët kanë filluar të gjuajnë në ajër. Kanë filluar të shtënat edhe drejt kamionit. Qe të tre kanë dalë jashtë. Shoferi ka mbetur i plagosur dhe është ndalur te goma e parë e kamionit. Ai ka filluar të shtënat, kurse Iliri me mikun e tij kanë filluar ikjen rrugës teposhtë. 
Shoferi ka filluar të gjuajë drejt plaçkitësve. Njëri prej tyre është goditur për vdekje. Kurse të tjerët janë kthyer në mal. Pas disa minutash të shtënat jane ndalur. Shoferi është rrokullisur dhe është fshehur. Plaçkitësit janë afruar për ta marrë të plagosurin. Por ishte dëgjuar një britmë: “Oh, ma kanë vrarë vëllanë”. Plaçkitësit kanë kërkuar përreth kamionit dhe kanë hipur edhe lart brenda çadrës. Nuk kane gjetur asgjë. Vrullshëm janë nisur rrugës. Sharjet e tyre kanë qenë të rënda. Dhe ka pasur edhe vajtim. 
Nuk dihet se pas sa minutash ata kanë arritur te Iliri. Por dihet se ata jane zënë diku në rrugë. Sipas këtij varianti, Iliri nuk ka provuar të hyjë malit, sepse nuk e ka pasur të njohur rrugën. Ata janë zënë dhe janë ekzekutuar që të dy. Nga mënyra se si janë vrarë, me plumb nga afërsia, shihet se aty nuk ka pasur rrezistencë. 
Po të njëjtën ditë, heret në mëngjes, është informuar policia e Kukësit. Nuk ka qenë e lehtë, për të gjithë njerëzit, të arsyetohet vrasja e komandant Mërgimit. Por kjo vrasje është bërë mollë sherri për një kohë ndërmjet pjesetarëve të UÇK-së. 
Kanë kaluar tre vjet për të kuptuar vrasjen. Por të akuzuar për vrasje kanë qene figura publike në Kosovë dhe Shqipëri. Vrasësit e komandant Mërgimit dihen dhe jane gjalle. Ata jane të identifikueshem dhe sorollaten në Tiranë e Londër. Atyre askush nuk iu ka bere padi private për t’i arrestuar, kurse nuk e di arsyen pse nuk jane burgosur nga ana e shtetit.
 
III. 
 
Versioni i tretë, emisioni “Xhungël” i News 24. Autori Artan Hoxha nuk shtjellon ngjarjet ndaras as që e ndan veçmas si ngjarje vrasjen e Heroit Ilir Konushevcit, por të tëra përfshihen në “Ngjarjet e Tropojes”, duke elaboruar njërën pas tjetrës.
Emisioni “Xhungel” i News 24 solli faktet dhe detajet që publikohen për herë të parë, të cilat hedhin sadopak dritë mbi “Dosjen Tropoja” dhe një prej protagonistëve të saj, familjen Haklaj. Vetëm kjo familje ka pësuar deri tani 14 të vrarë. Si nisi dhe pse ende nuk duket në horizont fundi i kësaj tragjedie, numri i viktimave të së cilës nuk dihet kur do të ndalojë? Cilat ishin shkaqet dhe shkaktarët? Pse u përfshinë në këtë tragjedi pesë vëllezërit Haklaj dhe shumë nga djemtë më të mirë të Tropojës? Pse sot pas kaq vitesh drejtësia dhe shteti shqiptar, qeveritë e majta apo të djathta, jo vetëm që nuk i kanë zbardhur ato që kanë ndodhur, por as e kanë marrë guximin të shfletojnë dosjet e përgjakura të kësaj fatkeqësie tragjike që ka mbajtur peng rrethin më të varfër të vendit? Kush fshihet pas atentateve të sofistikuara që do të konkuronin denjësisht dhe organizatat mafioze më prestigjioze të botës? Kush përfitoi prej përgjakjes së familjeve me të njohura të Tropojës dhe vazhdon ta shfrytëzojë këtë tragjedi për përfitime politike? Këto dhe shumë pyetje të tjera do të marrin një përgjigje nga “Xhungël”, që nuk synon të marrë tagrin e prokurorit apo gjykatësit, por nëpërmjet pamjeve, dëshmive dhe fakteve që paraqet do të kërkojë nga strukturat ligjzbatuese të përmbushin misionin e tyre, zbatimin e ligjit. Hetimin dhe dënimin e përgjegjësve të këtyre ngjarjeve tragjike. Jo vetëm për të qetësuar shpirtërat e të vdekurve, por për të parandaluar pasojat e këtij seriali të pafund krimesh në mënyrë që qindra të mbijetuar, fëmijë dhe të afërm të viktimave të jetojnë të qetë të ardhmen e tyre.
Deri në fillimin e viteve ’90 familja Haklaj ishte një nga mijëra familjet e thjeshta të Tropojës. I pari i saj Isuf Groshi, ishte një nga personat e njohur dhe të respektuar në Malësinë e Gjakovës, aq sa dhe sot bëmat dhe shprehjet e tij vazhdojnë të kujtohen, për urtësinë dhe zgjuarsinë e tyre. I biri, Muharrem Haklaj do të kishte shtatë fëmijë, pesë djem dhe dy vajza. Pothuaj të gjithë fëmijët do të arsimoheshin në shkolla profesionale. Pak muaj pas ardhjes në pushtet të kualicionit të djathtë, në verën e vitit 1992, Hamdi Haklaj dhe i vellai Halili do të arrestoheshin me akuzën e vrasjes me mjete të forta të një ekonomisti në Bajram Curri. Dy djemtë më të mëdhej të familjes do të qëndronin në burg per gjashte muaj rresht. Do te liroheshin per mungese provash, por pas ketij momenti besimi i tyre ndaj te sapoardhurve ne pushtet ishte thyer.
Konushevci dhe Mala janë vrarë pabesisht më 9 maj të vitit 1998, në Bajram Curri të Shqipërisë, në krye të detyrës. Një pritë e organizuar nga një grup personash të armatosur, i kushtoi jetën shefit të logjistikës së UÇK-së Ilir Konushevci dhe mjekut tropojan Hazir Mala. Ilir Konushevci, i njohur me pseudonimin “Mërgimi” ishte furnitori kryesor i guerrilasve në Kosovë. Konushevci ishte lidhja më e fortë e Haklajve për kalimin e arsenalit luftarak matanë kufirit. Vrasja e tij më 9 maj 1998, pranë fshatit të vogël Miliskaje, në aksin rrugor Qafe Mali-Bajram Curri ka mbetur ende nje mister.
Mbrëmjen e 8 majit 1998 Ilir Konushevci, miku i tij, mjeku tropojan Hazir Mala dhe një pjestar i UÇK-së që shërbente si shofer, ishin nisur me një kamion me armë në drejtim të Bajram Currit. Për të shmangur ekspozimin dhe kontrollet e policisë ata janë nisur sapo ka rënë nata dhe zgjodhën rrugën e vështirë të Qafe Malit. Rreth ores 02.00 pas mesnate, kamioni ka ndeshur në një pengesë që u kishte bllokuar rrugën sapo kalon fshatin Miliskaje. Një grup personash të armatosur ka qëlluar drejt kamionit, nga një shkëmb i thepisur anës rrugës, duke plagosur shoferin e kamionit dhe kosovarin Ilir Konushevci. Si rezultat i zjarrit të hapur nga Konushevci është plagosur rëndë dhe më pas ka gjetur vdekjen një nga autorët e pritës, i cili më pas rezultoi se ishte ishte nga Tropoja. Shoferi i kamionit është tërhequr duke hapur zjarr në një pozicion më të sigurt dhe ka mundur ti mbijetojë prites. Ndërsa mjeku 60-vjeçar Hazir Mala ka hedhur mbi shpinë Konushevcin e plagosur dhe është nisur drejt fshatit më të afërt për të kërkuar ndihmë. Mala ka ecur për më shumë se një orë me Konushevcin e plagosur mbi shpine, deri sa ka ndeshur sërish në autorët e prites. Këtë radhë sulmi ndaj tyre ka qenë vdekjeprures dhe trupat u janë bërë shoshë nga plumbat.
Vrasësit jane munduar të fshehin gjurmët, duke i hedhur trupat e masakruar të dy dëshmorëve të UÇK-se poshtë një ure, dhe më pas i mbuluan me gurë. Fatmir Haklaj është njoftuar për vrasjen dhe ka shkuar në vendngjarje. Të vrarë ishin miku i familjes Ilir Konushevci, dhe mjeku Hazir Mala, babai i shoferit të tij, Arjan Mala. Kur merr vesh se në Bajram Curri po atë nate ka patur një tjetër të vrarë(Agim Demiri), atëherë Fatmir Haklaj bën lidhjen mes viktimës dhe prites së Miliskajes. Përpjekjet e familjes së viktimës për të justifikuar vdekjen e të afërmit të saj qenë të kota. Për Fatmir Haklajn nuk kishte më dyshim se Demiri kishte qenë autor i prites së Miliskajes, dhe për këtë shkak u hakmorr aty për aty, duke i vrarë dhe të vellain, Bislim Demirin shofer taksie në qytetin e Bajram Currit. Vrasja e dy dëshmorëve te UÇK-së, Konushevcit dhe Malës, vazhdon të jetë ende e pazbuluar nga organet e drejtësisë. Kush ishte vënë në dijeni për lëvizjen e kamionit me armë drejt Tropojës ate nate? Ke kishte takuar “Mërgimi” në kryeqytet përpara se të nisej drejt Bajram Currit? Dyshimet ishin për një pritë të paguar nga shërbimi serb UDB, ose nga vrasës të grupeve rivale që merreshin me trafikun e armëve drejt Kosovës?! Edhe pas 9 vitesh ngjarja e Miliskajes mbetet e mbuluar me mister, ndërsa fotoja e Konushevcit u bashkua me fotot e të vrareve në muret e kullës së Haklajve.
 
IV.
 
Versioni i katërtë i detajizuar në shkrimin “Si u vra Ilir Konushefci, Komandant “Mërgimi”, është bërë para nje viti dhe është botuar vetëm në Gazetën “Zëri i Kosovës”, informatat bashkëluftari i Ilirit i ka marrë qysh gjatë luftës në Maqedoni, nga një zyrtar i lartë i hirarkisë së lartë të SHIK-ut të Shqiprisë në vitin 2001, gjatë një takim-bisede për luftën në Maqedoni, që ishte gati nga mbarimi. 
 
Si u vra Ilir Konushefci, Komandant “Mërgimi
 
Një pritë e organizuar nga një grup personash të armatosur, i kushtoi jetën shefit të logjistikës së UÇK-së Ilir Konushevci dhe mjekut tropojan Hazir Mala. Ilir Konushevci, i njohur me pseudonimin “Mërgimi” ishte furnitori kryesor i guerrilasve në Kosovë. Vrasja e tij më 9 maj 1998, në aksin rrugor Qafë Mali-Bajram Curri ka mbetur ende një mister.
Mbrëmjen e 8 majit 1998 Ilir Konushevci, miku i tij, mjeku tropojan Hazir Mala ishin nisur me një makine private duke I prirë një kamioni me armë në drejtim të Bajram Currit nën përcjelljen e dy punëtorëve të SHIK-uk të Shqipërisë. Për të shmangur ekspozimin dhe kontrollet e policisë ata janë nisur sapo ka rënë nata dhe zgjodhën rrugën e vështirë të Qafë Malit. Vëllezërit Demiri të cilët edhe sot e kësaj dite edhe pa zbardhjen e vrasjeve njihen si autorët e pritës, kishin shkuar në Tiranë për të pritur vëllain tjetër që u vinte me pushime nga Anglia dhe në kthim kanë ndaluar e janë bërë bashkë me bandën e tyre për të zënë rrugën.Rreth orës 02.00 pas mesnate, afër fshatin Miliskajë, është qëlluar drejt Makines ku gjindeshin Ilir Konushevci dhe Doktori Hazir Malaj, nga një shkëmb i thepisur anës rrugës,me qëllim ndalimin e mjetit. Megjithëse automjeti ku ndodheshin doktor Haziri dhe Iliri u sulmua dhe të shtënat mund të dëgjoheshin deri shumë larg, kamioni me armë dhe me shoqëruesit e SHIK-ut në të nuk u duk asgjëkundi për ti përkrahur dhe mbrojtur ata. Një kamion me armë!!! Kur kriminelët kanë ndaluar makinën kanë parë se në të është Hazir Mala dhe i kanë kërkuar të largohet se ata kanë qenë shokë të Arianit djalit të Hazirit I cili ishte vrarë pak kohë më parë, për më tepër ata kishin urdhër të vrisnin vetëm njërin!!! Hazir Mala, jo vetëm që nuk është larguar por edhe ka qëlluar duke vrarë pikërisht emigrantin nga vëllezërit Demiri. Kur është vrarë vëllai ata e kanë humbur toruan dhe nuk kanë ditur më cfarë të bëjnë. I kanë marrë me vete në makinat e tyre Ilirin dhe Hazirin dhe në udhëtim e sipër kanë vendosur që të vrasin dhe Hazirin sepse ishte dëshmitar, por duke iu afruar me shumë fshatit Fierzë skanë pasur më shumë raste dhe I kanë zbritur nga makina duke I shtyrë drejt përroit të Poravës e aty kanë qëlluar barbarisht mbi ta!!. Mbaj mend si sot kur kam shkuar në Morgun e Spitalit që Iliri ka pasë 18 vrima dhe të gjitha në trup, asnjë në kokë apo këmbë, vetëm edhe dy vrima në krah të majtë. Nga vrimat në bark i dilnin zorrët jashtë. Hazir Mala i ka dalë përpara për ta mbrojtur dhe i ka pasë vrimat në të gjithë trupin, ndërsa Iliri më shumë ka pasë vrima në anën e majtë sepse e ka mbrojtur trupi i Hazirit.Të nesërmen u hap lajmi se njëri nga vëllëzërit Demiri kishte vdekur rrugës për në shtëpi.Si arsye e vdekjes u tha se I ndjeri kishte dale natën nga makina për të kryer nevojat personale dhe kishte qëlluar padashje duke vrarë veten. Me plumb pas koke!!?? Më vonë është marrë vesh se Hazir Mala dhe Ilir Konushevci kanë humbur rrugës sepse kamioni ishte kthyer në Tiranë. Tani vetëm budallenjtë nuk dinë ti  japin zgjidhje kësaj pune sepse kamioni që u kthye si u kthye, pse nuk vajti në Bajram Curr? Në kamion ishin pjestarët e SHIK-ut dhe ata kishin armë, një kamion me armë, pse nuk ndërhynë? Pse nuk i mbrojten Ilir Konushevcin dhe Hazir Malën? Nga të gjitha ato armë që u shkrepën për të ndaluar makinën e Hazir Malës pse nuk e kapi asnjë plumb kamionin apo ishte aq larg kamioni? Tani që Ilirin dhe Hazirin I vranë disa tropojanë që mereshin me prita e vrasje dihet po kush e beson se ata e bënë pritën për ti grabitur personat në fjalë? Ata po të kishin qëllime grabitqare do të ndalonin kamionin jo autoveturën me dy persona brenda. Për këtë kush ka përgjigje?? SHIK-u? Xhavit Haliti me Azem Sylën se bashku me Raif Gashin dhe Naim Hazirin-Dilaverin? Pastaj nga e dinin në Tiranë se kanë humbur Hazir Malaj dhe Ilir Konushevci dhe kamioni u kthye rrugës? U treguan SHIK-sat tradhëtarë që braktisën shokët në breshëri kallashinkovësh??? Sipas një dëshmitari të gjallë te kohës ky ështe versioni i vrasjes së Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës dhe është njëri ndër versionet me të besueshme deri sot. Ende ka shumë enigma për këtë vrasje, por me vullnetin e mirë të Raif Gashit, Naim Hazirit-Dilaverit, Xhavit Halitit, Azem Sylës, e sa të tjerëve, enigma e vrasjes në pusi e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës do të zbërthehej tërësisht një ditë. Për hir të së vërtetës, në nder të atyre që i kushtuan jetën lirisë së Kosovës dhe për dhimbjen e atyre që lanë pas e kërkojmë një përgjigje që të na bindë kësaj here!
 
Përvjetorët…
 
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hyri në historinë më të re dhe më të lavdishme shqiptare. Së bashku me UÇK-në hynë në histori edhe ata që e formuan UÇK-në, ata që luftuan nën emblemën e saj dhe ranë për lirinë e Kosovës… Rënia e Ilir Konushevcit është shoqëruar me mijëra ngritje dhe këto ngritje janë bërë me një qëllim: atë të vazhdimit të rrugës së lënë nga ai me qëllimin dhe realizimin e porosisë së tij – çlirimin e trojeve etnike shqiptare. Këta përvjetorë do të duhej të shërbenin për mobilizimin tonë në luftën për liri. “Gjaku i derdhur i brezave të tërë liridashës të këtij populli jo rrallë gjatë historisë ka shpalosur para nesh këtë mësim: mësimin për ta fituar lirinë. Është mësim se si jetohet, ta përvetësojmë këtë mësim, të fitojmë kurajo se një populli të tërë nuk mund t’i mbyllen rrugët për të ecur drejt lirisë së tij” “Dëshmori Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së shkroi rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare. Në kohën kur Kosova përjetonte ditët më të vështira të saj, falë trimave si Iliri, falë shpirtit liridashës dhe qëndresës së tyre, për popullin tonë filloi një epokë e re, epoka e UÇK-së”. Konushevci ishte dhe mbetet një ndër nga figurat më emblematike të UÇK-së, ai ishte ushtar i radhëve të para të saj, bashkëluftëtar i Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Adrian Krasniqit, Luan Haradinajt etj. Ilir Konushevci është ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në në përgjithësi.“Vepra e tij luftarake është një vepër e shumanshme. Çdonjëri nga ne e ka të vështirë ta shpjegojë, por mjafton të përkujtojmë se ishte njëri ndër luftëtarët e parë që u gjend pranë komandantit legjendar Zahir Pajaziti, Hakifit, Edmondit dhe shumë luftëtarëve të tjerë, të cilët kishin filluar fillet e para të UÇK-së në Llap..“Duke bashkëpunuar me shumë trima si me Adrian Krasniqin, Qerim Kelmendin, por edhe me qytetarët e Tropojës, Iliri arriti që të ndërtojë një sistem që ishte funksional për ato rrethana, ndërkaq njerëz si Hazir Mala kishte shumë në Shqipëri, që e kanë ndihmuar luftën e UÇK-së”. Kështu shprehen, bashkëluftarët e tij, në përvjetorët e rënieve të dëshmorëve, por më duket më së bukuri është shprehur vëllai i Heroit-Ilir Konushevcit-Mërgimit, Artan Konushevci. Ai ka thënë se si çdo familje dëshmorësh ndihen të fortë, “por do të ishim edhe më të fortë sikur ne të ishim të gjithë së bashku dhe ta realizonim atë për të cilën Iliri me shokët e tij ranë”