SPAK po heton Agaçin, Ahmetajn, Gjiknurin e Ballukun

0
221

Prokuroria e Posaçme njoftoi këtë të Hënë dërgimin në gjyq të dosjes së inceneratorit të Elbasanit, duke iu përgjigjur njëkohësisht, në mënyrë indirekte, edhe kritikave të drejtuara ndaj saj së fundmi, për “përjashtim të zyrtarëve të lartë nga hetimi”.

SPAK deklaroi se ka dërguar për gjykim ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, ish-sekretarin e tij të Përgjithshëm dhe njëkohësisht ish-deputetin socialist, Alqi Bllako, si edhe biznesmenët Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja, për veprat penale që lidhen me korrupsionin dhe pastrimin e parave.

Gjithashtu, në gjykim për të njëjtën dosje janë dërguar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës edhe zyrtarët e përfshirë në procedurat e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri dhe Serafin Papa.

Por, ajo që bie në sy në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme është një listë veprimesh të tjera, të cilat po bëhen në vijim të hetimeve për procedurat e këtij koncesioni.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) nuk ka përmendur emra të përveçëm, por gjithësesi nuk është e vështirë të kuptohet se po kërkohet përgjegjësia tek pesha shumë të rënda politike.

Lista përfshin hetime në institucionet dhe strukturat që drejtohen ose janë drejtuar nga Ëngjëll Agaçi, Artur Metani, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Belinda Balluku e Nasip Naço.

SPAK-u ende nuk ka arritur të bindë opinionin publik për forcën e tij. A do të jetë në gjendje që të mbërrijë deri tek “peshqit e mëdhenj”?

Çfarë thotë SPAK

Për të kuptuar se ky synon SPAK-u me hetimin e veçuar për inceneratorët, është e nevojshme zbërthimi i paragrafëve të informacionit zyrtar të përcjellë për median e publikun.

  1. Prokuroria e Posaçme thotë se “po hetohen rrethanat dhe faktet që lidhen me pretendimet se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin në proçedurën e kalimit per miratim në Këshillin e Ministrave të projekt vendimit tëpropozuar nga Ministria e Mjedisit mbi bazën e të cilit ështëmiratuar më pas V.K.M nr. 907, datë 17.12.2014 që ka miratuar sigurimin e financimit të nevojshëm të kontratës së konçensionit”.

Vendimi për financimin e kontratës koncesionare për ndërtimin dhe operimin e inceneratorit të Elbasanit është miratuar në Kabineti Qeveritar, pasi më herët, sipas rregullit, është shqyrtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe Drejtori Juridik i institucionit.

Në atë kohë, si edhe në vijim, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave është Ëngjëll Agaçi. Ndërkohë, Drejtor Juridik i Kryeministrisë në atë kohë ka qenë Artur Metani, i cili sot është Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

  1. Prokuroria e Posaçme thotë se “po hetohen rrethanat dhe faktet që lidhen me pretendimet se funksionarët e Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Ministrisë së Drejtësisë, në kundërshtim me ligjin kanë kthyer përgjigje pozitive ndaj Ministrisë së Mjedisit lidhur me zbatimin e proçedurës “negocim pa shpallje”, duke përfshirë edhe provat dhe dokumentet që janë gjetur dhe janë nxjerrë nga kompjuterat e sekuestruara në banesën e të pandehurit Klodian Zoto”.

Në kohën e dhënies së koncesionit për inceneratorin e Elbasanit, postin e Ministrit të Energjitikës e ka mbajtur Damian Gjiknuri, postin e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik e ka mbajtur Arben Ahmetaj dhe Ministër i Drejtësisë ka qenë Nasip Naço.

  1. SPAK thotë që “po hetohen rrethanat dhe faktet që lidhen me pretendimet se ka pasur mungesë kontrolli në zbatimin e kontratës konçensionare, si dhe rrethanat që lidhen me pretendimet se është dhënë në kundërshtim me ligjin miratimi për prodhimin e energjisë për shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k me vendimin nr.792, datë 09.11.2016 për një afat prej 25 vjet”.

Këto veprime, siç ka raportuar më herët edhe “Boldneës.al” mbi bazën e dokumentave, përfshijnë Ministrinë e Infrastrukturës, të drejtuara fillimisht nga Damian Gjiknuri e më tej nga Belinda Balluku.

  1. SPAK thotë se po heton “rrethanat dhe faktet që lidhen me personat e tjerë nën hetim, persona fizikë dhe personat juridikë, apo bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me të pandehurit e mësipërm në kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisëkriminale”.

Ky paragraf në njoftimin e SPAK-ut, megjithëse nuk ka një adresim të drejtëpërdrejtë, duket se është një përgjigje për çdo kritikë të drejtuar ndaj institucionit për pasivitet në kryerjen e veprimeve hetimore.

Gjithësesi, mbetet për t’u parë ecuria e këtyre hetimeve, siç edhe mbetet për t’u provuar forca e strukturës më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

  1. SPAK thotë gjithashtu se “po hetohen rrethanat dhe faktet që lidhen me dyshimet se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin në zhvillimin e proçedurës së prokurimit me objekt “Mbyllja e vënddepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park, Durrës”, me fond limit 1,684,288,721 lekë, si dhe në fazën e ekzekutimit të kësaj kontrate dhe transanksionet e mëvonshme që janë kryer lidhur me fondet e përfituara nëpërmjet kësaj kontrate prokurimi”.

Çështja e procedurave të dyshimta për kontratën 15 milionë euro për mbylljen e landfillit të Porto Romanos dhe ndërtimin e një Eko Parku janë raportuar për herë të parë nga “Boldnews.al”, në janar të vitit 2020.

SPAK-u deklaroi në atë kohë se nisi hetimet kryesisht, mbi bazën e indicieve të marra nga raportimi i “Boldnews.al”.

Megjithatë, tre vjet më pas, Prokuroria e Posaçme deklaron se është ende në vijim të hetimeve.

Një prej fituesve të kontratës 15 milionë euro të Porto Romanos është një kompani italiane, e lidhur ngushtë me “biznesmenët e inceneratorëve”, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.

Në njoftimin e SPAK-ut krijohet përshtypja se nën hetim nuk janë vetëm procedurat e tenderit, por edhe mënyrat se si janë kryer pagesat dhe kush janë përfituesit realë.

Tenderi 15 milionë euro është zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve Urbane (AKUM) në dhjetor të vitit 2019, kohë kur ai institucion drejtohej nga Alqi Bllako.

Gjithësesi, edhe për këtë çështje mbetet për t’u parë në vijimësi se deri ku do të arrijë SPAK-u.

Nga Boldnews.al