Si nisi konflikti Bullgari-Maqedoni e Veriut që pengon integrimin për Tiranën dhe Shkupin

0
464

Mosmarrëveshjet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut u bënë pengesë për një vendimmarrje në favor të organizimit të Konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Europian nga ana tjetër, që do të shënonte dhe nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim për të dy vendet ballkanike.Bullgaria nuk ndryshoi qëndrim mbi veton e këtij vendi ndaj nisjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Edhe nëntorin e kaluar Bullgaria bllokoi fillimin e këtyre negociatave me fqinjin e saj më të vogël Ballkanik, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi historinë dhe gjuhën.

Por, problemi po mban peng jo vetëm përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, por edhe të Shqipërisë, për shkak se vendet më me ndikim në Bruksel dëshirojnë që bisedimet të hapen njëkohësisht si për Shkupin edhe për Tiranën.

Si nisi konflikti mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut

Sofja kërkon që Shkupi të pranojë që kombi dhe gjuha e Maqedonisë së Veriut kanë rrënjë bullgare dhe dëshiron që ajo t’i japë fund retorikës anti-bullgare.

Maqedonia e Veriut, një ish republikë Jugosllave, thotë se identiteti dhe gjuha e saj nuk janë të hapura për diskutim.

Bullgaria, e cila prej kohësh i ka nxitur përpjekje për integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kërkon garanci në kuadrin e negociatave në mënyrë që Shkupi të prodhojë rezultat mbi një traktat miqësie të vitit 2017 me Sofjen, që trajton kryesisht çështje historike.

Sofja zyrtare gjithashtu kërkon garanci se Maqedonia e Veriut nuk do të mbështesë asnjë pretendim ndaj një pakicë maqedonase në Bullgari. Bullgaria kërkon që dokumentet zyrtare të BE-së të shmangin përmendjen e “gjuhës maqedonase”, që thotë se rrjedh nga bullgarishtja.

Dy vendet po ashtu nuk kanë arritur të merren vesh mbi ‘historinë e përbashkët’, siç e kanë quajtur ekspertët e të dy palëve, përfshirë përkatësinë etnike të disa prej figurave më të shquara historike dhe kulturore që të dyja palët i llogarisin si të tyre.