“Si dha shpirt në duart e mia gruaja e prefektit të Tiranës”

0
487
Historitë e Savrës së Lushnjës, fshatit ku sot kalon autostrada, janë të shumta sepse të shumtë ishin edhe njerëzit që hynë e dolën në të për vite me radhë. Njëra prej tyre ishte edhe Hajrije Mulleti, ish-gruaja e prefektit të Tiranës. Me rastin e kthimit në atdhe pas 67 vjetëve të eshtrave të Qazim Bej Mulletit ish Prefektit të Tiranës, përveçse  historisë e ditës së saj të fundit të jetës, së zonjës Hajrije Mulleti në hollësi edhe jetesën e familjes Mulleti në Savër.
Edhe ata, njësoj si të tjerëve, nuk u dallonte baraka, ishte po aq e pajetueshme, veçse, ndryshe nga shumëkush tjetër, familja Mulleti i ruante “stolitë” në sëndukët e drurit. Këto e të tjera kuriozitete të pathëna do t’i zbuloni radhë pas radhe, duke u njohur kështu me kontradiktat e një jetese sa të pasur, aq edhe të pashpresë. 
Nga Beqir SINA – New York
 
 
 
 

SAVËR, LUSHNJË: Ka qenë muaji i fundit i vitit 1980, dhjetor – me sa mbaj mend – kur rreth orës 2 pas mesnate në shtëpinë time, që i binte të ishte një dhomë 4×4 në barangën e tretë, me hyrje për nga rruga nacionale, dëgjoj një trokitje, tak-tak të lehtë, në penxheren time, që ishte ngjitur me derën dhe krevatin ku flija së bashku me nënën time. Vesh një palë pantallona dhe çohem të shikoj se kush ishte kaq vonë…

Me thënë të drejtën, si unë dhe nëna ime – që flinim në një dhomë, të cilën e kishim edhe dhomë gjumi, pritjeje dhe kuzhinë, u befasuam kur pamë Shitin (si i thërrisnim ne në kamp Reshit Mulletit), ngase ai vinte tek unë gati çdo mbrëmje, dhe atë natë, sapo ishte larguar duke na thënë se po ikte pak më herët, sepse Hajrija ishte shumë sëmurë. Shiti, ashtu trupshkurtër, dukej se kishte humbur fare, ca nga nata, ca nga frika. Nejse, ai nuk e zgjati, dhe, duke iu drithëruar zëri, na thotë: “Hajdeni se zoja Hajrije po vdes, por nuk i del shpirti.

Ajo më shikon mua, dhe vetëm lot i dalin”, tha ai, duke shikuar drejt nga nëna ime, për ndonjë ndihmë. Nëna ime tha se ajo nuk dinte nga këto zakone (rite tradicionale fetare), por tregoi për nga një komshia jonë, e cila qe një grua me të vërtet burrneshë dhe fisnike nga Tropoja. Vocër Hoxha quhej, dhe sipas nënës sime, ajo duhet të dinte. Shkova menjëherë te Vocrra, dhe ia tregoj situatën në të cilën ndodhej zoja Hajrije.

Ajo vishet shpejt e shpejt dhe së bashku, të dy me vrap, në mes të natës, nisemi për te baranga ku jetonte Reshit Mulleti me të ëmën e tij, Hajrije Mulletin, ish-gruan e prefektit të Tiranës, e cila ishte një grua me virtyte të veçanta, fisnike, shumë popullore dhe mjaft e zgjuar, me atë sjelljen dhe humorin karakteristik të tiranasve të vjetër.

KUSHTET 

Shiti me nëna Hajrijen jetonin në barangat e ndërtuara kastile për të persekutuarit, të internuarit e asaj kohe. Ajo ishte një dhomë e shtëpi 4×4, njëkohësisht, e mbushur gati deri në tavan me të gjitha orenditë (pajisjet shtëpiake) të një shtëpie që dukej se kishte qenë me tradita dhe fisnike, të një familjeje aristokrate shqiptare, si i thoshim ne, të kamura – pasanikë në një kohë në Shqipëri.

Qazim Mulleti, Hajria dhe i biriQazim Mulleti, Hajria dhe i biriPra, aty, në atë dhomë barange shihje gjithçka: tre sëndukë druri, qilimat e Persisë, kompletet e pjatave dhe filxhanëve të kafes dhe çajit, të gjitha të porcelanit nga firma të famshme çeke “Esty” dhe “Dubi”, të lara me lule dhe vija flori. Gotat e ujit, lugët, pirunjtë e thikat e bukës, pecetat e qëndisura të gjitha, të ardhura nga Italia e Austria, ku Hajrija edhe ishte martuar (pra ishin paja e nuses), një radio e vjetër gjermane “Gruding” dhe një aparat fotografik “Pentaks”, që e përdorte ngandonjëherë Shiti (Pasi na fotografonte, me anë të një kutie me bojëra uji, ai i bënte me ngjyra fotografitë tona bardhezi).

Në shtëpinë e tij, pra në atë dhomë 4 me 4, kishte me dhjetëra libra, të autorëve të huaj, fjalorë anglisht-shqip dhe italisht-shqip, ku të dy i lexonin dhe i rilexonin. Pra, të gjitha sendet ishin të disorganizuara, njëra mbi tjetrën, sikur të zinin frymën. Të pasistemuar, mbuluar nga pluhuri, dhe vendosur ashtu mes veshmbathjesh të vjetra, por “të jashtme”, si i thoshim ne atëherë, rroba të modës italiane dhe vjeneze, të asaj kohe. Unë nuk e kisha për herë të parë që hyja në atë shtëpi, mbasi isha “mysafir” i rregullt i familjes Mulleti, të cilët më donin aq shumë, dhe më prisnin shumë mirë.

Shiti dinte mjaft mirë italisht, dhe, ishte pothuajse për gjithë kampin një “axhensi lajmesh”, kuptohet lajmeve sportive më së shumti, por, për njerëz të besuar, edhe për të dhënë prej atyre lajmeve se çfarë ndodhte në botë: SHBA, Itali, Gjermani, Angli, Francë etj.

VDEKJA 

Kur hymë në shtëpinë e Shitit, Vocrra më tha se duhet t’ia mbaja unë kokën e Hajrijes, në prehrin tim. Ajo i rrinte në këmbë përballë, dhe nisi t’i thoshte ca fjalë, që as sot e kësaj dite nuk e di se çfarë i tha, por mbaj mend se nuk kaluan as dy a tri minuta dhe Hajrije Mulleti u shua menjëherë e në qetësi. Vocrra, pa nga Shiti, dhe i tha: Tani mbyllja sytë. Ai, duke qarë, i vuri dorën përmbi sy dhe kështu na vdiq kjo grua heroinë – një grua fisnike me virtyte të larta, që do të mbetet gjatë në mendjen time dhe të të gjithë atyre që e njohën, nëpër kampet e internimit.

Qazim-Mulleti2Hajrije Mulleti me të birinPikërisht, për atë dashurinë e saj, fisnikërinë, mençurinë, bukurinë, humorin e ëmbël dhe karakteristik të Tiranës, një antikomuniste dhe qendrestare deri sa mbylli sytë, atë dhjetor të 1980-s. Hajrija dhe djali i saj i vetëm, Reshiti, ishin deri sa vdiqën tironsa me të gjitha: në të folme, në të jetume, në gatim, në zakone dhe tradita, bujari dhe dashuri. Kishin qejf shumë të pinin kafe, në mëngjes dhe në darkë, shoqëruar edhe me ndonjë cigare “Partizani”, dhe të lexonin ndonjë libër e dëgjonin radion, sidomos në gjuhën italiane.

INTERNIMI 

Kur e internuan Hajrijen me djalin e saj, Reshitin – për shkak të një miqësie tradicionale me Myslim Pezën – si tirons “dem baba dem”, pra tironas me rrënjë, thonë se ai kishte dhënë urdhër, mesa duket, që një pjesë të orendive të shtëpisë t’i merrnin me vete, ngado që e degdisnin nëpër kampet e internimit. Për familjen Mulleti, si dhe shumë familje të tjera, ndër më të mëdhatë, më të pasurat, fisnike dhe patriote në Shqipëri, qysh në kohën e Turqisë, Pavarësisë së Shqipërisë, atë të Mbretit Zog, dhe Italisë, të vinte keq kur i shikoje se si i kishin katandisur në atë mënyrë, që të persekutoheshin, e drejtoheshin nga një kryetar këshilli fshati dhe brigadierë injorantë e të pashpirt.

Unë dhe ata, pra bashkëvuajtësit e mi, që i kishim njohur këto familje, të cilat ishin nga çdo vend i Shqipërisë, nga Veriu deri në Jug, por edhe nga Kosova e Çamëria, dhe viset e tjera shqiptare, e dinim të vërtetën, që na tregonin atëherë edhe prindërit tanë. Ne e dinim se sa e vështirë ishte ta paramendonim se si kishin qenë këto familje, përfshirë edhe Mulletët, apo të tjerët në kampet e internimit, duke na thënë: “Paramendoni dikë që kishte pasur veturë në atë kohë, që dëgjonte radio, që kishte një aparat fotografik apo që kishte studiuar në Itali, Francë, Gjermani, Angli dhe SHBA, që dinte më së paku dy gjuhë të huaja (prej nga italisht, gjermanisht, greqisht, serbisht, anglisht, frëngjisht, turqisht), dhe ta shohësh si jeton ai në internim, në kampet e Savrës, Gjazës, Gradishtës, Plugut, Grabianit, Shtyllasit, Lubonjës, Libofshës, e fshatrave të Kurveleshit”.

KOMEDIA

Më kujtohet si sot kur u shfaq për herë të parë komedia “Prefekti”. Zoja Hajrije, si i pëlqente nënës sime t’i thërriste asaj, si gjithë herët po shkonte në punë një mëngjes, ku bëhej më parë apeli dhe njerëzit merrnin planin e punës së asaj dite. Kryeagronomi i sektorit Savër, Xhaferr Labi, kërkon të përqeshë Hajrijen: “E moj Hajri Mulleti! Kur ke qenë e re, ishe me veturë, ndërsa tani shkon me kazmë në krah…”. Hajrija, pa një pa dy, ia kthen me atë humorin e saj dhe të folmen tironse: “Po kështu janë kohët, o shoku agranom – unë atëherë, kur ti dhe baba e nana jote nuk kishte as gomarë, e jo më veturë – sot, ti ke një motorrçikletë, që të ka mbyt me tym e pluhun parcelave të Savrës”.

 

Harija dhe Reshiti, për ata që i njohën, ishin tipikë pinjollë të atyre familjeve, që ishin të thjeshtë dhe që tregonin se si kanë qenë tiranasit e asaj kohe, sa me të vërtetë e praktikonin në jetë shprehjen “bëje të mirën dhe hidhe në det – nëse nuk e sheh robi, është Zoti ai që ta sheh”.

Qazim-Mulleti3Besim Levonja dhe aktorja Behije Çela, tregonte Hajrija, kishin qenë hyzmeqarë në shtëpinë e Qazim Mulletit, dhe atë të mirë të familjes së tyre, u erdhi dita për t’ua kthyer fisnikëve, në “përqeshje dhe injorim”, në kohën e servilizmit ndaj Partisë së Punës, duke bërë më të mirën e tyre, me artin tipik të mësuar në kohën e realizmit socialist, kohën e gënjeshtrave dhe të pavërtetave. Njëra prej tyre ishte edhe komedia “Prefekti”, e interpretuar nga Robert Ndrenika, në rolin e Qazim Mulletit dhe Behija Çela, e cila interpretonte Hajrijen.

Ishte një punë e Besim Levonjës, i cili përqesh dhe tallet me prefektin e Tiranës gjatë kohës së pushtimit fashist, pra Qazim Mulletin, dhe një vartës të tij, që ishte drejtues i policisë së Tiranës, po në atë kohë, Mon Kukaleshi, sikur ata të kishin qenë, sipas Levonjës, ca injorantë. Por, tiranasit e vjetër apo autoktonë, dhe ata që kishin jetuar në atë kohë në Tiranë, e njihnin mirë Qazim Mulletin, prefektin e Tiranës dhe Dibrës së Madhe.

Ai ishte një Prefekt dhe një Qazim Mullet, krejt tjetër, krejt ndryshe, nga ai që paraqitet si injorant, me një administratë të korruptuar, fetar (kjo në atë kohë kishte kuptim negativ, duke qenë se shënjestronte reaksionarët dhe njerëz që gjithsesi ishin kundër rrymës së asaj kohe); fshatarët që banonin afër Tiranës, si të trashë, fanatikë etj., gjithmonë sipas komedisë “Prefekti” të Besim Levonjës. Sipas asaj komedie, edhe një personazh nga Luma (Veriu) që arrestohet gabimisht, paraqitej në mënyrën më të keqe, si analfabet, që shiste salep me ibrikë në duar dhe ishte gati të denonconte këdo para autoriteteve.

E folura në dialekt ose me fjalë të huazuara e personazheve të “Prefektit” ishte bërë nga propaganda e regjimit diktatorial, me qëllim shumë e fortë, për të stigmatizuar grupet shoqërore nga vinin personazhet e komedisë. Këto stereotipa, që gjenden edhe në filmat e tjerë, të prodhuar gjatë kësaj kohe (sundimit komunist), me personalitetet e njohura të asaj kohe, vetëm sot, në demokraci, shihet se kanë qenë krejt ndryshe nga ato që na e mësonte realizimi socialist dhe intelektualët e Enver Hoxhës.