Ta pastrojmë veten për ta pastruar Malësinë

0
458

Gjekë Gjonaj
Mbrojtja e mjedisit nuk duhet të jenë përgjegjësi e vetëm një
institucioni, por e të gjithëve dhe për këtë do të duhet të
punohet çdo ditë. Do të ishte mirë për të kuptuar se në fakt
rruga, ura, lumi, fusha, parku e gjithçka tjetër nuk është vetëm
e institucionit përgjegjës. Aq më tepër sot, kur Mali i Zi si shtet
ekologjik dhe gjithë bota po përballet me virusin COVID-19, i
cili na ka vetëdijesuar se në parandalimin e tij gjëja kryesore
është të mbajmë pastërtinë.
Komuna e Tuzit ka akoma nevojë për punë, ka akoma nevojë
për angazhim dhe ka nevojë për më tepër që të gjithë qytetarët e
saj të sensibilizohen dhe të ndërgjegjësohen për të mos ndotur
mjedisin. Cilido nga qytetarët e Malësisë aty ku punon dhe
jeton duhet të japë kontributin e vet për të pastruar sadopak.
Sepse peizazhi i Malësisë është prekur në një mënyrë të
pakëndshme dhe mbeturinat janë të gjithëpranishme në zonat
urbane dhe rurale. Imazhi që përcillet lë shumë për të
dëshiruar. Është në dinjitetin e Komunës që ajo të jetë e
pastër. Për ndotjen e ambientit në këtë trevë nuk duhet
fajësuar dikë tjetër. Nuk mund të themi na e ka fajin armiku,
jo! Për ndotjen e kemi vet fajin. Dhe kur ta pranojmë fajin,
mund t’i dalim zot. Po gjetëm arsyetim, siç gjejmë tipikisht ne
ballkanasit, se për gjendjen tonë fajin na e ka armiku imagjinar
nuk kemi gjë për fill.
Duhet ta kuptojmë ne jemi pjesë e natyrës dhe se nuk mund të
ndahemi nga ajo. Sado që ne të paraqitemi se jemi me te fortë
se natyra, ajo gjithmonë na e kthen në një mënyrë. E jona
është që t’i ndryshojmë këto shprehi. Çdoherë duhet të nisemi

nga vetvetja dhe të jemi shembull për të tjerët. Kryesorja është
që ne së pari të pastrojmë mbeturinat që ndodhen në ne, të
cilat i kemi fituar nga jashtë. Në atë masë do të pastrojmë
shtëpinë tonë , oborrin tonë dhe mjedisin ku jetojmë. Nga
sjellja jonë do të edukohen edhe fëmijët tanë. Për fat të keq në
shoqërinë e sotme është trup të jesh i kulturuar. Ndërkaq
mburremi kur shkojmë në vende të tjera evropiane e botërore
me kulturë më të lartë dhe shohim trotuare të pastra , kopshte
e parqe të gjelbëruara. E kur kthehemi në vendin tonë sillemi
ndryshe nga atje. Vazhdojmë me “ kulturën” tonë të hershme,
të hedhim lloj-lloj plehërash kudo në hapësira publike, pa
menduar fare se ato dëmtojnë shëndetin tonë, të familjarëve
tanë dhe të gjithë të qytetarëve e mysafirëve që e frekuentojnë
këtë trevë. Ne duhet të jemi ata që personalisht të
ndryshojmë vetëdijen tonë, e pastaj edhe atë kolektive. Beteja
që duhet fituar është ajo e mentalitetit. Nuk mund ta pastrojmë
Malësinë, pa e pastruar veten. Vetëm kështu ne mund të
fillojmë të ndryshojmë imazhin e Malësisë dhe ta bëjmë atë (
vendlindjen tonë) më të pastër. Prandaj, mos të hezitojmë. Që
nga sot mund ta fillojmë një ndryshim të ri, sepse mjedisi është
garantues i shëndetit. Është në dinjitetin e Komunës së Tuzit
që ajo të jetë e pastër dhe një komunë model për komunat tjera.